Konflikti që shfaqet mes të gjallëve dhe të ringjallurve është gjetje e qëlluar e shkrimtarit për të t’i dhënë përmasat e shqetësuese të degradimit njerëzor
Zyrafete SHALA
Romani i Zija Çelës, Apokalipsi sipas Shën Tiranës, i botuar nga Toena në prag të vitit 2012, sjell tek lexuesi shqiptar një version të veçantë të apokalipsit, i cili nuk ka të bëjë me fundin e botës për të cilin është shkruar dhe folur shumë, e që sipas disa profecive përkonte me 2012 – ën. Apokalipsi i Zija Çelës përmes ndërthurjeve me të gjitha sferat e realitetit shqiptar, mes të kaluarës dhe rrëfimeve të librave të shenjtë, krijon një shëmbëllim të absurditetit e shkatërrimit moral, politik, kulturor, historik e social në vorbullën e të cilit tash sa vjet po rrotullohet bota shqiptare, pa arritur ende të gjejë rrugëdaljen nga labirinti ku ndodhet. Përmes një fabule ku kryqëzohen rrugët, fatet dhe veprimet e njerëzve të gjallë e të vdekur, ku bota reale dhe përtej bota tejkalojnë çdo barrierë dhe komunikojnë lirshëm, shpalosen ngjarje të ndryshme nga përditshmëria, çaste të bukura e të hidhura që i përvijojnë konturat e këtij romani, në hyrje të të cilit shkrimtari bën një pakt me lexuesin, duke i dhënë mundësinë e zgjedhjes së një titulli tjetër, që tremb më pak.
Romani ndahet në 24 kapituj dhe secilit prej tyre i është vënë nga një emër që ndërlidhet me përmbajtjen e tij, Kreu i Dasmës është ai që e hap romanin ndërsa Kreu i Mohimit e mbyll atë. Duke e përcjell narratorin në rrugë- timin e tij nëpër kryeqytetin shqiptar, lexuesi arrin të njohë për së afërmi strukturën e shoqërisë, mekanizmat e funksionimit të saj dhe të gjitha hallkat e jetës dhe aktualitetit.
Në kërkim të arsyeve që sollën në atë shkallë të degradimit, shkrimtari niset nga e keqja brenda familjes, si qelizë e shoqërisë, për të vazhduar më tej me përmasa më të gjera, ku hap pas hapi zbulohen vatra gjithnjë e më të mëdha nga të cilat vjen e stërkeqja e përgjithshme. Kështu, tragjedia që zë fill në familjen Hoti, ku rrënohen kufijtë mes dasmës dhe mortit, për t’u zgjeruar më tej në farefisin e tyre dhe në fund kjo bëhet pikënisje e tragjedisë që përfshinë tërë kryeqytetin, ku brenda natës tragjike gjejnë vdekjen 173 të rinj. Deri këtu rrjedha e ngjarjeve përcjellë ritmin e ligjeve të botës reale, ngjarje të tilla ndodhin kudo dhe njerëzit janë të pafuqishëm për t’i penguar ato, mirëpo, shqiptarët nuk duan t’u nënshtrohen ligjeve që vlejnë për të gjithë njerëzit, ata nisin të protestojnë kundër Zotit, bëjnë grevë urie dhe përgatisin ultimatum përmes të cilit kërkojnë që Zoti t’ua kthejë të gjithë të vdekurit.
Këtu zë fill edhe hapi i parë i absurditetit, por edhe aluzioni për popullin që dekada të tëra i ishte nënshtruar një diktatori – njeri, ndërsa tani ngre krye kundër urdhrave të perëndisë!! Kjo këmbëngulje sjell si rezultat përmbushjen e kërkesës dhe ringjalljen e të vdekurve.
Ringjallja, apo ardhja nga përtej bota nuk është motiv i ri as në letërsinë shqipe, e as në atë botërore, ai zë fill që nga baladat e lashta, ku të vdekurit ngrihen nga varri për të çuar në vend fjalën e dhënë, pengun që nuk i lë të bëjnë gjumin e amshueshëm, apo ngrihen edhe për të thënë të vërtetën, atë të vërtetë që nuk mund ta gjejnë të gjallët pa ndihmën e tyre. Dihet se në shkrimet e shenjta ringjallja e të vdekurve lidhet me fundin e kësaj bote, me apokiametin, siç e quan shkrimtari, apo me Ditën e Gjykimit. Por, vdekagjallëve të Zija Çelës që nuk kanë dhënë premtime dhe nuk kanë lënë detyra të papërfunduara, shqetësimi dhe nevoja e kthimit u vjen nga të gjallët.
Rivlerësimi i figurave të së kaluarës që ka marrë hov vitet e fundit është një ngacmim i tillë. Trillimet, fajësimet e manipulimet me emrin dhe veprën e atyre që nuk rrojnë më, shtrojnë domosdoshmërinë dhe nevojën e sqarimit të çështjeve, apo siç thotë një personazh “po të flisnin të vdekurit, s’do të gjendej magazinë për të palarat tona, të gjitha do të dilnin në shesh, edhe krimet shtetërore”.
Pritja e të ringjallurve me organizim koncertesh e spektaklesh, që më pas zëvendësohet me shpërfillje dhe në fund me refuzim dhe urrejtje, tregon më së miri për mënyrën euforike të përjetimit të gjërave që e karakterizon popullin shqiptar. Këmbëngulin për të arritur një ndryshim dhe sapo realizohet ai synim përsëri janë të pakënaqur, luftojnë kundër një pushteti skllavërues dhe sapo e shembin atë, më të zëshmit e kësaj lufte kthehen në skllavërues, e përjetojnë me eufori shembjen e sistemit totalitar, por në momentet e zhgënjimit edhe mund ta kërkojnë atë.
I dëshpëruar nga veprimet e bashkëkombësve autori gërmon në thellësitë e natyrës njerëzore, i kthehet gjenezës, ashtu siç e përshkruajnë librat e shenjtë, Kur’ani dhe Bibla, por krahas saj e shqyrton edhe konfliktin kozmogonik (Zot dhe Djall), mëkatin që njeriun e dëboi nga parajsa dhe e shndërroi nga të përjetshëm në të përkohshëm, për të vazhduar kërkimin edhe tek fundi i botës dhe ringjallja. Meqë sipas shkrimeve të shenjta ringjallja ndodh pas apokalipsit, apo pas shkatërrimit të botës, atëherë “fenomeni i shfaqur i ringjalljes, që e gjejmë në këtë roman, del të jetë një bastardim i Ringjalljes teologjike dhe si i tillë, nuk është punë e Zotit por e Djallit”. Një sugjerim tjetër sjell në përfundimin se më kot pritej apokalipsi, ai tanimë kishte ndodhur dhe kjo argumentohet me degradimin e njeriu, apo me shfaqjen e njeriu hipokrit. Aq i shpërfytyruar shfaqet njeriu i kohës sonë, aq shumë ka devijuar nga natyra e tij, sa doemos të çon para dilemës se mos është fjala për ndonjë ndërhyrje klonimi nga ana e alienëve.
Personazhi që shfaqet si alter ego e autorit, Mark Pali, jo vetëm që i vëzhgon dhe regjistron të gjitha ndodhitë, por i përjeton me shqetësim ato. Të ringjallurit krijojnë parti politike dhe kërkojnë të drejta të barabarta me të gjallët. Hapet Instituti për Higjienizimin Human që lehtëson rrugën e korrupsionit, mitmarrjes, vrasjeve me pagesë, krijimin e kultit të parasë, materializimin e ndjenjave njerëzore, që simbolizohet me tregun e Esencave ku shiteshin e bliheshin: trishtimi, melankolia, lumturia e dhembshuria, virtyte humane që kishin humbur kaherë. As dashuria më nuk ishte si atëherë kur ajo krahasohej me gjakun, lëngun e jetës, tani edhe ajo shitej e blihej me para. Kopraci hiqej si bujar, hajni si evlija, bukëshkali si besnik, imorali predikonte moral, femohuesit binin në gjunjë në kisha dhe xhamia.
Konflikti që shfaqet mes të gjallëve dhe të ringjallurve është gjetje e qëlluar e shkrimtarit për të t’i dhënë përmasat e shqetësuese të degradimit njerëzor. Të ringjallurit nuk dëshirojnë pushtetin, përkundrazi duan të mbeten opozitë e përhershme parlamentare, që synojnë t’i detyrojnë partitë politike të kujtohen për trashëgiminë e mendimit dhe të praktikave të sjelljes së njerëzimit, si pasuri botërore më e çmuar.
Natyrisht që një përmbysje e tillë e botës përjetohet rëndë nga ata pak njerëz që i kanë shpëtuar molepsjes dhe derisa të tjerët janë kapluar nga shfrenimi, kjo specie rrezikon të zhduket në pamundësi të ndryshimit të gjendjes. (2012)