ALBANIZMA LETRARE E KANUNIT

Albanizma është cilësuar nga kritika si një vepër që shpreh vullnetin dhe dëshirën që më në fund shqiptarët, pasi kanë përmbushje detyrat historike, të flasin për vetveten

Afrim REXHEPI

Teoria e letërsisë në dy shekujt e fundit njeh katër sisteme teorike: pozitivizmin, fenomenologjinë, semiologjinë dhe dekonstruksionin, pa i shënuar fraksionet paradigmatike të tyre. Sistemet e shënuara teorike, treguan se përpjekjet për të kapur sistemet totale (edhe atëherë kur bënin përpjekje asimetrike si për shembull sistemi i dekonstruksionit), përfunduan në mbeturina metateorike. Është fakt i pamohueshëm që sistemet e shënuara teorike – metodologjike, bënin përpjekje për të projektuar një sistem të aftë për të kapur kuptimin e tekstit letrar. Me strukturalizmin, leximi subjektiv dhe interpretimi / kritika, kaloi në krizë të heshtur, sepse nuk mund të përcaktohej vlera estetike e një vepre letrare. Në fakt, strukturalizmi përjashtoj kritikën si disiplinë dhe nuk bëri dallimin midis të kuptuarit dhe interpretanti. Edhe post-strukturalizmi dhe dekonstruksioni nuk arritën të bëjnë më tepër në pjesën për kritikën. Nëse do të pranohej koncepti dekonstruktiv i kuptimit, atëherë do të duhej të pranohej fakti që gjuha nuk mund ta shpreh realitetin objektiv. E nëse gjuha nuk e ka aftësinë e duhur për ta shpreh realitetin objektiv, atëherë përse nevojitet kritika, përse parashtrohet pyetja epokale, A kanë vlerë estetike veprat letrare, kur dihet që vepra letrarë shkruhet përmes gjuhës, e gjuha gënjen. Zgjidhja e një problemi të tillë ndodhen në ridizajnimin e teorisë së semiologjisë dhe strukturalizmit përmes funksionalizimit të teorisë triadike të Persit, duke i përjashtuar pozicionet binare të semiologjisë dhe dekonstruksionin që nuk është teori, por një metodë për të kritikuar teorinë. Në këtë kontekst, zgjidhja e kërkuar kalon përmes semiotikës si urë lidhëse midis teorisë dhe kritikës letare, sipas konceptit triadik të Persit: shenja, objekti dhe interpretanti, ku interpretanti është shenjë subjektive që interpretohet nga interpretuesi. Janë variante teorike këto, të vlefshme për krijimin e sistemeve teorike, në kontekst edhe në krijimin e sistemit teorik të Sabri Hamitit.

Në përcaktimin për Bioletrën, Sabri Hamiti shprehet se Bioletra si teori, shkrimin e leximin letrar i trajton si procese të ndërliqshme e të lidhura njerëzore që kanë burim individin dhe botën e tij e jo rrethanat sociale e ideologjike të kolektivit. Kjo është kërkesë që letërsia t’i kthehet natyrës së vet të vërtetë, krijimit të vlerave shpirtërore dhe shijimit e njohjes së këtyre vlerave. Bioletra është një ftesë për t’u kthyer në fillim, në pafajësi, në zbulim të vetvetes e të botës, pa njohur asfarë konvence. Në këtë hapje të përgjithshme krijuesi e takon lexuesin e kohës së vet apo të kohëve të tjera për ta relativizuar kohën me përjetësinë e artit. 

***

Albanizma: Kanuni është një dokument kulturor dhe historik në aspektin e së drejtës tradicionale të shqiptarëve. Siç dihet, deri në kohërat moderne, kemi trashëguar kanunin e lekëve ose Kanuni i Lek Dukagjinit që ishte zbatuar në viset mbi lumin Drin dhe kanuni i gegëve ose Kanuni i Skënderbeut që ishte zbatuar në të gjithë pjesën tjetër veriore të Shqipërisë, kurse në Shqipërinë e jugut, kanuni (e drejta zakonore), funksiononte në formë fragmentare. Në fakt, modeli më i plotë i organizimit tradicional të jetës së shqiptarëve është Kanuni i Lek Dukagjinit, shënon studiuesi Shaban Sinani dhe e përcakton Kanunin përmes përkufizimit “botë e mbyllur”. Një botë e mbyllur e përcaktuar përmes referencave: Barazia, Mikpritja, Nderi, Besa ose fjala e dhënë. Pra, Kanuni, kjo botë e mbyllur, me në thelb fjalën (fjalën e dhënë), që në përkufizimet metodologjike të semiologjisë, i nënshtrohet procesit të semiozës. “Besa, ose kulti i fjalës së dhënë, lidhet në burim me mitin biblik të fjalës: “Në fillim qe fjala!”. Më parë se të ishte shkrimi, kontrata, marrëveshja, noteria, gjyqi, shteti, popujt, njeriu, bota vetë, ishte fjala. Ky kult madhështor, i cili në popujt euro-perëndimorë, pak nga pak mori karakterin e një idiome fetare kishtare, te shqiptarët ruajti gjurmën e burimit”.Fjala e dhënë apo Besa, që nuk ka barazi kuptimore me asnjë fjalë a frazeologjizëm të ndonjë gjuhe tjetër, është autentike, një dukuri e botës shqiptare, e shprehur përmes koncepteve metateorike të akademik Sabri Hamitit, si Albanizma.

“Shenjat kombëtare: himni e heroi, imazhet historike, figurat e veçanta dhe zhargonet e autenticitetit, janë shenjat e para të këtyre shkrimeve, që krijojnë koncepte të veçanta shqiptare, të quajtura Albanizma. Një jetë autentike, e përkthyer në letërsi autentike”. (Hamiti, 2010: 375)

Në aspektin e teorive të funksionalizuara në qindvjetshin e kaluar, Sabri Hamiti krijoi teorinë e vet origjinale për një poetikë të historisë letrare shqipe e sintetizuar në tre kapituj Bioletra – Tematologjia dhe Albanizma. Në fakt, çështë Albanizma?Albanizma ka të bëjë me një nocion që përfshin identitete kulturore dhe letrare shqipe, domethënë karakteristika të përsëritshme dhe të përsëritura të kësaj kulture dhe të kësaj letërsie, të cilat duken në shoqëri dhe reflektohen në letërsi. Këto janë albanizmat. Për shembull duke iu referuar Kanunit, Albanizma është tema e Besës e përthyer në letërsi. Është novela me një poetikë intertekstuale e Ismail Kadaresë, Kush e solli Doruntinën? Është drama Besa e Sami Frashërit, është drama Nita e Josip Relës e shembuj të tjerë. Paratekstualiteti i veprave të cituara, është Kanuni, konkretisht Albanizma Besa – fjala e dhënë. Procesi i semiozës në letërsinë shqipe, është në funksion. Për hir të kritereve metodologjike, do të përcaktojmë poetikën intertekstuale të novelës Kush e solli Doruntinën? Në kontekst, G. Genette është interesant, me dispozitat e tij teorike mbi palimsestin. Sipas tij, “Tema e poetikës nuk është teksti i përcaktuar në veçantinë e tij (që është shumë më tepër vepër e kritikës), por arkiteksti, d.m.th., arkitekstualiteti i tekstit (që zakonisht quhet “literaritet”), d.m.th. një grup kategorish të përgjithshme ose llojesh transcendente të ligjërimit, mënyrave e të të shprehurit, e gjinive letrare etj., të cilave u referohet çdo tekst individual. Sot, do të thosha, në një kuptim më të gjerë, subjekti i poetikës është transtekstualiteti ose transcendenca tekstuale e tekstit, të cilin më pas e përkufizova “si gjithçka që e vë tekstin në raport, të dukshëm apo të fshehur, me tekstet e tjera”.(Parateksti: Balada për vëllain e vdekur, një motiv i njohur që ka të bëjë me rastin e martesës së motrës pas shtatë maleve. Në Shqipëri kjo legjendë gjendet me emrin Halil Garia ose kënga e Dhoqinës. Pas një fatkeqësie, që ngjet në shtëpi, i vëllai duke dëgjuar zërin e nënës që i kërkon premtimin se do t’i sjellë vajzën kur të jetë nevoja, ngrihet nga varri dhe shkon e ia sjell. Në këtë legjendë tregohet edhe se sa e lartë është fjala e dhënë. Interteksti: Në fillim të novelës, njëri nga personazhet, kapiten Stresi, me të dëgjuar ndodhinë e mistershme, menjëherë fillon të gjurmojë se kush në të vërtetë e ka sjell Doruntinën në shtëpi. Në fakt kapiten Stresi, bashkë me ndihmësin e tij mendonin që Doruntinën e ka sjell ndonjë mashtrues. Pas shumë kërkimeve dhe interpretimeve të gjurmëve, kapiten Stresi kupton që Doruntinën e ka sjellë vëllai i saj, Konstatini).

Pra, G. Genette përpiqet të riformulojë intertekstualitetin në aspektin poetik, dhe konsideron se objekti i poetikës nuk është teksti i eksploruar në veçantinë e tij, por transtekstualiteti ose tërësia e marrëdhënieve ndërvepruese që teksti vendos me tekstet e tjera. Pra, është poetika ajo që hap tekstin, mes teksteve të tjera të lidhura, në kontekst me paratekstualitetin e besës së kanunit e të folklorit. Intertekstualiteti nuk është një fenomen letrar që nuk e mbyll tekstin, por e hap tekstin në raport me tekstet e tjera, në raport me kulturën, në raport me kontekstin, sepse autori është fillimisht lexuesi i teksteve të tjera, e më pas autori që krijon veprën gjuhësore të artit, të lidhur ndërtekstualisht me ndikime dhe vlera të ndryshme referimi. Ajo që intrigon novelën është përcaktimi i poetikës intertekstuale, sepse vepra të tilla që ngritën mbi një tekst folkloristik Konstatini dhe Doruntina e variante të tjera, i shënuar si paratekst, përmes fenomenit të intertekstualitetit, është letrarizuar novela Konstatini dhe Doruntina e Ismail Kadaresë, legjenda mbi vëllain e motrën dhe besën e dhënë. Në fakt, novela është letërsi që ngritët mbi një paratekst, mbi një tekst folkloristik. Një paradigmë e tillë teorike, e krijuar përmes poetikës intertekstuale, në vazhdimësi kërkon një lexues intertekstual, e Ismail Kadare nuk është vetëm shkrimtar, por edhe një lexues i pashoq intertekstual. Në funksion është fakti që fenomenet psiko – historike, siç për shembull është edhe fjala besa, fjala e dhënë, nyje botëkuptimore si albanizëm, e shohim së pari si fenomen jetësor – kontekstual, së dyti si fenomen letrarë dhe së treti si esencë e thurur në veprën letrare, me funksionin e ripërtëritjes së fenomenit.

   ***

Albanizma është cilësuar nga kritika si një vepër që shpreh vullnetin dhe dëshirën që më në fund shqiptarët, pasi kanë përmbushje detyrat historike, të flasin për vetveten. A do të vijë koha, thotë Eqrem Çabej, që letërsia shqipe të mos kenë detyra historike dhe politike, por të bëhet literaturë për vetveten. A do të bëhet letërsia shqipe, letërsi e vlerave estetike, jashtë kritereve ideologjike dhe politike, siç kërkoi Dr. Ibrahim Rugova “me një refuzim estetik dhe me një prani të theksuar të ontologjisë së veprës letrare”.

Leave a Reply

Your email address will not be published.