BOHEMIA SI “PROTESTË” NDAJ REALITET TË ABSURDIT TË NJERIUT SHQIPTAR

(Rreth vëllimit poetik të Kliton Nesturit, “I lindur bohem”)

Emrije KROSI

Poezia shqipe, akoma është nën “presionin” e saj si gjithë-përfaqësuese, por nën nivelin e një lexuesi elite të saj, që tashmë ka humbur. Prodhimi dhe botimi i letërsisë në Shqipëri, pa asnjë kriter, pa asnjë vetë-censurë, sidomos nga poetët, tregon se letërsia po i tepron vetes, sidomos poezia. Ajo qartësisht ka humbur si në kohësi apo në letraritet, si në sinkroni dhe diakronivertikalitet apo horizontalitet. Koha nuk po sendërton “poezi të qarta”, përtej “pasionit rrëfimtar” eliptik apo estetikisht të kuruar, akoma nuk kemi ndonjë qasje profesionale që poezinë ta shkundim nga përgjumja. Ndoshta, hallkat janë këputur dhe nuk po gjejnë copat për t’i lidhur. Falë edhe një kritike gjumashe, paralitike, të fragmentuar, sipërfaqësore, apo akoma më keq një kritikë si tepër mbytëse me “elozhe” biografish emrash, sesa për një poezi me elemente estetike-letrare dhe të përimtësuar, deri në rrafshin e interpretimit racional.

Poezia e Kliton Nesturit,I lindur bohem”, duke lexuar teksturën, por edhe retorikën poetike, nëpër rrugët e Tiranës, poeti bohem ose ka humbur…ose ka rigjetur veten (vetveten) përmes  eliminimit të klisheve dhe tepricave ku herë-herë dimensoni i futurizmit përthyhet me absurdin dhe “ngecjen” e ekzistencializmit: në heshtje/do të shoh avionët,/teksa indiferentë kalojnë mbi mua/retë që qëndrojnë si lajmëtare nga poezia: “Pritje të ardhjes tënde”, ashtu si Majakovski i shekullit më parë: befas/dhe retë/dhe çdo gjë e vranët/ngritën t’pagjasë qiellit një trandje,Re mbi pantallona”.

Nuk është ndonjë trandje e madhe, për të shndërruar shkallëzimet në paralelizma, duke ndërthurur modele që organizon ligjërimin në këto dimensione:

dimensioni i parë: dimensioni i absurdit dhe shpërfytyrimit të njeriut, nga njeriu digjital

përmes modernes/postmodernes: (“Dua të harroj që jam shqiptar”);

dimensioni i dytë: dimensioni lirik, qenia e reales dhe surreales, kotësisë dhe pasionit përmes të bukurës për shpirtin, për dashurinë, janë anatema dhe qenësore për mbinjerëzoren dhe njeriun: (“Puthja”);

dimensioni i tretë: mimesi i kujtimeve dhe kthimi në rininë rrugëve bardhezi të Tiranës, ku surrealja, absurdi, kotësia, ekspresionizmi por edhe “errësira” e një hermetizmi të lehtë, dirigjojnë fate, jetë, vdekje, zemrat, shpirtrat, materien, dëshpërimet, trishtimet, errësirat, vegimet, ikjeardhjet më përtej (“Blloku i vjetër i trishtë”);

dimensioni i katërt: dimensioni i surpluseve narrative, përmes “arratisjes” nga vetja, përmes edhe një realizimi paksa magjik, paksa lirik, paska mistik etj. Kryemetaforat si: [vdekja/jeta, ikja/ardhja, dashuria/malli, humbja/gjetja, bohemi/asketi etj.], nuk thyejnë Zotin, por njeriun e nëpërkëmbur, të vetmuar, “njeriu i përsosur”, për qëllime vulgare të njeriut të polarizuar, apo “njeriut skllav”, deri në ekstrem me energji negative, klithmon përmes vargjeve: jam bohem i vjetër,/ njeri që ecën rrugëve i qetë,/rrethuar prej botës time i pa vënë re prej askujt./ Bluxhins më pëlqen të vesh e muzikë rok dëgjoj/ atë të vjetrën, të thellë,/ atë që epokat tejkalon,/duke u ndierë një rebel njëzetepesë vjeçar,/sfidant i viteve nën lëkurë dhe kohës që shkon

Figurat ekspansive, por edhe herë-herë edhe radikale deri te një lloj “errësimi”, nuk e errëson metoniminë që mbetet si “metaforë qëndrese”, përmes strukturave poetike, që gjallmojnë te poeti bohem, më përtej vetvetes, duke radikalizuar një “shenjtërim” të postmodernizmit, por sidomos të lirikës sociale, që shumë herë lexuesi e keqkupton, si lirikë personale nëpërmjet tropeve universale.

Sëfundmi: poezia e K. Nesturit vjen pas gati çerekshekulli në lëmin e “shthurjes” së lirikës qytetare, ku emrat si N.Gjetja, T. Keko, hodhën edhe farën në një ujdhese të tillë. Një gjuhë tërësisht metaforiale, me kode dhe nënkode nga realiteti shqiptar, përmes absurdit dhe ekzistencializmit, si elemente kyçe të post/modernizmit. Në këtë libër, njeriu po kërkon kohën e tij të humbur, endet fushave semantike të veprimit poetik, nëpër vazhdimësinë e emocioneve estetike tërësisht autoriale që ecën…ecën në kërkim të bohemisë së njeriut shqiptar.

Leave a Reply

Your email address will not be published.