ALI PODRIMJA NË POEZINË SHQIPE

Krijimtaria e poetit, edhe pse ecën, lëviz, përplaset, krijon emfazat e veta apo qëndresa të ndryshme tranzitive social-emocionale, ka si të përhershme konstanten e dhimbjes për truallin. Dhimbja për vendin mbetet e palëvizshme

Majlinda RAMA

Ali Podrimja, njëri nga poetët shqiptarë më në zë të gjysmës së dytë të shekullit XX dhe fillimit të shekullit XXI, mbetet po ashtu ndër lëvruesit më të mëdhenj të lirikës patriotike përgjatë historisë letrare të pas viteve ’50-të në letërsinë shqiptare. Simbolikën poetike e lidhi ngushtë me kombin, me kulturën materiale e shpirtërore të vendit të vet. Fillim e fund, poezia e tij krijoi fytyrën e një korpusi të gjerë me elemente etniciteti, çka do ta bënte atë poetin më emblematik të Kosovës. Vetëdija poetike, vetëdija kombëtare dhe vetëdija politike krijonin trepolëshin që kapërcente gati çdo skemë standarde a kuptim të vendosur deri në atë kohë nga poetët kombëtarë paraardhës të Podrimes, kryesisht të periudhës së Rilindjes. Qysh në fillimet e veta krijuese, Kosova për poetin parashtrohet si një katakomb i ngatërruar thellë tuneleve të shpirtit dhe i bëhet motiv që e udhëheq në çdo kohë. Filozofia e tij krijuese vjen si një asketizëm vetjak, për të hequr dorë nga gëzimet e tjera të jetës, deri në gjetjen e përsosmërisë së përgjithshme, që në këtë rast ishte Kosova e lirë. Prandaj poeti krijoi një botë gjeopoetike krejt origjinale, të distancuar nga shtrëngimi i kufijve, ose, më saktë, përtej kufijve shtetërorë, të cilët gati se nuk i përfill fare, në kuptimin e vrapimit, shtrirjes dhe krijimit poetik.

Krijimtaria e poetit, edhe pse ecën, lëviz, përplaset, krijon emfazat e veta apo qëndresa të ndryshme tranzitive social-emocionale, ka si të përhershme konstanten e dhimbjes për truallin. Dhimbja për vendin mbetet e palëvizshme. Ajo bëhet sinteza e gjithë botëkuptimit të poezisë së tij, i qëndron gjithmonë në backstage, si një trigonomë trikohëshe: fillim, vazhdim dhe mbyllje. Ashtu si krejt sociumi kosovar, që notonte në ujërat e turbullta të viteve ’50-të, edhe poeti i ri Ali Podrimja do të vendosej përballë shtigjeve tepër të vështira, por kurrë nuk mundi të kufizohej nëpër uniforma orientuese apo imponuese të kohës.Si me një shpërthim prej shpirtit, ai do t’u drejtohej bindshëm dhe ngulmues gjithë atyre që kacafyteshin me fatet e shqiptarëve, se nuk mund ta falte atë që ishte gjak, mish e shpirt i atij trualli. Shpërtheu kështu një dritë që ziente prej kohësh në zemrat e gjithë bashkëkohësve të tij, por që asnjëherë nuk ish thënë sa duhej dhe si duhej.

Ky guxim djaloshar i hapi të tjera shtigje poetit, duke e bërë fatin e poezisë së tij një me fatin e Kosovës së tij, fate që i mbante mbi supe kudo ku shkonte, edhe në gëzime, edhe në hidhërime. Poezia e Ali Podrimes është thelbi i një rebelimi themelesh sociale, që luftonte për ide përparimtare. Ky shpirt reaktiv u shfaq me shpërthime, herë eksplicite (të shprehura) dhe herë implicite (të nënkuptuara). Kjo e bëri poetin më të konsoliduar dhe e inkuadroi si vulë identitare të fateve të vendit, duke u veçuar në komunitetin e krejt poetikës albanofolëse të deri asaj kohe.

I udhëhequr e orientuar nga paraardhësi i tij Esad Mekuli, Podrimja do t’i mbante lidhur fort urat poetike me poetët e mëdhenj kombëtarë, që nga Rilindja e më pas, te brezi i viteve ’30-’40, duke sjellë veçantinë e zërit të vet, si vazhdim të një tradite të përkorë letrare. E kishte të qartë vijën, udhën, boshtin, frymën, në të cilën ecte. Por, veç kësaj, Podrimja ka merita të veçanta, sepse i dha një orientim të ri poezisë, si në metodat krijuese, ashtu edhe në rrafshin tematik, duke prurë me natyrshmëri forma poetike të panjohura më herët. U shfaq si një skalitës i vargut, duke e formatuar atë më të prerë e më të mprehtë. Modernizoi elementet antike e tradicionale poetike, duke e nxjerrë në një tjetër hulli, atë të individualitetit të vet absolut.Debutimi i bujshëm i të riut gjakovar do të kthehej në model shkrimor, që nëpër vite do të pasurohej e përsosej më tej dhe assesi të qëndronte aty ku nisi. Ishte një kohë kur zëri i poetëve dhe shkrimtarëve dëgjohej dhe bëhej pjesë e zhvillimeve të përgjithshme të jetës kulturore e artistike në vend, duke kapërcyer përtej dhe mbi rolin e tyre.

Sikurse e thamë më lart, fati i shkrimtarit ishte ngushtësisht i lidhur me fatin e vendit, prandaj Podrimja do të kthehej në zë të asaj gjendjeje të rëndë sociale që mbizotëronte ato vite. Ai u bë fryma dhe fija lidhëse për ta çuar zërin e qëndresës te çdo qytetar i thjeshtë. Mesazhi i tij u bë mision dhe moto që trokitjen e parë e bëri me vargun emblematik: “Kosova është gjaku imqë nuk falet”! Ky varg aksiomatik, i prerë, ishte një thirrje për qëndresë, karakteristikë shqiptarësh ndër shekuj (varg i strukturuar mirë me dallgë shpërthyese nga gjaku që vlonte). Kohën e shënoi me konvenca universale, edhe pse shpërthente me dhimbje Kosove.

* * *

Nëse do të rravgonim në tematikën podrimjane, qysh në fillime do të na paraqitej një panoramë e plotë dhe e qartë e botëkuptimit të poetit. Një shpërfaqje që të çon në frymëzime të reja. Kështu, do ta niste hapërimin krijues me hijen e tokës për të mbërritur me fuqitë padronike të poezisë. Pëllumbat në shtëpinë pa qetësi poetit i ishin trembur qysh në fëmijëri, ndërsa kapërcyen përtej dhimbjes në rininë e hershme të tij. Rrëfimi, rënkimi, mallkimi – ishin trinia e mbrëmjes, ndezur në çdo ninullë guri. Netët pa gjumë, ankth, qentë që lehnin shushurimave të plepit, varre mbetur pas kokash – tablo poetike thellësisht therëse që mbinin të pakufishme brenda poetit dhe Kosovës. Në thelb të brendësisë Poet – Kosovë shfaqet prologu dhe epilogu, betimi dhe e përbetueshmja, dita e nata dhe maca më e zezë se terri. Në vargje rritet e rritet kali i Trojës, bashkë me dhimbjen dhe ankthin e tmerrit të tradhtisë nga brenda, tradhti që ia kish marrë Kalanë-Kosovë me dhjetëra herë. Ai ishte mes njerëzve, pas shkundullimës, mes dhimbjes së përflakur që shkonte e vinte në kohën e Homerit. Prandaj, përmes zërit – kushtrim, zërit – kërkues, zgjimtar, rritës shkallë – shkallë, ulëritës dhe insistues të çdo kohe, poeti Ali Podrimja,kërkoi revolucionet…

Leave a Reply

Your email address will not be published.