BIOSEMIOTIKA

Lidhja e ngushtë midis jetës dhe perceptimit estetik dukshëm u dobësua, me tendencë të ndërpritet. Pra, nevojitet një teori për përforcimin e relacionit art – realitet empirik

Afrim REXHEPI

Në shek. 21, estetika pretendon të bëhet disiplinë më shumë se filozofia dhe teoria për të bukurën dhe shijen. Realiteti fizik, problemet ekzistenciale, ishin baza e provokimit të pyetjes, Ç’kuptim ka ekzistenca në kohën tonë? Një lidhje midis artit dhe jetës është interaktive, sepse në kohën e zhvillimit të shkencës kuptimi për jetën është esencial. Kanti, përmes kritikës së gjykimit, estetikën e kthen në gjykim universal. Mario Perniola definon: “Me Kantin qenia njerëzore është e lumtur, sepse përmes gjykimit universal, gjykon realitetin empirik”. Lidhja e ngushtë midis jetës dhe perceptimit estetik dukshëm u dobësua, me tendencë të ndërpritet. Pra, nevojitet një teori për përforcimin e relacionit art – realitet empirik. Teoritë për formën, në vete ngërthejnë problemin e definimit të formës. Në kuadër të një termi qëndrojnë dy nocione që për grekët e vjetër semantikisht ishin të ndara. Eidosi (struktura e formës) ishte formë intelegibile, kurse morphe (perceptimi i formës) ishte formë sensitive. Teoritë estetike të shek. 20, në mënyra të ndryshme e kanë interpretuar formën: Velfin – joformëzim; Rigël – forma artistike; Varinger – stili joorganik etj. Teoria e dekonstrukcionit, përmes nocioni dallim që lidh, zgjidh dilemën e estetikës së shekullit 20. Desubjektivizmi i emocioneve të Frojdit, shkatërrimi ontologjik i strukturës së qenies të Vitgenshtajnit dhe Hajdegerit, e deri te proceset teorike dekonstruktive: psikike / fenomenologjike – empirike / fiziologjike të Derridasë. Gjykimi i Kantit, pathosi i Hegelit, më nuk janë në funksion. Në funksion estetik janë konceptet teorike të Lusi Irigarit dhe të Zhak Derridasë, të cilët flasin për përjetimin që nuk mund të kapet përmes shpirtit, por që përjetohet nga jashtë edhe atë te gjërat të cilët vetë-përjetojnë. Në prag të shekullit 21, estetika fiziologjike është në funksion.

Kah fundi i shekullit të kaluar dhe fillimi i shekullit të ri, subjektivizmi transcendental i Kantit do të ripozicionohet nga Gilles Deleuze (1925 – 1995), themelues i materializmit të ri – ontologjitë e orientuara nga procesi, teoria e afekteve dhe realizmi spekulativ – ontologjitë e orientuara nga objekti, përmes kompleksitetit të empirizmit transcendental. Sipas subjektivizmit transcendental të Kantit, koha dhe hapësira janë forma apriori të ndjesive, pra nuk janë veti të objekteve në vetvete, por janë cilësi të strukturës subjektive. Dallimi është se Deleuze kërkon gjenezën e formave apriori të ndjesive për të shpjeguar se si krijohen këto struktura të përvojës, pasi ato nuk mund të krijohen, siç mendon Kanti, nga asgjëja. Ky është thelbi i temës së empirizmit transcendental të Delezit. Ai thekson konceptin e zhvillimit të biosemiotikës dhe se lëvizja jetës në kohë bazohet tërësisht në evolucionin e ndjeshmërisë ndaj shenjave. Mbijetesa varet nga një ndjenjë e caktuar e vazhdimësisë hapësinore dhe rregullimit kohor. Ndjenja e rendit ripërpunohet vazhdimisht. Asgjë nuk vendoset paraprakisht, përkundrazi, del nga fuqia universale për të gjeneruar dallime. Bota, pra, përbëhet nga marrëdhëniet midis këtyre dallimeve. I gjithë kozmosi duket se karakterizohet nga ekzistenca e ripërtëritjes së përjetshme.

Modeli i empirizmit transcendental të Delezit, krijohet në rrafshineimanencës, në të cilin përjashtohet çdo lloj transcendence. Rrafshi i imanencës nuk është një koncept që mund të mendohet, por është imazh i mendimit. Një shembull tipik i empirizmit transcendental të Delezit është mendimi i tij, se ai nuk e sheh objektin fizik në tërësinë e tij, ai e sheh objektin fizik vetëm si një formë, dhe forma është vetëm një aspekt i objektit, është pjesë përbërëse e saj. Ai percepton intensitetin e formës, percepton forcat termike të formës, sasinë dhe cilësinë e formës etj. Sipas tij, imanenca nxit gjykimin se planeti tokë është i sheshtë dhe jo sferik. Toka në mënyrë paradoksale mendon, toka nuk është ky planet, nuk është toka në të cilën qëndrojmë, apo konceptualisht toka si territor etj.Toka është ajo që është. Përtej fuqive tona empirike, ne nuk mund të mendojmë për të, por ajo imponohet dhe na mundëson konceptualisht të mendojmë për të. Rrafshi i imanencës nuk është një koncept, diçka që mund të mendohet, por një imazh i mendimit. Pra, empirizmi transcendental i Delezit është post-darvinian në kuptimin që evolucioni i specieve nuk është vetëm evolucioni i një forme të re të jetës, por edhe evolucioni i një forme të re të ndjesisë.

Në librin Çfarë është filozofia?, Deleuze dhe Guattari, e përkufizojnë artin si një bllok ndjesish, të përbërë nga percepte, afekte dhe imazhe. Nocione të tilla janë gjithashtu vendimtare për të kuptuar idenë e Delez për kinemanë dhe filmin, siç është përpunuar në studimet e tij Lëvizja – Imazh dhe Koha – Imazh. Sapo shfaqet, imazhi shkakton afekt dhe befas reagojmë fizikisht, kemi frikë, largohemi, shohim në imazh diçka që nuk i përket askujt, ndonjë cilësi, diçka të kuqe, diçka të shpejtë, ndonjë formë, etj. Perceptim dhe afekti, të kombinuara në një rrafsh të imanencës, nxisin një mendim të caktuar, dridhje, frikë, që organikisht nuk është e jona. Sipas Delezit, funksioni themelor i artit është të prodhojë “shenja” që do të na ripozicionojnë nga ligjësitë e tanishme të perceptimit. Në kontekst, Delezi citon Fransis Bekonin, “ne po kërkojmë një vepër arti që bën efekt në sistemin nervor, e jo në tru”.

Delez thekson faktin që ajo që ka peshë në perceptimin thelbësor të formave është forca e formës, është intensiteti termik i formës, është inercioni, është graviteti i formës, janë të gjitha forcat e padukshme të formës të cilat përmes procedimit krijues “deformin i formës pa transformim”, bëhen të dukshme. Pol Sezani ishte i pari që i bëri deformimet e duhura pa transformim, duke e mundësuar kuptimin të bie përsëri në objektin e njëjtë. Linjat e forcës të cilat kalojnë në lëvizje, bëjnë që forma, ndonëse pak e trazuar ose e deformuar nga forcat e presionit, të shfaqet shumë herë më e thellë dhe më e qartë. Enumeracioni i forcave, pasqyrimi i padukshëm i forcave, deformimet të cilat nuk kalojnë as në transformim e as në dekompozim, kthimi i forcave të dukshme të formës, janë referencat e estetikës së Delezit për të cilin vepra e artit është estezis. Kështu të paktën mendon Delezi dhe definon:“Në artet, nuk është i rëndësishëm riprodhimi apo shpikja e formave, por kapja e forcave. Për këtë arsye asnjë art nuk është figurativ. Detyra e pikturës është përcaktuar si përpjekje për t’i kthyer forcat e dukshme të cilat në vetvete janë të padukshme. Ashtu sikurse muzika përpiqet t’i kthej forcat e tingullit që në vetvete nuk janë tinguj”. Njëri nga filozofët e shquar poststrukturalist, Zhak Ransjer, thekson, “Delez përmbushi fatin e estetikës, duke e realizuar forcën e veprës së artit në shqisë të pastër. Ai arriti koherencën e kthesës së tij antilogjike”.

Leave a Reply

Your email address will not be published.