BIBLIOTEKA UNIVERSITARE QË NUK DI GJË PËR LIBRIN SHQIP

Shqiptarët janë pjesë përbërëse dhe jetike e shoqërisë në Maqedoninë e Veriut, dhe kontributi i tyre në kulturë, letërsi dhe dije është i pamohueshëm

Nga Avni HALIMI

Biblioteka Kombëtare dhe Universitare “Shën Kliment i Ohrit” në Shkup, si një institucion nacional, luan një rol të rëndësishëm në ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore, shkencore dhe letrare të vendit. Me një fond prej rreh 3 milionë titujsh (siç u shpreh kohë më parë u.d. drejtori aktual) dhe një vizitë mujore prej rreth 40 mijë lexuesish, kjo Bibliotekë duhet të jetë simbol i qasjes universale në dije dhe kulturë për të gjithë qytetarët e Maqedonisë së Veriut, pavarësisht përkatësisë etnike. Megjithatë, realiteti për shqiptarët në këtë institucion tregon një histori të pabarazisë dhe neglizhencës që nuk mund të tolerohet. Ç’është e vërteta, dekadën e fundit Bibliotekën e kanë drejtuar drejtorë shqiptarë! Asnjëri dhe as tjetri nuk ia dolën që të punësojnë qoftë vetëm një shqiptar, kurse pati raste që u punësuan maqedonas që për punësim deklaroheshin “shqiptarë”! Ja pse balancuesi dështoi, sepse ai u keqpërdor dhe në emër të tij u punësuan qindra maqedonas që formalisht deklaroheshin “shqiptarë”! Në fakt, në mesin e mbi 120 të punësuarve, janë nja 3-4 shqiptarë, të cilët u sistemuan si urdhër nga Agjencioni për implementimin e Marrëveshjes së Ohrit, si aksion qeveritar për shpërndarjen e atyre 2-3 mijë administratorëve shqiptarë, të cilët gati dy dekada po rrinin në shtëpi e po merrnin rroga kot! Këta drejtorë shqiptarë, edhe sot po t’i pyesësh nuk do të dinë të përgjigjen se cili ishte fondi i librit shqip në Institucionin që e drejtonin!

Një bibliotekë kombëtare ose një departament shqiptar

Nëse partnerët e koalicionit qeveritar vendosin që edhe më tej me këtë institucion të udhëheqin shqiptarët, atëherë drejtorit të ardhshëm duhet t’ia përgatisin terrenin dhe prej tij të kërkojnë program të qartë, politika të qarta mbi shqipen (gjuhën, librin dhe të punësuarit) në këtë Bibliotekë.  Sektorët, “laboratorët” e papushtuar nga shqiptarët, më në fund duhet të bien dhe ky Institucion duhet të jetë tërësisht transparent, të dalë nga ato politika të kontrollit e të censurës komuniste, madje edhe nacionaliste dhe, të jetë e hapur për të gjithë! Fakti që askush nuk di për numrin e saktë të titujve shqip në këtë Bibliotekë, apo se si trajtohen dhe ruhen këto libra, është një shenjë e qartë e mungesës së transparencës dhe rëndësisë që i kushtohet trashëgimisë letrare shqiptare. Ky është një problem jo vetëm për lexuesit shqiptarë, por për vetë konceptin e drejtësisë kulturore. Në një institucion që duhet të pasqyrojë diversitetin etnik dhe kulturor të vendit, është e papranueshme që një komunitet i tërë të ndjejë përjashtim dhe diskriminim. Sot Shkupi është me dy universitete shqip si dhe me disa fakultete për shqiptarët! Pra, nëse flasim për një angazhim kombëtar politik, madje edhe për një luftë tashmë të kryer (2001) për një shoqëri të drejtë dhe të barabartë, dhe nëse nuk e kemi një Bibliotekë nacionale shqiptare, atëherë të paktën është e domosdoshme dhe e patjetërsueshme që sa më parë në Bibliotekën ekzistuese të krijohet një departament dedikuar librit shqip dhe shqiptarëve. Ky departament duhet të ketë kompetenca për të administruar fondin e librave shqip, duke siguruar që ata të ruhen dhe trajtohen me dinjitetin dhe kujdesin që meritojnë. Ai duhet gjithashtu të ketë zyra të veçanta për dorëzimin dhe qasjen e librave shqip, si dhe një magazinë ku këto libra të deponohen dhe të mbrohen nga dëmtimet apo humbjet, librat e vjetër të trajtohen nëpër laboratorë përkatës, të shpëtohen nga myku e lagështia. Ka vite e vite që Biblioteka aktuale nuk bashkëpunon me Bibliotekat universitare të Shqipërisë dhe Kosovës. Në këtë Bibliotekë, nga fondi për ndërrim e blerje të titujve nga bibliotekat ndërkombëtare, ka vite e vite që nuk është kërkuar asnjë libër nga Shqipëria e Kosova! Padyshim, ky departament, përveç librit shqip do ta rriste përfshirjen edhe të punonjësve shqiptarë. Punësimi i specialistëve shqiptarë jo vetëm që do të përmirësonte shërbimin për lexuesit shqiptarë, por do të dërgonte një mesazh të qartë për respektimin e diversitetit dhe barazisë etnike në këtë institucion kombëtar. Këtë shqetësim mbi librin shqip disa mund ta interpretojnë si një kërkesë etnike, madje edhe nacionaliste e separatiste por, në të vërtetë, bëhet fjalë për respektimin e të drejtave kulturore dhe arsimore. Jo vetëm gjuha por, edhe trashëgimia letrare e kësaj gjuhe duhet të ruhet e të rregullohen me dispozita të veçanta ligjore. Shqiptarët janë pjesë përbërëse dhe jetike e shoqërisë në Maqedoninë e Veriut, dhe kontributi i tyre në kulturë, letërsi dhe dije është i pamohueshëm. Një departament i tillë nuk do të ishte vetëm në shërbim të shqiptarëve, por do të pasuronte të gjithë institucionin dhe do të kontribuonte në ndërtimin e një shoqërie më gjithëpërfshirëse dhe harmonike.

Llogaridhënia e institucioneve kulturore

Kultura, si përkufizim i tërësisë së arritjeve të një populli në fushën e prodhimit dhe zhvillimit shoqëror e mendor, përbën esencën e identitetit dhe progresit të tij. Kalimi nga sistemi komunist në atë pluralist u prit me entuziazëm të madh nga shqiptarët, pasi ata kishin arsye të shumta për të ndjerë jo vetëm lirinë fizike, por edhe atë shpirtërore. Kjo kthesë historike në jetën politike dhe shoqërore kërkonte të reflektohej gjithashtu në fushën e kulturës, pasi më në fund kishte ardhur momenti që artistët shqiptarë, pa asnjë frikë, të mund të dëgjonin dhe shprehnin lirinë e mendimit dhe zhvillimit shpirtëror. Por, përkundër shpresave për një zhvillim të hovshëm, pas kësaj periudhe u shfaqën shenjat e një kaosi kulturor, dhe një epokë e vlerave të dyshimta nisi të përhapet në art. Politika, natyrisht, nuk mund të qëndronte larg ndikimit në këtë proces dhe e përdori kulturën si mjet manipulimi, duke krijuar mjegullnaja dhe shpërndarë informacione përmes militantëve të paaftë, të cilët shpesh nuk ishin as të pajisur me njohuri elementare kulturore. Ky politizim i kulturës çoi në papërgjegjshmëri institucionale, e cila u shndërrua në një kod veprimi për shumë institucione kulturore.

Një tjetër problem i madh është se, fatkeqësisht, shumë institucione kulturore në Shqipëri dhe Kosovë nuk e kuptojnë asgjë nga përgjegjësia dhe llogaridhënia. Ka shumë institucione për të cilat opinioni publik as që e di se ekzistojnë. Në disa prej këtyre institucioneve, aktiviteti kulturor është i kufizuar ose thjesht shërben për të ofruar një “pushim” për punëtorët e kulturës, pa ndonjë impakt real në zhvillimin e fushës. Nëse nuk ka llogaridhënie, as të drejtpërdrejtë dhe as publike, është e pamundur të pritet zhvillim i qëndrueshëm në kulturë. Nuk është e drejtë që ky pasivitet të shpërblehet me paratë e taksapaguesve shqiptarë. Pa një vizion të qartë për atë që duhet të arrihet, i cili do të pasqyronte një identitet të shëndoshë dhe të vërtetë kombëtar, do të mbetemi pas. Dhe kjo do të ndodhë derisa nuk do të funksionojë një sistem i përgjegjësisë dhe llogaridhënies. Rilindësit tanë janë shembuj të shkëlqyer të angazhimit për të mirën e kombit. Ata sakrifikuan gjithçka, përfshirë jetën, për një ideal të shenjtë, të cilin sot shumë individë të papërgjegjshëm e kanë përbuzur dhe shkelur. Për kaosin dhe daljen në pah të vlerave të dyshimta, dikush duhet të mbajë përgjegjësi. Vetëm nëse ndodh kjo, mund të themi se hapi i parë është bërë për të orientuar zhvillimin kulturor në binaret e duhur.

Muzetë tona me themele në ajër

Dymbëdhjetë vite më parë, në përvjetorin e 100-të të Pavarësisë së Shtetit Shqiptar, u shpallën të themeluara disa muze, përfshirë edhe Muzeun e UÇK-së në Shkup. Ky muze, i vendosur në shtëpinë e Jashar Bej Shkupit, përbëhej nga një flamur kombëtar dhe disa fotografi e gjësende të dëshmorëve të luftës së vitit 2001 në Maqedoninë e Veriut. Megjithatë, ky “muze” nuk dispononte as certifikatën e pronësisë dhe as ndonjë bazë ligjore për të funksionuar si një institucion kulturor i njohur. Flamuri kombëtar dhe fotot u ekspozuan si një simbol, ndërsa, për disa vite, “fitimtarët” përkuleshin përpara tij, kryesisht gjatë periudhave zgjedhore. Sot, kjo shtëpi vazhdon të jetë e lënë pas dore, duke treguar se ky “muze” e ka humbur qëllimin e tij të vërtetë. Ata që shpallën këtë muze ishin njerëz me një bagazh luftarak, por ndoshta nuk e kuptuan që, për të themeluar një institucion të tillë, duhen më shumë se vetëm veprime simbolike – duhet kuptuar mirë ligji dhe procedurat për themelimin e muzeve dhe institucioneve kulturore, me atë se kush ka të drejtë dhe cilat kushte duhet të plotësohen për ngritjen e iniciativave për themelimin e institucioneve nacionale. Kjo është një problematikë më e gjerë, e cila lidhet me një përpjekje të vazhdueshme për të “ndërtuar” institucione nacionale pa pasur kuptimin e plotë të asaj që do të thotë të krijosh një muze të ligjshëm dhe funksional. Pa njohur ligjet për themelimin e institucioneve kulturore dhe pa pasur përkrahjen e institucioneve përkatëse shtetërore dhe lokale, ideja për të ngritur një muze që ruan dhe nderon historinë kombëtare mund të shndërrohet në një përpjekje të dështuar dhe të pavlerë. Po ashtu, ky fenomen nuk është i kufizuar vetëm në Shkup. Edhe në Sllupçan, Sopot dhe Haraçinë janë ngritur “muze” të ngjashme, të cilat, përpos simbolikës, mungojnë në bazë ligjore dhe procedurale. Sot çdo shtëpi shqiptare në Maqedoninë e Veriut mund të shpallet “muze i lirisë” porse, ja që do të përballeshim me një kaos të papërballueshëm dhe me një keqinterpretim të vlerave kombëtare.

Themelimi (dhe jo krijimi!) i një muzeu kërkon një proces të mirëfilltë institucional, me miratimin e autoriteteve shtetërore (Parlamenti), apo dhe lokale (kuvendet komunale), dhe me një kornizë ligjore që garanton funksionimin e tij në përputhje me standardet ndërkombëtare. Pa një ligj të qartë dhe pa një strukturë të rregulluar, çdo përpjekje për të ngritur një muze bëhet një shkelje e respektit për ata që dhanë jetën për lirinë dhe barazinë. Pa një ligj të dedikuar për heronjtë e UÇK-së dhe pa zë financiar nga buxheti shtetëror enkas për institucione të këtilla kulturore, çdo “muze” do të mbetet një tallje me gjakun e dëshmorëve dhe do të përdoret për përfitime të tjera partiake, larg qëllimit të vërtetë për të nderuar ata që u flijuan për liri. Ky fenomen tregon se mungon një kuptim i plotë i asaj që do të thotë të ndërtohen dhe të menaxhohen institucione kulturore dhe kombëtare. Ka nevojë për një qasje më serioze dhe të strukturuar për të ruajtur dhe nderuar vlerat kombëtare, duke i institucionalizuar ato në mënyrë të ligjshme dhe të qëndrueshme.

Leave a Reply

Your email address will not be published.