ÇFARË FESTIVALE E MANIFESTIME NA DUHEN!

Shqiptarët kanë shumë festivale! Nëntëdhjetë e nëntë për qind prej tyre janë festivale ose edhe manifestime private, të themeluar dhe të menaxhuar nga individë, të cilët kanë gjetur mënyrën e mirë që të përfitojnë para të majme, duke prezantuar lloj-lloj vlerash e pseudo-vlerash!

Problemi është sa shqiptarët kanë festivale e manifestime që janë institucione nacionale apo edhe lokale, që financohen nga buxheti shtetëror e që i nënshtrohen auditit shtetëror!

Përtej misionit kulturor, përtej përkrahjes së kultivimit dhe zhvillimit të vlerave kulturore, përtej njoftimit dhe shijimit edhe të vlerave kulturore botërore, festivalet dhe manifestimit kanë edhe efektin e materiali reklamues të vlerave të trashëgimisë sonë kulturore e shpirtërore, të vlerave të padiskutueshme si popull, të vlerave turistike etj. Me një fjalë, përfitimet do të ishin të shumanshme.

Në aspekt të vlerave, festivalet apo manifestimet e kanë edhe karakterin e sitës, sepse jo gjithçka do të ishte e denjë që të prezantohet në aktivitete të tilla reprezentative. Festivalet dhe manifestimet, si institucione nacionale, do të ndikonin edhe në vetëdijesimin e subjekteve tona shtetërore për politika të qarta kulturore në drejtim të tërheqjes së kufirit që ndanë profesionalizmin nga amatorizmi. Madje, popujt seriozë, edhe amatorizmin e stimulojnë dhe e mbajnë nën mbikëqyrje, sepse është një rrjedhë e pashtershme e prurjeve në profesionalizmin kulturor.

Jashtë këtyre angazhimeve për një identitet të mirëfilltë kombëtar të aktiviteteve kulturore, gjithçka pastaj do të mbante erë korrupsioni, matrapazllëku, ose edhe blerje të heshtjes së intelektualëve të profileve të ndryshëm, të angazhuar nëpër “borde” të festivaleve e manifestimeve private.

Shqiptarëve u takon që në nivel të institucionit nacional të kenë manifestim të poezisë, të dramës, të filmit, të llojeve të muzikës, të operës, baletit, të folklorit etj. Cili do të ishte efektiviteti kombëtar, sikur nëpër aktivitete të tilla kulturore të përfshiheshin edhe seminare të tipit të Seminarit ndërkombëtar të gjuhës shqipe që vit për vit e organizon Universiteti i Prishtinës.

Për të tilla politika kulturore duhet të angazhohen dikasteret qeveritare për kulturë dhe jo të shërbejnë vetëm sa për të nënshkruar vendime për rroga të administratës si dhe për të shtuar pika politike në partinë prej nga vinë. Fundja, nëpër platformat partiake nuk mund të gjenden më shumë se një-dy faqe për kulturën dhe politikat kulturore kombëtare./HEJZA/

Leave a Reply

Your email address will not be published.