Tashmë është e vërtetuar se Dante Alighieri ishte ndikuar nga burimet myslimane. Problemi nuk është se ai i kishte afruar këto burime, por si i mbërritën atij
Umberto ECO
Në vitin 1919, Miguel Asín Palacios botoi një libër (“Eskatologji myslimane te ‘Komedia Hyjnore”), që shkaktoi shumë zhurmë. Në qindra faqe shiheshin analogji befasuese, mes tekstit të Dantes dhe teksteve të ndryshme të traditës islamike, veçanërisht versionet e ndryshme të udhëtimit natën, të Muhamedit në Ferr dhe Parajsë. Në Itali, lindi një polemikë mes mbështetësve të studimit dhe mbrojtësve të origjinalitetit të Dantes. Po përgatitej 600-vjetori i vdekjes së poetit më të madh italian dhe bota islamike shihej përgjithësisht në klimën e ambicieve koloniale dhe “civilizuese”: si mund të mendohej se gjeniu italian të ishte borxhli i traditave të lypsarëve të huaj?
Më kujtohet se në fund të viteve 1980 në Bolonjë organizuam një sërë seminaresh për interpretuesit delirues të Dantes dhe kur doli një libër (“Ideja e deformuar”) esetë merreshin me Rosetin (Rossetti), Aronë (Aroux), Valin (Valli), Guenonin (Guénon) dhe me Paskolin e mirë (Pascoli), të gjithë këta, të bashkuar si interpretues ekcesivë ose paranojakë, ose ekstravagantë të poetit hyjnor. U diskutua nëse Asin Palacios i duhet të futet në këtë listë të ekscentrikëve. U vendos që të mos e futnin, sepse tashmë shumë studime kishin vendosur që Palaciosi, mbase ka qenë ekcesiv, por jo delirues.
Tashmë është e vërtetuar se Dante Alighieri ishte ndikuar nga burimet myslimane. Problemi nuk është se ai i kishte afruar këto burime, por si i mbërritën atij. Mund të fillojmë me shumë vizione mesjetare ku flitet për vizita në mbretëritë e përtejshme. Këto janë: Jeta e Shën Makario romakut, Udhëtimi i tre shenjtëve murgjve në parajsën e Tokës, Vizioni i Tugdalos e deri te legjenda e Pusit të Shën Patrikut. Burime perëndimore këto, natyrisht, por Palaciosi i krahasonte me traditat islamike, duke treguar se edhe në ato raste vizionarët perëndimorë kishin mësuar diçka nga vizionarët e bregut tjetër të Mesdheut.
Por, Palaciosi ende nuk e njihte Librin e shkallës, i gjendur në vitet 1940 të shekullit të kaluar, i përkthyer nga gjuha arabe në atë kastiliane, më pas në latinisht dhe në frëngjishten e vjetër. A mund ta njihte Dante atë histori të udhëtimit të Profetit në jetën e përtejme? Mund të ketë pasur lajme përmes Brunetto Latinit, mësuesit të tij dhe version latinisht i tekstit gjendej te Collectiotoledana, ku Pjetri i Nderuar, prift i Klunit, kishte urdhëruar grumbullimin e teksteve arabe-filozofike dhe shkencore – të gjitha këto para lindjes së Dantes. Maria Corti ishte përpjekur që ta njihte praninë e këtyre burimeve myslimane në veprën e Dantes. Kush dëshiron sot të lexojë, të paktën një përmbledhje të aventurës së jetës së përtejshme të Profetit, e gjen tek Udhëtimi i natës dhe ngjitja e profetit të Einaudit.
Njohja e këtyre ndikimeve nuk ia heq madhështinë Dantes, përkundër respektit të kundërshtarëve të vjetër të Palacios. Shumë autorë të mëdhenj u kushtuan vëmendje traditave letrare pararendësve, p.sh. Ariosto dhe megjithatë ngjizën një vepër shumë origjinale. I solla këto polemik adhe zbulime, sepse një shtëpi botuese, “Luini”, e ribotoi librin e Palacios, me titull më nxitës, “Dante dhe Islami” dhe si parathënie të bukur ka shkrimin që Carlo Osola e kishte bërë për përkthimin e vitit 1993.
A ka ende kuptim ta lexosh këtë libër, pasi shumë studime, në pjesën më të madhe i dhanë të drejtë? Po, ka, sepse është shkruar këndshëm dhe paraqet një mori të ballafaqimeve mes Dantes dhe “pararendësve” arabë. Dhe ka kuptim në ditët tona, kur të turbulluar nga barbaritë e marra të fundamentalistëve muslimanë, ka ca prirje që të harrohen lidhjet midis kulturës perëndimore dhe kulturës progresive dhe shumë të pasur islamike të shekujve të shkuar.
(Përktheu: Arjan Kallço)