Arnold Bokli, piktori që frymëzoi shumë njerëz të famshëm

“ISHULLI I VDEKJES”, E FAMSHME, E MISTERSHME, TRAGJIKE…

Në materialet e shumta të ekspozuara ndaj veprës dhe ndaj vetë piktorit thuhet se “Isle of the Dead” magjepsi Frojdin, Leninin dhe Hitlerin, Margërit Joursnar, Dalin, Skorsese…

Leonard VEIZI

Në një çast intim e të papërsëritshëm, pa ditur kush gjë se çfarë ndodhte në mendjen e tij, ai rrëmbeu penelin dhe hodhi bojën e parë mbi kanavace. Gjithçka ishte aty, por asgjë nuk dukej. Dhe kur lëshoi penelin nga dora mrekullia terrorizuese kish mbetur në telajo. Ishte një pikturë e porositur, për vdekjen e dikujt, të panjohur, por që si rrallëherë përkonte dhe me vetë ndjesitë e piktorit, dhe me atë velin e errët që mbante të mbyllur botën e tij. Sepse dihej që piktori ishte dëshpërimisht i dëshpëruar, sepse më shumë se kaq edhe ai kishte humbur vajzën e tij të vogël, Maria. Dhe bashkë me tisin e zi që ndillte porosia, po aq dhe ai vetë i jepte pikturës një thellim të dhimbjes dhe shumë mister gjithashtu…

…Ai ishte një piktor simbolist. Quhej Arnold Bokli dhe ishte zviceran. Piktura më e njohur e tij ishte ajo që më pas u titullua “Ishulli i të vdekurve”. E famshme. E mistershme. Dhe po aq tragjike. Thuhet se ishte kjo pikturë që u bë një burim obsesioni dhe frymëzimi për shumë njerëz të famshëm. Ndërsa studiues të ndryshëm janë përpjekur të shpjegojnë magjinë që tabloja u bën shikuesve të saj. Imazh i veçantë e përndoqi autorin për disa vite. Prandaj dhe e riprodhoi, të paktën 5 herë i vetëm dhe një të gjashtë me bashkëpunëtor djalin e tij, Karl. E megjithëse shumë e njohur dhe shumë e trajtuar, piktura në vetvete ka disa sekrete ende të pazbuluara. Sepse Bokli nuk foli për të sa ishte gjallë, nuk zbërtheu asnjë kod, madje nuk pranoi as ta titullonte zyrtarisht. Në pjesën e fundit të shekullit të XIX, piktorët simbolistë reaguan kundër synimeve natyraliste të impresionistëve të bashkëkohësve të tyre. Kritika shkruan se së vend që të fokusoheshin në botën e përditshme, simbolistët preferuan të ndaleshin në tema të misterit dhe imagjinatës. Boklin ishte një nga figurat kryesore të lëvizjes. Ndoshta më i miri prej tyre. Ose ndoshta më enigmatiku.

Gjashtë versionet e një pikture

Mes viteve 1880 dhe 1886 Arnold Bokli prodhoi gjashtë versione të ndryshme të pikturës misterioze “Ishulli i të vdekurve”. Ai krijoi versionin e parë të tablosë me kërkesë të Marie Bernës, bashkëshorti i së cilës kishte vdekur së fundmi. Kritika është shprehur se tabloja ndërthur ndikimet piktoreske të simbolizmit dhe romantizmit, dhe për herë të parë në historinë e artit, përshkruan vdekjen si një ishull. Boklin vazhdoi të prodhonte jo më pak se pesë versione të temës gjithsej, katër prej të cilave mbijetuan. Titulli u sugjerua nga tregtari i tij i artit, Fritz Gulit. Boklin nuk i miratoi titujt; me kalimin e viteve, ai e përshkroi këtë pikturë si “Ishulli i heshtur”, “Ishulli i varreve”, “Vendi i qetë” dhe, ndoshta më me vend nga të gjitha, “Një pamje për të ëndërruar”.

Në materialet e shumta të ekspozuara ndaj veprës dhe ndaj vetë piktorit thuhet se “Isle of the Dead” magjepsi Frojdin, Leninin dhe Hitlerin, por dhe frymëzoi Margërit Joursnar, Dalin, Skorsese dhe H. R. Gigër, ndërsa magjepsi një audiencë prej miliona njerëzve në mbarë botën, me mijëra riprodhime të shitura në formate të ndryshme dhe që shpesh gjenden në ambientet e brendshme borgjeze të fillimit të shekullit XX. Frojdi kishte një riprodhim të pikturës në zyrën e tij, ashtu si edhe Lenini. Por axhanset e kohësh thonë se Hitleri bleu versionin e tretë origjinal për ta shfaqur në Kancelarinë e re të Rajhut në vitin 1940. Por, “Ishulli i të vdekurve” ishte më shumë se kaq, sepse ajo frymëzoi një pjesë muzikore nga Sergei Rahmaninof; u përdor për setin e filmit horor të vitit 1945 “Isle of the Dead”, me protagonist aktorin Boris Karlof; si dhe frymëzoi një interpretim modern të tablosë nga një artist tjetër zviceran, H.R. Gigër, më i njohur si stilisti i filmit “Alien”.

Domethënia e një vepre

Në qendër të veprës është një ishull i vogël me hije, i mbushur me selvi, i rrethuar me një mur prej guri si dhe shkëmbinj të lartë. Nga uji po afrohet një varkë e vogël, me një varkëtar që remon, një arkivol dhe një figurë të mbështjellë me të bardhë. Për varkën dhe figurën në krye të saj janë bërë krahasime me anijen nga mitologjia greke që do të çonte shpirtrat e të vdekurve në Hades. Pamja është një përbërje e qetë dhe e ashpër, që duket se ngre po aq pyetje sa përgjigjet.

Versionet e pikturës së Bokli-nit, sot janë ekspozuar në Bazel, Nju Jork Siti, Berlin dhe Leipzig. Një version i gjashtë, i filluar në vjeshtën e vitit 1900 me ndihmën e djalit të Bokli, Karlo Bokli dhe i përfunduar nga Karlo në 1901, është pjesë e koleksionit të Muzeut “Hermitage” në Shën Petersburg.

Megjithëse piktura misterioze e Arnold Bokli, e njohur në mënyrë alternative si “Isle of the Dead”, sot në analet e historisë së artit konsiderohet gjerësisht mjaft e errët. Mund të jetë e habitshme, të mësosh se mes shekujve XIX dhe XX, ajo ishte një nga pikturat më të famshme në të gjithë Evropën. Në romanin e tij “Dëshpërim” të vitit 1934, romancieri ruso-amerikan Vladimir Nabokov vuri në dukje se një riprodhim i pikturës mund të “gjendej në çdo shtëpi në Berlin”, pasi printimet e veprës u riprodhuan dhe kërkohej gjerësisht. Kjo ishte kryesisht për shkak të përpjekjeve të tregtarit të artit të Boklin, Fritz Gulit, i cili porositi printime masive dhe me cilësi të lartë të veprës në fillim të shekullit.Megjithë errësirën e tij relative të lartpërmendur, “Ishulli i të vdekurve” i njohur dhe vlerësuar në gjysmën e parë të shekullit të 20-të, duke përfshirë midis figurave të rëndësishme historike. Vladimir Lenin, Sigmund Frojd dhe ish-ministri francez i Luftës, Zhorzh Klimonsu, kishin printime të varura në muret e zyrës ose studimit. Dhe versioni i tretë i pikturës nga viti 1883, i porositur nga Gurlit, u ble nga Adolf Hitlerit. Aaktualisht ky version është në koleksionin e “Staatliche Museen zu Berlin”.

Pika e frymëzimit

Për të modeluar ishullin mendohet se piktori kishte në mendje ishulli grek Pontikonisi, afër Korfuzit. Por, një tjetër pretendent i mundshëm si frymëzim për pikturën ndoshta ishte Pontikonisi, por në kombinim me ishullin misterioz shkëmbor të Strombolikio pranë vullkanit të famshëm Stromboli në Siçili.

Por, ndoshta frymëzim ish marrë dhe nga ishulli malazez i Shën Gjergji pranë Perastit. Një kandidat tjetër por më pak i mundshëm është ishulli Ponza në Detin Tirren. Ishulli i të vdekurve të sjell në mendje pjesërisht varrezat angleze në Firence, Itali, që ishte afër studios së Boklin-it dhe ishte gjithashtu vendi ku u varros vajza e tij e mitur, Maria. Në jetëshkrim thuhet se Bokli humbi 8 nga 14 fëmijët e tij.

“Ishulli i jetës” kundër “Ishullit të të vdekurve”

I lindur në vitin 1827 dhe i vdekur më 1901, Bokli ishte një piktor simbolist, puna e të cilit u ndikua shumë nga romantizmi dhe vepra e pre-rafaelitëve anglezë, si dhe nga mitologjia dhe antikiteti. Ai arriti sukses dhe njohje të konsiderueshme gjatë jetës së tij. Sidoqoftë, trashëgimia e tij vuajti përfundimisht pas vdekjes së tij – kryesisht për shkak të prirjes së atëhershme në rritje drejt modernizmit. Pikturat e tij figurative, narrative, plot misticizëm dhe fantazi, ishin në kundërshtim me preferencën në rritje për abstraksionin.

Bokli nuk u kthye kurrë në kompozimin e “Ishullit të të vdekurve” pas krijimit të “Ishullit të jetës”. Sepse në vitin 1888, Boklin krijoi një pikturë të quajtur “Die Lebensinsel”. Dhe kritika e marrë gjerësish me veprat e tij thotë se ndoshta me “Ishullin e jetës” ai synoi një antipol ndaj “Ishullit të të vdekurve”, ku autori gjithashtu tregon një ishull të vogël, por me të gjitha shenjat e gëzimit dhe jetës. Së bashku me versionin e parë të “Isle of the Dead”, kjo pikturë është pjesë e koleksionit të “Kunstmuseum” Basel.

Leave a Reply

Your email address will not be published.