AMBIGUITETI MORAL I LUCIFERIT

A ekziston ndonjë pushtet, ndonjë hero antipushtet, ndonjë “figurë perëndie” që mund të na tregojë se ku është kufiri midis të drejtave të shqiptarëve dhe të drejtave të maqedonaseve që janë identike si tonat! Para së gjithash, ky kufi nuk mund të gjendet nëse mungojnë njohurit mbi të drejtat e individit dhe të etnosit të tij. Ky angazhim për njohuri të tilla zvetënohet në çastin kur brenda qenies së luftëtarit për më shumë të drejtat futet Asjevi “me përmasa të Luciferit”

Nga Avni HALIMI

Pikat e larta e të fortifikuara prej nga, zakonisht, si në pëllëmbë të dorës shihen vendbanimet e dendur, vizitorëve gjithnjë ua ngacmojnë lakminë, atë dëshirë egoiste, e cila, shikuar nga këndi psikologjik, do të mund të quhej “fortesë e karakterit të vërtetë” e ngritur nën hijen e personalitetit të çdo individi. Në të tilla pika, turistët, udhëtarët e rastit, ata që ngjiten duke u përgjakur stepave e duke rrokullisur ndonjë gurë drejt lumit ku mund të ketë zënë fill të mbarë jeta, sakaq i përshkon një ndjenjë e triumfalistit, pastaj një ndjenjë e perandorit, e shpëtimtarit të miletit nga e keqja. Nën këtë përsiatje impresioniste, shpërthejnë pastaj ato ëndrra që janë emblemë e atyre karaktereve të ndrydhur nën peshën e frikës së brumosur jo me parime por me dobësi morale. Njëri turist do të shajë Zot e gurë që nuk është mbret i fortesës. Tjetri turist vetëtimthi do ta ndjejë veten si hajn i pakapshëm nga xhandarmëria dhe i rrethuar nga bashkëveprimtarët e vet të cilëve do t’u jepte përqindje nga thesari i vjedhur. Turisti i tretë do të fillojë ta lakmojë fortesën si një vend ku do të ngjesheshin të gjitha idetë revolucionare, planet e sulmeve dhe projektet për ardhmëri. Gjithnjë të ndodhur përballë apo brenda fortesave shprehet një dëshirë që është e përbashkët për të gjithë soditësit “e rastit”! Të gjithë do të kishin dashur të ishin pronarë të fortesës me rend e rregulla, me parime e kode, me kanune e ligje që do të siguronin mirëqenie ekskluzivisht për mbretin dhe oborrin e tij. Vështruar nën thjerrën morale, këtu në të gjitha rastet kemi të bëjmë me lakminë e pushtimit, qoftë me të mirë, me kryengritje apo edhe me luftë.

Pse bëhen revolucionet

Lajtmotive të kësaj natyre hasen në letërsitë e shumë popujve, personazhet e këtyre kredove janë bërë frymëzim për shumë shkrimtarë botërorë. Pa dyshim, karaktere të këtillë, të transformuara nga qeniet psikosociale në qenie politike, në krijimtarinë e mëvonshme janë zbritur nga malet dhe fortesat, në rrafsh, në vende të hapura dhe në vende urbane, aty ku ndërthurja e intrigave është shumë më dinamike ndërsa zbërthimi i tyre është pothuajse i pamundshëm. Një karakter të tillë kishte edhe një figurë që këtu do ta përdorim si hero metaforik të cilin Encensbergeri në esenë e vet e quan “personazhi me përmasa të Luciferit”! Jevgeni Filipoviç Asjevi! Figura më kontroverse ruse e njohur që nga themelimi i Partisë Revolucionare Ruse më vitin 1900.

Georgi Plehanov, themelues i shkollës marksiste, ishte mbrojtës i paepur i mendimit se të gjithë revolucionet bëhen ose “rastësisht” ose me “komplote”. Dhe këto revolucione në esencë të synimit kanë marrjen e pushtetit. Nën motivin e një “synimi human”, në emër të lirisë e të të drejtave më të mëdha, në fakt synohet pushteti. Frytet e para të “revolucionit” gjithnjë mbrohen nga soji i heroit Asjev!

Në esenë e vet “Shpirtrat engjëllorë të terrorit”, Encensbergeri shkruan se Asjevi fillimisht ishte shef operativ i Organizatës Luftarake, nga e cila doli Partia Socialiste Revolucionare e Rusisë. Gati asnjë nga revolucionarët nuk e dinin se Asjevi që nga viti 1892 ishte i rekrutuar si bashkëpunëtor i policisë cariste. Ishte kohë kur bolshevikët (“shumica”) po rrezikoheshin nga veprimet politike nacionaliste të menshevikëve (“pakicës”). Asjevi, si prijës i një formacioni luftarak, kishte bindur partinë e vet se do të bashkëpunonte me policinë, me qëllim që ta spiunonte qeverinë, ndërkohë që qeverisë i ofronte informacione të plota e të shumta rreth revolucionarëve. Pra, duke “i shërbyer” Organizatës, në fakt vepronte në dobi të qeverisë me qëllim që sa më shumë ta shkatërronte Organizatën. Ambiguiteti moral ishte arma më e fortë e tij që po e mbante në fronin partiak. Carit i shërbente duke e tradhtuar Organizatën e vet deri në shkatërrim, ndërkohë që i kënaqte edhe miqtë e vet me informacione që u sillte nga “armiqtë”, qeveria.

Pse Asjevi e kishte synim shkatërrimin e Organizatës! A ishte i stërlodhur nga veprimi “në ilegalitet”. A frikësohej se një ditë kur do të bëhej kryeqeveritar do të mund të eliminohej pikërisht nga revolucionarët e vet? A i ishte kthyer lojalitetit absolut përballë Carit, i cili në shenjë falënderimi ia shpaloste të gjitha sekretet? Jo, përmasat e Luciferit te Asjevi kufizoheshin me synimet e tij të dyfishta: të dobësohej sa më shumë Qeveria, me qëllim që të shtohej nevoja qeveritare për angazhimin e tij deri në nivelin e shpëtimtarit dhe, meqë e ndjente vdekjen si nga qeveritarët ashtu edhe prej shokëve të vet, punonte në drejtim të shkatërrimit të Organizatës me qëllim që kontributi i tij prej lideri të vërtetë një ditë të ngrihej në nivele të legjendës. Veprimi politiko-skizmatik i tij bazohej në konceptin raskolnian. Sa më shumë “raskol”, përçarje, sa më shumë të atomizohej qeveria dhe Organizata, aq më tepër do ta ndjente veten Zot i tyre (Niçe thoshte se kjo është ajo shpalosje e vullnetit të pakufishëm për pushtet). Asajevi ishte i bindur se është reformist i sistemit totalitar; mendonte se është ai të cilit i lejohet të bëjë gjithçka, madje, nën këtë inerci veprimi, kreu sërë atentatesh, duke likuiduar njerëz të mëdhenj por edhe bashkëluftëtarë të tij prej të cilëve shihte rrezik!

“Zoti” që e sfidon edhe vdekjen

Kësisoj, sot, ky personazh kaq satanik, mund të haset pothuajse në të gjitha shoqëritë e botës, duke bërë një jetë si dyfytyrësh. Haset sidomos në ato shoqëri multietnike si dhe në ato që janë në përpjekje e sipër për të ngritur sisteme shoqërore postkonfliktuale. Madje, fatkeqësisht dalin ekskluzivisht nga revolucionarët, të cilët, duke u kyçur në pushtet, me qëllim të dëshmimit të pafajësimit për përmbytje të sistemit, me qëllim të dëshmimit të lojalitetit të paluhatshëm, nisin e nga radhët e veta nxjerrin Asjeva! Kjo metamorfozë etike haset në ato shoqëri ku bolshevizmi edhe përkundër përjetimit të revolucionit mbetet edhe më tej të qeverisë me vendin. Ndërsa në ato shoqëri ku në qeverisje vijnë revolucionarët ndërkohë që bolshevikët nënshtrohen, figura e Asjevit del me po të njëjtat përmasa dhe me po të njëjtin ambiguitet synimi. Synohet të disiplinohet anëtarësia madje deri në shkatërrim total të organizatës, me qëllim që frika të mbillet ndër popull dhe për pasojë të lind figura autokrate që nuk ka nevojë për organizata por për skllevër.

Së këndejmi, janë plotësisht në të drejtë antropologët kur vlerësojnë se kalimi i një pushteti nga duart e autokratëve në duart e revlucionarëve nuk sjell asgjë në favor të lirisë. Sepse, konflikti në mes ithtarëve të autokracisë dhe revolucionarëve kurrë nuk mund të përfundojë, ndonëse mund të ndjehet heshtja e përkohshme e konflikteve në mes të dy palëve. Benxhamen Konstani, përmes disa pyetjeve, me të drejtë ngrit një dilemë shumë të madhe që kërkon reflektim real. Ai pyet: ku është ndryshimi për individin nëse shtypet nga një diktator, nga një monark, nga pushteti i popullit apo nga një grumbull ligjesh jo humane. Pa dyshim, të gjitha pushtetet e ngritura nga revolucionet, nën synimin e krijimit të harmonisë shoqërore, gjithnjë e mendojnë shtypjen sa më të madhe të individit, atrofizimin total të idesë së tij se në pushtet mund të vihet me revolucion! Është ndjenja e frikës së rënies “me hile” nga pushteti. Prandaj ngadalë merret pushteti, duke u thyer fuqishëm të gjithë revolucionarët. Me këtë akt asjevistët dëshirojnë ta ngushëllojnë veten se janë mbi gjithçka, janë vetë “zoti” që i bëjnë sfidë edhe vdekjes.

As eseisti Encensberger dhe as teoricienët e politikës nuk arritën ta deshifronin deri në fund misterin e veprimit të Asajevit. As sjelljet e tij, as qëllimi i jetës së tij, por as të gjitha veprimet e tij nuk kishin pasur objektiva të shpjegueshëm politikisht. Ai, thjesht, përkufizohet si “qenie me përmasa të Luciferit”.

Kufiri midis dy të drejtave identike

Asnjë shoqëri, pra, as shoqëria jonë nuk është imune nga qeniet e këtilla. Ata i vërejmë gjithkund dhe, nën areolën e revolucionit, seç na duken si tipa karizmatik që mbajnë vulën e të shenjtit kombëtar. Për këtë shkak dhe kurrë nuk futen në laboratoriumin e zbërthimeve të elementeve të tyre njerëzore. Mbeten të “shenjtë” sepse nuk kanë asgjë të lexueshme nga njerëzorja! Në fakt, vetëm pasi t’ju lexohen qëllimet dhe veprimet satanike tek atëherë mund të kuptohet ndonjë gjë nga realiteti i tyre njerëzor. Cili është ai realitet? Të jetuarit për pushtet, shkelje mbi sistemin e vlerave të kodifikuara më parë, me pretekst të ngritjes së vlerave të reja, pavarësisht se ato, pa një bazë paraprake mund të pezullojnë në ajër si flluska dëbore që sapo të prekin tokën shkrihen. Asjevat e sotshëm shëmbëllejnë në subjekte të humbur të cilët, duke mos arritur që diku pas derës t’i gjejnë koordinatat e vendit të vet, jo vetëm që e degjenerojnë dhe e kriminalizojnë shoqërinë por edhe, gjithnjë e më shumë, i shtresojnë motivet e një promiskuiteti dhe të një konflikti brenda kruzhokut të tyre. Si rrjedhojë e kësaj, liria nis e bëhet diçka e urryer. Në vend të respektimit ndaj aktit revolucionar, nis e shprehet nostalgjia për të kaluarën e errët. Në robëri kërkohet mbrojtja nga Asjevi i dehur nga liria.

Historia dëshmon se,gjithnjë pas revolucioneve në pushtet vijnë revolucionarët. Në fakt, vetë masa e akumuluar e vullnetit për pushtet, shkakton konfliktin për marrje të pushtetit. Pasi të merret pushteti, prijësi i luftëtarëve për “më shumë të drejta” që garantohen nga pozita e të qenët pushtet, zgjeron kufijtë e të ushtruarit të pushtetit, pa hetuar se rrëshqet drejt totalitarizmit. Liria dhe të drejtat e individëve dozohen gjithnjë sipas dëshirës dhe vullnetit të pushtetit. Secili pushtet ngritët dhe funksionon mbi themelet e kufirit në mes të mundshmes dhe të pamundshmes, reales dhe ireales. Vërtet a ekziston ndonjë pushtet, ndonjë hero antipushtet, ndonjë “figurë perëndie” që mund të na tregojë se ku është kufiri midis të drejtave të shqiptarëve dhe të drejtave të maqedonasve që janë identike si tonat! Para së gjithash, ky kufi nuk mund të gjendet nëse mungojnë njohurit mbi të drejtat e individit dhe të etnosit të tij. Ky sens për njohuri të tilla zvetënohet në çastin kur brenda qenies së luftëtarit për më shumë të drejtat futet Asjevi me përmasa të Luciferit.

Në kohën e Asjevit, caristët kishin përdorur shumë shpesh shprehjen popullore “Në secilin rus të gërvishtur del një moskovit”! Ndërsa revolucionarët kishin përdorur shprehjen e tyre, “Në secilin revolucionar të gërvishtur del një Asjev”! A mund të jetë morali i këtyre frazave shprehja “Në secilin popull të gërvishtur del robëria”?

Leave a Reply

Your email address will not be published.