BUNKERI NR 7

Tregim

Shqiponja AXHAMI

“Sahit, dikur mu në këtë kodrinë sillnim dhentë.  Si i pacipë që ishe,” tha tjetri me një farë inati të vjetër që iu ngjall papritmas. “Më lije mua të vrapoja  pas tyre, kur i trembte ndonjë zhapi, a kur ndonjë dhelpër shfaqej papritmas.  Dhe ti as që doja t’ia dije.  Kurrë nuk do ta harroj ditën kur më ngordhi Liska, e kafshuar nga gjarpri në buzën e sipërme.  Përjargesha duke të thirrur. Dhe ti, fshehur në guvën e errët në të dalë të kodrinës, mashtroje Resmien, kuçkën e lagjes së poshtme që të ta jepte. Ta plasi shpirtin, po as i shkoi mendja ta bënte me ty. Dhe mirë ta bëri. Tani jepu duarve dhe pastro mut. Ky bunker që ta dish, është i lidhur me një tunel të gjatë deri në të dalë të kodrinës, futet brinjë më brinjë të saj. Kanë dhjerë në të gjithë ushtarët e repartit matanë. He de mos më shih ashtu, i kam parë me sytë e mi. Nuk kishin faj të mjerët. Dymbëdhjetë orë shërbim dhe halet i kishin larg.”

“Pff, këtu nuk rrihet. Për shpirt të asaj nëne, ta di që më varin mu në shesh nuk futem më thellë. Unë të pastroj mut? Kurrë jo.”

“Lëri fjalët dhe shtërngo bythën. Mos e dhëntë i madhi Zot, që të marrë vesh sekretarja që kemi braktisur punën. Dhe meqë ra fjala, se mos i thua kujt që përmenda Zotin, i pacipë. Mos harro që unë të shpëtova kur Resmia të la shakull me gur pas qafës, në mes të guvës.”

            Këto qenë fjalët kërcënuese të Izetit ndaj Sahitit, djalit shtatlartë dhe të bëshëm, që merrte flakë menjëherë dhe ishte zënë më gjysmën e fshatit, por që brigadieres, Fatimes që na ishte dhe sekretare Partie, nuk ia bënte fjalën dyshë.

            “Nuk futem më thellë për shpirt të nënës dhe pikë”, briti me një zë të çmendur kur rrëshqiti mbi një mut, që si duket ushtarët e kishin bërë vetëm disa orë më parë, sepse ende nuk ishte tharë.

            “Shshsht Sahit, pash at Zot, mos u nxe. Do të na nxijnë jetën përsëri me fletë rrufe dhe do na dërgojnë që të hapin gropa a kanale. Ti e di se sa e ligë është kudra.”

            Sahiti e hodhi një vështrim përbuzës shokut të vet, Izetit, dhe doli nëpërmjet korridorit të tunelit duke sharë.

            “Ti rri e pastro mut. Edhe sikur të më varin, nuk futem më aty.”

            Me urdhër të brigadieres, sekretares së Partisë, Fatimes, ata kishin nisur punën që pa gdhirë. Do të pastronin dymbëdhjetë bunkerët në shpatin e kodrës, që ngjanin me dymbëdhjetë lunga të pashërueshme.

Dy bunkerët afër xhadesë nuk kishin pasur shumë jashtëqitje. Si duket kalimtarët trembeshin se do t’i shihnin e nuk guxonin të futeshin brenda. Edhe bunkeri që ngrihej në  fund të xhadesë nuk kishte pasur shumë, veç nja dy dhe të tharë. Si duket ndonjë shofer kishte marrë guximin nga zori i ndonjë diarreje. Ama sa më lart t’i ngjiteshe kodrinës, aq më shumë jashtëqitje kishte brenda bunkerëve. Dhe këtë Sahiti nuk mund ta duronte. E kush ai Sahit, që kish dali i pari në garat me kuaj në fshat, që pati mundur dymbëdhjetë të rinjtë e kooperativës së fshatit fqinj, në një ndeshje miqësore dhe që veç këtyre bëmave që kishin marrë fshatrat gjithandej, dashuronte si i marrë më të bukurën në  katund, Rahimen. Zyra e sekretares ndodhej në një ndërtesë njëkatëshe të gjatë ngjitur me furrën e bukës. Rrotull drekës ajo freskohej aty me ndonjë bozë  dhe në muzg ikte të maste normat, brigadës. Kur pa Sahitin në derë sa një shpat muri, Sekretares iu këndell një dëshirë  e papërmbajtshme. Por një gjinkallë që i qe ngjitur për një copë herë portretit të shokut Enver e solli në vete, me zukatjen e saj acaruese. U kollit disa herë si për të rregulluar zërin dhe i hodhi ftohtë sytë nga djaloshi. Ishte kërleshur nga afshi, kur i pati afruar krahët për t’i vënë në qafë dekoratën e nderit. Ama e dinte që ai dashuronte si i marrë atë, më të bukurën e kooperativës, Rahimen.

            “Shoqja Sekretare, pranoj çdo lloj pune. Më dërgo të hap kanal në rrëpirën e malit, tej luginës së Vanave po deshët, veç këtë punë, pastrimin e tunelit dhe   bunkerëve nuk e bëj dot. Për shpirt të nënës që nuk e bëj dot. Më kapin të vjellat dhe koka më vjen vërdallë.”

            Fatimes iu shkërmoq një hije gëzimi në fytyrë dhe, duke i bërë shenjë që të ulej, tha.

            “Qetësohu dhe merre pak veten, djalosh. Po deshe pi pak nga boza ime,” dhe i zgjati gotën e vet të mbushur përgjysmë.

            Pas një copë heshtje, kur në zyrën e vaptë ndihej vetëm zukama e gjinkallës, ajo shtoi.

“Është e turpshme që të refuzosh detyrat që të ngarkon Partia. Shoku Enver na ka mësuar që duhet t’i bëjmë ballë çdo sfide dhe duhet të vëmë intersin e përgjithshëm mbi atë personal.”

            Sahiti që i urrente këto fraza, që nga mbledhjet e rinisë në shkollë të  mesme, kërciste dhëmbët më kokën ulur.

            “Nuk është fundi i botës të durosh për pak kohë erën e jashtëqitjes. Pa paramendo sikur të jesh në luftë. Do të duhet edhe të hash edhe të dhjesësh në atë bunker.”

            Sahiti u zu ngushtë. Duke qenë natyrë që fliste shumë pak, u ngrit vrik dhe bëri të dilte, duke thënë vetëm këto fjalë.

            “Mendova që do të më kuptonit shoqja Sekretare. Bëhem keq në bunker dhe më zënë të vjellat. Ja kjo është.”

            Fatimja e vështroi me adhurim nga pas trupin e tij gjithë muskuj dhe u shkri në një kënaqësi të brendshme dhe të pamatë. Sahiti përplasi derën, pa pikën e frikës dhe u nis drejt xhadesë kryesore, për tek kodrina. Do bënte si do bënte dhe do t’i pastronte ata dreq bunkerësh. Kur sosi tek bunkeri i shtatë e gjeti Izetin duke kafshuar thatë një copë buke misri. Kavanozin me dhallë e kishte pirë të gjithin, i shkrumbuar nga vapa.

            “Pash atë Zot, si mund të hash në këtë lemeri?! Ptu, ptu” i tha Sahiti dhe nxori një thike të vogël, e zuri te gdhendte një shkop. “Le të na heqë ditën e punës, po unë nuk futëm më në këto bunkerë të dhjerë. I kërkova që të shkoja në kanale, por nuk pranoi, kudra”

            Të nesërmen në mbledhjen e  brigadës u bë zallamahi dhe potere e madhe. Fatimja kalli vendin duke ulëritur, që Sahit djaloshi dhe Izet dembeli nuk na kishin bërë normën. Gjashtë bunkerët e faqes së majtë të kodrës kishin mbetur pa pastruar. Nëse nuk do mbaronin punë që të nesërmen në të gdhirë, ajo do ta ngrinte si problem në organizatën bazë të Partisë. Lajmi u hap si kolerë dhe i ranë vesh edhe babit të Sahiti, që desh vu kujën. Ai e dinin e fort mire, që po të vinte Fatimja para, të merrte mortja. Por Sahiti e dinte se çfarë ilaçi mund ta shëronte e t’i kthente mendjen Fatimes. Disa herë shoqen Sekretare e kishte kapur duke e vështruar vjedhurazi me një adhurim që të shtinte frikën. Fytyra e saj në formë katrore, e zezë dhe sytë e dalë zhyteshin në trupin e Sahitit, duke u përvëluar nga dëshira. Udha për tek shtëpia e saj ishte një tatëpjetë, në anët e së cilës fshatarët kishin hedhur plehun, që e ruanin për në vjeshtë. Që të ishte e lirë për të organizuar mbledhjet dhe kuvendet me anëtarët e Frontit dhe të  Partisë, të shoqin e kishte caktuar roje nate tek stalla e pulave. I shoqi qe një humbameno, çalaman, që ajo e mori për burrë se i pati dalë nami në shtatë  katunde për kurvëri, por kjo përpara se të bëhej Heroinë e  Punës Socialiste, antare Partie dhe brigadiere.

            “Do të ruash pulat Xhelal. Ne duhet të japim shembullin të parët që të shkojmë aty ku ka nevojë më së shumti Partia dhe Populli.”

            Xhelali i qe bindur meit në fytyrë. Ajo kurrë nuk flinte me të. Biles dhe natën e parë të martesës i pati thënë se na kishte dhimbje mesi. Të nesërmen Xhelali kthehej në agim dhe e vetmja gjë që e gëzonte, qenë dy kokrra vezë, që dhe këto i fshihte dhe i ziente vjedhurazi, kur e shoqja ikte në punë. Sahiti shtyu me rropamë deriçkën në gardhin e sekretares dhe u fut pa thirrur në shtëpinë e saj. Dera ishte hapur. Ajo ishte shtrirë sa gjërë–gjatë në një minder me shalët hapur nga vapa. Pa pritur që t’i thoshte asnjë fjalë, Sahiti i tha:

                        “Shoqja Sekretare jam këtu që të kërkoj falje për ato që thashë në mbledhje. Më beso se qeshë kallur në kokë nga vapa e ditës dhe nuk dija çfarë të të thoja, ndaj nuk bëra autokritikë. Por ja ku jam, do të bëj ç’të më thuash ti, por nuk duhet ta bësh me të madhe në organizatën bazë.”

            Sahiti e dinte fort mirë se kush ishte Sekretarja.

            “Hë mirë, shumë mirë, që më në fund je bindur. Por ulu, s’ke pse rri në këmbë.  Është këtu minderi. Sa për dritat e fikura, na grinë mushkonjat. Kështu i fik çdo natë.”, ia ktheu sekretarja.

            Sahiti zuri vend në një kënd të minderit.

Pasi një copë heshtje, ai shtoi.

            “Jemi të rinj, ndonjëherë dhe rrëmbehemi. Ama më beso që do t’ju mbaja në shpinë dymbëdhjetë herë deri në majë të kodrinës, vetëm të mos pastroja hale.

            Sekretarja qeshi me një qeshje këndellëse dhe provokuese.

            “Si, si, do të më mbanit në shpinë? Haaaa.”

            “Po, pa pikën e lodhjes”, –  iu përgjigj Sahiti.

            Pas disa minutave heshjte, kur një fllad i vonë mbrëmjeje zuri të lëvizte perdet, Sekretarja psherëtiu si e çlodhur.

            “O shyqyr më në fund pak freskët, u kallëm vape.”

            Sahiti nuk fliste, por vështronte me vëmendje çdo lëvizje të saj.

            Pas një copë herë mes psherëtimave dhe fjalive të tilla si: “Nuk bën të refuzosh detyrën. Ti je i ri, duhej të jesh shembull për të gjithë. Partia i do dhe i mbështet njerëzit e fuqishëm si ti, Sekretarja shtriu këmbën e majtë mes shalëve të Sahitit. Sahiti e dinte fort mire, që ajo mezi por rezistonte , por i tha.

            “Të lutem shoqja Sekretare, më ka dalë nami për rrugaç, por unë ty të respektoj. Unë ty kurrë nuk do të bëja keq edhe sikur…”

            “Mos më thirr Sekretare pashë këtë hënë të bukur sonte, Sahit! Thirrmë Fatime”

            “Betohu që nuk po më provokon Fatime. Unë po dridhem nga dëshira, por besomë që kam frikë. E si mund të bëj dashuri unë me një sekretare Partie. Fundja kush jam unë, një copë katundar, që mezi kam mbaruar të mesmen.  Po nuk m’u betove që më dëshiron, nuk të besoj”.

            Ndërkohë që Sahiti fliste dhe përpiqej që të zgjidhte fjalët, që ajo ta besonte se ai po e dëshironte, sekretarja ishte zhveshur cullak para tij. Duke gulçuar  iu hodh si topth i zi sipër, duke ia marrë frymën. Sahiti psherëtinte dhe nxirrte klithma, gjoja kënaqësie, por ndjente neveri dhe për ta nxjerrë inatin me të, e përplaste me sa fuqi kishte pas murit. Ndërsa Sekretarja vlonte kënaqësie e hipnotizuar, duke i thurur një mori fjalësh epshndjellëse dhe duke deklaruar që e kishte dëshiruar, që kur e kishte parë për herë të parë hipur mbi kalë, duke tendosur muskujt e krahëve, të nxirë nga dielli. Sahiti nuk i kthente përgjigje vetëm e ngjeshte dhe e ngjeshte pas murit me inat, me gulç , gjë të cilin Sekretarja e përkthente në dëshirë dhe papërmbajtje. Kur mbaruan punë, qe errur. Duke e kafshuar pa dhimbje në gushë, Sahiti ia kërkoi dhe një herë betimin. Ajo u betua për të dytën herë në kokë të djalit të vetëm, të diagnostikuar talasemik, që e dërgonte herë pas herë larg në Tiranë, tek një kushërirë i largët, derisa t’i ndërronin gjakun. Të nesërmen Sahiti u zgjua gjithë gëzim. Sekretarja i kishte premtuar që do t’i caktonte punë nga më të lehtat. Kështu ai do të mbaronte punë më herët dhe do të kishte më shumë kohë që të qëndronte me të bukurën Rahime. Kur iu afrua brigadës, që mblidhej si çdo ditë në ora 8, ku ndaheshin dhe punët, Sahiti pa e vënë re të tjerët i luajti syrin Sekretares. Ajo u këndell dhe drodhi zërin, duke i dhënë një timbër të hollë. Të tjerët që e vunë re e panë çuditshëm. Ajo ndau për të gjithë punët, por emrin e Sahitit nuk e përmendi fare. Kur të gjithë u shpërndanë, ajo i tha:

            “Ti Sahit do të vish me mua!”

            “Patjetër shoqja Sekretare. “ iu përgjigj i qetë Sahiti, por një brengë e panjohur zuri ta brente përbrenda.

            Sekretarja u nis në të dalë të xhadesë kryesore.

            “Për ku kështu shoqja Sekretare?”, pyeti pas pak Sahiti.

            “Ec dhe mos fol asnjë fjalë!”,  – ia ktheu me një zë të prerë sekretarja.

            Pasi kaluan një rrëpirë më dushqe, Sahiti vuri re që i ishin  afruar kodrinës.

            Kaluan dy bunkerët pranë xhadesë, edhe atë në fund të saj dhe sosën tek bunkeri i shtatë, që kishte mbetur që dje pa pastruar. Për dreq ai bunker ishte mu bri guvës ku në vegjëli Sahiti pati dashur të kapte me zor, kurvën, Resmien.

            “Po më ndëshkon Zoti si duket. Po, po,”, mërmëriste me vete Sahiti, duke goditur me sa fuqi kishte gurët rrugës.

            Guva bri bunkerit lidhej me një përrua të kthjellët, që në vegjëli, por dhe tani që ishin rritur, laheshin, sa herë mbaronin normën para kohe dhe dielli ende nuk kishte perënduar. Një mendje i thoshte ta kapte zvarrë atë dreq Sekretareje dhe ta shtynte në përrua, por përmbajt. Kur sosën në hyrje të bunkerit, Sekretarja u ndal.

            “Derdimen, mendove se do të më mundesh. Tani përvishju punës dhe do ta pastrosh, duke të të parë unë, në rregull!?”

            Sahiti u mpi.

            “Po ti më premtove. U betove dhe në kokë të tët biri.”

            “U betova , por ja që e theva betimin. Tani sus dhe fillo punën”

            Sahitit, urrejtja  e përbindshme për të zuri t’i dilte muskujve, indeve. U tendos në fytyrë, duke shtrembëruar tiparet e bukura dhe sa hap e mbyll sytë e zhvesh lakuriq, dhe, duke vrapuar, u fut në përrua. Shkëmbinjtë përreth dhe ujëvara e vogël që krijonte rrjedha e përroit e bënin pamjen të mahnitshme. Ndërsa trupi i tij i gjatë dhe krejt muskuj thyente ylbertë që formoheshin në mpleksjen e ujit me dritën e diellit. Herë zhytej në gropën e madhe të ujit që formohej në fund të ujëvarës, herë dilte duke ulëritur një si këngë, një si klithmë.  Sekretarja kishte mbetur e mpirë, në zallin buzë ujit, si një arushë e zezë që mezi pret peshkun të të dalë nga uji. Ndërsa Sahiti zhytej, dilte, zhytej dhe dilte prej ujit, deri sa organi i tij mori formë vertikale në drejtim të vrimës së zezë që shfaqej buzë ujit midis shalëve të hapura të Fatimes, si një bunker i fëlliqur, që gjithsesi duhej pastruar.

Leave a Reply

Your email address will not be published.