Çuditërisht duket se mbi të ka rënduar një mallkim, ngaqë për një kohë të gjatë, madje tepër të gjatë, asnjë kopje e tij nuk mund të arrinte në duart e studiuesve (pa folur për publikun)
dr. Klara KODRA
“Bija e mallkuar”, ndonëse e shkruar italisht është shfaqja e parë në prozë e talentit të shkrimtarit te ri,FrançeskSantori, që do te çante tokat e palëruara te letërsisë arbëreshe dhe shqiptare, duke debutuar në roman dhe në dramaturgji. Ky roman do t’i paraprinte (ose ndofta do të ishte bashkudhëtar) me romanin e parë të shkruar shqip nga po ky autor, “SofíaKominiate” dhe qe roman i vetmi nga tri romanet e autorit të tij që pati privilegjin e botimit. Ai pa dritë në vitin 1863 (jo më 1858, si pretendonin disa studiues).
Çuditërisht duket se mbi të ka rënduar një mallkim, ngaqë për një kohë të gjatë, madje tepër të gjatë, asnjë kopje e tij nuk mund të arrinte në duart e studiuesve (pa folur për publikun). Të vetmit që kanë folur për te, kanë qenë De Rada dhe Stratikoi (pas citimit në “Vjetarin e vitit 1863 ku përkufizohet si roman historik mbi Kalabrinë). De Rada flet për të te “Flamuri i Arbërit” me tone qartësisht vlerësuese, “roman .. .me formë të veçantë dhe vërtetësi te tmerrshme”. Stratikoi te “Manuali i Letërsisë shqiptare” të 1896-ës e citon vetëm me titull. Për më tepër se një shekull e gjysmë, ky roman është quajtur si i zhdukur. Po njëqind e njëzet vjet pas vdekjes së autorit të tij dhe njëqind e pesëdhjetenjë pas botimit, do të dilte përsëri në dritë, duke u shkundur nga pluhuri i harresës, e vetmja kopje e tij. Kjo kopje u gjet e “fshehur” në një vëllim me format të vogël, tok me dy tekste te tjera në Fondin Ferrari të Bibliotekës “San XhovaniBatista” (Shën Jon Pagëzori) të fshatit arbëresh Akuaformoza. Meritën e gjetjes së tij dhe të botimit të tij sipas kritereve më rigoroze shkencore, e kanë gazetari OresteParize (ish kryetar bashkie i Çerzetos) dhe studiuesi i Universitetit të Kozencës, Xhani Belushi. Ky botim rreshtohet midis botimeve tepër serioze që ka nxjerrë në dritë filologjia e studiuesve arbëreshë vitet e fundit. Ai pa dritë në dhjetor 2014, i shoqëruar me një paraqitje nga Xhani Belushi, një parathënie nga AnxhelaKostanco dhe një pasthënie nga Luçia Nikoleti.
Romani është i një lloji shumë të veçantë dhe që mund të quhej si modern për formën e tij, është ndërtuar në formë dialogësh, çka e afron me dramën. Duket se Santori ka dashur të shkrijë në këtë vepër dy vokacionet e tij, atë ndaj llojit të romanit dhe atë ndaj gjinisë se dramaturgjisë.
Jo më kot në dramën e tij të mëvonshme dhe më e njohur, “Emira” gjejmë elemente të romanit. Një formë e tillë nuk ka qenë e zakonshme as në romanin italian bashkëkohës, pra Santori përdor një risi që në romanin e vet të parë. Në këtë roman personazhet kryesore u përkasin dy bashkësive —arbëreshes dhe italianes. Ndonëse u botua më 1863 (pas bashkimit të Italisë), problematika e tij që godet regjimin e Burbonëve dëshmon se duhet të jete shkruar prej kohe. Në parathënien e Anxhela Kostancos lidhet hipoteza që romani të jetë shkruar në vitet 1845-46, pra në një kohë te afërt me vëllimin e parë me poezi, “Këngëtarja arbëreshe”.
Kuptimplotë është subjekti ku një nënë arbëreshe mallkon të bijën që dëshiron të martohet — me zgjedhjen e vet, po edhe me pëlqimin e të atit — me një italian. Nëna e shpjegon këtë mallkim me karakterin e dhëndrit të ardhshëm që, sipas saj, fsheh shumë vese. Ky mallkim duket se shpjegon fundin tragjik të romanit, vdekjen e parakohshme të vajzës së vetme të çiftit të ri (vajza, Rozalba nuk i bindet së ëmës dhe duke u mbështetur në mendimin e të atit krijon familje me atëqë dashuron) dhe vrasjen e Rozalbës nga i shoqi që është bërë vrasës. Hiperbolat e subjektit kanë qenë karakteristike për romantizmin kalabrez që mund të ketë ndikuar në vepër. Në roman gjejmë disa tema dhe motive që do të jenë të pranishme në romanet e mëvonshme te Santorit: varfëria e fshatarëve arbëreshë dhe kalabrezë, cubëria, dënimi i regjimit të Burbonëve, dashuria e te rinjve që hyn ne konflikt me vendimet e prindërve (ndonëse këtu autori mban anën e nënës), dënimi i martesave të përziera të arbëreshëve me italianët.
Vihet re roli j rëndësishëm i nënës në familjen arbëreshe, ndonëse kryetari i familjes ishte padyshim burri. Ne këtë vepër gjejmë edhe dënimin e dashurisë pasion nga ana e autorit murg që në vepra të tjera ndeshet me mbrojtjen e ndjenjës së sinqertë të dashurisë. Po heroina e romanit, e cila paraqitet e pajisur me virtyte fisnike familjare si bashkëshorte besnike dhe nënë e përkushtuar duket se nuk i meriton fatkeqësitë e rënda të njëpasnjëshme, që bien një nga një mbi të. Autori ka dashur të paraqesë forcën e tmerrshme te mallkimit të nënës sipas filozofisë dhe psikologjisë popullore, po i ka trashur së tepërmi ngjyrat. Rozalba dhe e bija e vogël, Fiordispina (Lulegjëmbi) jepen si viktima të pafajshme të mallkimit.
Noçenca (shkurtim i emrit Inoçenca — pafajësi), nëna që mallkon tërheq mallkimin edhe mbi vete, meqenëse detyrohet te braktisë familjen pas grindjes me të shoqin dhe vdes para kohe. Autori mban një qëndrim ambivalent ndaj saj: e simpatizon si mbrojtëse të etnisë arbëreshe dhe të identitetit të saj që rrezikohet nga martesat e përziera, si njohëse e mirë e njerëzve (meqenëse ka kuptuar veset e fshehta të dhëndrit të ardhshëm), megjithatë e dënon mallkimin e së bijës prej saj si një gabim tragjik qe zgjon forca të errëta.
Rozalba shihet prej autorit si njeri që bën një gabim tragjik, po edhe si viktimë e pafajshme, ajo më tepër simpatizohet dhe mëshirohet. Autori e pasqyron tek duron ne frymën e mëshirës kristiane keqtrajtimin e të shoqit dhe, si murg, ndonëse fundi i saj është i tmerrshëm, shpreh shprese për shpëtimin e shpirtit të saj (mund të shtonim se Santorit tregohet këtu më i mëshirshëm se De Rada, i cili dënonte një krijesë te vet, “fajtore te pafaj”, Parailen, të shndërrohet pas vdekjes në një fantazmë pa qetësi!).
Stanci, i shoqi i Rozalbës, është nga ato figura personazhesh, që do t’i ndeshim në veprat e mëvonshme te Santorit dhe që shprehin konceptin e tij pesimist për thelbin e njeriut; ky djalë i ri që ka në thelb egoizmin, degjeneron për këtë arsye nga lakmia për paratë dhe kënaqësitë e jetës, pasioni i tij për Rozalbën nuk i qëndron kohës dhe madje — hollësi psikologjike e goditur kjo — atij i zgjon urrejtje butësia dhe nënshtrimi i saj se i duket sikur e akuzojnë për gabimet a krimet e veta (tjetër imtësi e goditur — vetë shokët e tij cuba llahtarisen nga kjo ligësi e mosmirënjohje e tij); më vonë ligësia e Stancit rritet dhe e çon në krime, më i tmerrshmi i të cilëve është vrasja e së shoqes.
Romani i paraqitur nga vetë autori si historik, është në të vërtetë një roman zakonesh me ngjyrën historike ku elementi etnografik luan një rol të rëndësishëm siç do të ndodhë më vonë në krijimet e Santorit. Figurat e prindërve të Rozalbës në roman paraqesin më tepër interes psikologjik për kompleksitetin më te ndjeshëm, meqenëse Noçenca, një grua në thelb e mençur dhe e mirë, arrin te shkelë mbi dashurinë e nënës me mallkimin e saj dhe merr guximin e rrallë në atë kohë të lerë të shoqin, ndërsa Paskuali, i ati i Rozalbës që është disi kokëfortë dhe dritëshkurtër, shfaq më tepër mirëkuptim për ndjenjat e vajzës dhe shpreh një mendim me realist për mallkimin e Noçencës, duke e parë atë thjesht si fryt i një mendimi të gabuar. Një figurë simpatike është kumbara, arbëreshi Mateo, mishërimi i urtësisë popullore, i cili e mirëkupton mospranimin e martesës me mblesëri nga ana e Rozalbës dhe përpiqet ta ndalojë Noçencën te kryejë gjestin fatal te mallkimit. Midis të gjithë atyre karakteresh të rrëmbyera personazhe,Mateos spikat me urtësinë dhe humanizmin e vet dhe është një alter — ego i autorit. Me ngjyra satirike jepen në roman figurat e xhandarëve të cilët jepen si hajdutë më të rafinuar se vete cubat në ballafaqim me viktimën e cubave së cilës i marrin paratë ne emër “të drejtësisë”.
Gjuha e romanit është një italishte disi retorike dhe artificiale dhe nuk shërben për karakterizimin psikologjik të personazheve i cili do të ndeshej përkundrazi në veprat arbërisht të Santorit.
Kjo vepër mund të përfshihet në realizmin e afërt me natyralizmin e disa krijimeve te këtij autori arbëresh, që jep tablo të goditura nga jeta e fshatrave (në këtë rast të Luginës së Savutos dhe fshatrave kalabreze, megjithatë përmendet edhe fshati i SpecanoAlbanezes, fshati i origjinës së dy prej personazheve kryesore, Noçences dhe Mateos). Megjithatë, aty gjejmë edhe ngjyrat e forta të romantizmit europian në formën e tij më të skajshme që i ekzalton pasionet e fuqishme të dashurisë dhe të urrejtjes, dhe që në Itali gjeti shprehje në romantizmin kalabrez. Mund ta përfshinim romanin e Santorit në atë lloj që do të quhej “roman i masës” dhe që në kohën e tij përfaqësohej nga romanet e Dymait dhe Sysë në Francë.
Romanet e mëvonshme janë më të ndërlikuara dhe me vlerë më të lartë artistike. Edhe në ketë roman ndihet dëshira e autorit për të komunikuar me një publik sa më te gjerë, dëshirë që nuk iu realizua, siç thuhet me të drejtë në parathënie për shkak të vjetrimit te mesazhit politik të demaskimit te regjimit të Burbonëve. Mesazhet e rrafshit etik në këtë vepër janë çuditërisht ambivalente (a dënohet më rreptë mosbindja ndaj prindërve apo mallkimi i nxituar i nënës, dashuria si pasion i verbër apo arbitrariteti i vendosjes së prindërve për fatin e fëmijëve?)
Në vepër ka gjithashtu një mesazh shoqëror, paraqitja e varfërisë të fshatrave të jugut të Italisë dhe dukurisë së cubërisë.
Komponenti patriotik shfaqet në pasqyrimin e virtyteve të arbëreshit Mateo dhe në qëndrimin mosmiratues ndaj martesave të përziera (edhe martesa e prindërve të Rozalbës ishte e përzier; jo më kot arbëreshja Noçenca jepet më largpamëse se i shoqi, ndonëse edhe me gojën e së bijës flitet për një epërsi mendore të burrit).
Ky roman e pasuron ndjeshëm krijimtarinë e Santorit dhe letërsinë arbëreshe, dhe do të ishte e dëshirueshme të përkthehej në gjuhën shqipe për t’iu bërë i njohur edhe lexuesit shqiptar.