BEKIM FEHMIUN QË E NJOHA UNË


Los Anxhelosi është pothuajse në anën tjetër të botës, nëntë orë larg Shqipërisë dhe… atje lind dielli kur perëndon në Kaliforni! Mëngjesin e së martës – shpesh të këqijat ngjasin të martave, sipas mendësisë bestyte – dita qe e mugët dhe kishte diçka brerëse në heshtjen dhe ngathtësinë e ritualit tim të fillimditës! Hapa internetin.

Timo FLLOKO

O Zot, e mora ç’ pritej dhe mëkeq se aq: “Bekim Fehmiu passed away!” “Aktori i famshëm Bekim Fehmiu (74) bën vetëvrasje ditën e martërreth orës 15 e 30 në apartamentin e vet në Rrugën Stanislav Smreçeviq nr. 5, në lagjen Zvezdara në Beograd – thuhej në informacion – e ka goditur veten me pistoletë… se cila është arsyeja që e bëri heroin e filmit kult “Mbledhësi i puplave” ta vriste veten, tani për tani nuk dihet”.Kishte kryer vetëvrasje, pasi kishte shkuar në dhomën e vet dhe u kishte dhënë lamtumirën e heshtur, të pathënë, bashkëshortes Branka dhe njërit prej djemve që ndodhej me të në Beograd, Hedonit. Kishte kaluar një atak cerebral para disa muajsh – siç shkruanin gazetat, dhe ndoshta i kishte humbur shpresat për jetë, një sëmundje fatale, sfilitëse dhe depresive.

Për fatin tim të keq, përherë e shtyva telefonatën në Beograd, të cilën një zë i brendshëm më nxiste t’ia bëja si çdo herë tjetër. Por s’qe e thënë. Ishte si një dënim për ta ndjerë më tepër peshën e dhembjes, ndjesinë e fajit të shkujdesjes njerëzore. Lajmet në largësi kanë peshë të shumëfishtë. Për ta lehtësuar dhembjen, i shkrova mikut tim Mevlan Shanajt në Tiranë, por në këtë rast s’ishte biseda jonë e zakonshme dhe ndër të tjera i thoja:

“Vetëvrasja tregon se nuk është pajtuar me arrogancën dhe pushtetin e vdekjes, dhe si njëri me karakter të fortë, i ka bërë sfidë asaj, duke i dhënë fund jetës papritur qëajo t’ia mbyllte perden!”

E kam njohur nga afër dhe e kisha mik; ia njihja jetën në hollësi; kam qëndruar shpesh me të në Beograd; i shkoja në shtëpi dhe rrinim me orë të tëra, duke biseduar për gjithçka në kafenenë e Teatrit Jugosllav të Dramës (JDP), ku ai shkonte çdo ditë. Artist i madh, më internacionali, jo vetëm midis shqiptarëve, por ndoshta i vetmi në trojet ballkanike, me mbi pesëdhjetë role kryesore, në nëntë gjuhë, në Evropë, Amerikë, Afrikë, Azi, etj. Shkëlqeu që në rolin e tij të parë te “Mbledhësi i puplave”, një rol cigani i përkryer, me të cilin fitoi disa trofe dhe u bë i njohur nga kineastët dhe publiku gjithandej.

U nominua për Palmën e Artë në Festivalin e Kanës, por ia zhvatën nga duart në çastet e fundit. Pas suksesit në Kanë, luajti Odiseun, heroin e Homerit dhe me këtë rol fama e tij u përhap rrufeshëm. Luajti role kryesorë në Amerikë, me Xhon Hjustonin, Ava Gardnerin, Irene Papasin, Klaudia Kardinalen dhe shume yje të tjerë të kinematografisë botërore. Për rolet e tij mund të shkruhet pa fund, por nuk është ky qëllimi i këtij shkrimi.

Nuk e gjen në Ballkan dhe ndoshta më gjerë, një yll me shkëlqimin e Bekim Fehmiut. Si njeri ishte, sa i thjeshtë, aq dhe shpirtmadh; intelektual me dije në shumë fusha dhe me inteligjencë të mprehtë (fliste rrjedhshëm disa gjuhë).

Nga pamja: model i mashkullit mesdhetar, gjë që e bëri aq të kërkuar nga studiot e filmit në Evropë, Shtetet e Bashkuara, etj. Nga ana tjetër, një shqiptar “njëqind karat”, i pakompromis dhe krenar deri në skaj, me dinjitet të rrallë.

Ia kishte refuzuar Paramount Pictures-it, njërës prej shtëpive më të mëdha filmike të botës, ndërrimin e emrit apo vënien e njëemri artistik, aq të natyrshëm në botën e yjeve të kinemasë në Amerikë! “Jo”, kishte thënë atëherë, “emrit tim s’mund t’i hiqni asnjë shkronjë, ndryshe unë nuk luaj në film”! Dhe i kishte mundur. “Njerëzve të mëdhenj është gabim t’ua gjykosh vendimet!”- më përgjigjet Mevlani, duke shtuar ndërkohë”se ishte unikale ikja e tij, siç ka qenë e gjithë jeta e këtij artisti tër rallë”.

Vitet rendin, rinia ikën dhe –  sa shpejt!
Për herë të parë e pashë kur erdhi në Shqipëri, në fillim të viteve 70-të, në kulmin e famës pas rolit të Uliksit. E kisha ëndërr t’i afrohesha dhe të bisedoja me të si shum ëartistë të rinj shqiptarë që s’kishin fatin të shihnin ndonjë shpresë për t’u bëre dikushi përtej horizontit të izolimit shqiptar, dhe ndërkaq, e ndjenin veten të plotësuar në qenien e atij personi – model i ëndrrës për të qenë artist i vërtetë. Ai vinte si nga qielli, si simbol i madhështisë dhe lirisë njëherësh, një”Odise” emancipues për artistët shqiptarë.
E takova, pasi i kishte zgjuar interesin një kino-novelë e Pirro Milkanit, “Meçoja”, ku unë luaja rolin kryesor.

E takova së bashku me Verën – ishim në dashuri atëherë – të shoqëruar me njëshpurë personalitetesh, drejtorë, regjisorë dhe ndonjë artist. Kur më takoi më tha: “Ta kam parë filmin, të uroj për lojën e thjeshtë. Kam një mik, Omar Sherif, artist më i madh nga unë, por lojën tënde do ta kishte zili. Duhet të eksportohesh, provat i ke dhënë tashmë në Shqipëri…” Sigurisht, ishte një kompliment që në fakt bëri përshtypje kur u shkrua në gazeta, por nuk e mora si të vërtetë, sepse ishte i pabesueshëm, por ai, si artist i madh, kishte dëshirë t’u jepte zemër të rinjve me talent dhe e kuptonte realitetin dhe brishtësinë e artistit. Ai foli me vlerësim edhe për Rikard Ljarjën, Llazi Serbon, Tinka Kurtin në filmat që pa. Po aq u entusiazmua me Agim Qirjaqin të “Ylli pa emër” në Akademinë e Arteve.

Pas një shfaqjeje të versionit për kinema të “Odisesë”, në një nga intervistat, deklaroi se donte të luante rolin e Skënderbeut, gjë që s’u bë kurrë realitet. Ai ishte atëherë36 vjeç, shtatlartë, i pashëm dhe mbi të gjitha një aktor i përsosur për Skënderbeun. Por, gjërat e rralla ndodhin ose s’ndodhin; kur ndodhin ndodh mrekullia.

Në vitin 1991 shkova në Kosovë për herë të parë. Kishin kaluar njëzet vjet. Çdo verë ai e kalonte te i vëllai dhe e motra në Prishtinë; në Beograd dimëronte. Karrierën e kishte braktisur për arsye politike qysh më1987, publikisht. E takuam me Verën dhe ai kujtoi me mall rrugëtimin e tij të parë në Shqipëri dhe kujtimet e çmuara të asaj vizite. Ishte i lumtur për ardhjen e demokracisë dhe për hapjen e Shqipërisë drejt botës dhe e konsideronte fat edhe për Kosovën. Atë ditë shkuam në shtëpinë e Agim Çavderbashës, skulptorit të shquar kosovar së bashku me Arbër Xhaferin, poetin Eqerem Basha, linguistin Rexhep Ismajli dhe bashkëshortet e tyre.

Ishte një ditë e rrallë, u bë një “fli” kosovare dhe u ndjemë të gjithë së bashku si në një sofër zemre. Aty folëm edhe për projektin e lënë të Skënderbeut. Bekimi ishte tashmë 52 vjeç dhe e kishte kaluar shtegun e rinisë.

Filmi mbeti ëndërr në sirtar, për arsye të njohura midis dy vendeve në armiqësi. Atëherë shkrova për atë takim në revistën e kinemasë, një shkrim me titull “Skënderbeu i pafan”, ku flisja për zhgënjimin e “Skënderbeut”, për mosrealizimin e ëndrrës së Bekim Fehmiut dhe ndoshta e ëndrrës së shqiptarëve për një hero të dimensionit të tij! Sa herë flisnim me orë tëz gjatura për çështje të ndryshme, jo vetëm për aktrimin, që ishte veçse një nga temat e diskutimit dhe ndoshta jo më e rëndësishmja. Njohuritë e tij ishin të shumanshme, në letërsi, arkitekturë, histori botërore dhe shqiptare.

Bekimi shquhej për memorie të jashtëzakonshme, kishte aftësinë për të mbajtur mend detaje, data, emra, çdo gjë deri në përkryerje. Fliste edhe për politikë, por nuk ishte i njëanshëm dhe subjektiv, kishte parime të pavarura intelektuale.

Më tregoi, ndër të tjera, se si i kishte dhënë fund karrierës artistike në ish Jugosllavi në vitin 1987, si protestë ndaj politikës serbe në Kosovë, duke lënë në mes shfaqjen “Madame Kolontaj”, ku luante dy role, atë të Leninit dhe të Stalinit, në Teatrin Dramatik Jugosllav. Qysh atëherë, nuk luajti më në asnjë vend të ish Jugosllavisë, vetëm në Angli, Itali, Azi. Roli i tij i fundit ishte ai i Jozefit të “Fëmija me emrin Jezus”, një produksion italian.

Ndonjë rol shqiptar? Nëg juhën shqipe? Diçka simbolike në një film kosovar dhe aq. Të kishte ndonjë handikap? Mund të hamendet. Gjuha? Bekimi fliste një shqipe të pasur dhe pa gabime edhe pse krahinore, nuk përdorte huazime kurrë. Ishte fanatik dhe xheloz për gjuhën (librin e parë të autobiografisë së tij e ka shkruar shqip dhe vet e ka përkthyer në serbokroatisht).

Kalibri i tij artistik – edhe pse ai pranoi ndonjë ofertë me teatrin dhe Filmin Kosovar dhe bëri çdo përpjekje të kryhej – dhe angazhimi në projekte ndërkombëtare, e kufizuan mundësinë për të luajtur në shqip dhe role shqiptare. Përpjekje bënë në ndonjë rast dhe regjisorët shqiptarë, siç ishte rasti i Kujtim Çashkut për “Kolonel Bunker”, por nuk u finalizua për kërkesa dhe pikë-vështrime të ndryshme mbi skenarin, rolin, perfeksionin profesional, ndoshta dhe të një droje a prove të vështirë të herës së parë. Kushedi!

E kishte dhimbje dhe një ndjesi të pathënë “faji”, atë që s’ kishte ndonjë vulë si aktor, qoftë dhe në një personazh shqipfolës. Por, Bekimi fliste me dashamirësi sa herë dhe me entuziazëm për aktorë të tjerë, të huaj dhe shqiptarë… Si profesionist i niveleve të epërme, ai pëlqente dhe çmonte realizmin në paraqitjen e ngjarjeve në film, në regji dhe në lojën aktoriale dhe e quante të kaluar kohe patetizmin që kinematografia shqiptare e kishte, sa nga ideologjia e kohës, po aq dhe nga emancipimi i vet gradual.

Në vitin 2001 pas disa telefonatash dhe bisedash intensive, Vera mbërriti ta bindë që të vinte i ftuar nderi në edicionin “Dua më shumë Shqipërinë”. Disa herë kishte refuzuar ofertat si president jurie në aktivitete artistike televizive, filmike në Shqipëri; në Kosovë, zor të ketë ndonjë dalje në mediet publike. E prita në Han të Hotit… Ato ditë mbetën të paharrueshme.

Takime, intervista, shëtitje, vizita në muzeun e Krujës etj., dhe më në fund – spektakli! Emocionuesi si fëmijë para daljes në skenë dhe tek ngjitet në të, shtatlartë dhe i drejtë, elegant, me zë të thellë dhe të bukur përshëndet spektatorin. E gjithë salla e nderon duke u ngritur në këmbë. Pas duartrokitjesh të gjata, ai i drejtohet sallës: “Përse ngriheni në këmbë, përse më nderoni, unë nuk e meritoj, nuk kam bërë asgjë për ju!” Dhe hapjen e bën me vargjet e Himnit të flamurit. Pason një intervistë e gjatë nga dëshira për t thënë sa më shumë.

Si artist i përgjegjshëm para publikut të vet, ai pati kurajën qytetare për të kërkuar “falje” publike, duke ulur kryet me përulësi para gjithë shqiptarëve, të cilëve, edhe pse nuk u kishte falur personazhe, u kishte dhënë krenarinë për t’u mburrur me artistin me famë botërore.

Ato ditë Bekimi më dhuroi librin e parë të autobiografisë së tij “Blistavo i strasno” (“E shkëlqyeshme dhe e tmerrshme”), një nga biografitë me të vërteta dhe tronditëse të shkruara ndonjëherë nga një aktor, një bestseller, që kishte dëshirë ta botonte në Shqipëri, në variantin e shkruar në shqip po prej tij. Herët a vonë, do të jetë në duart e lexuesit shqiptar.

Aty është shkruar historia dramatike e jetës së një familjeje shqiptare në Kosovë nën trysninë e egër të politikës antishqiptare serbe, e parë me syrin e një fëmije, Bekimit, artistit të ardhshëm që është si një simbiozë e gjithë dramës së Kosovës. I ati kishte qenë një mësues patriot, i përndjekur dhe i burgosur nga UDB-a jugosllave, për veprimtari politike kundër diskriminimit, poshtërimit dhe eliminimit që u bëhej shqiptarëve të Kosovës. Për fat, ai e ka përfunduar dhe librin e dytë të autobiografisë, i cili, siç më ka thënë, flet për karrierën si artist, gjithë sa arriti përmes përpjekjesh të mëdha, talentit dhe vullnetit titanik, në ekranin e kinemasë. E kreu, si duket, misionin dhe obligimin moral ndaj kombit të vet dhe e la këtë botë me përmasën që e lënë pas gjigantët!

E nderoj thellë dhe i përulem me admirim dhe respekt, aktorit dhe njeriut të madh, mikut të paharruar, me dhembjen në zemër për këtë ikje. Nuk duhej të kishte ikur kaq shpejt, por ai zgjodhi që ta mbyllte rolin e jetës së vet për të mos parë bota ligështimin, qëi shkakton natyra njeriut. E kundërshtoi fatin e zotave, si Uliksi! Jetoi madhërishëm dhe kohën e vdekjes, dhe vdekjen, i zgjodhi vetë ai. “Njerëzve të mëdhenj, ndonjëherë, është gabim t’ua gjykosh vendimet!”

Los Anxhelos, 16 qershor 2010

(Shkëputur nga monografia “BEKIM FEHMIU-Odiseu i Kosovës” – botimi i dytë 2021, të autorit Fahri MUSLIU)

Leave a Reply

Your email address will not be published.