ARTISTI DHE PËRVOJA

Cikli i famshëm i Beethoven-it prej 32 sonatash, më i miri i këtij lloji në historinë e muzikës, është në të njëjtën kohë një literaturë koncertale pedagogjike për nxënës të rinj dhe një vepër për pianistët më të formuar

Alija IZETBEGOVIQ

Meqë nuk ka evolucion në jetën e artit, nuk ka as në jetën e artistit. Çdo artist, që në kryeherë, nis të punojë sikur të mos ketë krijuar asnjë para tij. E thjeshtë: ai nuk shfrytëzon përvojën e tjetrit, por vetëm të tijën. Shfrytëzimi i përvojës së tjetrit, vazhdimësia e përvojës dhe akumulimi i saj është kusht dhe premisë për shkencën. Shfrytëzimi i përvojës së tjetrit në art është imitim, përsëritje, akademizëm, pra vdekje e artit. Picasso pikturoi për shtatëdhjetë vite me radhë, duke kaluar nëpër periudhën rozë dhe blu, në atë të kubizmit, të kubizmit analitik, njëfarë surrealizmi, përvoja si qeramist dhe skulptor e shumëçka që nuk mund të përkufizohet, por në këtë mes nuk ka asnjë evoluim, asnjë lloj zhvillimi nga një nivel i dobët drejt një niveli më të mirë, nga më pak e përkryera kah më e përkryera. Vetë kultura si tërësi, si e tillë, është vetëm një dramë gjurmimi dhe kërkimi pa ndërprerje. Në raport me këtë karakter krijues të artit, jashtë përvojës (ose jashtë-historik), thjesht njerëzor, qëndrojnë edhe disa fakte të tjera shumë kuptimplota. Fjala vjen, ka shkencë për të rritur dhe shkencë për fëmijë. Njohja e shkencës, pastaj riprodhimi i saj, shfrytëzim i dhe zbatimi i përfundimeve për praktikën, varet – përveç të tjerave – nga arsimimi, nga mosha, nga përvoja. Mirëpo nuk ka muzikë për të rritur dhe muzikë për fëmijë. Testet e bëra me ekzekutimin e veprave të Bach-ut, Mozart-it, Beethoven-it, Debussy-së dhe Chopin-it dëshmuan se fëmijët e kuptojnë ose nuk e kuptojnë muzikën serioze njësoj siç ndodh me të rriturit. Cikli i famshëm i Beethoven-it prej 32 sonatash, më i miri i këtij lloji në historinë e muzikës, është në të njëjtën kohë një literaturë koncertale pedagogjike për nxënës të rinj dhe një vepër për pianistët më të formuar. Picasso pikturonte në moshën dy-vjeçare, në një moshë që akoma nuk fliste. Ovidi nisi të fliste me hekzametra në kohën kur fëmijët e tjerë fillonin të artikulonin. Mozart-i organizonte koncerte në moshën gjashtë-vjeçare. Arti nuk është dije, pavarësisht se është njohje, por jo një njohje me mendje dhe me arsimim, porse me zemër, me dashuri dhe me thjeshtinë e shpirtit. “Kur fshatari i kryen punët e zakonshme, merr një copë dru dhe bën skulpturë. Për këtë gjë s’i duhen katër apo pesë vite akademi. Dua të them vetëm se arti është i afërt për të gjithë, se nuk kërkohet ndonjë talent i veçantë, as shkollim. Çdokush është artist”. (Jean Dubuffet) Kjo na kujton Tolstoin dhe shkollën e tij të Jasna Polianës, kur shqyrtonte ekskluzivisht me fëmijë të vërtetat më të thella religjioze dhe etike. Njohja e artit, e religjionit dhe e etikës nuk është intelektuale dhe logjike, por e brendshme. Këtu nuk rri përkundruall mendja ndaj mendjes, por zemra dhe shpirti ndaj një zemre dhe shpirti tjetër të njëjtë. Faktet e ekspozuara rrënojnë botëkuptimet tona tradicionale për “zhvillimin” e kulturës njerëzore. Kultura s’ka histori. Njeriu është konstantja e zhvillimit botëror.

Leave a Reply

Your email address will not be published.