BUKË ME SALLAM

Bukowski është ai lloj shkrimtari unik, që rrëfen fakte, i thotë të vërtetat troç, qartë, thjeshtë dhe në fund, sikur përfundimet ua lë në dorë lexuesit të vet

Fitim NUHIU

Libri i Bukowskit me një përkthim brilant dhe të shqipëruar siç duhet nga përkthyesja Iris Sojli, i servohet publikut shqiptar me një finesë të paparë. Filozofia e jetës dhe mendimeve që autori kishte gjatë jetës së vet, një libër dedikuar fëmijërisë dhe adoleshencës së tij plot shëmti, dhimbje, arrati, kërkim të vetvetes, abuzimit të prindërve të vet, vetmisë, alkoolit.

Po fillojmë nga vet titulli “Bukë me sallam” që përkthyesja ka bërë përshtatjen e duhur që ndërlidhet me krejt veprën në fjalë. Vetë Bukowski ka përmendur imazhin e ekzistencës se tij që ka qenë mes prindërve sikur një copë sallami (ham) mes dy fetash buke për tost (rye).

Ky libër vjen si himn për fëmijët që janë keqtrajtuar nga prindërit e tyre, me një gjuhë të thjeshtë, të thatë, tamam gjuhë e rrugës, e pamaskuar me terma përkëdhelës, duke ia thënë troç lexuesve të vërtetat për prindërit abuziv ndaj fëmijëve të tyre dhe shpirtrave të pambrojtur e të virgjër.

Libri “Bukë me sallam” është një gjysmë-biografi e autorit, ku fillon nga fëmijëria e tij e hershme, duke ndenjur nën tavolinë që shihte me ngazëllim rrezet e diellit dhe këmbët e prindërve të vet që ecnin vërdallë. Ai paraqet atë skenë me një gjuhë shumë të thjeshtë, babain (njerkun) e tij abuziv që e rrihte në tualetin e shtëpisë, duke kaluar në rutinë bezdisëse dhe pikëlluese, siç shprehet në vargjet:

“Goditja e parë më shkaktoi më shumë tronditje sesa dhimbje” (fq.44)

“Ndieja sikur edhe dielli i përkiste tim eti” (fq.45)

“Ndieja më shumë frikë se dhimbje”, (fq.52)

“Më urdhëroi: Uli pantallonat. E gjitha bota ishte atje jashtë, tërësisht shpërfillëse ndaj gjithçkaje, por kjo nuk ndihmonte” (fq.81)

“M’u kujtua që te Vëllezërit Karamazov, Ivani kishte thënë: Kush është ai që nuk dëshiron ta vrasë të atin e tij?”(fq. 266)

Paraqitet një nënë që s’ka fuqinë ta mbrojë djalin e saj, duke kaluar edhe ajo në indiferencë ndaj tij, pavarësisht ca përpjekjeve të kota të saj.

Më pas, në mungesë të kësaj dashurie prindërore, Henri i vogël sikur e kërkonte vërdallë, në kopsht, në shkollë, porse përfundonte në duart dhe shoqëri të gabuara. Ai vinte nga prindër të varfër e thuajse të papunë, kishte kompleksin inferioritetit karshi fëmijëve që vinin nga prindër të pasur, dhe kjo vërehej kudo, në veshmbathje, ushqimin që merrte me vete, nga ora e edukatës fizike, etj.

Përshkruhen detajet në shkollë, raporti me mësimdhënësit/et, hartimet që nuk iu vlerësoheshin sa duhet për tema interesante, Henri mëtonte gjithnjë të shkruante diçka të kundërt, që ia kthente përmbys realitetin e tyre, përmendet shkuarja në kishë që me terma shumë të thjeshtë ia shpifte, shëmtia që e posedonte, puçrrat e mëdha që i kishte gjithandej në trup e në fytyrë, njohja me epshin, gjinia e kundërt, masturbimi, rebelimi (“ti rebelohesh kundër gjithçkaje. Si do të mbijetosh?”, fq.328), pijet alkoolike, shoqëria homoseksuale, endacakët, hajdutët, epshin që ndjente për mësuesen e vet epshndjellëse, lojërat sportive më pas, mundja e kundërshtarëve, rrahjet mes fëmijëve, e më pas mes adoleshentëve, përpjekja për të kërkuar vetveten etj.

Kur flet për shkollimin, thekson rezervat dhe dilemat e tij kur thotë:

“Edhe arsimimi dukej një grackë” (fq.336)

“E tërë skena e universitetit ishte qullëse. Nuk të thoshin kurrë ç’të priste kur të dilje në botën e vërtetë. Të mbysnin me teori dhe nuk të thoshin kurrë sa të fortë ishin trotuaret. Arsimimi universitar mund ta shkatërronte individin për jetë të jetëve” (fq. 327)

Ajo që vlen të theksohet, është kur Henri takon librat, shkon në bibliotekë dhe fillon të lexojë:

 “…zbulova bibliotekën publike La Cienega..”. (fq.181)

“Nëse i lexoje dhe i lëshoheshe magjisë mund të jetoje pa dhimbje, plot shpresë, çfarëdo që të ndodhte. Për mua këta njerëz (personazhet e romaneve) që kishin ardhur në jetën time nga asgjëkundi, ishin shansi im i vetëm. Ishin të vetmit zëra që dinin të më flisnin”. (fq.183)

Qysh prej fëmijërisë, Henri ndiente veten të madh, të ndryshëm nga të gjithë, ndoshta jeta e vështirë e kishte rritur më herët, por e ndiente veten të veçantë nga të tjerët, duke refuzuar të përshtatej me sistemin që njerëzit kanë krijuar: të lindin, të rriten, të shkollohen, të punojnë e të jetojnë (po sikur kafshët), megjithatë, në atë rreth social që gravitonte e frekuentonte ndiente veten inferior: (“Shpesh ndihesha inferior. Doja t’ia këpusja gjumit nja pesë vjet të mira, por nuk më linte njeri.” fq.213 ), s’donte të futej në grackën e strukturës familjare (fq. 235), donte ta përmbyste procesin (tërë sistemin social) (fq.256).

Përmenden shpesh tema nga më të ndryshmet, p.sh. procesi i të shkruarit (“procesi i të shkruarit është sikur të marrësh të gjitha pjesët e këmbimit dhe t’i kthesh sërish në një makinë” fq. 279), ndjenja e vetëkritikës (“Bekeri (shoku i tij) dinte të shkruante më mirë se unë” fq.281), për kiçin e letërsisë (“kur i lexon, ose të kap dhimbja e kokës ose të zë gjumi” fq. 316), dështimin e ëndrrës amerikane, e mohon këtë ëndërr shumë të përfolur botërisht, përmenden luftërat disi sikur me një indiferencë (“Të gjitha luftërat janë bërë për një të ashtuquajtur kauzë të drejtë, nga të dyja palët. Por vetëm kauza e fitimtarit bëhej Kauza Sublime e historisë”, fq. 291), Lufta e Parë Botërore, japonezët te Pearl Harbour, etj.

Henkut (Henrit të rritur) sikur i interesonin bisedat fe-ateizëm, sikur donte këtë spektakël, sidomos kur protagonistët ishin të mirë-përgatitur dhe priste me padurim shfaqjen dhe spektaklin e tyre, shtjellon paksa edhe kauzën raciste (“të gjitha hallet e mia më vinin nga fisnikët e bardhë”, fq.290)

Në fund mund të konstatojmë se Bukowski është ai lloj shkrimtari unik, që rrëfen fakte, i thotë të vërtetat troç, qartë, thjeshtë dhe në fund, sikur përfundimet ua lë në dorë lexuesit të vet.

Leave a Reply

Your email address will not be published.