ARKA JONË E RE E NOES

Sot bota perëndimore njeh bankën etike, ndërmarrjen etike, tregtinë e komunikimin etik, tatimet etike, politikën, madje dhe financat etike

Gersa RRUDHA

“Etika është fjalori i perëndimit“ – shkruan Pol Rikër, filozofi më i madh bashkëkohor francez, “e në erën globale ajo kthehet në mjetin e vetëm të orientimit”. “T’i rikthehemi etikës. Të kapemi pas saj si pas një argshi në mes të një stuhie. Se ajo është arka jonë e re e Noes”. Ja, kështu shprehej në një mbrëmje vjeshte parisienë të vitit 2001, filozofi i madh gati njëqind vjeçar Zhan Guitton (nxënës i Bergsonit dhe mik i ngushtë i Papa Palit VI).

Etika

Ja, kjo është situata kah së cilës drejtohet sot kjo disiplinë fisnike e filozofisë. Ja, përse zërat më të shquar të mendimit perëndimor kanë hedhur tezën e ekzistencës së një “urie për etikën në shkallë botërore”, ndërkohë që filozofi i njohur francez,Edgan Morin, vlerëson se “pavarësisht nga progresi impresionues i teknologjisë, ndodhemi të gjithë në një Titanik Planetar, pasi mungon pikërisht një vizion etik që udhëheq procesin”. E kjo sepse në thelb, është pikërisht etika ajo që duhet t’i zhvillojë apo t’i lubrifikojë marrëdhëniet midis njerëzve; pra, të promovojë rregulla të caktuara të formuluara mbi bazën e bindjes apo të thirrjes së asaj çka na përçon tradita e shëndoshë kombëtare, ose në rastet kur një traditë e tillë gjendet përballë problemeve të pazgjidhshme për të, në bazë të zërit të ndërgjegjes dhe parimit se etika favorizon parësisht lirinë.

Në një kohë kur e gjitha kjo mund të konsiderohet si një jehonë e atij libri te mrekullueshëm me titull “Etika dhe politika”, që shkroi në fillim të viteve 30’të shekullit të shkuar një filozof i madh si Benedeto Kroçe. Duke kundërshtuar ndarjen ilegjitime të etikes nga politika apo moralizmin e dyshimtë si një makiavelizëm të çparagjykuar, Kroçe nuk mohonte aspak konceptin e tij, thellësisht laik dhe modern, të politikës si aktivitet të lidhur me “jetën ekonomike” të Shpirtit, ose e thënë ndryshe, me ndjekjen e qëllimeve dhe interesave të veçanta, por përkundrazi, vinte theksin mbi raportin e ngushtë që ajo duhet të kishte me etikën, të konceptuar si frymëzimin çlirues të një tensioni që e shpëton politikën nga rreziku i shterimit në vetvete ose i mbetjes mbyllur në një sferë autonome dhe të izoluar.

Ndaj, nuk është e rastit që edhe në filozofinë e pas-luftës, pjesa më e madhe e mendimtarëve rifillojnë nga etika, e tërthorazi ose drejtpërdrejt nga Kanti. Kështu, Krüger rizbulon dimensionin origjinal të etikës te metafizika kantiane, Gadamer rikthehet te etika e finalitetit, ndërkohë që në ambientin e filozofisë politike, mjafton të përmendim dy teori mbizotëruese sot në skenarin filozofik botëror, “etikën e komunikimit” (formuluar nga mendimtari i madh gjerman KarlOtto Apel) dhe “etikën e diskursit”, ligjërimit (formuluar nga filozofi dhe sociologu më i madh modern Jürgen Habermas). Përveç kësaj, në fillim të këtij shekulli, një tjetër gjigand i sociologjisë, Max Weber, do të parashtrojë linjat e përgjithshme të etikës së tij të famshme të “bindjes”, së cilës i përgjigjet në vitet ‘80-‘90, si një kundërshti a si një alternativë, një tjetër mendimtar i madh i filozofisë moderne, Hans Jonas, me parimet e tij të njohura të “etikës së përgjegjshmërisë”.

Në fakt, koncepti i përgjegjshmërisë, e njeh hyrjen e vet në leksikun e filozofisë në një periudhë relativisht të hershme, e më saktësisht në vitin 1787, kur Aleksander Hamilton, në letrat e tij të famshme federaliste, për të përshkruar raportin që duhet të ekzistojë midis qytetarëve dhe qeverisë që i përfaqëson, përdori pikërisht termin “përgjegjshmëri”. Që nga ky moment, termi filloi të përdorej gjithnjë e më shpesh, qoftë në fushën juridike, në të cilën ai aludon ekzistencën e një lidhjeje të shkakut dhe pasojës mes një faktori dhe një mënyre të caktuar sjelljeje, qoftë nga pikëpamja etike, duke iu referuar atij raporti të ngushtë që lidh secilin prej nesh me pasojat e veprimeve tona. Madje, më në hollësi mund të themi se i takon pikërisht Max Weberit merita e zbulimit të ndarjes midis “etikës së bindjes” dhe “etikës së përgjegjshmërisë”; kur në rastin e parë vlen motoja kantiane “që të vihet në vend drejtësia, ia vlen të shkojë në shkatërrim edhe e gjithë bota”, ndërkohë që në rastin e dytë bëhet fjalë për një “veprim racional në përputhje me qëllimin”.

Përgjegjshmëria

Në gjuhët moderne evropiane “përgjegjshmëri” do të thotë thelbësisht “të përgjigjesh”. Rrjedhimisht, ajo nënkupton ekzistencën e dy kushteve: të një zëri plotësisht të përcaktuar që “thërret” dhe të një “përgjigje” ndaj tij. E më tej, kjo “përgjigje” nëpërmjet së cilës arrihet të realizohet një zgjedhje, e detyrimisht të merret një vendim, duhet të mbartë mbi vete edhe vendimin e “mospërgjigjes” ndaj zërave të tjerë që e “thërrasin” në mënyrë të njëkohshme. Për ta shpjeguar praktikisht, le t’i referohemi një shembulli konkret. Nëse një qeveritar e administron pronën publike duke u përkujdesur për interesat e qytetarëve të vet, atëherë ai i “përgjigjet thirrjes” që vjen prej tyre, e pikërisht falë kësaj sjelljeje nuk i “përgjigjet” thirrjes së interesave të tij personale, të lëna kështu në plan të dytë në krahasim me ato të të tjerëve. Nga ky këndvështrim, çdo veprimi ynë, çdo sjellja jonë, është njëherësh një akt maksimalisht i përgjegjshëm në një drejtim dhe maksimalisht i papërgjegjshëm në një drejtim tjetër. Ndaj, mund të thuhet se nuk mund të jesh i përgjegjshëm në mënyrë “absolute”, por vetëm në lidhje me një zë specifik në krahasim me zërat e tjerë që ngelen kësisoj të padëgjuar. Ja, ky është thelbi i etikës moderne të përgjegjshmërisë. 

Nëse vitet ’80 mund t’i emblemizojë zhvillimi i ndjeshmërisë botërore ndaj ekologjisë dhe vitet ’90 ndaj problemeve të biologjisë, mileniumi i ri duket të tregohet veçanërisht i ndjeshëm ndaj etikës në të gjitha format e saj. Sot bota perëndimore njeh bankën etike, ndërmarrjen etike, tregtinë e komunikimin etik, tatimet etike, politikën, madje dhe financat etike. Ja, kjo duhet të jetë korniza e aksionit kah të cilit duhet të drejtohemi. Mirëpo, për ta përkthyer praktikisht spektrin e kësaj fjale do të na duhet në fillim të shpjegojmë ç’është etika e përse shërben ajo, për të formuluar projekte praktikë të zbatimit të saj në fushën politike e më pas ekonomike, mediatike e kështu me radhë. Përgjithësisht me etikën shoqërizohen terma të tillë si i drejtë, korrekt, i ekuilibruar, i barabartë, besnik, i ndershëm, e kështu me radhë. Ndërkohë që nga pikëpamja filozofike, ajo përcaktohet si “derivat i drejtësisë”, si një busull që dëfton drejtimin korrekt që duhet të ndiqet, drejtim ky i cili shkon përtej një respektimi të thjeshtë të ligjeve për t’u projektuar në dimensionin e një “jetese ambientale” e me lidhje të ndershme me ata që krijojnë vlera shoqërore. Nga ky aspekt, etika shfaqet si një tërësi normash të sjelljes publike dhe private, që lipset të ndiqen nga një person apo nga një komunitetet personash. Ajo nuk është as e drejtë as e gabuar, por varet nga kush vlerësohet dhe se si vlerësohet. Më tej, etika është personale përpara se të jetë universale, e propozon modele sociale të pranueshëm në çdo periudhë historike të çfarëdo qytetërimi. Etika modifikohet dhe evoluon, po njëlloj, edhe në varësi të dimensionit të kontekstit në të cilën ajo konsiderohet apo sipas jehonës që asaj i jepet. Ja, përse sensi që komuniteti i jep këtij termi, lipset të ndryshojë e të shndërrohet gjithnjë e më i përpiktë e më pak i papërcaktuar. Aq më tepër, që etika arrin të transformohet në raport të ngushtë me përparimin e qytetërimit, të sistemeve shoqërore dhe të koncepteve politike që i mbështesin këto sisteme. Madje, mund të shtojmë se këto janë pikërisht edhe ato domene kryesore në të cilat duhet të fillojë puna për të vënë në veprim lëvizjen për etikën.

Shkenca e shpirtit

Një mjeshtër i madh i mençurisë pat thënë njëherë që nëçfarëdolloj situate të jetës sonë ekzistojnë gjithmonë tre energji themelore; rrjedhimisht nëse do të donim ta ndërtonim realitetin në mënyrë të ekuilibruar, harmonike dhe shpirtërore, do të na duhet t’i përdorim gjithmonë të tria bashkë këto energji themelore, që janë: Vullnet-Pushtet, Dashuri-Mençuri dhe Inteligjencë aktive ose më saktësisht tre aspektet e divinitetit të pranishme në çfarëdolloj feje. E nëse i instalojmë këto tre ambiente sociale brenda organizmit të shoqërisë ku po jetojmë e flasim për politikën, nuk mund të ndalemi vetëm për faktorin që ka të bëjë me pushtetin, por duhet të ndërfutim brenda procesit politik, edhe dy faktorët e tjerë, atë të dashurisë për njerëzit dhe inteligjencën, ose e përcaktuar ndryshe Etikën dhe Ekonominë. Kjo triade, është baza e çdo shkence të komunikimit dhe e pranishme në të gjitha mësimet e mjeshtërve të mëdhenj, si Pitagora, Sokrati dhe Platoni.

Ja, përse theksohet se nëse mungon njëri prej këtyre faktorëve prodhohet ç’ekuilibër, disakord e shtrembërim i vizionit, për pasojë edhe gjykim i gabuar. Kur në fakt këto tre aspekte përfaqësojnë një unitet e njëherësh një instrument të jashtëzakonshëm për transformimin e vërtetë të mënyrës së qenies, e për rrjedhim edhe të gjithë shoqërisë. Në këtë këndvështrim, për të vlerësuar një faktor politik, duhet parasegjithash të shqyrtohet niveli i përgjithshëm evolutiv i kombit, të kuptohet se cila është e mira e tij ose hapi përpara që ai duhet të hedhë në një moment të caktuar me po nderim perspektiv, për të gjetur se në ç’mënyrë ky faktor arrin të ndërfutet në Planin evolutiv të kombit e të ambientit që e lidh atë me gjithë njerëzimin. Ja, në bazë të kësaj sinteze duhet vendosur se cila qeveri është më e dobishmja dhe ajo që i përgjigjet më shumë “gjendjes së nevojës aktuale” të kombit, për ta mbështetur paskësaj pavarësisht simpative ose antipative tona ideologjike.

Po e gjitha kjo, nuk mund të arrihet kurrsesi nëse ndalemi vetëm në leximin e gazetave a në ndjekjen e emisioneve televizive, as duke i komentuar faktet nisur vetëm prej tyre, e as duke e lënë veten të bëhemi të sunduar në arsyen tonë të brendshme, nga faktorë thellësisht emocionalë dhe ideologjikë. Përkundrazi, duhet te zhytemi në burime të tjera, të cilat përfshihen në atë që quhet Shkenca e shpirtit, pasi është pikërisht kjo shkencë ajo që na lejon ta kuptojmë më thellë dhe më mirëplanin evolutiv të një kombi, ligjet universale dhe energjitë që qeverisin ciklet e ndryshme periodike të evolucionit njerëzor. Është pikërisht kjo shkencë ajo që na bën të kuptojmë se çdo të thotë politika e parë si një polis-ethikos ose e thënë ndryshe si një administrim etik i shoqërisë, apo se çfarë nënkupton t’i japësh shpirt politikës ose më detajisht atë mënyrë etike sjelljeje që sintetizon gjithçka thamë më sipër. E kjo për faktin tashmë të legjitimuar se etika është ajo pika e ekuilibrit që i lejon politikës të jetë krijuesja e harmonisë, e finalizuar në përmirësimin e raporteve njerëzore.

Leave a Reply

Your email address will not be published.