AMANETI I FAIK KONICËS

Të nderuar zotërinj! Ndërroj jetë me mejtimin se ju jeni njerëzit që më keni kuptuar më qartë në këtë dhe. Nuk do të më tretë dheu nëse ti imzot Noli dhe Lamja im i vogël dhe gjithë ata që e quajnë veten shqiptarë nuk do ta çojnë kufomën time të tretet në tokën mëmë. Kam lënë mënjanë edhe harxhimet e rrugës për trupin pa jetë dhe shumën për dy metrat vend në Shqipëri. Mbyll sytë se ju i nderuari Noli dhe ju të nderuar shqiptarë e ti Lamja im i vogël në Paris do të ma kryeni këtë amanet.  (Boston 1942)

Nga Ali PODRIMJA

Pakëz cinike duket, por shteti totalitar shqiptar frikësohej edhe nga të vdekurit! Veti e tiranëve është kjo. Ata as miqve nuk u besojnë (Eskili). Çështja e varrimit të Faik Konicës mbetet njëra nga historitë më të dhimbshme të atdhetarisë. Plot gjashtë vjet (nga 1942-48) priti trupi i pashpirt në një frigorifer për t’u kthyer në Shqipëri, edhe pse Konica, vendlindja e tij, kishte mbetur jashtë kornizave të Atdheut. Nuk i dhanë as dy metra tokë për varr toskës së rebeluar, i cili “e deshi Shqipërinë me pasion e xhelozi” (J. Kastrati) dhe i cili e qiti në hall diktaturën edhe pas vdekjes. Në zenitin e vet ishte shteti i ri shqiptar. Me zell zbatonte dogmën e besimit të ri: Të rrënohen edhe majat e kombit po qe se lypset. Është tepër e ndjeshme kjo, e pakompensueshme për një popull të vogël e të pakrah. Pra, kishte pushuar kombëtarja. Asgjë nuk nderohej pos idhujve të tiranisë në hartën e së cilës nuk figuronin si shenjë as Kosova e Çamëria. Amaneti i Faik Konicës, i cili u drejtohet edhe atyre që “veten e quajnë shqiptarë” (shqiptarë, me duket, pak kishte atëherë), është një sarkazmë e gjeniut që po vdiste i vetmuar. As Noli nuk mund bëri gjë. As Lamja i vogël (Seifulla Malishova), ministër kulture në shtetin e ri. Edhe këtë e hëngër terri i Majës së frikshme. Më mirë nuk kishte kaluar as Luigj Gurakuqi. Disa vjet u preh në anën tjetër të Adriatikut. Larot, siç thotë Noli, e shpallën edhe tradhtar. Për fatin e intelektualit shqiptar, siç vërehet, vendosen të paditurit dhe despotët që nuk mund u liruan nga kompleksi i fronit, sepse ishin të vegjël. Në mes Pushtetit dhe Atdhetarisë hendeku mbet i çelur. Dhe, nëse më esëll e shikojmë Majën e shtetit shqiptar mund të konkludojmë se në krye të tij u gjendën shpesh edhe individë që kombëtaren e kishin si një paradhomë për të hyrë në hierarkinë shtetërore. Pastaj zoti e di: profiti apo ideali i këndellte. Me pak përjashtime këtë të keqe mund ta hetojmë gati tek secila parti jona edhe sot. Amaneti i Faik Konicës akuzon rëndë jo vetëm embargon e tmerrshme të shtetit ideologjik shqiptar, që ia kishte venë një pjese të kulturës sonë. E kjo bëhej në emër të ruajtjes së “shëndetit” të popullit dhe triumfit të besimit të ri si vëllazëri mes popujve, pa dallim feje e race. Por nuk ishte ashtu, siç predikonin “profetët” e besimit të ri. Ajo që u varros apo mbeti jashtë kornizave të atdheut ishte mu shpirti i ndrydhur i popullit, që priste të rilindte. Në të vërtetë, ata të Majës kryenin punën që kishin ëndërruar ta bënin “vëllezërit” e internacionalizmit, duke rrënuar vazhdimisht atë pjesë të shëndetshme që i vinte erë shqiptare. Shteti ideologjik, pra, ishte më së pakti shtet e ideologji shqiptare. Çfarëdo guximi i mundshëm intelektual e kishte edhe dënimin kapital. Vonimi për 50 vjet është tepër i thellë për një mëkëmbje normale dhe për sanimin e huqeve ideologjike, lirimit nga ato. Njerëzit e kulturës do të kenë punë të vështirë jo vetëm shpjegimin e shumë anomalive e eksodeve të mëdha, por edhe të rindërtimit të qenies shqiptare pas nokdaunëve të komunizmit. Absurdi, ndoshta, që mund t’i japim edhe epitetin shqiptar: Ne nuk dijmë t’i mbrojmë vlerat tona sa e meritojnë, as të krenohemi me to. Afirmimin e individit nuk e marrim si afirmim edhe kombëtar. Nuk është i vetëm rasti i Konicës i cili ishte “shqiptari më erudit i Evropës” (Apolinieri). Etiketimet e tmerrshme ndaj personalitetit e veprës së Fishtës apo Skiroit nxinë ata që patën guxim t’i fyejnë kolosët. Gjëra makabra ndodhin edhe në ditët e sotme, kur gati na është këputur peri ekzistencial. Vlerat e njëmendta përpiqemi t’i nxjerrim margjinave ashtu siç vepronte diktatura dhe të imponojmë një shije malokçe, që nuk e ha më as bataku ynë. Qëndrimet e tilla më se qesharake mund të lexohen vetëm si komplekse, teke, krahinizma, sharlatanizma të të paartikuluarve. Afirmimi i secilit krijues, para së gjithash, është afirmim i gjeniut kombëtar. Seleksionimi ishte negativ: në mënyrën farefisnore u pushtua shpesh Maja. Dhe u mundësua infiltrimi i mediokërve, skizofrenëve, kleptomanëve, të cilët karrigen e panë si të vetmin mjet shpëtimi për të dalë në sipërfaqe dhe rrënimin e të tjerëve. Dhe, mu nga Maja nisi edhe pasiguria e tyre si karaktere e vlera. Nëse Faik Konica kishte lënë “mënjanë edhe harxhimet e rrugës për trupin pa jetë dhe shumë për dy metra vend në Shqipëri” dhe nuk iu mundësua varrimi, kjo tregon, në një farë mënyre, edhe sadizmin tonë. Por, nuk ka tradhti më të madhe sa nëpër tragjedinë e popullit tënd të shkelësh duke kërkuar një karrige për t’u ulur atje lart pranë Zotit. Mbi amanetin e Faik Konicës, ndër lutjet më tronditëse që kam lexuar jo vetëm në letrat shqipe, nuk më vjen turp të them se pas leximit të parë kam derdhur loti. Fliste për herë të fundit shpirti i gjeniut me të vetmen kërkesë që mund të kapet edhe si mesazh për çdo brez: Në tokën mëmë, varrimi! Aty të tretet. Ndërkaq, refuzimi kategorik i “profetëve” të besimit të ri për varrimin e Faik Konicës në Shqipëri, zbulon fytyrën e vërtetë të shtetit ideologjik shqiptar: Një kreaturë e mjerë, me një vizion të paqartë e antikombëtar. Trupi i shkrimtarit të nderuar priti plot gjashtë vjet në një frigorifer! Disi kjo t’i kujton filmat e Hiçkokut apo atë realizmin magjik të amerikolatinëve: “Në frigorifer trupi që nuk dëshiron të varroset në dhe të huaj dhe i cili akuzon të vetët. Por ç’t’i bësh, ideologjia ishte më e fortë se atdhedashuria e Faikut, i cili me atë fustanellën e gjatë të Toskërisë, që jo vetëm grekët ia shkurtuan dhe çoroditën me arna, kishte mahnitur metropolet e botës. “Albania” kujt nuk i kujtohet, ajo enciklopedi shqiptare, siç u quajt, ku me vjet kishte derdhur guximin prej intelektuali e eruditi mendimtari ynë, duke dëshmuar se Shqipëria nuk ishte një vilajet i errët oriental, as shqiptarët popull pa identitet e trashamanë, siç trumbetonte shkenctaria sllavoortodokse. Buzë Liqenit të Orhrisë, para shumë vjetësh, njohësi i veprës së Faik Konicës, dr. Luan Starova, kur më fliste për këtë testament, nuk i besoja as nuk mund e merrja me mend se diçka e tillë ndodh në vendin e shqipeve. Fatkeqësisht, edhe shumëçka që lexova më vonë ishte e vërtetë. Për 50 vjet ideologjia komuniste e kishte thyer keq shqiptarin, e kishte bërë palaço të një dogme të neveritshme pansllave; edhe krenarinë e dinjitetin kombëtar ia kishte rrënuar, e kishte lënë si një kallam të zhveshur në erë. Nga amaneti i Faik Konicës edhe pse mban vjetin 1942, mund të nxjerret edhe një mësim: Rindërtimi i qenies shqiptare nuk bëhet me intriga e sakicë në krah, por duke madhëruar shpirtin krijues pa marrë parasysh i gjallë apo i vdekur, i cilit besim apo krahinë na është ai. Monopoli mbi shqiptarinë është i rrezikshëm. Edhe mediokrët e mjedisit tonë do të binden një ditë kur t’u dalë narkoza. Forma më e keqe e pleqërimit është bajraktarllëku, sepse despotizmi nuk është shenjë e qytetërimit, por një primitivizëm i thellë fisnor që mund të na shpie deri tek një ideologji edhe më e rëndë se kjo nga e cila po dalim me kokë ndër duar. Njerëzit e mëdhenj veprojnë edhe pas vdekjes: Vepra e Faik Konicës tek hapet dhe komunikon lirisht me lexuesin, nga vetja duke nxjerrë tërë vrerin e ndrydhur me vjet. Dhe, do të lexohet si një kritikë e hidhur mbi shoqërinë shqiptare.

(Ali Podrimja, Vepra, Vëllimi i tetë, Prishtinë, 2024)

Leave a Reply

Your email address will not be published.