ARTI DHE PËRVOJA FETARE

Largimi i përvojës dhe emocionit fetar nga rregullat parimore fetare e dëmton orientimin fetar, ndërsa largimi i muzikës nga origjina e saj, që është ushqim i shpirtit dhe (keq)përdorimi i saj për çështje të ulëta e humb vlerën e saj jo vetëm nga aspekti fetar, por edhe nga aspekti artistik dhe estetik

Nga Metin IZETI

E shenjta është shfaqur në mënyra të ndryshme në periudha të ndryshme. Mënyra më e zakonshme e shfaqjes së të shenjtës është përmasa artistike. Biseda për marrëdhënien e së shenjtës me një degë të caktuar të artit është e vjetër aq sa edhe vetë njeriu, pastaj kjo bisedë është zgjatur në marrëdhënien e të shenjtës me të gjitha degët e artit. Sepse të gjitha degët e artit janë të ngjashme me njëra-tjetrën, të lidhura me njëra-tjetrën dhe plotësojnë njëra-tjetrën.

Arti dhe feja janë të ndërthurura që nga kohërat e lashta. Njerëzit besimtarë kryejnë  adhurime dhe rituale për të qenë në kontakt me forcën transcendente, të cilën ata e pranojnë se ekziston dhe luten për të krijuar një lidhje me Krijuesin. Në këtë kontekst arti, ose më konkretisht muzika dhe melodia shfaqen gjithashtu si elementë të domosdoshëm të këtyre adhurimeve. Shpeshherë adhurimi kryhet në mënyrë ritmike dhe melodike, edhe nga njerëz që nuk e njohin muzikën. Në çdo traditë fetare muzika e ka vendin e vet të veçantë. Njeriu mund të emocionohet me besimin e tij nëpërmjet melodisë së duhur, me një efekt më të fortë se pa të. Kjo melodi e drejtë gjithashtu mund t’i afrojë njerëzit me Zotin.

Përvoja fetare, si element besimi, ka shërbyer si urë lidhëse mes besimtarëve dhe Zotit. Duke marrë parasysh se estetika dhe përvoja fetare janë në të njëjtin terren, nuk do të ishte gabim të thuhet se ekziston një marrëdhënie e ngushtë midis përvojës fetare dhe artit. Mënyra më adekuate  për të përjetuar të shenjtën është përmes artit. Arti, nëpërmjet vizionit emocional, ka fuqinë t’ua shpjegojë Zotin njerëzve, t’ua bëjë më të lehtë ta kuptojnë Atë dhe t’i bëjë ata ta përjetojnë Atë.

Për sa kohë që një person është në botën materiale, ai shpesh ka vështirësi në të kuptuarit e asaj që i përket botës metafizike. Për këtë arsye, elementët e jashtëm ndonjëherë janë të nevojshëm për t’i kujtuar njerëzit dhe për t’i bërë ata të ndiejnë Zotin. Sepse Zoti mund të kapet me zemër dhe jo me mendje. Nëse një person nuk është i vetëdijshëm për emocionet e tij dhe nuk mund të ndiejë ekzistencën e shpirtit të tij, ai nuk do të jetë në gjendje ta kuptojë Zotin. Kjo është arsyeja pse arti luan një rol aktiv në këtë pikë. Zoti është i brendshëm, por nëpërmjet një vepre artistike ai mund të fitojë një kuptim në shpirtin e njeriut dhe të bëhet më i kapshëm për njerëzit.

Detyra e një besimtari është të kërkojë Zotin dhe ta gjejë Atë në botën ku është dërguar si sprovë. Kjo nuk është aq e lehtë sa duket. Mënyra për të gjetur Zotin është të ndjekësh gjurmët hyjnore. Sipas shumë urtarëve, mënyra më themelore për t’u lidhur me Zotin është arti. Muzika është një nga artet që i përshtatet më së miri natyrës njerëzore. Për këtë arsye, njerëzit kanë një ndjenjë besimi në muzikë. Duke marrë parasysh që Zoti është edhe brenda njerëzve, nuk është e çuditshme që muzika të ketë aftësinë të zbulojë Krijuesin e Lartë dhe ta bëjë njeriun që ta përjetojë Atë. Sepse muzika, me fuqinë e saj të ndikimit, mund ta edukojë shpirtin njerëzor, ta afrojë atë me Zotin, t’i mundësojë të kuptojë urdhrat e Tij dhe të bëhet i zbutur ndaj Tij. Muzika mund të shfaqet si një element efektiv dhe rezultat në përvojën fetare. Këtë e mbështesin edhe deklaratat e atyre që kanë pasur përvoja të larta fetare.

Përvoja fetare është ndjesia e Zotit, dhe ndonjëherë është marrja e informacionit nga Ai nëpërmjet frymëzimit dhe arritja e njohjes për Të. Në këtë pikë, muzika vepron si një mjet, duke e bërë më të lehtë për njerëzit të ndjejnë Zotin. Elementet e vetëdijes estetike dhe besimit janë të qenësishme tek njerëzit dhe kombinohen për të krijuar një drejtim të përbashkët. Në këtë drejtim, është vërejtur se besimi dhe muzika shpesh përdoren së bashku. Kur elementet e besimit përdoren në fusha të ndryshme të artit, efektet pozitive shihen te njerëzit me vetëdije estetike. Prandaj, lirisht mund të thuhet se feja ushqen artin dhe arti ushqen fenë.

Arti shpesh  shfaqet si një mjet për pastrimin e zemrës. Sepse përvoja shpirtnore e bën njeriun të vetëdijshëm për gabimet që ka bërë ndaj Zotit. Aty ku ndihet prania e Zotit, gjërat e tjera nuk kanë asnjë kuptim. Arti në përgjithësi ndikon në këndvështrimin e njerëzve për jetën në një mënyrë pozitive dhe kjo e përforcon edhe besimin dhe ndikon në arritjen e përjetimeve fetare dhe në ndërtimin e përvojës fetare pozitive.

Kur bëhet fjalë për ekstazën përmes muzikës, padyshim një nga emrat e parë që vjen ndërmend është Mevlana Xhelaluddin Rumiu. Ka shumë vargje të shkruara  për raportin e tij me muzikën, të cilat gjejnë vend jo vetëm në kulturën islame , por edhe në atë perëndimore. Është një fenomen i zakonshëm që muzika u kujton njerëzve Zotin dhe i bën ata të harrojnë botën, herë me një emocion shumë të fuqishëm e herë të menjëhershëm. Si në çdo gjë tjetër, edhe këtu ka një rëndësi të madhe mënyra se si përcaktohet përvoja. Përvoja fetare dhe arti, ose më drejtë, në këtë rast muzika relacionin e tyre e ndërtojnë në bazë të rregullave që i kanë të dyja fushat. Largimi i përvojës dhe emocionit fetar nga rregullat parimore fetare e dëmton orientimin fetar, ndërsa largimi i muzikës nga origjina e saj, që është ushqim i shpirtit dhe (keq)përdorimi i saj për çështje të ulëta e humb vlerën e saj jo vetëm nga aspekti fetar, por edhe nga aspekti artistik dhe estetik.

Duhet të kemi parasysh gjithashtu se mendimtarë të rëndësishëm islamë si Ibn Sina, Farabi dhe Kindi kanë shkruar vepra në fushën e muzikës. Mendimtarët e përmendur zhvilluan teori muzikore që janë të vlefshme edhe sot. Për shembull, Farabiu, një nga këta mendimtarë, e diskutoi muzikën si fushë të shkencës në çdo aspekt në veprat e tij mbi muzikën, në një mënyrë që kurrë nuk është diskutuar aq hollësisht në asnjë burim para tij. Tema të tilla si formimi i tingullit, objektet që prodhojnë dhe nuk prodhojnë tingull, arsyet e lartësisë dhe ashpërsisë së tingullit, formimi i melodive, intervali midis dy melodive…

Për këtë ai ka dhënë edhe mendime të shumta. Sipas tij, muzika është thelbësore jo vetëm për njerëzit, por për të gjitha gjallesat. Ai thotë se tingujt lindin instinktivisht, veçanërisht te kafshët dhe se ata nxjerrin tinguj të ndryshëm në gjendje të ndryshme emocionale. Sipas Farabiut, nëse muzika e duhur dëgjohet në kohën e duhur, arrihet në edukim esencial shpirtëror. Modet ndikojnë në shpirtin e njeriut në mënyra të ndryshme. Disa melodi krijojnë një ndjenjë lumturie dhe relaksi te njerëzit.

Ebu Sulejman Darani, një nga sufitë e njohur klasik ka thënë: “Një zë i bukur nuk sjell në zemër diçka që nuk ka qenë më parë në zemër.” Që do të thotë se nëse ndonjë prej arteve, më konkretisht muzika ndikon në përkeqësimin e personalitetit të njeriut, atëherë nevojitet pastrimi i zemrës dhe jo ndalimi i artit.

Instinkti për të besuar, ashtu si muzika, ka ekzistuar në jetën e njerëzve që në ditët e para të historisë njerëzore dhe ka luajtur një rol në formësimin e jetës së tyre. Ky fenomen mori një formë adekuate kur Zoti ndërhyri duke dërguar pejgamberët në botë. Që nga kjo fazë e në vazhdim melodia është shfaqur si një fenomen normativ që synon të rregullojë jetën e besimtarëve.

Gjatë historisë ka pasur disa debate në lidhje me legjitimitetin fetar të muzikës. Ideja se muzika është e ndaluar nga feja, e cila vazhdon ende sot, mund të ndikojë negativisht në pikëpamjen për muzikën, por ama ajo është e pranishme në të gjitha periudhat dhe në forma të ndryshme edhe në mjediset e besimtarëve. Megjithatë, muzika prek njerëzit me përmbajtjen, me ndjenjën e ritmit që njerëzit e ndiejnë natyrshëm me zemër dhe ndonjëherë, kur merren parasysh thëniet e besimtarëve të sinqertë, rrit besimin e individëve dhe krijon përvoja fetare. Ndjenja e besimit dhe muzika tërheq shpirtin e njeriut. Këto dy dukuri dhe ndërveprimi ndërmjet tyre, kur drejtohen drejt, kontribuojnë në zhvillimin e përvojës fetare dhe besimit të individit.

Leave a Reply

Your email address will not be published.