DALLENDYSHJA E PARË E NJË PRANVERE TË VONUAR

Përveç se poet i madh, Seferis ishte edhe një eseist i shkëlqyer, një kritik i mprehtë dhe largpamës i Letrave. Dy janë meritat kryesore të eseistikës seferiane: zotërimi i një arsenali të pashtershëm teorik dhe mprehtësia intelektuale, shoqëruar me ndjeshmërinë e duhur poetike

Grigor JOVANI

Më 24 tetor të vitit 1963, Akademia Mbretërore Suedeze nderon me “Nobelin” e Letërsisë poetin grek, Jorgos Seferis. Motivacioni zyrtar: “Për stilin e tij të mrekullueshëm lirik, që është i frymëzuar nga një ndjenjë e thellë për idealin kulturor grek”. Seferis ishte nobelisti i parë i një letërsie, e cila kishte vënë themelet e kulturës botërore. Kishte mbërritur më në fund në “Atdheun e Arteve” dallëndyshja e parë e një pranvere të vonuar. Vetëm e lehtë nuk ishte përzgjedhja e Seferis për “Nobelin” e atij viti. Kandidonte për herë të tretë, pas kandidaturave të viteve 1955 dhe 1961. Së fundi ishte propozuar nga miku i tij, poeti i madh amerikan, Tomas Eliot. Dhe ia arriti. U përzgjodh mes 80 kandidatësh nga e gjithë bota dhe, sipas të dhënave që u publikuan në vitin 2013, gjatë votimit përfundimtar të vitit 1963, Seferis fitoi mes shkrimtarëve të tillë të famshëm të kohës, siç qenë eseisti dhe kritiku anglez, Uistan Oden dhe poeti kilian, Pablo Neruda, i cili, megjithatë, e mori çmimin pas tetë vjetësh. Ceremonia e marrjes së Çmimit u organizua më 10 dhjetor të atij viti në Stokholm dhe poetit grek ia dorëzoi statujzën e “Nobelit” vetë mbreti i Suedisë, Gustavo Adolfo. Nobelisti Seferis përfitoi nga rasti të deklamojë një mesazh universal për vlerat mbarënjerëzore dhe vazhdimësinë e paprerë të gjuhës greke, nga lashtësia gjer në ditët tona. Të nesërmen do të përshëndeste në pritjen për nder të tij që u dha në Bashkinë e Stokholmit dhe po atë ditë do të mbante një leksion historik në Akademinë Suedeze. Ishte ngjitur tashmë zyrtarisht në Olimpin botëror të Letrave, duke përfaqësuar më në fund një letërsi të munguar, por të hershme sa bota. Më mirë vonë, se kurrë.

AMBASADORI SHETITES

“Seferis” është pseudonimi letrar i poetit të njohur grek. Mbiemri i tij i vërtetë është Seferiadhis. Mbase kjo është “gënjeshtra” e vetme në artin e madh që krijoi. Gjithçka tjetër është e vërtetë, si dielli që ndriçon kohën më të shumtë të vitit në Atdheun e tij. U lind jashtë Greqisë, në koloninë e madhe shoqërore greke të brigjeve të Smirnit, në Azinë e Vogël, para se kjo mazë e madhe njerëzish, të rrënjëzuar prej kohësh që nuk mbaheshin mend në ato vende antike, të shpërnguleshin me detyrim nga “reformatori i ish Perandorisë Osmane”, themeluesi i shtetit modern turk, Qemal Ataturk. Më 1914, gjatë fillimeve të Luftës së Parë Botërore, familja Seferiadhis shpërngulet nga Smirni, për t’u vendosur përfundimisht në Athinë. Poeti i ardhshëm mbaron gjimnazin në kryeqytetin helen më 1917. Shkon në Paris, ku studion drejtësi, gjer më 1924. Ndërkohë, i kishte hyrë në shpirt “krimbi” gërryes i letërsisë. Të kësaj periudhe të jetës studentore janë vjershat e tij të para. Parisi i shumë erërave artistike, që nisnin këtej dhe shëtisnin botën, i bëri mirë poezisë së tij në mbrujtje. Njohu rrymat më esenciale poetike të kohës, disa prej tyre madje i imitoi.  Në Paris e gjeti edhe Katastrofa e Smirnit, të cilën e përjetoi nga larg, por i la gjurmë të pashlyeshme. Më 1926, pasi kishte përfunduar studimet, i hyri karrierës diplomatike, për t’i shërbyer asaj për shumë vjet, por jashtë Greqisë, gjersa doli në pension, më 1962. Pjesë të peripecisë së tij jetësore si “qytetar diplomat i botës” ishin Londra (1931-1934), Korça e Shqipërisë (1936-1938), Afrika e Jugut, Egjipti, Ankaraja, Bejruti, etj. Kur u largua më së fundi nga trupi diplomatik, kishte fituar gradën “ambasador”.

REFORMATORI

Koha tjetër, ajo që i mbetej nga diplomacia, përmbante pasionin më të madh të jetës, letërsinë, kryesisht poezinë. U shfaq në Letrat Greke më 1931, me përmbledhjen poetike “Kthesa” (Στροφή). E kishte rrëmbyer ndërkohë poezia evropiane, kryesisht rryma e simbolizmit. Ky vëllim, si edhe i dyti, “Pusi” (Στέρνα), i cili u botua një vit më vonë (1932) ka plot poezi simboliste. Ajo që ra në sy menjëherë tek poeti që sapo kishte trokitur në portën e lashtë të poezisë helene, ishte fakti se shkruante një poezi krejt të re nga paraardhësit, ishte një krijues i çliruar nga kornizat tradicionale metrike. Ky revolucion seferian në mënyrën e shkrimit u shpall dukshëm më 1935, me veprën e tretë “Romani” (Μυθιστόρημα) dhe u konkludua gjatë gjithë krijimtarisë së tij të mëvonshme poetike. E gjithë kjo shfaqje e furishme dhe ndryshme në Letrat Greke shkaktoi fillimisht reagime të shumta. Era e rinovimit nuk mund të pranohej lehtë nga qarqet konservatore të botës letrare athiniote. Por, Seferis kishte tashmë misionin e tij, atë të reformatorit të poezisë greke. Botimet e tjera të shumta të mëvonshme thjesht e vërtetuan këtë drejtim.

MJESHTRI I MADH

Cila është veçantia e poezisë seferiane? Dallohet kryesisht si “cingun i madh” në mjetet shprehëse, ishin më të pakta se zakonisht për një poet, por ishin ama të tijat, të përzgjedhura me kujdes dhe të ushtruar me efikasitetin e lartë të talentit të jashtëzakonshëm. Tjetër veçori është toni i tij i ulët dhe i qetë, sikur luan me një violonçel dhe me një piano programin e një orkestre të tërë simfonike. Gati gjithmonë, në poezinë e vetë pasqyron fatin tragjik të racës së tij – Seferis përjetoi dy luftërat botërore, por mbi të gjitha shpërnguljen e bashkëkombësve në Katastrofën Greke të Azisë së Vogël. Kjo e fundit la mbresa të pashlyeshme në botën e tij shpirtërore dhe u pasqyruan ndjeshëm tek poezia e një jete. Kryesorja, tek poezia e Seferit ndihet rëndesa e një të shkuare të tejmundimshme për kombin e tij dhe e një të ardhmeje gjithë agoni. Jorgos Seferis konsiderohet sot, pa as më të voglin kundërshtim, një “dallëndyshe reformuese” në epokën e re të poezisë helene, që nismon në fillimet e shekullit të kaluar. Hapi horizonte të reja në poezinë kombëtare me mënyrën e tij moderne të shkrimit dhe shërbesa e vetë në këtë rinovim ishte vendimtare. Pikërisht se u njoh edhe ndërkombëtarisht ky evoluim që i bëri poezisë greke, duke e ndihmuar të renditet denjësisht në krah të kulturave poetike perëndimore, triumfoi mes një plejade të tërë kandidatësh të denjë në garën për “Nobelin” e vitit 1963.

ESEISTI

Përveç se poet i madh, Seferis ishte edhe një eseist i shkëlqyer, një kritik i mprehtë dhe largpamës i Letrave. Dy janë meritat kryesore të eseistikës seferiane: zotërimi i një arsenali të pashtershëm teorik dhe mprehtësia intelektuale, shoqëruar me ndjeshmërinë e duhur poetike. Të dyja bashkë, kombinuar në mënyrën më efikase për një prodhimtari të lartë, janë një shembull që zor kapërcehet në mjeshtërinë e shkrimit. Karakteristikat bazë të kësaj metode krijuese janë thjeshtësia, qartësia dhe pastërtia gjuhësore.  Në eseistikën e tij shprehu me pasion dhe guxim idetë për gjuhën dhe letërsinë. Rinovimi i tyre, përshtatja me kohën, përbënin synimet bazë, përpjekje këto që frymëzuan një brez të tërë bashkëkohës studiuesish të letërsisë dhe arteve. Seferi shkroi për Kalvon, për Danten, për Siqelianon, për Kavafin dhe Eliotin. Gjithçka që trajtoi kishte finesën e penës së tij, mençurinë dhe aftësinë për të parë më tej kohës. Vepra “Testime” (Δοκιμές), me botim të parë vitin 1944, por ribotuar dhe plotësuar shumë herë më vonë, është një monument i kritikës bashkëkohëse letrare greke. I paçmueshëm është edhe Ditari Personal i poetit, botuar me titullin e përgjithshëm “Ditët” (Μέρες), i cili filloi të publikohet pas largimit të tij nga jeta, më 1975. Është një thesar i paçmueshëm, tek i cili gjen fakte të rëndësishme për jetën dhe veprën e poetit të madh, por edhe për idetë e tij politike, zhvillimet diplomatike në politikën greke me jashtë, të dhëna të tjera etj. Korpusi i fundit i shkrimeve të Seferis përbëhet prej Letërkëmbimit. Gjithë marrëdhënia e tij me përfaqësuesit e shquar të Botës së Shkrimit gjallon atje. Bashkëbisedimet e Seferis me kolegët krijues Jorgo Theotoka (1930-1966), Adhiamanto Dhiamandi – piktorin e madh qipriot (1953-1971), me Edmund Keeley (1951-1971) dhe shumë e shumë personalitete të tjerë janë një thesar tejet i vyer pikëpamjesh për artin dhe jetën shoqërore.

PERKTHYESI

Përveç veprës poetike, Seferis la edhe një trashëgimi të pasur përkthimesh nga letërsia e përzgjedhur botërore. Kishte për zemër Tomas Eliotin dhe i përktheu në greqisht veprat “Vendi i shkretë” (1936) dhe “Krim në kishë” (1963). Përktheu edhe Ezra Pound, Andre Gide, Paul Eluard, Pierre-Jean Jouve etj. Këto përkthime nga letërsia evropiane dhe amerikane u përmblodhën më 1965 në korpusin e përkthimeve “Kopje” (Αντιγραφές). Kurse në korpusin e përkthimeve “Transkiptime” (Μεταγραφές), botuar më 1980, janë përmbledhur përkthime nga greqishtja e vjetër të veprave të Letërsisë Antike greke.

EPILOGU

Aty nga fillimet e gushtit të vitit 1971, poeti kombëtar grek Jorgos Seferis shtrohet në Spitalin “Ευαγγελισμό” të Athinës, ku vdes pas një muaji nga komplikacionet e mëvonshme pas një operacioni kirurgjikal, në të gdhirë të 20 shtatorit. Kjo ngjarje tragjike ndodhi gjatë diktaturës së “kolonelëve të zinj” të Papadopulos dhe Patakos. Poeti u përcoll me nderimet e një heroi kombëtar nga qindra -mijëra njerëz të kryeqytetit, të cilët gjetën rastin të shprehnin ndjenjat antidiktatoriale të një populli të tërë, i cili kishte nxjerrë poetë të tillë demokratë, si nobelisti Jorgos Seferis. Kortezhin e përmortshëm, që e ndiqte një det i tërë njerëzish, e udhëhiqnin studentët, të cilët mbanin në duar kurora dafinash. Në njërën shkruheshin vargjet e poetit: “Edhe pak dhe do të shikojmë lulebajamet të çelin…”

Leave a Reply

Your email address will not be published.