Belfjore Qose

ZAGUSHI NË GETSEMANI

Bën zagushi në Getsemani

Dhe nata është e errët dhe e thellë,

Troku i kalorësve akoma nuk dëgjohet

Dhe zifti i trashë sikur të zë fytin.

E enjtur është toka prej mëkateve

Dhe flija mbi të kokëvarur po pret,

Mijëra ulërima mbart era e Getsemanisë

Dhe shkëndijat e zjarreve të dikurshme.

Bimësia nuk rritet, aq më pak thahet,

Dhe flatrat e zogjve nuk dëgjohen.

Rrënjët rënkojne prej peshës së tokës

Dhe sytë vishen me llavë të errët.

Mijëra zagushi kanë kaluar në Getsemani

Dhe asnjë pikë uji përveç djersës që kullon.

Asnjë rreze drite nuk shihet, asnjë mëngjes,

Në kopshtin e përjetshëm – shpata.

Leave a Reply

Your email address will not be published.