(Mbi vëllimin me poezi “Noah” të Sabit Bajraktarit, botuar nga ShB “Rozafa”)
Zyrafete SHALA
Edhe pse autor i disa librave seriozë në poezi e prozë, Sabit Bajraktari nuk është nga ata krijues që i ndeshim shpesh nëpër faqe revistash, portale, intervista apo takime krijuesish,megjithatë, kjo nuk ishte pengesë që vëllimi i tij i fundit me poezi NOAH, botuar nga ShB “Rozafa”,të shpërblehej nga MKRS me çmimin Ali Podrimja, si vepra më e mirë në poezi për vitin 2022. I vënë nën thjerrëzën e analizës estetike e letrare, vëllimi Noah shfaqet si një vepër e pasur, e punuar me përkushtim dhe që meriton vëmendje të veçantë nga kritika letrare. Madje, ende pa u zhytur brenda universit poetik dhe zbërthimit të shtresave kuptimore që ndërtojnë vargjet e poezive brenda tij, është titulli i librit dhe parateksti, ata që na intrigojnë për të kërkuar kahun nga duhet orientuar leximin.Dhe, sapo e marrim këtë informacion, e gjejmë veten duke shtegtuar nëpër stinët e jetës së poetit; jo vetëm për faktin që vargjet e tij vërtet na sjellin copëza që e përbëjnë unin e tij lirik dhe personalitetin human, por ngase stinë i emërton edhe ciklet në të cilat ndahen poezitë e këtij vëllimi: Stina e ikjeve, Stina e kujtimeve, Stina e mjegullave dhe Stina pa ngjyra. Pavarësisht nga motivet që trajtohen dhe tonit që karakterizon vargjet e secilit cikël,si njësi tematike, të katër këto cikle korrespondojnë mes vete në aspektin semantik. Fillimisht shfaqet ikja – si akt që determinohet nga rrethana të caktuara, por që rezulton të jetë i domosdoshëm, pastaj vijnë kujtimet – si e vetmja formë që arrin të mbajë pashkëputshmërinë me vendlindjen, mjegulla – si shënjues i mjedisit ku dominojnë kaosi, paturpësia e makutëria dhe, së fundi, kur të gjitha mbishtresohen në plagët e dhimbjet e luftës, e kthejnë jetën në një stinë pa ngjyra.
Titulli i librit, Noah, pashmangshëm na shpie në terrenin biblik, më saktësisht te përmbytja e madhe, ku krahas mundësisë për të shpëtuar diçka nga një botë po rrënohej, shpërfaqen edhe veset e virtytet e njeriut, kësaj qenieje kokëfortë, me prirje të theksuar për vetë-shkatërrim.Edhe pse poezia me të njëjtin titull mbase na ofron edhe mundësi të tjera interpretimi, është parateksti(i shkëputur nga krijimtaria e RagipSylajt) që na mban në terrenin fillestar: E mori poezinë në dorë si një shkrim të shenjtë dhe tek e lexonte, e intrigonte patjetër dilema, se si do të fliste ajo me njeriun e sotëm e të nesërm, sepse në art edhe nesër është sot…Poeti përveç që na sugjeron t’i qasemi poezisë si një shkrimi të shenjtë, duke na dhënë në dorë vëllimin e tij poetik Noah, na krijon aluzionin se është duke na ofruar barkën e tij të shpresës, ku i ruan të gjitha ndjesitë, ëndrrat, gëzimet, zhgënjimet, dhimbjet, pengjet e kujtimet që jeta ia ngarkoi. Ai është i vetëdijshëm se këto përjetime nuk mund të jenë individuale, përkundrazi janë plagë edhe të bashkëkombësve të tij, prandaj mëton t’i përçojë edhe te lexuesi, pavarësisht se cilës kohe do t’i takojë ai. Sepse të jetosh në një botë ku lirisë ia zë vendin djallëzia, ku jeta bëhet urë heshtjesh që lufton me stuhitë, ku të vidhet ëndërr dhe akuzohesh për plagjiaturë, ku luftëtari i lirisë shpallet tradhtar… nuk të mbetet tjetër pos të shpresosh se pas një përmbytjeje të madhe do të lind një botë më e drejtë.
Nga temat që dominojnë në këtë vëllim, padyshim është tema e mërgimit, me tërëspektrin e motiveve që ndërthuren me të, si: zhgënjimi me atë që solli zhgjëndrra, ndarja nga trungu, ikja, ëndrrat e braktisura, kujtimet që zhbëhen, pritjet që mbajnë vulën e ikjes, e mbi të gjitha me ndarjen e qenësisë në dy botë. Është pikërisht kjo skizmë që e bën mërgimtarin të ndjehet i huaj në të dyja polet e ekzistencës së tij dhe të cilën poeti Bajraktari e kthen në klithmë, në thirrje për ata që ende nuk e kanë bërë këtë hap: Ikja të bën gur që s’e pranon asnjë themel… / Të sheh dielli dhe nuk të ngroh / të prek dashuria dhe s’e ndien /… Sërish të lutem / Mos ik (Mësim i vonë, f. 10).Edhe pse mërgimi është temë e njohur në letërsinë tonë dhe është trajtuar pothuajse në të gjitha periudhat letrare, mirëpo në secilën prej tyre ka marrë tipare të ndryshme të dhimbjes, ashtu si në poezitë e këtij vëllimi ku para së gjithash, përjetohet si ikje.I parë nga ky këndvështrim, largimi nga atdheu e bën subjektin poetik të lëshohet në zemërimin,i cili, brenda sistemit poetik, arrin të formësohet në akuzë të ashpër ndaj realitetit kosovar: Kam ikur prej helmit tim / Nga gurët që hidhja në qiell / Prej erës së fortë që futej dritareve të thyera / Nga flaka e tradhtisë që mbiu në kopshtin tim /Prej emrit të ri që nuk munda kurrë ta pranoja / Nga njeriu që m’i bëri lëmsh stinët rrugët /Prej Zotit që nuk e njihte / Nga inati që më shtrëngonte në qafë / Prej errësirës dhe grindjes ika bre / Ika prej himnit të ri pa fjalë pa emocion (Dialog, f. 13). Toni i tillë revoltues, që i përshkon poezitë me temë të mërgimit në këtë vëllim, është një tipar që i karakterizon në përgjithësi poezitë me këtë temë, të botuara pas luftës së fundit në Kosovë.Mirëpo, i gërshetuar me përjetimet dhe ndjesitë individuale të secilit krijues, gjithnjë merr konotacion të ri.
Tema e kujtesës, e portretizuar në poezitë e vëllimit Noah nga subjekti poetik i mërguar, shërben në radhë të parë si mbrojtje nga dhimbjet e ankthit të ndarjes, por edhe si mundësi për ruajtjen e identitetit individual e kulturor. Janë një varg formash të semantizuara që poeti i hedh në trajtë spirancash për të mos u shkëputur nga trualli i të parëve.Prehri i nënës, si metonimi e shtëpisë dhe vatrës, na shfaqet në poezinë Nëna dhe shtëpia: Kishte shije parajse prehri i nënës / Kur i këndonte këngët e Nexhmije Pagarushës / Dhe thurte çorapë me majë të kuqe / Me trikot e shtrembëruara (Nëna dhe shtëpia, f. 46).Imazhi i përsosur i fëmijërisë së lumturplotësohet më tej me figurën e babait, si personifikim isigurisë e ngrohtësisë: Ai ishte si shtëpia / Na mbante ngrohtë / Na ushqente… me ëndrra / Që të rriteshim si në përralla / Edhe pse jeta i ngjante një filmi / Mbështjellë me tym e ikje ardhje (Po aty, f. 46). Edhe pse kujtimet janë shumë selektive dhe ripërtëritja e tyre potencialisht duket se i favorizon kujtimet e bukura, duke i mohuar ato të pakëndshmet, ky proces shpeshherë ia del t’i devijojë linjat e kësaj skeme, si në vargun: Na ushqente… me ëndrra. Retiçenca që e ndërpret mendimin i kumton lexuesit një të vërtetë tjetër nga ajo që shpërfaq litota në përmbyllje të vargut. Megjithatë, kur bëhet fjalë për fëmijërinë, kujtesa e zemrës, siç do të thoshte G. G. Márquez: Eliminon të keqen dhe zmadhon të mirat,dhe falë kësaj artifice ne arrijmë të durojmë barrën e së shkuarës.
Absurditetet e botës shqiptare shërbejnë si burim frymëzimi për një varg poezish që si strumbullar kanë zhgënjimin dhe revoltën.Në poezitë:S’është çudi, Kosova pronë e të gjithëve, Liria po kundërmon, Vendlindja po zvogëlohet, Makutët e pasluftës e disa të tjerapoeti sjell tablonë e deformiteteve që tash e më shumë se dy dekada me radhë po e ngulfasin lirinë. Skenat që e materializojnë imazhin e errësirës në të cilën është zhytur atdheu, janë po ato që e kanësfilitur edhe subjektin krijues: E dogjën timen jetë si me zjarr vullkani / Më janë thinjur ëndrrat / Më janë shterur fjalët / Kam harruar fytyrën e ish së dashurës sime (Kosova pronë e të gjithëve, f. 28). Ndjesitë e tilla i bëjnë edhe më të dhimbshme përjetimet e hidhura të luftës që nuk reshtin së qeni vatra prej nga buron dhimbja dhe gjithashtu, vatragjeneruese të makthit pa fund: S’e di nëse njerëzit që mbetën pa të dashurit e tyre / A e kanë pranuar lirinë që po e shohin me sytë e mi / S’e di nëse e ka larë dheun shiu nga gjaku i freskët (Vendlindja po zvogëlohet, f. 67). Prej këtu merr kuptim edhe më të thellë dikotomia ëndërr / zhgjëndërr që në vargjet e këtij vëllimi sugjeron një marrëdhënie absurde, sepse: Është e vështirë të jetosh në zhgjëndërr / Po nuk pate një ëndërr e cila të bën të fluturosh (Po aty, f. 67).
E shikuar në totalitetin e saj apo e ndarë në njësitë kuptimore të veçanta, vepra Noah e Sabit Bajraktarit vjen si një si tekst poetik brenda të cilit shfaqet anatomia e vetëdijes së kohës sonë, gjegjësisht e vetëdijes së njeriut tonë. E atij njeriu të cilit,forcat tronditëse të traumës së përjetuar në kapërcyellin mes dy shekujve i shpërfytyruan ëndrrën dhe e vunë përpara dilemave të reja. Prandaj edhe konfiguracioni i hapësirës poetike është i ndërtuar kryesisht mbi kuptimet që ndonjëherë vijnë si përpjekje për t’u kthyer në ëndërr, herë të tjera si domosdoshmëri e përballjes me zhgjëndrrën, e më shpesh si refleksione ndaj realitetit;megjithëse, poezia e Sabit Bajraktarit përmban edhe motive e ide që i tejkalojnë preokupimet e sipërpërmendura. Veçori specifike e poezivetë këtij vëllimi mbeten narracioni, krijimi i imazheve apo fotografive emocionale subjektive, figurshmëria e racionalizuar, në kuptim të eliminimit të figurave dekorative, komunikimi, si dhe marrëdhënia e theksuar midis fjalëve, cilësi kjo vetëm e poezive të arrira. Reminishencat që aty-këtu vijnë në trajta sentencioze të shprehjes flasin për lidhjet intertekstuale të kësaj poezie ndonjëherë me traditën dhe kulturën tonë, e më shpesh me letërsinë dhe kulturën e përbotshme. Si e tillë, poezia e Sabit Bajraktarit është një individualitet poetikqë intencë ka mesazhin poetik,ndërsa vëllimi i tij Noah sjell në letërsinë e sotme shqipe një propozim estetik të veçantë, i cili, e pranuam ose jo, doemos e ka lëvizur rendin e hierarkisë së veprave të botuara.