ARSHI PIPA DHE SPROVA E FILOZOFISË INTEGRALE

Përtej gjysmë shekulli censure e trembëdhjetë vjet lamtumire, Arshi Pipa, autori dantesk i “Librit të burgut”, nuk e ka reshtur komunikimin e tij serioz me lexuesin

Nga Ardian MARASHI

Libri më i ri që botohet nga dorëshkrimet e mbetura prej tij, të cilin ai e quante thjesht “Skicë e një konceptimi mbi jetën”, është, për shumë arsye, unik në historinë e letrave shqipe e madje i veçantë në krejt historinë moderne të mendimit universal. Teksa shkruan: “Unë mund të heq dorë nga gjithçka, por jo nga mendimi; kjo është e mira ime më e lartë, madje e mira ime absolute”, Arshi Pipa është aq i sinqertë e aq i vërtetë, sa asnjë tjetër mendimtar përpara tij, në mos Sokrati, modeli i tij kurajoz. Mendimtari shqiptar ndodhet në kushtet më të pakonceptueshme për të bërë filozofi. Është në vitin e nëntë të burgut, krejtësisht i sfilitur fizikisht, ndërsa shokët e qelisë i përçojnë imazhin e centaurit mitik, aq shumë burgimi i ka shtazëruar. Mirëpo, për mendimtarin, ashtu si dikur moti për oshënarin, edhe burgimi më çnjerëzor mund të shndërrohet në spiritualitet, përderisa shpirti e mendja rrojnë: “Kanë prangosur trupin tim, por nuk kanë mundur të prangosin mendimin tim. Dhe – gjë vërtet e mrekullueshme – kur trupin time kanë bërë pothuajse një kufomë, atëherë mendimi ka fituar lirinë”. Në burg, Arshi Pipa nuk ka bibliotekë, por beson se mund të filozofojë nga përvoja, pa referenca të shkruara – njësoj si Sokrati. Për të filozofuar, ai kujton punët e kursit, tezat e antitezat, bisedat e “dialogët” që e ushqyen në vitet e liceut klasik, të universitetit e të jetës së lirë intelektuale – njësoj si Platoni. Dhe, njësoj si stoiku më i thekur, ai filozofon për kuptimin e epërm të jetës shi atëherë kur përreth tij ligësia njerëzore ka kapur kuotat e poshtërsisë absolute. Le të kujtojmë, “për atmosferë”, situatën e të burgosurve tek “Kanali”:

E vdesin fatkëqijt aty te praku,

Vdesin hendeqeve ndër brraka gjaku,

Vdesin nën shtrat, ku mshehen për me vdekë

Vdesin tue pritun bukën, ndër gjiriza

Tue ba nevojën, vdesin posi miza,

Dhe si cofëtina i kallin ndër hendekë.

Në këto kushte, pra Arshi Pipa shkruan veprën e tij filozofike “Skicë e një konceptimi mbi jetën”, në një fletore shkolle të maskuar me portretin e kryearmikut të tij. Në faqet e kësaj fletoreje, pa emër autori në krye dhe drejtpërdrejt në italisht – një tjetër maskë kjo, tepër e kushtueshme për autorin sqimatar, i cili, edhe pse me origjinë toskë, kishte zgjedhur gegnishten kulturore si gjuhë të veprës së vet letrare – AJO, vepra testament e jetës së tij: “Abbozo di una cencezione dell avita”. Vepra plotësohet me punimin “Sul Genio” (Mbi gjeniun), i cili e thellon argumentin dhe për të cilin duket qartë se autori ka reflektuar sistematikisht në vitet e rinisë e të pjekurisë. I gjithë dorëshkrimi është realizuar me shkrim të imët dhe me fare pak korrigjime, çka nënkupton se mendimi ishte krejt i pjekur qysh përpara se të hidhej në letër dhe se, nga ana tjetër, mungesat e burgut nuk ia lejonin autorit luksin e keqshkronjës dhe të reflektimit të zgjatur. Në momentin e shkrimit, filozofit të burgosur nën mbikëqyrje të rreptë i duhet të veprojë shpejt: të hedhë përnjëherë parashtrimin, të sjellë aty për aty argumentet, të bëjë drejtpërdrejt zbërthimin dhe thellimin e tyre, të cogito-jë rrufeshëm e të nxjerrë sakaq përfundimet, me një lloj shpejtësie që nuk ngutet. Ai nuk ka kthim prapa, nuk mund të shkarravisë e të rifillojë nga e para, pasi rrethanat e detyrojnë të punojë në kushte urgjence, gjatë kohës kur gardianët vigjilojnë gjetiu. I duhet të kënaqet me një fletore të hollë shkolle, e cila, përndryshe, ka përparësinë se mund të fshihet shpejt dhe kudo, ama të fshihet me atë zell me të cilin i burgosuri di të fshehë hyrjen e tunelit të ngushtë që do ta çojë drejt lirisë. Më tepër se kaq: autorit tonë i duhet ta fshehë veprën e vet me përbetim, edhe pasi të ketë dalë nga burgu, meqenëse “Vëllai i Madh” oruellian përgjon gjithçka, deri nën lëkurë. Siç dëshmon e motra më e vogël, Nedreti, dorëshkrimi shpëtoi vetëm falë përbetimit të një miku, ndërkohë që një tjetër dorëshkrim filozofik, “Letra didaktike”, që vëllai i përkujdesur ia kushtonte së njëjtës, ndoshta sipas stilit të atit të madh shpirtëror në filozofinë e moralit, stoikut Senekë tek “Letrat Lucilit”, humbi pa gjurmë.

Po cila është gjurma që lë Arshi Pipa me distikun “Skicë e një konceptimi mbi jetën” dhe “Mbi gjeniun”? Çdokush që e lexon këtë vepër siç lexohet një shtjellim filozofik, vëren se argumenti ndërtohet mbi dy parime të ndërlidhur: koherenca dhe ndershmëria. Arshi Pipa nuk synon të provojë teza specifike e as të demonstrojë stërhollim metode: ai thjesht kërkon, me mjetet e filozofisë dhe për arsye praktike, të dijë se cili është për njeriun kuptimi i epërm i jetës; dhe, teksa kërkon për vete, na bind që ta ndajmë së bashku aventurën e mendimit.

I stërvitur në kritikë filozofie (Vico, Croce, Begson), ai e drejton logjikën me rreptësinë e një metafizicieni, por vetë metafizikën e përjashton nga fusha e vet e kërkimit, me qëllim që mendimi i tij të mos detyrohet të spekulojë, siç vihet re ndër plot filozofë tryeze. Në bazë të të gjithë argumentimit, Pipa vendos aksiomën e tij, e cila pohon qartë e prerë se mendimi është gjëja më e paasgjësueshme dhe pasuria e vetme e patundshme e qenies njerëzore. Kësisoj, në kushtet e skajshme që ishin të tijat gjatë burgimit, të menduarit nuk është më vetëm e thjesht një aktivitet njerëzor, qoftë edhe më i larti, por shndërrohet në akt mbijetese. Për Pipën, të mendosh do të thotë të mbetesh gjallë, do të thotë të justifikosh vetveten në pikëpamjen e njerëzores. Formula karteziane “cogito ergo sum”, e cila shpreh njëherësh intuitivin dhe intensitetin e vetëdijes për njerëzoren, duket se merr kuptimin e saj të njëmendtë jo me Dekartin, po me Pipën.

Për filozofin shqiptar, njerëzorja ka vetëm një përcaktim themelor, të menduarit, prej të cilit buron gjithçka tjetër: “I vetmi ndër të gjitha speciet, njeriu, përpiqet ta tejkalojë vetveten, ndërsa speciet e tjera kanë prirjen vetëm të ruhen. Kjo i detyrohet faktit që vetëm njeriu është i pajisur me mendimin”. Në vijim, çështja shtrohet në rrafshin e filozofisë së moralit: si dhe për çfarë do ta përdorë njeriu mendimin në raport me të cilin ai përcaktohet si specie? Nëse, mandej, pranohet aksioma se për njeriun e mira gjendet në realizimin e tij të plotë si qenie, pra si qenie renduese – duke kënaqur kështu universalizmin që ka përcaktuar qenësinë e tij brenda species – atëherë pyetja e shtruar më sipër plotësohet në formën: ku duhet të synojë njeriu me mendimin e tij dhe me veprimin e tij moral, në mënyrë që të rrokë universalen, domethënë të realizojë qenësinë e vet, të mirën e vet?

Ja si përvijohet, pas një demonstrimi bindës, përgjigja e filozofit: “Ligji i arsyes praktike do të jetë: “Vepro në interes të njerëzimit!” Kështu, do të kesh vepruar në interesin tënd të vërtetë, sepse interesi yt i vërtetë nuk është që të jesh i lumtur (a ekziston, vallë, kjo fantazi që quhet lumturi?), nuk është që t’i shmangesh me çdo çmim vuajtjet, nuk është që ta ruash sa më gjatë jetën: vuajtjet mund ta bëjnë më pjellor veprimin tënd, e jeta jote, po të jetë ajo e një derri të kënaqur, çfarë vlere mund të ketë?” Për të mbërritur te kjo e vërtetë e qenies, autori ka mobilizuar tërë energjinë dhe arsenalin e vet mendor e kritik, duke i dhënë lexuesit një filozofi origjinale, e cila mbështetet gjerësisht në historinë e mendimit filozofik nga pikëpamja e moralitetit. Ambicia e filozofit në këtë kërkim është e dyfishtë: nga njëra anë, ai synon ta shndërrojë filozofinë në një kryeshkencë, e cila shpirtëzon arritjet e shkencave dhe të fushave të tjera të veprimtarisë njerëzore, kurse, nga ana tjetër, gjakon ta pajisë njeriun me një filozofi veprimi të denjë për njerëzoren. Pipa mbërrin, kështu, në konceptin e filozofisë integrale, e cila heton, kategorizon, përgjithëson dhe potencializon veprimtarinë e të menduarit, që përbën tek njeriu jo vetëm thelbin e paasgjësueshëm të qenësisë së tij, po sidomos mundësinë e pacak për të vepruar si qenësi renduese e për t’u zhvilluar si e tillë.

Ja si e përcakton Pipa këtë tip filozofie, e cila vihet tërësisht në dobi të njerëzores, për ta pajisur qenien, siç e presupozon titulli, me një konceptim mbi jetën po aq realist sa edhe të qëndrueshëm: “Filozofia integrale, ashtu siç e kuptoj unë, është reflektimi kritik mbi të dhënat e aktivitetit të mendimit të kulluar, si dhe mbi ato të aktiviteteve të tjera shpirtërore, me qëllim që të japë një konceptim të plotë e harmonik të jetës, me anë të të cilit njeriu të ekzaltojë vetveten në dritën e vlerave të pavdekshme të shpirtit”.

Si kriter vërtetësie i këtij konceptimi mbi jetën, e njëkohësisht si model që mund të përsoset, shërben Gjeniu, në cilësinë e tij të dëshmuar si pararojë i njerëzimit në të gjitha fushat e veprimit dhe të qenësisë njerëzore. Në këtë pikë të trajtesës, dy veprat e veçanta, “Skicë e një konceptimi mbi jetën” dhe “Mbi Gjeniun”, ndërlidhen për të plotësuar argumentimin, në atë mënyrë që finalja e veprës mbërrin vetvetishëm dhe tingëllon si një himn kushtuar njeriut të emancipuar nëpërmjet mendimit: “Përpara për ku, në ç’drejtim? Pikërisht në drejtimin e emancipimit nga nevoja natyrore që është brenda teje, e cila ta errëson arsye, të bën ta humbasësh dinjitetin e personit. Ti duhet të zhvishesh pa tjetër nga skoriet e kafshërisë! A duhet kuptuar, me këtë, se unë duhet ta mohoj veten si trup fizik, se duhet ta keqtrajtoj mishin? Aspak. T’i duhet ta shpirtëzosh mishin, jo ta mohosh; duhet ta përkryesh trupin tënd, ta zbukurosh, ta stërvitësh në mënyrë që ai të jetë instrumenti i përkryer, i denjë për shpirtin (…), ta përdorësh si një trashëgimi të shenjtë, ta kultivosh me dashuri, ta respektosh si tempullin në të cilin e për të cilin ndriçon llamba e shpirtit tënd!”

Arshi Pipa, në faqet e kësaj vepre, ka mbërritur në kulm, në të cilin mbetet përgjithmonë. Duke qenë me formim të trefishtë – si filozof, si letrar e si kritik, ai realizon një prozë ku ndërthuren mjeshtërisht mendimi logjik me shprehjen estetike, dhe me gjykimin kritik. Të tria këto forca, mandej, bashkërendohen për t’i bërë oponencë njëra-tjetrës, duke krijuar, si rezultat, një baraspeshë të mrekullueshme brendie dhe stili. E mbyllim, pra, këtë paraqitje modeste të veprës, me një nga formulimet treplanëshe më dinjitoze të autorit Arshi Pipa.

“Arsyeja ka prodhuar shkencën, lavdinë dhe krenarinë tonë. Ne nuk duhet ta adhurojmë shkencën, të bëhemi ithtarët e saj, sepse jemi ne që e kemi prodhuar; jo te shkenca, po te vetja jonë, te ndërgjegjja jonë, qëndron dinjiteti ynë. Ai qëndron te shpirti që prodhon shkencën, ashtu si prodhon artin, ashtu prodhon moralitetin”.

Leave a Reply

Your email address will not be published.