BILLIE HOLIDAY, PERËNDESHA E XHAZIT

Me krijimtarinë artistike, Billie u bë e dashur dhe e dëgjuar shumë edhe nga bota intelektuale, filozofi dhe shkrimtari i madh francez Jean-Paul Sartre, i pasionuar pas xhazit, e bëri të përjetshme Billie Holidayn në romanet e tij, pjesë e trilogjisë në tentativë “Rrugët e lirisë”.

Bujar MEHOLLI

Shumë prej artistëve të mëdhenj janë përcjellë nga vështirësitë, varfëria apo mungesa e prindërve; në kulm të dëshpërimit disa i kanë marrë jetën vetes duke ia shkrepur, disa i kanë “përpirë” vështirësitë dhe dufin e kanë zbrazur përmes artit. Vështirësi të tilla përjetoi në fëmijërinë e saj edhe Billie, bija e një prostitute që punonte herë pas here në bordello. Billie, ende e njomë, u njoh me diçka të egër, çnjerëzore: u përdhunua nga fqinji i saj, nga ky tmerr që përjetoi mblodhi forcat për të ndërtuar një karrierë të jashtëzakonshme në xhaz, zhanër që përherë ka ofruar mundësi ideale për t’u zbrazur nga vuajtjet dhe për ta lehtësuar sado pak shpirtin. Zaten, xhazi u lind si reagim ndaj vuajtjeve dhe robërisë që përjetonin njerëzit afro-amerikanë nën të bardhët.

Billie Holiday u lind më 7 prill të vitit 1915 në Filadelfia, por me emrin Eleanora Fagan. Qysh në fëmijëri shfaqi prirje drejt muzikës, vokali i saj i ngrohtë kishte premisat për t’u bërë i dëgjuar dhe i dashur në mbarë botën; nisi të interpretojë nëpër kafene të vogla të Filadelfias ku luhej xhaz mbrëmjeve. Aty provojë marihuanën dhe alkoolin në ambiente tipike xhazi, ku ngadhënjente liria e plotë e individit dhe qejfi rreth e rrotull tij. Për Billien ky ishte melhemi për t’i fashitur vuajtjet dhe tmerrin që kishte përjetuar. Për më tepër, e kishte braktisur edhe i ati derisa asaj i ishte dashur shpesh ta ndërrojë mbiemrin për shkak të marrëdhënies së prindërve dhe paligjshmërisë. Ngadalë, zëri i saj po linte mbresa të thella te njerëzit dhe të pasionuarit e xhazit që i frekuentonin këto mbrëmje full jazz. Njohja me muzikantë si Teddy Wilson e të tjerë, hapi portën e madhe të karrierës së saj. Kur ishte dërguar në shkollën e riedukimit, Billie qe fascinuar nga vokali i Armstrongut që ka qenë krucial për të që ta zgjedh profesionin e këngëtares xhaz. Edhe aktorja e filmave pa zë Billie Dove i linte mbresa të thella. Gjithsesi, Nju-Jorku ishte për Billien “Toka e Premtuar” siç ishte për Woody Guthrien apo për Bob Dylanin më vonë.

Me të arritur në Nju-Jork bashkë me të ëmën, karriera e saj profilizohet. Ajo nisi të interpretojë nëpër bare të vogla derisa njëra nga mbrëmjet qe vendimtare për karrierën e saj. Ishte duke interpretuar për xhaz & bluz këngëtaren Monette Moore, kur për fat të mirë aty ndodhej John Hammond, i njohur për zbulimin e talenteve të reja. Mjaftoi ta dëgjonte për pak çaste teksa interpretonte. Ai qe i bindur se Billie do të jetë ylli i ardhshëm i xhazit. “Billie është e jashtëzakonshme. Ajo është këngëtarja më e mirë e xhazit që kam dëgjuar” u shpreh teksa i ofroi kontratë dhe e prezantoi me pianistin Wilson që e përmenda sipër. Ishte viti 1933 kur Billie nisi të luajë me pianistin Wilson. Më pas në seancat e regjistrimit që organizonte Hammond, u njoh me trumpetistët më të njohur të kohës. Kur e dëgjonin Billien duke kënduar ngeleshin të fascinuar nga individualiteti i saj i spikatur vokal që vinte krejt natyrshëm. Billie ishte e lindur për të kënduar me një thellësi të jashtëzakonshme që krijon emocione të mëdha. Përmes zërit zbrazte gjithë trishtimin dhe vuajtjet që i ishin mbledhur në grykë nga jeta e trazuar. Duke e njohur saksofonistin Lester Young dhe duke vazhduar me interpretimet e incizimet, popullariteti i saj u rrit ndjeshëm. Ajo konsiderohej dendur si njëra nga këngëtaret më të mira në historinë e xhazit. Kjo vajzë e varfër dhe me jetë të shthurur arriti të bëhet yll xhazi; siç e shohim stili dekadent i jetesës u shtri në tekstet e këngëve të saj që luftonin racizim dhe seksizmin.

Kah fundi i viteve ’30 ajo bëri sërë bashkëpunimesh me muzikantë si Count Basie, Artie Shaw, Benny Goodman, Duke Ellington, Ben Webster, etj, ku u shqua për transformimin vokalistik. Megjithatë, ky zë i mrekullueshëm vinte e rrënohej dita-ditës dhe për këtë fajin e kishin disa shprehi të Billies si heroina, opiumi, dhe veçmas, cigarja, të cilën e konsumonte në masë të madhe. Diskografia e saj përbëhet nga gjithsej 12 albume në studio, tre albume live dhe 38 këngë single. Ajo bashkëpunoi me kompanitë e famshme të incizimit të këngëve si “Columbia records”, “Brunswick records” apo “Decca records”. Ndër hitet e mëdha që edhe sot e gjithë ditën dëgjohen me ëndje, janë: “I’ll be seeing”, “If the moon turns green”, “Blue moon”, “Am I blue?”, “I’m a fool to want you” e shumë tjera…

Vitet ’40 shënojnë nisjen e rrënimit të karrierës së saj. Pasi i vdiq e ëma, varësia ndaj heroinës u bë evidente në jetën e Billies, ishte pikërisht ajo që ia shkatërroi karrierën teksa në gjendje të rënduar psiko-emocionale akuzohej në vazhdimësi për përdorim të tepruar drogash, ikje nga pagesa e tatimit dhe për prostitucion. Vite më vonë, shohim një Billie pothuajse të shpërfytyruar: s’e ka më sharmin e dikurshëm kur interpretonte në kafenetë e vogla, as kur incizonte këngë të pavdekshme si: “I can’t get started”, “Summertime” apo “These foolish things”. Zëri i ishte më i ngjirur dhe i zhytur në melankoli të thellë. Megjithë përpjekjet që të mbetej aktive dhe të incizoi këngë tjetra, iu shfaqën problemet shëndetësore nga varësia ndaj drogës dhe pijes, ndaj gjendja fizike iu përkeqësua ndjeshëm. Ajo u shtri në spital në majin e vitit ’59. Ndërroi jetë nga sëmundja e mëlçisë më 17 korrik, 44-vjeçare. Kortezhin e saj e shoqëroi një numër i madh njerëzish, 3000, kryesisht muzikantë xhazi dhe artistë tjerë që përshëndeteshin me femrën e veçantë dhe të rrallë që kishte kaluar nëpër një jetë të trazuar me shumë vuajtje, dëshpërime, humbje e rëndime shpirtërore, por që kishte arritur ta skalis emrin me shkronja të arta në zhanrin e asaj muzike që ia fashiste dhimbjet dhe i jepte sado pak prehje në këtë botë të madhe e të egër. Me krijimtarinë artistike, Billie u bë e dashur dhe e dëgjuar shumë edhe nga bota intelektuale, filozofi dhe shkrimtari i madh francez Jean-Paul Sartre, i pasionuar pas xhazit, e bëri të përjetshme Billie Holidayn në romanet e tij, pjesë e trilogjisë në tentativë “Rrugët e lirisë”. Tingujt sensual kur ngjizeshin me vokalin krijonin melhemin e vetëm për këtë shpirt delikat që arriti të hip në fronin e xhazit dhe të mbesë aty.

Leave a Reply

Your email address will not be published.