BALENAT E DETEVE TË LARGËT TË NJË POETI TË SPIKATUR

Mbi poezinë e Sulejman Matos

Poet i përthyerjeve të befta dhe metaforave të tejdukshme.Poezia e tij sa herë e lexon është e aftë të të mbjellë në shpirt vetëm ndjenja të holla dhe një psherëtimë ngazëlluese.

Agim BAJRAMI

Një libër i mirë është i aftë të të shkaktojë një drithërimë të veçantë gjatë gjithë kohës leximore, por edhe të të shoqërojë me figura dhe imazhe të gjallë jetësorë. Unë nuk them se nga drita dhe ngjyrat e gjalla të këtyre imazheve mund të të lëbyren sytë,por kam të drejtë të këmbëngul, që mbas leximit të këtyre poezive, mund ta ndiesh veten si një tren të pakthim, që lëviz e lëviz gjithmonë drejt peizazheve të së nesërmes. Dhe kjo sepse, poezitë e Sulejman Matos kanë një prirje të kultivuar,të prishin realitetet ekzistues të leximit,edhe vetëm me një zgjatje të beftë të zërit, apo theksimit të një tonaliteti zanor, duke ndërtuar kështu virtualisht para teje të tjerë realitete té bukur (edhe pse jo njëqindpërqind të ngjashëm me ato të ëndrrave të mëngjesit. Sulejman Mato bën pjesë padyshim në ata pak poetë, që me plot gojën mund të themi se numërohen vetëm me gishtat e njërës dorë. Ai hyri në poezinë tonë jo për t’u bërë “një nga ata që shkruajnë” si gjithë të tjerët, por si një penë krejt e veçantë,si frymë poetike dhe kaligrafi shumë e ndryshme nga bashkëkohësit e tij. Të para në kënde të ndryshëm vështrimorë poezitë e Matos mund të konsiderohen jo vetëm si krijesa me frymëmarrje të thella lirike,por edhe si portrete të gjallë dashurish pa stereotipa, që autorët pararendës të tij i mbanin nën jastëk,pasi kishin frikë t’i ekspozonin. “Poeti,si strehues dhe rrëfimtar epik i balenës së ardhur nga dete të largët, nuk është gjë tjetër,veç se portreti i stilizuar i unit poetik të tij, që nga fillesa e deri në vijimësi. Në këtë simbolikë kaq interesante dhe origjinale, ku motivi bazëështë ekzistencializmi dhe qëndresa, e individit në një shoqëri tinzare dhe plot vese,autori gjen rast të shpërthejë dhe të flakë ndaj saj shkëmbinj proteste. Të zbërthesh frymën poetike tëSulejman Matos, nuk është fort e lehtë. Lexuesit dhe jo vetëm atij, do t’i duhet më parë të udhëtojë fizikisht dhe shpirtërisht nëpër labirinte vitesh dhe peizazhe qytetesh të vegjël dhe metropolitanë evropiane, të ç’mitizojë mite të ardhur në trajtat e tyre fillestare që nga antikiteti, si dhe të përshkonte distanca largësish ndërplanetare drejt viseve ku është strehuar “flokëbardha e tij yjore”, nëna. Është ky moment ku poezia dhe poeti bëjnë një shkëputje të beftë nga rutina e gjërave të thjeshta dhe të zakonshme,për t’ju kushtuar tërësisht të jashtëzakonshmes, baladeskes dhe legjendës njëherësh,kalimit të portave të Hadit dhe takimit me nënën e vdekur dhe të shndërruar tashmë në një kometë që lëviz. Kjo poezi mister që ngjan me “Nënën e Eseninit” ka pika takimi me të vetëm nga madhështia dhe solemniteti,por qëështë konceptuar dhe artikuluar nga autori një formë krejt të ndryshme. Nëse nëna e Eseninit vjen e mbështjellë me ngjyra nostalgjish tokësore,nëna e Matos është e krijuar totalisht nga një materie kozmike.Është një poezi sa e prekshme aq dhe hyjnore, ku shenjat e qiellit dhe të tokës janë përzier e bërë një dhe ku kohërat e largëta ushqejnë shpesh ato të rejat me një dritë fosforike. Poezia e Matos është shumëdimensionale, zhurmë guralecësh të rrëzuar dhe dridhje e beftë që shkaktohet nga një krah pëllumbi,rrugicë e mbuluar nga bari në brigjet me ullinj të vendlindjes, si dhe heshtje gurësh të një shtëpie të vetmuar, vaji i zi mëllenjash,por mbi të gjitha është edhe një demokraci bari dhe shiu (edhe pse ndonjëherë kjo poezi merr përsipër të përgjojë edhe bisedat profetike të burrave jonianë në male dhe t’i sjellë ato të transkriptuara besnikërisht). Natyrisht, për të transkriptuar këtë gjuhë zotash që për autorin nuk qëndrojnëvetëm në qiell, atij i janë dashur dekada të tëra përpjekjesh dhe sakrificash homerike. Duke bërë pjesë në aradhën e vogël të atij brezi entuziastësh që u rritën dhe zhvilluan artistikisht në vitet 60,poeti dhe poezia e tij pasi flakën si një mish të huaj deklamacionin dhe stereotipat shterpë të socrealizmit, e veshën vetveten me më shumë liri dhe hapësira shprehje. Për këtë ata ju drejtuan gradualisht simbolikës si bartëse të unit të tyre Guri, Balena, Deti, Anija, Poseidoni, Itaka etj. janë objekte kaq të ndeshur në krijimtarinë e tyre.Është në natyrën e poetëve të mëdhenj rendja drejt modeleve dhe koncepteve të reja bashkëkohorë,duke futur brenda tyre shumëçka nga idetë që lëviznin përreth tyre. Kjo i ka bërë poezitë e tyre konceptuale, të hapura dhe me kohë të ardhme të pakryer. Lind pyetja:përse lexuesit përftojnë një shije tjetër nga leximi i tyre? Përgjigja mund të ishte e tillë,sepse Sulejmani dhe gjithë poetët e nivelit të tij sollën një mënyrë tjetër ligjërimore. Ata ishin të neveritur nga mënyra standarde e të shkruarit të asaj kohe, metodë sa tradicionale aq dhe e ngurtësuar, dhe totalisht e paaftë për t’ju përgjigjur aftësive krijuese të tyre.

Për këtë Moikom Zeqo do ta quante poetin në fjalë një lirik autentik, që di t’i falet në poezi vetëm sentimentit dhe ndjeshmërive njerëzore. Të dyja këto kanë mbetur dhe do të mbesin si të vetmet realitete të shpallura apo të pashpallura të tij. Ndaj s’është vetëm bindja ime, por edhe e shumë të tjerëve njohës të mirë të vargut,që poetika e tij s’është gjë tjetër, përveç se një qenësi në ngjyrë të kaltër,që formën dhe strukturën e saj e vë gjithmonë në funksion të mesazhit bazë.

“Përmes një qengji të tingullt, nga zjarri i gjithësisë, dola unë, thotë në një nga poezitë e tij poeti metaforikisht,duke ia lënë heshtjes të merret më pas me akustikën e vijimësisë.

I kursyer në fjalë, por jo në shenja dhe lëvizje,shpesh dhe me një çelës në brez, kaq i ngjashëm me “Dajke zonjën” çdo varg i poezisë së Matos përcjell krahas tensioneve dramatike të brendshme, edhe një mërmërimë gjegjesh limoni dhe kopshtesh ne pranvere. Shumë nga poezitë e autorit fillesën e kanë nga bisedat e tij me yjet dhe universin misterioz. Ndërthurja e fiksionit me realitetin gjithmonë ju ka dhënë atyre një vel misteri dhe karakteristikë artistike. Ky është një shkak që heronjtë dhe heroinat lirike të Matos dallojnë qartas nga të tjerat, jo vetëm nga timbrika e zërit dhe portretit,por mbi të gjitha nga mënyra e komportimit dhe e përthyerjes së tingujve.Është një përthyerje autentike që vjen tek ne herë në trajtë këngësh bregdeti e herë të tjera në trajtë baladash baritore,me një fluiditet zërash dhe forcë përfytyrimi. Poezia “Fyelli”p.sh., merr përsëri të na pohojë shkurt e qartë veprimin e mëposhtëm që:

– Një bari preu një degë panje

I hapi shtatë vrima dhe i tha; këndo

Këndo,ose qaj,Kjo është detyra jote

Mjafton vetëm edhe kjo thirrje urdhërore që peizazhi baritor të zgjohet nga dremitja, për t’ju falur më pas këngës së botës. Panja fillon të prodhojë tinguj,birat të nisin t’ju japin atyre nota të ndryshme dhe baladat të ribëjnë vetveten. Edhe pse në kushte të një censure socrealiste, poezitë e shkruara prej tij në diktaturë kanë mundur të ruajnë sharmin dhe pjesë të caktuara të shpirtit të tyre rebel, dhe kjo sepse brenda aparatit krijues të tij ka vepruar gjithmonë thënia filozofike: “se për të hapur një derë dhe për të kyçur e ndërtuar një ëndërr,duhet me patjetër një rreze drite”. Poezitë e Sulejmanit gjithmonë tentojnë te flasin me lexuesit me “letra” dhe dyer të hapura.Është e dukshme se ato nuk duan të mbartin sekrete më vete. Bashkëvepruese dhe komunikuese me gjithçka që kanë rreth e rrotull,ato”bashkojnë zërat dhe qeleshet kokë më kokë me njëra tjetrën”, për të krijuar më pas suksesshëm një polifoni të rrallë jugu. Ja pse kur i lexon ato të ngjan sikur bashkë me metaforën qendrore të vargut dhe këngës, ke futur brenda vetes edhe “Kostandinin e vdekurth”, “Tre vjet i patretur” etj. Vini re mbaresat me kuptim përkëdhelës dhe përmallues që ju vendos autori këtyre vargjeve. Janë mbaresa jo vetëm përkëdhelëse dhe identifikuese, por edhe metafora ringjallje dhe ripërtëritje. Kjo jo vetëm e ka bërë aparatin përfytyrues poetik më të fuqishëm,por edhe më mistik njëherësh. Në poezitë me temën e qëndresës vihet re mbushja e hapësirave dhe peizazheve historike me tinguj dhe epicitet vendlindje. Autorit nuk i durohet sa të na e bëjë të qartë prejardhjen e tij nga brigjet dhe malet epike të Akrokeraunëve. Ashtu si në tragjeditë e Eskilit, edhe këtu klithma e një kobi të pritshëm qëndron ndehur në ajër. Kuaj profetik që dredhojnë nëpër shtigje misteresh me bishtin që ua merr era, ura qabeje, mushka Grebeneje, pashallarë me mjekra të çuditshme,komitë që shkojnë zallit me jetën dhe vdekjen poshtë nën gunë,që flasin një gjuhë me një theks dhe dialekt të egër hakmarrës, që s’mund të mbyllet dot kurrë pa një kurban. Pikërisht duke huazuar ose bërë të vetat shumëçka prej këtyre pamjeve të rralla, autori ka ditur të ndërtojë edhe strukturat e këngëve të tij të mëvonshme,kaq të veçanta. Kështu p.sh. në poezitë kushtuar vendlindjes, krahas njerëzve dhe kafshëve të shtëpisë, vihet re një pjesëmarrje dhe shpirtëzim i gjerë, i elementeve të natyrës, pemët e oborrit,shtëpitë,shkëmbinjtë,bregu,deti, valët, portokajtë, dielli, jugu etj. Janë elemente që në kontekste te caktuar marrin atribute të barasvlershme me shenjtët,para të cilëve autori falet. Për një njohës të poezisë, kjo natyrisht nuk përbën ndonjë risi. Risia këtu është mënyra e veçantë e komportimit që ka ky autor në krahasim me të tjerët. Duke i vizituar objektet e dashur poetikë të Sulejman Matos, mua më vijnë në mend damarët e hollë dhe të tejdukshëm të gjetheve të pyllit rus, pikturuar me aq dashuri dhe mjeshtëri nga Shishkini. Më pas s’di pse më pëlqen t’i shndërroj në valë të kaltra ato gjethe,duke përfytyruar fill mbas tyre edhe sytë e shqetësuar të poetit të shquar jonian:

Një pako e thjeshtë e lidhur me spango

Me kujdes me merakun e njerëzve të jugut

Nën lëkurën e portokalleve ka erë jodi

pikëzim dielli dhe vese yjesh

Ngrohtësi pranvere,vesë jonike

Mato është një poet që aftësive të tij reflektuese di t’i shtojë edhe thellësinë e vështrimit dhe forcën e gjykimit. Heroi lirik i kësaj poezie ka një individualitet dhe mënyrë krejt të shpenguar lëvizje dhe shprehje. Ai e di nga vjen dhe po ashtu e di edhe se ku po shkon. Në krahasim me shumë poetë të kohës së tij,që vuanin formatet e ndrojtur dhe të mbyllur shprehimorë, poezia e tij është një thirrje e zgjatur për më shumë ajër dhe vetëdije autoriale. Shumësia e elementeve të shprehjes dhe guximi i pohimit, janë të shkrira edhe me një figuracion të pasur dhe shumësi elementësh narrativë. Një tjetër tipar i kësaj poezie që e radhit atë ndër poetet më aktivë të kohës së tij është tema sociale. Poeti dhe vargu kanë një marrëveshje të shpallur mes tyre. Ky është shkaku që ky varg di të marrë si me urdhër trajtat e format e gjendjeve të ndryshueshme shpirtërore dhe emocionale  të poetit dhe arealit që e rrethon. Në këtë rast një rol të rëndësishëm në poezinë e tij merr simbolika. Dhe në poezinë e tij ka shumë të tillë. Do doja të përmendja këtu simbolikën e shiut,balenës së largët,kokës së prerë të Ymer Xhafos, Kalanë e Sfetigradit etj. Në këto poezi dhe të tjera, autori arrin të shpërthej çdo kufi imagjinativ,duke u futur kështu gjer në tokat e largëta të misterit

Nëpër këngë bie borë

Tym dufeqesh ngrihet lart

Nëpër këngë qeleshja e bardhë

Rri si mjegull përmbi mal

Ose

Vetëtimat tërë natën korrën duajt e shirave

Nënat e lashta qëndronin pragjeportave

Ç’qe kjo mrekulli?

Një autori si Sulejman Mato i pëlqen të evidentojë ngjarje, detaje dhe personazhe me botë dhe ngjyra të veçanta epike, siç ngjet në poezinë monolog të shtatë plakave vunotase. Tek kjo poezi më tepër se përmbajtja, të tërheq vëmendjen me mënyrën elegante të artikulimit dhe përcjelljes së kumtit. Në fokusin vështrimor të poetit, portrete të tillë sintetizojnë ambientet tipike jugore,vetminë e brezit të vjetër dhe largimin e bijve në emigracion.Është një grumbull portretesh poetikë, për të cilët nocioni kohor ka humbur kuptimin:

Kur do të na vijnë djemtë tanë,pyesin ato hënën

Një hënë të ftohtë dhe memece

Prirja e autorit për t’i dhënë gjithçkaje format dhe dimensionet përkatëse, e ngarkon, i jep më shume peshë dhe konotacion fjalës dhe mendimit. Shembull i kësaj që sapo thamëështë poezia “Kujtimi” i vitit 1948:

Në Fterrë binte shi

Në stane binte bore

Ethem Malo o bukuri e maleve të mia

Ke 50 vjet që ulërin

Ulërima e një ujku lartësohej maleve

Askush nuk e pa betejën legjendare

Vetëm baloja i tij i përgjakur

Dhe delet që e ruajtën gjatë në kujtesë

Në konceptualitetin krijues të Matos gjithçka i ngjan ajrit,erës dhe lumit,pra një trioje që lëviz dhe është vazhdimisht në një ikje pa kthim.

Musa Vyshka e karakterizon poezinë e Sulejmanit si :”gazmore”,të sinqertë”dhe të “shkujdesur”.Pa dashur ta kundërshtoj atë, krahas fjalës shkujdesje, unë do të shtoja edhe “se kjo lloj poezie është edhe një përjetuese e thellë e gjendjeve shpirtërore të poetit në opozitë të përhershme me realitetet tona absurde,me të cilët ai nuk ndalet se polemizuari dhe kontestuari energjikisht. Eshtë kjo arsyeja që gjatë leximit të tyre, toni i zërave nis të pësojë ulje ngritje të herëpashershme dhe të mos ndihet asnjëherë i njëtrajtshëm. Janë çuditërisht të ngjashëm me rrahjet e zemrës lirikat e dashurisë dhe poezitë e mallit për shokët dhe vendlindjen,ashtu siç janë të ngjashme me kambanat e vajtimit poezitë aq të ndjera për nënën apo njerëzit e tjerë të dashur, ikur nga kjo jetë. Tekstet poetike të autorit e kanë në gjen fokusimin e njeriut te pabujë,por me veti të bukura  njerëzore. Në shumë këndvështrime, ai është dhe mbetet figurë mbizotëruese. Ndaj nuk e teprojmë po të themi që portretizime të tilla janë dhe mbeten nga krijimet më të bukura të tij. Sulejman Mato është një poet i planeve dhe zhbirimeve psikologjike,si dhe i peizazheve me kontrast. Tematikat dhe impresionet në korpusin poetik të tij janë të shumëllojshme dhe të shprehura me një larmi formash,nga më të ndryshmet, ndaj unë nuk do të isha shumë dakord me ndonjë krijues që e definon këtë poet, si poet i rivierësapo poet me tipologjinë krijuese të jugut.Jo! Poezitë Tirana ime,Kur ikëm i lamë të vdekurit oborreve, Njerëzit nuk i kuptojnë milingonat, Vajtimpër fluturat që jetojnë vetëm një ditë,Shpirti i nënës rron, Ifigjenia në Taulidë, Oqeani, Unë jam ciklopi, Të mësohesh, Një balenë e largët erdhi nga deti, S’kemi kohë për të thënë shumë gjëra,me tipologjinë dhe mënyrën e formësimit të tyre pohojnë të kundërtën e këtyre përcaktimeve. Poet i përthyerjeve të befta dhe metaforave të tejdukshme.Poezia e tij sa herë e lexon është e aftë të të mbjellë në shpirt vetëm ndjenja të holla dhe një psherëtimë ngazëlluese.

Leave a Reply

Your email address will not be published.