BETEJA E IDEVE NË LIBËR

Dashuria është shumë, shumë e rëndësishme. Shpesh kam folur dhe kam shkruar se ekzistojnë dy gjëra që vënë në lëvizje njerëzit, të cilave ata nuk mund t’u kundërvihen e që janë forcat kryesore lëvizëse: dashuria dhe politika



Nadin GORDIMER



Unë mendoj se të gjithë artistët e krijojnë botën, sepse ekziston realiteti dhe zhvendosja. Është më se e saktë se të gjithë artistët krijojnë plotësisht botën e re. Unë jam krijuese e fjalëve dhe jam plot me fjalë. Kjo është mënyra ime e të kuptuarit. Këtë gjë e kam arritur, sepse kjo është jeta. Në shoqërinë që jetoj, jam plotësisht e angazhuar, prandaj mund të përziej këto dy gjëra: idetë e mia, përshtypjet, atë që mendojnë njerëzit dhe që unë shoh midis tyre. Këtu nuk bëhet fjalë për guxim, çështja është tek e vërteta dhe ajo, në fakt, përmban edhe moralin. Në librin tim gjendet ajo që unë kam përjetuar dhe në ç’përfundim kam arritur duke parë të tjerët. Nuk është njëlloj si në veprat e mia të trilluarit nga fantazia, sepse këtu hyn në fuqi procesi që vjen pas ngjarjeve. Disa muaj ose disa vjet duhet vrarë mendja për të gjetur edhe kokrrizën më të vogël të së vërtetës, e cila është pjesë përbërëse e asaj ngjarjeje, që nuk paraqet rëndësi vetëm nga jashtë. Pra, kjo gjë duhet të implementohet në vepër, në mënyrë që të zbulohet karakteri i vërtetë i parashtrimit të idesë. Kështu përfshihesh në angazhim, kurse vetë përdorimi i fjalëve është një mënyrë angazhimi.
* * *
Jam e mendimit se dyshimi është një nga shfaqjet esenciale, prej të cilit ne hetojmë gjërat që të gjejmë pakëz të vërtete. Bota është shumë e ndërlikuar: duhen mësuar gratë, njerëzit, fëmijët; duhet studiuar ajo që kanë thënë, madje, edhe kuptimi i lëvizjeve dhe i gjesteve të tyre. Ai më nxit për hulumtime, sepse për shkak të angazhimit, është e rrezikshme të jesh shumë i sigurt dhe të mendosh se e vërteta është plotësisht në anën tonë. Gjithmonë duhet pasur dyshim nga pak, duhen bërë pyetje, madje, edhe të kundërta me ato që përjetojmë. Kjo është një mister, sepse unë kam parë shumë njerëz të guximshëm. Për mua është një enigmë, sepse disa njerëz nga koha në kohë janë tepër kurajoz në jetën politike, por që nuk janë të tillë edhe në raportet vetjake. Kjo ndodh sepse qeniet njerëzore janë plot mangësi, kurse shenjtorët nuk ekzistojnë. Dashuria është shumë, shumë e rëndësishme. Shpesh kam folur dhe kam shkruar se ekzistojnë dy gjëra që vënë në lëvizje njerëzit, të cilave ata nuk mund t’u kundërvihen e që janë forcat kryesore lëvizëse: dashuria dhe politika. Këto janë dy forca të fuqishme. Dashuria gjithmonë është e rëndësishme, ajo është një dukuri joshëse, misterioze. Kur njeriu kalon moshën, mund të shfaqet një aspekt tjetër i dashurisë që nuk është as tërësisht miqësi, por as tamam dashuri. Kjo është diçka e ndërmjetme. Një miqësi e tillë mund të ekzistojë midis burrit dhe gruas, por që nuk është seksuale, sepse jeta seksuale për të dy vazhdon në jetën private, kurse miqësia e tyre është diçka e veçantë. Jam e bindur se midis qenieve njerëzore kemi një fytyrë tjetër të dashurisë, të cilën ne ende nuk e kemi zbuluar dhe kjo temë më tërheq shumë. Kjo është edhe tema e librit tim të ri… Në çfarëdolloj moshe një burrë dhe një grua mund të dashurohen, por kjo dashuri mund të mos mbështetet në marrëdhënien seksuale. Miqtë janë shumë të rëndësishëm për mua, sepse nuk jam e lidhur shumë me familjen. Kjo do të thotë se, krahas fëmijëve të mi dhe burrit, familja ime përbëhet edhe nga miq, të cilët i dua shumë. Ne kemi të njëjtat ide politike. Bashkërisht kemi luftuar dhe kjo ka shumë rëndësi, sepse këto janë lidhje solide. Nuk mund të mbash miqësi me dikë që është racist, sepse është jashtë arsyes. Kam konstatuar se në një familje vëllezërit dhe motrat janë bërë armiq midis tyre për shkak të politikës. Kjo ndodh gjithandej. Nuk mund të durohet një racist, nëse ju nuk jeni i tillë, gjë që është e kuptueshme.
* * *
Më vështirë e kam ndier veten në periudhën e rinisë, sepse, kur jemi të rinj dhe na ndodh diçka, na duket si fundi i botës. Prandaj nuk flemë dot, vrasim mendjen, por koha kalon, ne sikur fitojmë pakëz kurajë e qartësi dhe e kuptojmë se nuk është fundi i botës. Midis moshës njëzetepesëvjeçare dhe tridhjetëvjeçare e kam ndier tmerrin: atëherë kërkojmë dikë, fillojnë vuajtjet e dashurisë dhe pikërisht në atë kohë jam divorcuar e më është dashur që fill e vetme të rris fëmijët. Por, pas gjithë këtyre peripecive, m’u duk vetja më e fortë. Pikërisht në atë kohë u bëra shkrimtare. Çdo gjë mund të ndodhë me ne në jetë, madje, edhe që të flakemi si një lodër fëmijësh që era e hedh tutje, por për mua profesioni i shkrimtares ka qenë gjithmonë parësor. Kur të mos jem në gjendje të shkruaj, atëherë mendoj se ky do të jetë fundi im. Kështu është nëse flet me sinqeritet. Unë i adhuroj fëmijët e mi që tashmë janë të rritur, çmoj jetën time private, por në të vërtetë jeta ime si shkrimtare është baza për gjithçka, është gjëja më e rëndësishme. Po, kam filluar të shkruaj që në moshën dhjetëvjeçare për kënaqësinë time, pa ëndërruar se do të shkruaja libra që do t’i lexonin të tjerët. Ju në Evropë as që mund ta merrni me mend jetën private të heronjve të mi, sepse nuk ka asnjë ngjashmëri me tuajën. Për heronjtë e mi gjithçka ka pasur një dimension tjetër: lufta e tyre kundër pushtetit të të bardhëve është gërshetuar me jetën më intime, me ambiciet vetjake, me dashurinë dhe me marrëdhëniet më të zakonshme njerëzore. Asgjë nuk është e thjeshtë në jetë në vendin, ku konfliktet tronditin çdo lloj qëndrimi parimor të personalitetit. Shpesh më pyesin nëse tema ime tashmë mund të quhet e tejkaluar. Por mendoj se plagët, që kanë shkaktuar konfliktet shoqërore, do të kërkojnë shumë kohë për t’u shëruar. Mjafton të kujtojmë Gjermaninë, sepse edhe sot plagët e asaj lufte dhembin. Në Afrikën e Jugut aparteidi është i rrënjosur thellë në mentalitetin e njerëzve dhe, derisa ai të zgjasë, shkrimtarët do të jenë të nevojshëm që ta shporrin nga nënvetëdija e njerëzve.
* * *
E vërteta është se “problemet” në vendin tim nuk kanë vënë në lëvizje penën time, por hulumtimi dhe zbulimi i tyre nëpërmjet të shkruarit kanë bërë që të çahet korja sipërfaqësore e jetës afrikanojugore dhe që unë të depërtoj në të, në saje të kësaj veprimtarie. Pra, të shkruarit ka qenë angazhimi im i parë. Këtë gjë pushtetmbajtësit, pa dyshim të bardhë, e kanë ndier menjëherë që në romanin tim të parë. Romani “Bota e të huajve”, që doli në vitin 1958, u ndalua menjëherë. Këto vite të tmerrshme kanë zbrazur plumba mbi zezakët, të cilët janë përpjekur ta kundërshtojnë diskriminimin dhe, për këtë arsye, janë burgosur liderët e ANC-së (African National Congress). Që nga ajo kohë e në vazhdim, mua m’i kanë ndaluar edhe librat e tjerë dhe m’i kanë censuruar rregullisht. Unë jam angazhuar në këtë lëvizje edhe si qytetare. Që herët jam përfshirë në ANC dhe kam luftuar që t’i jepet fund së kaluarës së tmerrshme ndaj zezakëve, sepse kjo bart në vetvete peshën e mëkatit të të parëve tanë, të cilët prej shumë kohësh u kanë diktuar zezakëve se ç’duhet të bëjnë. Nuk kam qenë nga ato liberalet, që kërkonin të përmirësoheshin vetëm disa gjëra, por kam dashur që gjithçka të ndryshojë. Në libër jam futur si në një betejë, sepse gjithmonë aty zhvillohet beteja e ideve. Por, ndërkohë, kam dashur që ato të kenë ngrohtësi dhe intimitet, ashtu si në dashuri. I tërë ky sistem ka stimuluar deri-diku shkrimtarët, por me tendencë për t’u marrë frymën deri në atë shkallë, sa vetëm nëpërkëmbja t’u dilte para syve. Por, pavarësisht nga censura dhe ndalimi i librave të mi, nuk zgjodha ekzilin. Sartri është shprehur: “Ekzil do të thotë të humbasësh vendin tënd në botë.”
Çlirimi na solli gëzim të papërshkruar. Patjetër që probleme ka, por ekziston edhe vullneti për t’i zgjidhur ato dhe unë jam shumë e kënaqur nga kjo. Përsa i takon Mandelës, kam pasur privilegjin që ta shoqëroj në Oslo, kur ka marrë çmimin Nobel… Për mua ai është frymëzim: është njeri i jashtëzakonshëm, i vetmi i tillë dhe, sipas mendimit tim, nuk ka vend tjetër në botë që të ketë një të dytë si ai. Është kaq i mençur, kaq trim, me një fjalë, njeri i jashtëzakonshëm. Këtë ua them me sinqeritet. Pa dyshim, ai nuk është i vetmi, mund t’ju numëroj të paktën edhe pesë të tjerë, që kanë po ato cilësi. Natyrisht, ata janë më të rinj dhe do ta vazhdojnë atë që ai ka filluar, sepse e kuptojnë mirë realitetin politik të vendit. Mendoj se shkrimtarët nuk ndikojnë shumë në politikë, unë vetë kam marrë pjesë në luftën për çlirim, kam bërë sa kam mundur dhe tashmë jam shumë e lumtur që vendi im është çliruar. Lufta ka zgjatur plot pesëdhjetë vjet, madje edhe në kohën që Mandela ishte në burg, por gjithçka mori vrull tri vitet e fundit, pas lirimit të tij. Probleme e vështirësi ka, sepse ato janë trashëguar nga aparteidi, tërë marrëzitë e tij janë trashëguar, sidomos në arsim dhe në punësim. Por duhet reaguar dhe duhet vazhduar me reforma, sepse në botë nuk ka vend të përsosur. Unë mendoj se e kemi filluar mirë, tashmë ka kaluar vetëm një vit që jemi të bashkuar si komb. Besoj se vështirësitë do të zgjasin edhe katër vjet, sepse duhen të paktën pesë vjet që të shihet progresi i vërtetë.

Leave a Reply

Your email address will not be published.