Në kulturën shqiptare këtu ende nuk është bërë profilizimi i ideve dhe koncepteve. Faza e profilizimit, e filluar me krijuesit që lidheshin me traditën kulturore e jo atë klasore, pushoi me funksionimin e shtetit përmes institucioneve të veta edhe brenda kulturës
Ramadan MUSLIU
Në kulturën shqiptare iluminizmi përbën një nga nocionet shumë të rëndësishme. Arsyeja kryesore pse iluminizmit dhe librit si artefakt kulturor i kushtohet rëndësi tepër e madhe, rrjedh nga fakti se gjithë historia nacionale e tyre është histori kulturore, ku libri pos që ka vlerën e një dokumenti artistik, është edhe histori e kontinuitetit nacional. S’është e rastit pse kultura shqiptare sot paraqitet si një amalgamë e pandashme e traditës së përbërë nga shtresa të ndryshme heterogjene, që për kulturat e tjera do të ishin përjashtuese për njëra-tjetrën. Asnjë shqiptar sot nuk ka kurrfarë rezerve ndaj traditës iluministe të proviniencës katolike, ortodokse apo muslimane, sepse që të tri këto tradita në vete përmbajnë atë ekstraktin nacional, që traditën nacionale e bën të identifikueshme dhe, si të tillë, edhe kontinuitive. Nuk është aspak e rastit pse monografinë më të rëndësishme për veprën dhe jetën e Pjetër Bogdanit e shkruan Ibrahim Rugova, pse dramën me tematikë nga jeta e këtij kolosi të kulturës dhe traditës ekleziastike do ta shkruajë Teki Dervishi etj.
Një traditë e këtillë e të çmuarit të librit, që gati shkon deri në fetishizim, siç thonë edhe M. Horkhajmer dhe T. Adorno, të përmbajë në vete edhe atë paradoksin e njohur: mungesën e qëndrimit kritik ndaj vetë këtij fenomeni. Mungesa e qëndrimit kritik ndaj fenomenit, sjell gërshetimin e kritereve dhe ngatërrimin e tyre. Kështu, kriteri kualitativ identifikohet përmes dukurisë së kuantifikimit dhe anasjelltas. Ky paradoks i sjell kulturës fenomenin e simplifikimit të saj dhe kësisoj kultura privohet nga elita. Privimi nga elita i sjell asaj cilësimin e oficielitetit. Dihet se çdo kulturë oficiele përfundon në kulturë të regjimit ose në skajshmërinë tjetër, në akademizmin dogmatik, që është gjithashtu produkt i regjimit të caktuar.
Faza e tranzicionit, që sot po e përjetojnë shqiptarët e që shprehet në dy nivele (në atë nacional dhe ideologjik), solli edhe nevojën e konvertimit dhe të transformimit të interesave. Shumica sot harrojnë se secili sistem dhe formacion shoqëror mbështetet në institucionet e veta. Prandaj, institucionet e kulturës, duke filluar që nga Akademia e deri te asociacionet profesionale, kanë fizionominë e funksionin e sistemit. Steriliteti i institucioneve është rezultat pikërisht i shkallës së funksionimit brenda sistemit. Nga kjo rrjedh se asnjë institucion kulturor e shkencor nuk i solli shqiptarëve ekspertin e ndonjë lëmie. Mirëpo këtu qëndron edhe paradoksi: institucionet kulturore me ndihmën e shtetit promovuan autoritetet, të cilat çdo lëkundje tektonike e sistemit mund t’i detronizojë. Nuk është për t’u habitur me insistimet e disa intelektualëve tanë që, pas rrëzimit të sistemit, të kapen me “kashtën” nacionale të shpëtimit, duke harruar se për validitetin e autoritetit të tyre do të flasë vepra: libri dhe rezultatet e tyre në art dhe shkencë. Çdo gjë tjetër është e parëndësishme, sepse fama u erdhi me pushtetin dhe ikën me të.
Vetëdija se intelektuali mund të bie në nivelin e një shërbëtori të regjimit, nxiti iniciativën qëllimmirë të disa intelektualëve shqiptarë, që t’i përvishen punës për konstituimin e një akademie të re ekskluzivisht nacionale. Pozicioni dhe statusi i tyre shoqëror bëri që edhe institucioni i posafilluar të dështojë me një demaskim publik të fushatës provinciale. Çfarë ishte pozicioni intelektual në shoqëri i themeluesve të tillë, ishte edhe statusi i këtij institucioni.
Pas dështimit të iniciativës akademiste, skenën kulturore e vërshoi shundi i ri: vlerat diletante, që promovohen nën maskën e patriotizmit. Këto vlera surrogate, zakonisht, iniciohen nga ambicia e disa individëve që mëtojnë të promovohen si botues përmes veprave që e kanë pedigrenë e autorit. Pas shumë botimeve që fare s’ vlejnë të përmenden, ilustrativ është botimi “Libri i lirisë” i pesë autorëve, për ndryshe, të burgosur politikë. Ajo pedigrea e personalitetit simplifikohet në titullin pretencioz, duke harruar se libri i lirisë shkruhet përmes artit të mirëfilltë, i cili nuk ka lidhje me statusin qytetar të autorit. Shembull më i mirë për këtë është vepra e Kadaresë, që ishte shkrimtar i regjimit, por që dha vepra të klasit të parë. Pesë autorë mbulohen me një titull, duke abstraguar faktin se libri është artefakt me jetë më të gjatë e jo vetëm brenda dite. Nga të pesë autorët nuk mund të promovohet as vlera e poezive, sepse zgjedhja është e paktë, as mund të shihet individualiteti krijues i tyre, as preokupimet. Qenia e krijuesit nuk mund të simplifikohet vetëm brenda një dimensioni: të angazhimit shoqëror.
E tash: ku është libri? Cila është vlera e librit? Ai koncepti iluminist rishtas kthehet, por kësaj radhe me petkun romantik. Në kulturën shqiptare këtu ende nuk është bërë profilizimi i ideve dhe koncepteve. Faza e profilizimit, e filluar me krijuesit që lidheshin me traditën kulturore e jo atë klasore, pushoi me funksionimin e shtetit përmes institucioneve të veta edhe brenda kulturës.
A mjafton sot të kesh mjete materiale dhe të botosh librin? Është gjë që dihet se këtë s’mund ta bëjë asnjë krijues, që s’i ka takuar konjukturave të pushtetit. Shkrimtarët dhe, përgjithësisht, artisti shqiptar i shtetit nacional ikën nga historia. Artistët shqiptarë të Kosovës vrapojnë nga historia, sepse historia e tyre është histori e kulturës. Këtu vihet ajo shenja e barazimit.
Në fund do thënë se, në domenin e historisë, me relevancë është akti historik, e në lëmin e kulturës artefaktet artistike e, ndër ta, edhe libri. (1992)