DARRELL STANDING, NJË PERSONAZH I SHUMËFISHTË

Romani “Endacaku i yjeve” i Xhek Londonit ka një titull mjaft simbolik.Ai shënjon ëndrrën për jetë,për të bukurën,mbart dramën që kupton njeriu kur këtë të bukur nuk e kuptoi në kohë dhe e ndjen më së shumti kur ndodhet në bashkekzistencë me të shëmtuarën, qelitë e burgut dhe shëmtinë e instinktit të tij vrasës. Pra, afron një katarsis të habitshëm dhe kuptimplotë

Qazim SHEHU

Leximi i një vepre të Xhek Londonit edhe sot është një kënaqësi e veçantë.Shkrimtarin e madh jemi mësuar ta përfytyrojmë përmes tregimeve të tij të famshme për Alaskën,nga romani “Martin Iden” dhe vepra të tjera,ku ai pasqyron temën e vështirë të kërkuesve të arit,natyrën,botën e qenëve, slitat në dëborë,natyrën e ashpër,luftën për ekzistencë dhe vullnetin e njerëzve të fortë.Nuk është se ky përfytyrim m`u trondit kur lexova veprën “Endacaku i yjeve”,por ai m`u zgjerua dhe më solli një anë tjetër të procedeut krijues të këtij shkrimtari gjenial.Ato tipare të veprave të tij më të mira,si furia e jetës,personazhe të fortë dhe këmbëngulës,janë edhe këtu,por e veçanta e këtij libri që më mbërtheu,është trilli,imagjinata dhe kërkimet e vazhdueshme në psikologjinë e personazhit Darrell Standing, personazh i cili në kërkimet strukturore dhe thyerjet kompozicionale shumëfishohet te shumë njerëz,që fotografohet në pamje e fytyra të shumëfishta dhe rikthehet për të na krijuar një portret të vetëm.

Por kush është ky? Darrell Stanting ka kryer një vrasje dhe kështu gjendet në burg.Në burg përmes një lejeve me pakot e duhanit,kurdiset një lojë sikur janë futur pako me dinamit.Të gjithë autoritetet alarmohen dhe kurdisësi i lojës është spiun i tyre. Darrell Stratingu duhet të tregojë dinamitin, edhe pse nuk di asgjë.Ai vuan torturat në këmishën e forcës(një këmishë e gomuar me efekte shtrënguese që të nxjerr flluskën e fundit të ajrit nga mushkëria) dhe në fund shkon drejt litarit.Dhe drejt litarit ai shkon me një ëndërr për jetën.Nuk është thjesht një ton optimist mbylljeje,por një vijimësi e qartë e gjithë ideve të romanit, që çon detyrimisht dhe natyrshëm deri këtu.

Darrell Standing përfaqëson në vetvete një hero realist,por edhe një hero absurd,me talljet që u bën autoriteteve të burgut,pamjeve të shëmtuara të jetës,vdekjes dhe dashurisë së pakuptueshme për marrëzinë,ai shkon pa u ndrojtur në litar,nuk e ka frikë vdekjen, edhe pse është i dashuruar me jetën. Pakuptueshmëria e asaj që ndodh,ka ndodhur dhe mund të ndodhë,është një frymë e përhershme e përshkrimit narrativ të Xhek Londonit në këtë vepër që lexohet me një frymë dhe të mbërthen nga fillimi në fund.Këtij personazhi mund t`i hedhësh vështrime të shumta dhe, në çdo vështrim, ai të shfaqet në mënyra të ndryshme, për të kënaqur kërshëritë e tua estetike.Mund ta marrësh edhe si Mersonë e Kamysë, edhe pse nuk i ngjan plotësisht,mund ta marrësh edhe si një dashnor të rrëmbyer,edhe si një aventurier që nuk i ikën rrezikut,por edhe si një të përgjëruar pas Jezu Krishtit, dhe si një njeri që kërkon të bindë Pilatin .Darrell Starding është personazhi kaleidoskop dhe i shumëfishuar,nuk është i zhvilluar në një linjë karakteri, as i formësuar plotësisht,sepse ai është vetë njeriu i provuar në rrethana ekzistenciale të vështira dhe kundërthënëse. Megjithatë, ai ka një fytyrë të veçantë,të kujton personazhin e fortë të Londonit, personazhin që, me një vullnet të palëkundur, i drejtohet rrezikut,tallet dhe e përqesh vdekjen,edhe pse e di që realiteti i saj është i pashmangshëm.

Kjo mënyrë e të konceptuari dhe të shtjelluari është veçori e talentit të Londonit, por formësohet më së shumti në këtë roman.Ajo vjen nga njohja e madhe e jetës prej Londonit (kujtojmë këtu punët e shumta që bëri,nga më të rëndomtat,udhëtimet e tij me anije në det,gazetar në luftën e Koresë, leximet e shumta dhe kulturimin e jashtëzakonshëm të tij).Njohja e mjedisit është në vazhdën e shkrimtarëve realistë;burgu me të gjitha elementët e tij,përshkrimi i qelive,trokitjet në mur midis të burgosurve, me një kod të kuptueshëm komunikimi midis tyre, loja me mizat si të vetmet gjallesa që vinin nga jashtë, barbarinë e drejtorit të burgut dhe sadistëve që hurin e mbajnë në dorë, mësimi dhe përshtatja me vuajtjen dhe torturën, si një sfidë morale ndaj dhunës,të gjitha këto janë përshkruar aq bukur,sa sigurojnë një gjuhë filmike,të rrjedhshme, ngjethëse dhe trishtuese e të mbërthejnë në ankth leximor, duke të afruar aq lehtë mundësinë e përfytyrimit,sikur je aty.

Por, ky është edhe një roman psikologjik e poetik.Sa më e dukshme bëhet mungesa e jetës,aq më e madhe vjen dashuria për të,aq më thellë dhe bindshëm futet personazhi në vetvete dhe reflekton gjithçka që nga fëmijëria,aq më shumë rritet ëndrra dhe shpaloset ajo gjer në më të mundshmen e shfaqjes së saj.Aq më tepër kërkohet diçka që nuk vjen kurrë, si në dramat e Beketit. Poezia e shpirtit,ëndrra dhe thellësia e saj vjen e konfondohet me çastet e hidhura të një realiteti gri-zi,aspekti psikologjik, kalon shpesh në tone të holla të infiltruara filozofike, nxirren filozofime dhe sentenca që vijnë si përvoja të jetës aktive të personazhit.Në aspektin strukturor autori e ndan jetën e personazhit në dy kohë:në burg dhe para se të futet aty, jeta në burg është një shurdhëri totale me ato mjetet e zakonshme të torturës,durimit dhe të heshtjes, ndërsa jeta që vjen në trajtën e kujtesës është mjaft e përthyer dhe sjell episode nga më të papriturat e plot kërshëri, që sillen me një stil të zhdërvjellët e në prizma kontrastesh. Koha e personazhit nuk fillon në burg,por koha e burgut mundëson të na shfaqë gjithë kohën e tij, nga fëmijëria deri kur shkon në litar,ndërsa meditimet e shumta dhe përsiatjet filozofike dhe kuptimi i thelbit njerëzor në zbërthimin e tij të plotë ngrihen deri në përgjithësime mbi fatin e njeriut në tërësi.

Pasuria e madhe e lëndës jetësore që mbush biografinë e personazhit ndihmon dhe i jep krah fantazisë së shkrimtarit për të hulumtuar artistikisht në thelbin e njeriut,në padrejtësitë e kësaj bote,te lufta,dhuna,te dashuria dhe urrejtja,te aventura dhe qetësia,te lartësia e së arriturës dhe rënia,pastaj te hakmarrja që vjen si rezultat i dhunës dhe padrejtësisë. Aspektet e moskuptimit të së drejtës dhe i tolerancës për jetën vijnë edhe si rezultat i keqkuptimit, por edhe i egos njerëzore,edhe si ngutje për të dalë nga rreziku, edhe si mishërimi idealit të ulët, gjë të cilat e bëjnë këtë roman të rrallë, mjaft domethënës dhe konkret, por edhe si një platformë apo pistë e së mundshmes,nga ku mund të ngrihen plot ide drejt qiellit të ëndrrave. Në aspektin e rrëfimit nuk kemi linearitet,përkundrazivepra shënon bindshëm një strukturë të mirorganizuar, pa i ikur boshtit tematik dhe ideor,duke qëndruar mirë në hullitë e mesazheve me rrënjë boshtore në një realitet mjedisor, por edhe në një realitet psikologjik.

Digresionet e shumta,pjesët në dukje të palidhura,por që organizohen përmes idesë qendrore dhe afrojnë pamje të njëjta,përmes paralelizmave ideore,jo vetëm sigurojnë tërheqjen e vetëdijshme dhe intuitive leximore,por ato përforcojnë bindshëm idetë dhe mesazhin qendror të romanit.Nganjëherë të duket se nuk është Darrell Standing që rrëfen,por koha,ose një copëz e shkëputur nga historia, që nga antikiteti e deri sot,e cila duket sikur ka ndodhur dje dhe ruhet në shpirtin njerëzor.Në këtë zallamahi të kuptueshme ,Darrel shtron pyetjen: ”Kush do të jem nesër?”,ndërsa romani mbyllet me frazat domethënëse:”Kush do të jem kur të jetoj përsëri?Cilat gra do të më dashurojnë vallë?Sa kureshtar jam!”…

Autori me këto fjali shkon gjer te thelbi i jetës, Darrell është një si-vëllai i tij në çdo vend e çdo kohë,ai këto fjalë i thotë para se të vdesë,e beson këtë dhe nuk do t`ia dijë,por e di se fytyra e tij është fytyra e një tjetri,se prapë do të këtë vrasës,të burgosur. Ky përgjithësim që autori i bën personazhit të tij, e ngre atë në një nivel universal brenda kontekstit ideor të romanit,por pa lënë mangët ngjyrimet e kohës,prandaj kjo vepër lexohet edhe sot dhe ruan freskinë e saj të ideve dhe të poetikës së hollë të shpirtit njerëzor në çdo kohë,ashtu siç rëndom ndodh edhe me vepra të tjera të autorëve të mëdhenj.

Romani “Endacaku i yjeve” i Xhek Londonit ka një titull mjaft simbolik.Ai shënjon ëndrrën për jetë,për të bukurën,mbart dramën që kupton njeriu kur këtë të bukur nuk e kuptoi në kohë dhe e ndjen më së shumti kur ndodhet në bashkekzistencë me të shëmtuarën,qelitë e burgut dhe shëmtinë e instinktit të tij vrasës. Pra, afron një katarsis të habitshëm dhe kuptimplotë.

Personazhi e pranon fajin,por nuk bindet që ky faj të bëhet një pengesë për dashurinë për jetën dhe këtu është drama e tij e llahtarshme psikologjike,dramë që shtjellohet duke i dhënë krah kujtesës dhe fantazisë, ku tablotë dhe sekuencat e bukurisë dhe njomështisë së jetës shpalosen me shpejtësi marramendëse.

Zbulimi i kësaj drame nuk vjen gradualisht, por që në fillim,por ajo thellohet prej çasteve dhe episodeve të pafundme përmes kujtesës,ndërsa romani mbetet një trallisje e vazhdueshme e kësaj kujtese,që shënjohen në dy kohët e personazhit, për të arritur te koha e tretëe asgjësë.

Stili i Londonit është mjaft i lakmueshëm,i thjeshtë,i bukur,fluid,i mbushur me sentenca dhe me mësime mbi jetën. Ky autor ka sjellë edhe në vepra të tjera realitetin e ashpër amerikan të atyre viteve,duke e ndërthurur atë bukur me fatin e njeriut vullnet-hekurt dhe të bindur në aftësitë e tij.Narracioni,përgjithësisht në vetën e parë, nuk mëton në prirje të stërgjatura të frazës për të rënë në tendenca të sforcuara filozofike,përkundrazi ai është një rrëfim që përmes ndodhive interesante të jetës, zbulon filozofinë e saj. Ky është arti i madh,kjo është veçori e talentit të Londonit, i cili di të vërë në drejtpeshojë jetën me filozofinë dhe jo filozofinë si abstraksion i ftohtë, ku duhet të gjejmë kuptime të fshehta që mbyllin njëra-tjetrën si në çark.

Personazhe të gjalla,të mbushur me jetë e drama të mëdha, aq të fuqishme,sa duket sikur janë afër nesh, na rrëfejnë për jetën dhe të fshehtat e shpirtit njerëzor, për të keqen dhe mizoritë e saj,por më së shumti sesi duhet ta vlerësojmë jetën edhe në ndonjë çast kur verbtazi e harrojmë bukurinë e saj.

Përshkrime tëshumta,plot detaje dhe pamje interesante, ku çdo personazh ka fytyrën e tij të gdhendur e bën këtë roman të këndshëm, por njëherit dëshmon për vëzhgimin e hollë psikologjik,aftësinë përshkruese dhe tipizimin e fuqishëm në një vertikale individualizuese të thellë. Përshkrimet mbushen me një informacion jetësor dhe të besueshëm, informacion që mban gjallë dinamizmin e rrëfimit dhe nuk mundesh,nëse e fillon, ta lëshosh këtë vepër brilante nga dora,që është sjellë me mjeshtëri në shqip nga përkthyesi Asllan Saraçi.

Leave a Reply

Your email address will not be published.