Historia e Letërsisë Shqipe duhet të rishkruhet, duke u rikuptimësuar dhe rikonceptuar mbi bazat e një metodologjie shkencore që i shkon përshtat zhvillimit të brendshëm procesual të letërsisë shqiptare
Agron TUFA
Dëshira dhe nevoja imediate për të pasur një Histori të Letërsisë Shqipe, të mbështetur në kritere shkencore, larg përjashtimit, larg frymës sektante të përfaqësimit, larg mllefit ideologjik dhe deklasimit të disa prej shkrimtarëve, periudhave dhe qarqeve letrare, pra, dëshira për një Histori të këtillë të Letërsisë Shqipe – është ndjerë gjatë si nevojë dhe si garanci në njohjen e vërtetë të vlerave kombëtare, si për qëllime njohjeje e studimi, ashtu dhe për aspektet didaktike të mësimdhënies. Mungesa e një teksti garantues e të ç‘ideologjizuar ka prodhuar përgjatë këtyre 20 vjetëve pas rënies së komunizmit diskurse të pashmangshme në lidhje me të, kryesisht, të karakterit formal, parimor. Në momente nervozizmi janë shfaqur edhe kundërshtarët e hartimit të një teksti të ri të. Të shqetësuarit nga hartimi i një Historie të rishikuar të Letërsisë Shqipe e përmbledhin kundërshtimin e tyre në tezën: “Historia e Letërsisë Shqipe nuk ka pse të shkruhet; ajo është shkruar njëherë. E shumta, Historia e Letërsisë mund të plotësohet me disa shtesa, pa i ndryshuar asgjë” (Dritëro Agolli, Panorama, 18 shtator 2008). Ky shqetësim arsyetohet me mosbesimin, që një ndërmarrje e tillë të jetë e ndershme, duke bërë alibi për, gjoja, prapavijë politike. Jashtë diskursit koniuktural mediatik, unë i përmbahem domosdoshmërisë që Historia e Letërsisë Shqipe duhet të rishkruhet, duke u rikuptimësuar dhe rikonceptuar mbi bazat e një metodologjie shkencore që i shkon përshtat zhvillimit të brendshëm procesual të letërsisë shqiptare. Megjithatë, studiuesit dhe shkencëtarët e letërsisë sonë, para se të kalojnë në diskutimin teorik të çështjes dhe prekja konkrete e realiteteve letrare, duhet të qartësojnë kaosin dhe konfuzionin që paraqet peisazhi i letërsisë shqipe, në kushtet e fragmentarizmit dhe komunikimit brendaletrar. Dy janë momentet më të rëndësishme të “sqarimit” të këtij peisazhi: 1. Të shpërfillen demarshet agresive të produktit letrar masiv/masovik, – të asaj literature të lehtë, triviale, eskapite, pa u turbulluar nga suksesi i tregut, duke ia nënshtruar bujën e stërfryrë të kësaj letërsie – diferencimit të qartë të zhanrit, psi shpesh, librat e këtillë i imponohen publikut të gjerë me karizmën publike që kanë autorët e tyre, si personazhe qendrore të politikës apo shout televiziv. 2. Para se të përcaktohen kritere dhe strategji të qasjeve për hartimin e Historisë së Letërsisë, duhet mundësuar, me sinqeritet e ndershmëri profesionale, botimi integral i veprës së autorëve të mohuar, të përjashtuar, të ndaluar, të njohur pjesërisht, pak ose aspak për lexuesin.
Precedentët e mosnjohjes së autorëve të rëndësishëm janë të shumtë. Në shumicën e rasteve ata njihen si emra, pa ua lexuar veprat. Këta autorë kanë qenë, që në krye të herës dhe vazhdojnë të qëndrojnë jashtë komunikimit dhe në jo pak raste atyre u është instaluar imazhi i keq i “ngatërrestarëve”, “mizantropëve”, “rebelëve” dhe plot imazhe të tjera negative, të cilat nuk kanë aspak lidhje me veprën e tyre dhe domethënien letrare që përfaqësojnë.
Përjashtimi jo i ndërsjellët i Pipës
Rasti më ilustrues i këtij përjashtimi është vepra dhe emri i shkrimtarit Arshi Pipa. Poet, studiues, kritik letrar dhe filozof, përkthyes dhe kulturolog me erudicion sintetik. Përballë Historisë së Letërsisë shqipe (përballë Historive ekzistuese të deritashme të Letërsisë shqipe) dhe historianëve të saj, Arshi Pipa gjendet dyfish i përjashtuar, me dy statuse: njëherë si studiues dhe kontribuues në formësimin e një mendimi dhe premise për shkencën e Historisë së Letërsisë, dhe njëherë tjetër – i përjashtuar si autor i kësaj letërsie. Si kontribuues i shkencës së Historisë së Letërsisë shqipe, Pipa ndjehet edhe tash që po flasim i përjashtuar, për shkakun e njohur, se kjo shkencë ende nuk e ka përfillur të kontributin më serioz e shkencor që paraqesin veprat e tij, si ato të natyrës së kritikës së tekstit me autorë e vepra të veçanta që nga fundi i viteve ’30, ashtu dhe me trilogjinë e tij të famshme “Albanica”: “Letërsia shqiptare: perspektivat e saj sociale”. Asnjë nga veprat shkencore të Pipës nuk u përfill si dje, për shkaqe të njohura të shkencës zyrtare komuniste, si sot, për shkaqe të panjohura, ose të mefshtësisë intelektuale e institucionale në botën tonë shkencore-filologjike. Ndërkaq, duhet thënë se ky përjashtim nuk ka qenë i ndërsjellët. Pipa nuk ka qenë asnjëherë indiferent për zhvillimet procesuale të letërsisë shqiptare dhe shkencave letrare, veçanërisht ndaj Historisë së Letërsisë. Përndryshe interesimi dhe, më së mbrami, punimet e tij konkrete në këtë lëmë, tregojnë për një vëmendje dhe pritje të përhershme, me të cilën i ndiqte ai zhvillimet letrare-filologjike. Arshi Pipa nuk e pa të arsyeshme të shkruante një Histori të Letërsisë, megjithëse aftësitë nuk i mungonin. Contemporary Albanian Literature (1991) nuk është mirëfilli një Histori Letërsie. Nuk mund të mendohet se nuk qe i vetëdijshëm për mungesën dhe mangësitë. Në parathënien e Albanian Literature: Social Perspectives, ai shprehet: “Asnjë nuk është e kënaqshme. Më e mira prej tyre, Historia e Letërsisë Shqipe (1959-1960) botim dyvëllimësh me autorë kolektivë, është informative, por e njëanshme dhe me boshllëqe”. Prezantimi i Letërsisë Shqipe në botimet akademike dhe enciklopeditë dëshmojnë për një konfigurim të qartë të vështrimit të Letërsisë Shqipe në thellësi dhe gjerësi. Ndërsa vepra Trilogjia Albanica dëshmon për metodikën bazë të këtij studimi. E botuar më 1978 ajo na vjen vonë ne lexuesve shqiptarë, aq më tepër që ajo është ende e papërkthyer.
Trilogjia “Albanika” e Pipës si premisë e një Historie të Letërsisë
Duke studiuar me hollësi dhe duke u ndalur tek vargu folklorik shqiptar, bazë për njohjen e një sistemi prozodik shqiptar, Arshi Pipa, në pjesën e parë të trilogjisë, nuk kalon në sipërfaqe dallimet fonologjike, si edhe përcakton përparësitë e secilit dialekt në lidhje me sistemin shkrimor poetik shqiptar. Autori e cilëson poezinë shqiptare si një “trupëzim i papajtueshëm poetikash që zhvillohen të ndara sipas krahinave” ,… të cilat, “ për shkak të dallimeve thelbësore fonologjike midis dy dialekteve” nuk mund t’i rrafshojë as gjuha standarde. Në këtë vështrim punimi nuk paraqitet si studim i vargut folklorik shqiptar në lidhje me strukturën dhe gjininë, por një studim bazë nga e cila fillon vetëdija mbi shkrimin poetik shqiptar, sidomos i vënë ballë për ballë traditave shkrimore të tilla simotra me të cilat çdo shkrues duhet të përballet. Libri tjetër tashmë në formë monografie Hieronimus De Rada, na jep këtë shkrues me vetëdijen shkrimore shqiptare, i cila, siç shprehet Pipa, zë fill, ashtu si edhe kultura e lashte greke, jo në truallin kontinental bazë, por në kolonitë greke të Azisë së Vogël, pikërisht në ngulmimet shqiptare në jug të Italisë. Libri, i organizuar sipas një strukture të tillë, ku përfshihet Origjina e poezisë, Gjuha dhe prozodia, Ideologjia dhe stili, të tërheq vëmendjen për të njëjtën kërkesë studimore mbi shkrimin dhe strukturat mendimit, sidomos në kapitujt e dytë dhe të tretë. Për Arshi Pipën, dhe kjo është një nga pikat në të cilën duhet ndalur, gjuha është në radhë të parë shprehëse e strukturave bazë të mendimit, psikologjisë së shprehjes së tij etnike, ajo ka temperamentin e folësve, folësit dhe më vonë shkruesit (artist) i cili duhet të jetë i vetëdijshëm në radhë të parë për këtë bashkëlidhje të pashqitshme. Prej këndej edhe mënyra e vështrimit poetik të veprës së De Radës kurorëzohet më strukturat poetike të shprehjes së këtij mendimi. Ky libër është një pjesë e eseve mbi Letërsinë dhe folklorin shqiptar, disa prej tyre të botuara krejtësisht ose pjesërisht. Ndërkohë kur ekzistojnë disa vepra mbi Historinë e Letërsisë Shqipe, një vepër mbi faktorët e saj sociologjikë ende mungon. Një vepër e tillë është më e nevojshme pasi Letërsia Shqiptare është gjerësisht rrjedhojë e folklorit, një shkencë shoqërore. Por, nëse duke analizuar natyrën e shkrimit të kultivuar shqiptar, ai ndalet mes të tjerash në etosin dhe etnosin në traditën letrare arbëreshe të cilën bashkë me De Radën që shënon lindjen e letërsisë artistike shqiptare; Bariu dhe fshatari në letërsinë shqipe, për të vazhduar me Fshatari në letërsinë bashkëkohore. Veç të tjerash, në fund, ai vëren jo vetëm lidhjen e Letërsisë Shqiptare me ideologjinë dhe ideologjitë, lidhjen organike të saj me folklorin arsye mbijetese dhe qëndrese, pastaj trashëgimisë të kësaj mendësie të krijuar në shekuj, por edhe natyrën naive të kësaj letërsie, e cila nuk i përgjigjet natyrës së shkrimit që sipas Kantit synon kënaqësinë e pa interes, por është primitive, jo refleksive, dhe e menjëhershme, në krahasim me një letërsi ku mbizotëron introspeksioni dhe ndërlikimi. Fakti se pjesa më e madhe e shkrimtarëve shqiptarë e shkruajnë veprën e tyre më të mirë në rini, De Rada, Fishta, Santori, Koliqi, Poradeci, Camaj, Kadare, e dëshmon këtë fakt. Letërsia shqipe, shkarkohet, pas një periudhe të shkurtër dinamike dhe pothuajse shpërthyese, e paaftë me mbërritë ekuilibrin e pjekurisë, bie pre ose e vetëkënaqësisë autoriale, ideologjisë ose letërsive të tjera simotra të cilat e shtypin vetëdijen me sistemin e tyre të mirë-organizuar. Në fund themi se Trilogjia Albanica është shkruar jo vetëm si vëmendje kritike ndaj Letërsisë Shqipe, por si ndjekje serioze dhe e përkushtuar ndaj zhvillimeve në këtë drejtim të studimit në truallin mëmë, hedh një bazë metodike të studimit dhe hartimit të një Historie të Letërsisë Shqiptare duke nënvizuar se Letërsia si një profesion që karakterizon një tip të veçantë, të shkolluarin, nuk ka ekzistuar kurrë në Shqipëri dhe etnocentrizmi nënvizon edhe ato shkrime që duket se janë larg së qeni politike. Konkluzionet e fundit të Pipës mbi Letërsinë Shqipe ngjajnë me pohimet kritike ndaj letërsisë angleze të Eliotit në fillim të shekullit të kaluar, në Tradita dhe talenti individual, ku ky i fundit, kritikon shpirtin anglez i cili është larg introspeksionit dhe aftësisë a vetëdijes kritike për çdo gjë që kalon në trurin e anglezit, ndryshe nga shpirti krijues francez që dëshmon një metodikë të një mendësie të tillë. Elioti jo vetëm me kritikën solli një revolucion në shkrimin anglez; ngjashëm me të dhe me të njëjtën ambicie A. Pipa synon një gjë tillë në studimet shqiptare. To my native country, ky është kushtimi që ndodhet në faqen e parë të librit të parë të Trilogjisë Albanica, kushtim i cili mund të përkthehet: Vendit tem, dhe n së dashunis së botësë sanë të Buzukut, duke dëshmuar fillesat e një kritike sistematike moderne bashkëkohore.
Përjashtimi i Pipës si poet nga Letërsia Shqipe
Por, Arshi Pipa, i cili, përveç modeleve origjinale që ka lënë në kritikën dhe shkencat letrare-filologjike, në përkthimin artistik, në politologji dhe mendimin filozofik, mbetet, megjithatë, një poet shumë i rëndësishëm shqiptar i shekullit XX. Kam përshtypjen se ato pak shënime për poezinë e Pipës, janë shkruar thjesht për nevojë ekzotike dhe se askush nuk ka lexuar një varg. R. Elsie e ka karakterizuar poezinë e Pipës (nëse e ka lexuar vërtet) si një “përmbledhje në frymën romantike dhe nostalgjike të Xhakomo Leopardit”. Duke iu kundërvënë me gjasë gjykimeve të Elsie-së dhe Namik Resulit, Rexhep Ismajli bëhet akoma më konfuz, mandej përfundon ta paraqesë poezinë e Pipës sipas vetë shënimeve të Pipës. Mandej, studiuesi i nderuar Ismajli del në një përfundim të çuditshëm kur thotë: “Tani që vepra e Pipës u mbyll, mbase ka qenë e mundshme të shqiptohen dhe vlerësime më përgjithësuese, të gjendet vendi i tij i veçantë në poezinë shqipe të kohës, të shqiptohet gjykimi për dijen që vërtet e shquan në fusha të tjera, ashtu dhe në gjuhën e poezisë, në mjeshtërinë e vargut, në ide, por edhe për talentin e tij mesatar poetik”. Tingëllon i padrejtë ky vlerësim kur jepet në parathënien e përmbledhjes së poezive, aq më tepër kur këto poezi janë prezantimi i parë i poetit me lexuesin, që i ka munguar prej një gjysmë shekulli. Ky përcaktim do t’i largonte lexuesit, të cilët i besojnë studiuesit të njohur, duke menduar se, meqë paskemi të bëjmë me një talent mesatar, më mirë të mos e humbim kohën kot me të tillë! Prej se është botuar në Romë me 1959 “Libri i Burgut”, kritika letrare shqiptare e vjetër dhe e re, si brenda Shqipërisë, ashtu dhe në diasporë, ka qenë krejtësisht e lirë të procedojë me veprën e poetit, duke e lënë menjanë barrën e “gjetjes së vendit të tij në poezinë shqipe të kohës. Pyetja e natyrshme duhej të formulohej kështu: “Pse nuk e bëri kritika jonë këtë? Kush e pengoi, fjala vjen, dje, në Kosovë dhe kush e pengon, fjala vjen sot, në Shqipëri e botën letrare shqiptare?”
Unë mendoj, se domethënëse në këto kushte do të kishte qenë publikimi i veprës së Pipës, veçmas korpusi i tij poetik, përfshirja e tij në programet e detyrueshme shkollore, universitare, hapja e krijimtarisë së tij në auditore që do të lejonte mundësinë e dialogimit me të e, mandej, reflektimi. Për fat të keq kjo nuk u bë dhe ende botimet e A. Pipës, poezitë, kanë mbetur dy episode të vetmuara e të harruara bibliografike “Feniks” 2004 dhe “Dukagjini” 1998. Mund të gjesh në libraritë tonë sa të duash skorje socrealiste, por jo veprat e Pipës. Prandaj, në kushtet e mosnjohjes dhe mosdashjes për ta njohur, do të kishte qenë më logjike dhe më e pranueshme të shpreheshim: pra se të guxohet t’i gjendet Arshi Pipës një vend në poezinë shqipe, ne, ose akoma më mirë – kritika shqiptare të përmendej njëherë nga kllapia dhe koma dhe, pasi të vijë në vete, të verifikojë njëherë nëse ka vend ajo vetë. Dikur Martin Camaj shkruante se “Shqipëria do të jetë vërtet e lirë, vetëm atëherë kur shqiptarët do të kenë mundësi të lexojnë, të studiojnë dhe të lexojnë veprat e shkrimtarëve të tillë të mëdhenj si Arshi Pipa”. Gjithkushi mund ta receptojë dhe të ndërtojë meditimin e vet si të dojë mbi këtë test të Camajt për një shkrimtar shqiptar. Por për mua fjalët e Camajt janë një kut matës i perceptimeve që ndërton shoqëria ndaj shkrimtarit të vet dhe, së këndejmi, vihet në provë një e vërtetë më e madhe: a i duhen shoqërisë shkrimtarët dhe çfarë roli luan shkrimtari në psiken dhe konstruktin moral e shpirtëror të shoqërisë, së cilës i drejtohet.
Natyrisht alternativa e Camajt nuk provua pozitivisht. Të paktën në lidhje me Arshi Pipën shoqëria shqiptare dështoi brenda përcaktimit të Camajt, ngase shqiptarët nuk dëshmuan se janë të lirë, sepse as nuk e lexuan, as nuk e studiuan dhe as nuk e vlerësuan veprën e shkrimtarit të tyre. Meditimi, tash për tash, nuk ka të bëjë aq shumë me Pipën, se sa me anën teorike të çështjes. Çfarë ndodh me shoqërinë dhe shkrimtarin dhe a ka një marrëdhënie apo indiferencë të ndërsjellët mes tyre? Dhe nëse po, cilat janë të mirat dhe cilat janë të këqijat e këtyre raporteve? Nëse poeti ka ndonjë detyrim para shoqërisë, atëherë detyrimi i vetëm është: të shkruajë mirë! Duke qenë se ai i përket pakicës përballë shoqërisë, ai nuk ka alternativë tjetër. Por nëse nuk e shlyen këtë borxh, poeti kridhet në harrim. Shumica pra, shoqëria, përveç leximit të poezive, mund të ketë dhe punë të tjera, sado mirë qofshin shkruar ato. Por duke mos i lexuar poezitë, krijimtarinë e shkrimtarit të saj të mirë, shoqëria katandiset deri në nivele të mjera ligjërimi, sa të bjerë lehtë pre e demagogëve dhe tiranëve. Dhe pikërisht një shoqëri e tillë është ekuivalente me harrimin, prej të cilit, sigurisht, përfiton tirani. Mos ndodhi ndryshe me përvojën tonë të pasluftës së Dytë?