“BARDHA E TEMALIT”, DRAMA E GRUAS SI DRAMË E SHOQËRISË

një vepër që ka krijuar gjithmonë grishje të reja interpretuese brenda korpusit të saj, mbetet padyshim “Bardha e Temalit”, ku autori Pashko Vasa vë përballë dy figura femrash, Bardhën dhe vjehrrën e saj, të cilat predominohen nga parime tërësisht të ndryshme

Majlinda Nana RAMA

Letërsia shqipe, që në fillimet e hershme të saj, ka sjellë dinamizëm trajtesash, tematikash e motivesh, të cilat kanë qenë të lidhura domosdoshmërisht me ambientin shoqëror. Dy romanet e para, “Dashuria e Talatit me Fitneten” e Sami Frashërit dhe “Bardha e Temalit” e Pashko Vasës, edhe pse jo në gjuhën shqipe, kanë ofruar një pasqyrim të mentalitetit të kohës, ndonëse në kontekste të ndryshme hapësinore. Ndërsa Samiu ka pasqyruar gjendjen dhe fatin e gruas në shoqërinë osmane të kohës, Pashko Vasa ka sjellë një “rravgim” të detajuar të një mjedisi thellësisht patriarkal shqiptar. Dhe është veçanti, po të kemi parasysh se kur janë shkruar dy veprat (përkatësisht 1872 dhe 1890), fakti që ato dëshmojnë për një frymë të emancipuar dhe revolucionare të dy autorëve të sipërpërmendur, duke synuar që këtë frymë të tyre ta injektojnë te shoqëria e kohës, për të ndryshuar qëndrimin dhe diskriminimin e saj ndaj gruas.

Në të vërtetë, nuk është se personazhi femëror ka krijuar një galeri të pasur në letërsinë tonë, por, gjithsesi, ka disa figura që janë skalitur gjatë periudhave të ndryshme, duke filluar që nga poema tregimtare “Revza” e Muhamet Çamit, që Hajdar Gjirokastriti dhe Jani Vreto do ta titullonin “Erveheja”, “Emira” e Santorit, Rina dhe Serafina Topia të De Radës, “Andrra e jetës” e Mjedës, Tringa e Fishtës, malësorja te Migjeni e duke mbërritur te Mariana dhe Ema të Kadaresë.

Por, një vepër që ka krijuar gjithmonë grishje të reja interpretuese brenda korpusit të saj, mbetet padyshim “Bardha e Temalit”, ku autori vë përballë dy figura femrash, Bardhën dhe vjehrrën e saj, të cilat predominohen nga parime tërësisht të ndryshme. Të proklamuara si dy specifika të veçanta, ato krijojnë diskurse shumëplanëshe, njëra më tragjike se tjetra. Ky roman është një pasqyrë kompletare e jetës shqiptare në messhekullin XIX në Shqipërinë e Veriut, me doket, zakonet, traditat, por, mbi të gjitha, me dominancë nga ana mentale dhe psikologjia gjykuese e vepruese e shoqërisë. Vetë titulli-temë “Bardha e Temalit”, të nget drejt mendimit analitik: “Pse ‘Bardha e Temalit?”, duke të diktuar një lloj etiketimi pronësor të saj brenda linearitetit të atij mjedisi mbytës e uzurpues.

Personazhi femër i servirur në këtë roman, paradigmë të saj ka fatkeqësinë e gjinisë, e cila orvatet si një epitet ndëshkues në shoqërinë e atyre viteve, por jo vetëm. Ajo shpërfaqje si një maskaradë sociale, është vikamë e një ndërgjegjeje të munguar të botës së pushtuar nga konservatorizmi i mykur dhe injorimi i ligjit. Në të vërtetë, Bardha nuk mund të bëhet kurrsesi heroinë, sepse të gjitha rrethanat rrahin kundër saj. Së pari dhe mbi të gjitha, është ngrehina e rrënjosur e një mentaliteti që dikton fuqishëm jo vetëm në mjedisin malësor, jo vetëm në Shkodër, por pothuaj në gjithë Shqipërinë e Veriut të messhekullit XIX. Dhe, kjo anë mentale, me fijet që shtrihen në thellësitë e shekujve të mëparshëm, është e përbërë nga individë të brumosur deri në deje me nomet e shkruara dhe të pashkruara kanunore, me ligjin e maleve, që dominojnë jetën dhe çdo nivel të raporteve njerëzore, mbi çdo grimcë të ndjesisë njerëzore. Bardha ishte e rrethuar nga të gjitha anët me individë të tillë: rrethi i gjerë i një shoqërie asilloj vjen e ngushtohet, duke iu bërë lak jetës, dëshirave dhe ndjenjave të Bardhës për të dalë përtej, ngushtohet mbytshëm me njerëzit më të afërt të saj. Ja: nëna dhe vëllai nga njëra anë dhe vjehrra e Luli nga ana tjetër.Por autori, për ta shpëtuar nga monotonia trishtuese dhe hermetike Bardhën, e intrigon subjektin, duke shfaqur Aradin e Vlashajve, personazhin që shndërrohet në shpëtimtarin dhe “vrasësin” e Bardhës. Dramaciteti rritet, ngjarjet marrin përmasa të tjera. Njohja me Aradin do t’i japë tjetër rrjedhë jetës së Bardhës. Ajo tashmë nis ta shohë botën ndryshe, e ndien aromën e luleve dhe kap nuancat dhe ngjyrat më të holla të stinës, të cilat prej kohësh mendonte se i kishte humbur.Brenda saj nisin të zgjohen ndjesi të panjohura, regëtimat që e gufmojnë, ka një dhimbje të ëmbël shpirtërore, por edhe forca dhe dëshirë për të jetuar. Bardha, kjo fatzezë e kohëve të trishta, që duket se është pjellë e tragjikes së jetës katrahurë, terrenit të vrazhdë e tejet mashkullor, ka krijuar brenda vetes shtëpizën e ëndrrave, e ëndrrave të paprekshme, që s’do të mund të realizoheshin kurrë.

Dashuria e Bardhës me Aradin e Vlashajve është vetëm një shkreptizë e destinuar të shuhet humbëtirës së gjithë atij mjedisi zakonor. Bardha dhe zezona ku merr frymë përditë, janë antipod i plotë dhe, detyrimisht, në një luftë të papajtueshme e të vazhdueshme mes njëra-tjetrës, doemos do të ketë një fitues dhe një humbës. Bardha është ndryshe, ajo është njolla e masës, një njollë me të njëjtën ngjyrë si emri i saj, në të cilën pulsohetçdo ditë ëndrra, lëshohen vrunduj dëshirash, e pikëza lumturie gëlthasin brenda saj, sikur duan t’i kundërvihen botës. Ishte pikërisht ajo botë në të cilën Bardha ishte ndier vetëm, deri në momentin kur shfaqet ajo dritëz (Aradi), një dritëz që tejshtyhet e ajo kaplohet duke rendur pas saj si në ëndërr.

Vëmë re:Ajo e dinte se i kishte armiq të gjithë ata që e rrethonin; burrat e përbuznin si qenie të dobët, të paaftë për veprim; gratë i kishin zili pozitën, bukurinë dhe veshjen elegante. Sa më shumë që ngrihej mbi të tjerët me hirin, mirësjelljen, fisnikërinë e ndjenjave, aq më shumë rritej urrejtja e këtyre qenieve, që varfëria dhe skamja ua kishin ashpërsuar shpirtin e ua kishin bërë zemrën gur. Prandaj Bardha nuk haste në Temal asnjë fytyrë mike, asnjë zemër të mëshirshme e të dhembshur; burrat nuk kishin buzëqeshje për të, gratë i hidhnin vetëm vështrime të këqija e plot smirë. E vjehrra sillej me të vrazhdë e egër, gratë e saj s’e shihnin dot me sy. Pra, ajo nuk mund të mbështetej në dashurinë e në besnikërinë e asnjeriu. Fill e vetme, e veçuar, pa asnjë nga të sajtë, ajo e shihte veten në gjendjen e një të burgosure, jeta e së cilës varej nga trillet e një njeriu të egër që, kur e mori për grua, i kishte dhënë vetes të drejtën dhe pushtetin ta hidhte në një skllavëri të neveritshme e ta mundonte pa mëshirë e pa dhimbsuri”.

E, pra, Bardha është ndryshe. Ajo nuk është si të tjerat. Së këndejmi, figura e saj lartohet si gruaja që metaforën e dhimbjes e shkrin si gjendje emocionale, duke e përkthyer atë në lëndore. Sepse kështu duhej, autori e paraqet dhimbshëm fatin e saj, duke paralajmëruar kobin, nëpërmjet përshkrimeve vibruese e tablove rrëqethëse. Tematika e romanit “Bardha e Temalit”, por edhe e disa prurjeve të mëvonshme, që, megjithëse u shkruan shumë më vonë se ky roman, sollën sërish një jetë të subjektivizuar dhe të rëndë që, përveçse varfërore, mbartte me vete një realitet të dhimbshëm për trajtimin e femrës, e cila shihej si objekt më shumë konvencional. Një botë pa krye, e “ndershme” sipas stilit paradoksal shoqëror, që përditë ngjiz individë e personazhe me lumturi iluzive, të shtiruara, me dashuri të fjetura, me makthe të trishtueshme, me energji negative.Por autori, për ta përmbushuar e plotësuar tablonë drithëruese, sjell një tjetër dëshmi të kohës, përkundër duelit burrëror, të hershëm, ballas, pa besëprerje dhe në mejdan. Përmasat e epizmit homerik të gostive, kthehen në antipod me vrasjet dhe pabesitë që derivonin sipas ndasive kryesisht fetare. Në këtë roman, Bardha dhe e vjehrra e saj qëndrojnë si dy viktima sublime në anët e urës së një bote të transfiguruar me ambivalenca klithjesh pa zgjidhje.

Pashko Vasa e inkuadron qartë këtë figurë, e cila nuk përmbush thjesht qëllimet e artit; ajo godet mbi atë vargan shkeljesh të të drejtave të njeriut që kondeson tragjiken. Ai u jep të dyja grave forma dominante, jo si raste të fragmentarizuara, por si një e keqe e përgjithshme që po mbyste përditë këtë qenie, vetëm e vetëm për faktin se kishte lindur grua.Njëra grua ekzekuton tjetrën…

Vjehrra (Djemnusha) bën kryqin përpara vrasjes së Bardhës, a thua po kryen ritualin e zakonshëm, duke iu lutur Shën Mërisë! Aq e varfër në mendime e shkreta grua, sa beson se Zoti ia miratonte këtë vendim të çmendur! Dhe gjithçka shuhet pas kësaj lutjeje… Kapanxha bëhet honi ku duhet të tejhumbë gjithë konservatorizmi i mjedisit, dhe është, në fund të fundit, simbol i asaj shoqërie vorbulluese dhe zbjerrëse e të gjitha vlerave pozitive.Ndryshimi i diskursit është gati i paimagjinueshëm, pasi nuk kemi asnjë detaj kompozicional që të na ngasë drejt dyshimit se do të ndodhë një kthesë e tillë, përkundrazi… Sa vlen pendesa e vëllait të saj, sa vlen dhembja dhe pendesa e nënës, kur e rikthen sërish në Malësinë e largët, duke mos pasur mundësi për të korrigjuar gabimin e dikurshëm të saj e duke i dhënë goditjen fatale dhe përfundimtare jetës së bijës së vet. Sepse, nëna e kthen atje, ku Bardha kishte “nderin“, pranë burrit të saj, Lulit të Temalit, çka do t’ia kufizonte pak nga pak orët e jetës.

Ç’bën të tjerët, njerëzit e afërt dhe që e deshën Bardhën? Anuli ondulon mes ndjenjës së fajësisë dhe presimit të fortë të “ligjeve” frenuese, deri në ndëshkim. Pavarësisht dhimbjes që ndien si për Bardhën, ashtu dhe Aradin, ai, Anuli, vuan mungesën e forcës vepruese (është rasti të kujtojmë që Aradi dhe Anuli vranë pinjollin e Topiajve, sepse ai pati puthur në faqe motrën e Aradit). Vëllai i Bardhës, nëna e Bardhës, Anuli, Aradi, nuk bënë dot asgjë për t’i dhënë tjetër drejtim jetës së Bardhës. Janë njerëzit që e deshën Bardhën, por që nuk mundën ta shpëtonin dot nga një fund i paralajmëruar, nga thonjtë e lemeritshëm të patriarkalizmit ekstrem, të ngulitur thellë në mendësinë dhe në çdo frymëmarrje të botës së malësisë ku jetonte Bardha, në Temal, te vjehrra dhe bajraktari i saj, Lul. Gjithë ata njerëz që e deshën, aq të pafuqishëm dhe të zhvleftësuar përballë pushtetit që ka Luli dhe nëna e tij, sepse Bardha, që në momentin kur ka hyrë në atë shtëpi, ishte e Zotit dhe e tyre (Lulit dhe nënës së tij), dhe ata kishin të gjitha të drejtat mbi të. Kjo ishte forca e ligjit! I vetmi që ngrihet mbi këtë qerthull të kalbur dhe që i del në mbrojtje Bardhës është vetë autori, Pashko Vasa. Ai i jep tjetër kuptim vdekjes së saj, duke u ngritur mbi të gjitha kodet false të nderit e të moralit. Romantizmi i theksuar i P. Vasës e shton edhe më tepër tragjicitetin e vdekjes së Bardhës. Ndërhyrjet që ai bën në çaste të caktuara në roman, përbëjnë një manifest të moderuar për kohën të një kodi moral real, duke hedhur themele të forta të qëndrimit që shoqëria duhet të mbante ndaj gruas…

Leave a Reply

Your email address will not be published.