I rikthehemi figurave të shquara sërish e sërish, me shpresën e vetme të rikthimit nën dritën e diellit, të vetmes, të vërtetës, me qëllimin universal, të civilizimit dhe të konvertimit të shoqërisë sonë në shoqëri perëndimore dhe frytdhënëse
Alesia XHOGU
Ismail Kadare do të thotë: “Të shkruaje në diktaturë ka qenë e vështirë, thuajse e pamundur. E pamundur të shkruaje siç dëshiroje të shkruaje. Ja përse unë i jam mirënjohës letërsisë: Letërsia më dha mundësinë të kapërceja të pamundurën. Ferri komunist, si çdo ferr tjetër, është mbytës në kuptimin më të keq të fjalës. Por, letërsia arrin ta transformojë atë në një forcë jete, në një forcë mbi të cilën mbështetesh për të mbijetuar, për të mundur me kokën lart çdo gjë.”
Ndiej keqardhje për të shumtën herë mundësi të dhënë literaturës shqipe, pasi zhgënjim pas zhgënjimi e mundësi pas mundësie, si një rreth ciklik i pashtershëm, konkluzioni vërtitet rreth së njëjtës gjë. Ndonëse mundohem ta mirëkuptoj e në të njëjtën kohë e përçmoj, regresi i kombit tonë, me keqardhje më duhet ta them, e largon lexuesin nga literatura shqipe. I falemi të parëve tanë sërish e sërish. I rikthehemi figurave të shquara sërish e sërish, me shpresën e vetme të rikthimit nën dritën e diellit, të vetmes, të vërtetës, me qëllimin universal, të civilizimit dhe të konvertimit të shoqërisë sonë në shoqëri perëndimore dhe frytdhënëse. Ndonëse e kuptoj misionin sublim, bie shpesh herë në vorbullën e errët të nihilizmit që të shkakton arsyeja e fillim-përmendur, shtimi i veprave letrare në pothuajse unanime në tematikën e vetme: regresioni. “Shqipëria u krijua nga Zoti, shpëtoi nga rastësia dhe u vra nga politikanët”, tha i madhi Faik Konica. Mos ndoshta kemi nevojë për një katarsis kolektiv? Apo mos ndoshta kemi harruar të argëtojmë shoqërinë nëpërmjet literaturës fantastike-shkencore?
Është i çuditshëm fakti se si një individ mund të adhurojë një shkrimtar të atdheut të tij, e më pas teksa ky shkrimtar përshkruan atdheun, pa dashur, e jo për faj të tij, magjia e tij prishet. Vuajtje-ankesat janë tanimë refren i literaturës sonë. Mesa duket kemi prirje mazokiste! Është e vështirë të lësh atdheun tënd, por akoma më e vështirë ta pranosh atë, ndoshta për faktin e vetëm, disi konspirativ (por edhe faktik), i cili na ka shpëlarë trurin me pallavra të llojit tallava, duke mohuar historinë e te parëve tanë. Ata nuk janë kujtuar kurrë! Sa prej nesh e dinë prejardhjen e alfabetit shqiptar në raport me festuesit e kësaj dite kombëtare? Sa prej nesh e dinë historinë e kulluar, të padeformuar e të pacenuar në raport me sharlatanët që vërtiten në çdo cep të këtij kombi, duke shpërndarë helmin e mediokritetit? Ndonëse plumbi del me plumb, dhe po, edhe ky shkrim ka trajtat e një vuajtje-ankese, fatkeqësisht, me shpresën e vetme për të shërbyer si një reflektim për çdo qytetar, për çdo shqipfolës, për çdo shkrimtar të ri, të cilët kanë potencialin të shkatërrojnë e rindërtojnë një literaturë të re, shpresëdhënëse dhe perëndimore, sepse nëse Petro Nini Luarasi, At Gjergj Fishta, Naim Frashëri, Nënë Tereza e shumë personalitete të tjerë kontribuuan për këtë komb dikur, nuk qenka e mundur sot?
E ardhmja është e tashmja, mjafton vetëm të lexohen premisat (!) dhe si e tashme e ardhme është detyrë primordiale e qenies njerëzore krijimi i oazës individuale, së pari, e më pas kjo oazë injektohet në mënyrë natyrale në shoqërinë tonë, duke e bërë mendësinë të shokohet, të ndryshojë formë, harmonizohet dhe unifikohet, duke e bërë humanizmin të triumfojë përballë mediokritetit. Dija është çelësi! E ardhmja qëndron përpara syve tanë, e shëmtuar dhe cinike, por jo absolute për sa kohë shpresa ndriçon sado pak. Nuk është formulë e pa dëgjuar më parë, por është formulë e risjellë sërish e sërish për të reflektuar, së pari për individin, së dyti për shoqërinë e së tashmes dhe të së ardhmes. Ky vend është i bekuar në pasuri natyrore e në figura, të cilat kanë dhënë jetën për këtë vend. Ja vlen sado pak të jemi kontribuues të atdheut tonë! Është kjo shtysë e cila duhet të na udhëheqë për të ruajtur cilësinë e jetesës në këtë vend, nëpërmjet procesit empirik të gjithsecilit prej nesh, por dhe nëpërmjet procesit shpirtëror i cili mban emrin art. Nuk është e nevojshme të risillet definicioni i artit në këtë shkrim, por është e nevojshme të sulmohet çdo grimcë mediokriteti, të cilat duan të njollosin artin. E kur them sulm, i referohem të vërtetës, asaj së cilës shumë i frikësohen dhe e konsiderojnë sulm. Në morinë e shumtë të lavdërimeve fallce e të pashoqe, këta pseudo-intelektualë po injektojnë akoma dhe më shumë mediokritetin në shoqëri. Përparim Kabo në librin e tij Antropologjia e frymës na paraqet tablonë e përçudnimit të historisë nga pushtetarët, por në të njëjtën kohë, na paraqet edhe anën tjetër të medaljes: përqeshjen që historia i bën këtyre njerëzve sapo ata bien nga pushteti.
Historia mbetet aty, kujtesa po ashtu. Është gjithçka çështje kohe. Ndonjëherë miklimi artificial i shndërron këta njerëz në mbinjerëz, në kuptimin më të keq të fjalës. Reflektimi për këtë kategori është i pamundur. E gjithë kjo vorbullë miklimi-mungesë reflektimi vjen si pasojë e egos së tepruar, e kjo ego e tepruar vjen si pasojë e mungesës së dijes. Si një dorë e padukshme arti i kulluar të nxjerr nga ajo vorbullë nihilizmi për ta parë këtë vorbull, tani nga lart, me një epërsi. Epërsinë që të jep humanizmi. Arti është hyjnor dhe si i tillë le të kryejë misionin e tij. Le të jetë shëmbëlltyra e Krijuesit, forcës supreme!