ARTI DHE MORALI

(Një analizë e shkurtër e relativizmit estetik)

Albert BIKAJ


Teksa po lexoja disa postime në Facebook, hasa në një lajm të çuditshëm nga rubrika e artit në Kosovë. Një artist, të mos i jap emër, po thyente vezë mbi ekranin e një televizori të vjetër, të kthyer përmbys. Për një çast mendova mos ishte ndonjë skenë parodie për temperaturat verore, por e pata shumë gabim. Analistë dhe artdashës të ndryshëm vendas, me entuziazëm po shpjegonin thellësinë e mesazhit që kishte kjo “performancë artistike”.
Jo rastësisht, ky lajm më kujtoi poezinë “Vrima” të Rita Petros — e cila ngjalli skandal te shumë lexues — si dhe një artikull tjetër të një analisteje, që në mos gaboj, i kishte dalë në mbrojtje kësaj të fundit duke thënë: “Arti nuk është i pamoralshëm, sepse morali nuk ekziston, por është thjesht një normë që ndryshon dhe si qëllim ka emancipimin.”
Natyrisht, fjala është për botëkuptimin tipik të artit postmodern. Pikërisht me këtë të fundit fillon i gjithë problemi… jo se është art i pamoralshëm, por sepse nuk jam i sigurt nëse mund të quhet art?

***

Nëse pranojmë premisën postmoderne se morali nuk ekziston, por qenka thjesht një normë për hir të emancipimit, atëherë me plot të drejtë mund të thuhet se, në qoftë se s’ka moral, nuk ekziston as emancipimi; e nëse s’ka moral, s’ka as norma, as të vërtetë, as art, e aq më pak bukuri.
Immanuel Kant-i, një ndër filozofët më të mëdhenj të modernitetit, shkruante se “bukuria është forma e qëllimshmërisë (telos-it) në një objekt për aq kohë sa ajo perceptohet në objekt pa përfaqësuar një qëllim [të caktuar].” Prandaj, duke u nisur nga këndvështrimi kantian – i cili vazhdon traditën perëndimore të estetikës – mund të themi së paku se esenca parësore e artit është bukuria. Krejt ndryshe nga ideja postmoderne, e cila esencën e artit e sheh parësisht subjektive, si vegël ideologjike, si mjet propagandues. Një qasje të cilën filozofi i shquar i estetikës Roger Scruton me plot të drejtë e quante “kult i shëmtirës.”
Nëse e kam kuptuar siç duhet këtë qasje [postmoderniste], i bie të jetë se arti dhe morali qenkan thjesht çështje mode, trend kohor; shkurt e thënë, gati kotësi, sepse nuk paska asnjë të vërtetë. Ky lloj definicioni është thellësisht nihilistik, konfuz, dhe ç’është më e rëndësishmja, i gabuar.
Për njeriun bashkëkohor, sidomos atë egalitarist, ky konstatim skrutonian mund të tingëllojë i ashpër, përçmues, pompoz dhe elitist, por nuk do shumë mund për ta vërtetuar këtë. Mjafton të lexosh pikëpamjet postmoderniste mbi artin apo të shohësh të ashtuquajturin “art konceptual” që përfaqësojnë “artistë” si Marcel Duchamp apo Marina Abramoviq.
Arti, njësoj si morali, i ka kufijtë e vet të caktuar. Mund të ketë art që pasqyron motive të pamoralshme ose e kundërta, por nuk mund të thuhet se nuk paska moral. Ose mund të ketë thjesht vetëm art edhe kiç – të cilin Scruton e quante “art i rremë, që shpreh emocione të rreme, me qëllimin për të mashtruar konsumatorin duke e bërë të mendojë se ai ndjen diçka të thellë dhe serioze.”
Këto tendenca, që nuk janë të reja, e kanë transformuar pothuajse krejtësisht artin postmodern në një shëmtirë të pakuptimtë, ku dominon mediokriteti si pasojë e relativizmit estetik dhe mohimit të ekzistencës së kufijve midis së bukurës dhe shëmtirës; midis kuptimit dhe marrëzisë. Kështu, çdo gjë është shpallur art! E nëse çdo gjë qenka art, atëherë a i bie që asgjë nuk është art!?
Mendja e shëndoshë zor se mund të barazojë artin klasik apo pikturat e renesancës me “pikturat konceptuale” që shpesh ngjajnë me shkarravinat e një “artisti” 3-vjeçar; por relativizmi ekstrem nuk njeh arsye (common sense). Këtë të fundit, po e kritikove, të japin epitete nga më të ndryshmet, ndër to edhe “i paarsimuar.” Por e vërteta është se në artin dhe filozofinë postmoderniste çdo gjë relativizohet dhe barazohet. E bukura, e vërteta dhe morali bëhen çështje shijesh, ndërsa shëmtira dhe kiçi modë.
Prandaj, nuk është çudi që sot kjo qasje ka kaq shumë mbështetës, pasi në të gjejnë ngushëllim shumë të pafat që u mungon talenti.

Leave a Reply

Your email address will not be published.