AUTORËT E VËRTETË QË NGELËN PRAPA PERDEVE TË TRASHA!

Letërsia jonë është e përshkuar me shumë dilema, të cilat, edhe pse me elemente argumentimi, megjithatë mbeten në rrafshin e spekulimeve, për të cilat edhe sot e kësaj dite flitet nëpër kuluare

Shkëlzen HALIMI

Debati për të vërtetën është një akt i shëndetshëm sado që ndonjëherë mund të jetë edhe i dhimbshëm. Ndaj, këtyre debateve nuk duhet t’u ikim edhe sikur ta rrënonin “kullën” e ngritur ndër vite. Debati për letërsinë shqipe nuk ka munguar, pavarësisht faktit se shumë herë nuk ka qenë në nivelin e duhur dhe as brenda kornizave të pritshmërisë. Ky debat nuk duhet të mungojë as tani kur realisht kemi një mori problemesh, trajtimi i të cilave, në veçanti në mënyrë institucionale, do ta bllokonte shtegun nëpër të cilin do të mund të kalonte kaosi.

Fatkeqësisht, edhe letërsia jonë është e përshkuar me shumë dilema, të cilat, edhe pse me elemente argumentimi, megjithatë mbeten në rrafshin e spekulimeve, për të cilat edhe sot e kësaj dite flitet nëpër kuluare.

Janë 70 vepra, edhe pse jo-letrare, që mbajnë autorësinë e Enver Hoxhës (enver-hoxha.net), ndonëse edhe zogjtë e malit e dinë se ai nuk i ka shkruar ato. Pra mbetet dilema se kush i shkroi ato, përkatësisht kush ishte autori apo autorët e vërtetë, edhe pse ata që ishin pranë tij e dinë të vërtetën e kësaj punë voluminoze. Dilemat e këtilla kanë qenë dhe janë evidente edhe përsa i përket ambientit letrar në Kosovë, në Maqedoninë e Veriut, pse jo edhe më gjerë.

Sinan Hasani (1922 – 2010) udhëheqës komunist, diplomat, kryetar i Kryesisë së RSFJ (1986 -1987), është autor i disa romaneve. Ai kreu shkollën në Medresenë e Madhe në Shkup para Luftës së Dytë Botërore, ishte pjesëmarrës në LNÇ dhe funksionar i lartë politik. Ai o duhet të ketë qenë talent i madh dhe me dhunti natyrore për të shkruar gjithë ato romane, disa prej të cilëve edhe u ekranizuan, ose prapa tij duhet të ketë qëndruar një penë që ka ditur të bëjë letërsi. Në qarqet letrare të Kosovës, sa i përket veprave të Sinan Hasanit, herë pas herë janë përmendur edhe disa emra, të cilët në letërsinë e kësaj ane kanë lënë gjurmë të pashlyera.

Ka shumë dilema që e përcjellin edhe veprën e Kapllan Resulit (1934 – 2022), sidomos romanin e tij më të njohur TRADHËTIA (Tiranë, 1962), një vepër kjo që do të bëjë bujë të madhe. Disa nga ata që i kanë njohur rrethanat e kohës, janë shprehur se në fakt, autor i kësaj vepre është dikush tjetër dhe se atij (shërbimet e UDB-ës) ia kanë ofruar si dorëshkrim për ta vënë emrin e tij para se të vendoset në Shqipëri (1960). Meqë u dëshmua si një figurë kontroverse, duke mohuar përkatësinë e tij etnike dhe duke u deklaruar si serb, ai u lë hapësirë të madhe pikërisht dilemave të shumta jo vetëm rreth krijimtarisë së tij, por edhe figurës së tij tejet të dyshimtë.

Në kohën e monizmit, në qendrat shqiptare, pati vetëm nga një shtëpi botuese, në të cilat dorëzoheshin dorëshkrimet, ndërkaq botoheshin vetëm një numër i vogël. Tash shtrohet pyetja se në ato mijëra dorëshkrime që nuk e panë dritën kurrë, a pati edhe syresh me cilësi të lartë, por që për arsye të natyrave të ndryshme nuk u botuan, a pati keqpërdorim të këtyre dorëshkrimeve që realisht u zhdukën pa lënë asnjë gjurmë, ose thënë më konkretisht, a u frymëzua dikush nga këto vepra të pabotuara ose edhe më konkretisht, a i përvetësoi dikush këto dorëshkrime, duke i “shndërruar” në vepra të tyre.

Historia e letërsisë shqipe do t’i evidentojë edhe disa vepra shumë cilësore që mbajnë emrat e autorëve, matrica ideologjike e të cilëve fare nuk përputhet me brendinë e veprës. Kjo natyrisht se krijon shumë dilema dhe cyt në hamendjen se kush qëndroi prapa këtyre veprave të realizuara shumë mirë artistikisht. Po kështu, i pashpjegueshëm mbetet edhe fakti me disa krijues, veprat e para të të cilëve zgjuan kureshtjen e kritikës, duke i cilësuar edhe si fenomene letrare. Por, çuditërisht, veprat e mëvonshme të botuara do të shënojnë amplitudë rënie dhe thjeshtë mbi ta do të bie pluhuri i harresës. Pra, edhe ky shembull flet qartë se ekzistoi një dorë që nuk ishte dora e krijuesve tashmë të harruar.

Me rrënimin e sistemit një-partiak në të dy anët e kufirit, i cili më nuk ishte hermetik, ndodhën shumë shëmtira. Ishte e qartë se orët e para të demokracisë më shumë u ngjanin orëve të anarkisë. Në veçanti, kjo erdhi në lëmin e botimeve, kur edhe shpërthyen gjithandej “poetët”. Më nuk vlente asnjë kriter. Mjaftonte “ta kesh lekun dhe ta hash byrekun”.

Atëbotë, në Maqedoninë e Veriut erdhën disa pena nga Shqipëria (tashmë janë të ndjerë) dhe u vendosën në fshatrat e Tetovës dhe Kumanovës, duke hapur një biznes të paparë deri atëherë. Kundrejt një pagesë shumë të mirë, do të shkruajnë libra me poezi, kurse kjo bërë që përnjëherë të shpërthejnë botimet dhe të shtohet numri i poetëve. Vetëm në një fshat të Tetovës, brenda natës, me libra do të bëhen mbi dhjetë individë. Dëmi i bërë atëherë, fatkeqësisht, akoma, edhe sot e kësaj dite nuk riparohet.

Kuptohet, “furra” të tilla të librave do të hapen edhe në Kosovë e Shqipëri, të cilat i kanë edhe sekserët e vet që mision kanë gjetjen e klientëve, të cilët vlerësojnë se nga anonimiteti mund të dalin vetëm nëse ngjiten në pasarelat poetike, ndaj dhe sot, për fatin tonë të keq, kemi një inflacion marramendës sa i përket “komunitetit” të poetëve. Këtë më së miri e tregoi një manifestim letrar, në konkursin e të cilit kishin arritur mbi 800 poezi.

Autorët e vërtetë që “huazuan” penat e tyre gjithsesi do të mbeten anonimë prapa perdeve të trasha. Por, se do të ketë dyshime, ky është një fakt i pamohueshëm. Dhe kjo ka të bëjë me ndërgjegjen e individit. Një debat në këtë drejtim sado pak do të krijonte një shtresë mbrojtje nga kjo dukuri tepër e shëmtuar. Nëse fillojmë të flasim edhe për këtë çështje, atëherë së paku kemi bëri një hap të vogël që nis nga pika zero.

Leave a Reply

Your email address will not be published.