DASHURIA

Carlos FUENTES

Në Jukatan (Yucatán), ujët nuk duket kurrë. Rrjedh nën tokë, poshtë një manteli të brishtë dheu dhe guri gëlqeror. Herë-herë, kjo shtrojë delikate jukatanase shfaqet me sy uji apo me pellgje uji – puset shpellore -, që dëshmojnë ekzistencën e rrymave të nëndheshme misterioze. Besoj se dashuria është si lumenjtë e fshehtë dhe burimet e papandehshëm të Jukatanit. Jetët tona ngjajnë shpesh me humnerat e thella, të cilave nuk do t’u gjendej fundi, nëse në shtratin e zbrazëtisë së tyre nuk do të rridhte një lumë, i qetë e ndonjëherë i lundrueshëm, mundet i rrëmbyer, i gjerë ose i ngushtë, por gjithmonë përqafim uji që nuk na lë të zhdukemi përgjithmonë në hapësirën e asgjësë. Mundësia dhe rreziku i të shpresuarit në vend të rrezikut pa asnjë shpresë.

Në qoftë se dashuria është lumë që rrjedh dhe ushqen jetën, kjo nuk tregon se dashuria dhe cilësitë e saj më të çmuara – mirësia, bukuria, ngrohtësia, solidariteti, kujtimi, miqësia, dëshira, pasioni, intimiteti, shpirtgjerësia, vetë ëndja për të dashuruar dhe për të qenë i dashuruar – e përjashtojnë atë që duket sikur e mohon: të keqen. Në jetën politike është e mundur të bindesh se veprohet nga dashuria për një popull dhe përfundon duke e shkatërruar atë popull, duke ndërsyer urrejtjen – nga brenda dhe nga jashtë. Për shembull, nuk e vë në dyshim që Hitleri e donte Gjermaninë. Por qysh me Mainkampf-in e tij bëri të ditur se dashuria për Gjermaninë ishte e pandashme nga urrejtja për ata që Hitleri i shikonte si armiq të Gjermanisë. Kjo dashuri, e ushqyer nga urrejtja për të tjerët, u shpreh qartë në një politikë të së keqes më të pashembullt në histori. Qysh në fillim, Hitleri deklaroi se, për të arritur të mirën, do të praktikonte politikën e së keqes. Ndryshe nga Stalini, i cili nuk do të guxonte ta quante me emrin e saj dhe do ta mbështillte të keqen me flamurin e një ideologjie perëndimore – marksizmin – për të bërë tmerre, po ashtu si Hitleri, ky i fundit nuk e maskoi aspak të keqen. Dashuria e Hitlerit për të keqen e çoi atë drejt një apokalipsi flakadanësh vagnerian, mu në mes të Berlinit. Ndërsa dashuria e Stalinit për të keqen u shfaq me rrënimin e ngadaltë të një Kremlini prej rëre të shpëlarë nga valë, të lehta por të vazhdueshme, të së njëjtës histori, që Diktatura e Proletariatit mëtonte të mishëronte. Ndërsa nazizmi u shemb si një dragua i tmerrshëm i plagosur, komunizmi sovjetik u zvarrit drejt vdekjes si një krimb i sëmurë. Fanfer dhe Obllomov.

Markezi de Sade, po ashtu, propozon një dashuri të së keqes që lyp kënaqësinë e trupit për të shkaktuar dhimbjen e trupit dhe deri zhdukjen e tij mortale. Dashuria sadiste, na thotë Markezi de Sade, mund të jetë një e keqe për viktimën, por është një e mirë supreme për xhelatin. Megjithatë, Sade nuk pretendonte ta çonte vizionin e tij monstruoz të së keqes si të mirë në praktikë. Ai nuk ishte politikan, ishte shkrimtar, pothuaj përherë i burgosur, pra i paaftë për të vepruar, veç i lirë vetëm në mbretërinë e fantazisë. Atje ishte mbret i krijimit. Ai na paralajmëron: «Jam shthuranak, por nuk jam delikuent e as vrasës.»

Ka edhe një formë tjetër të maskuar të së keqes të paraqitur si dashuri. Kjo konsiston në imponimin e vullnetit tonë ndaj tjetrit “për të mirën e tij”, domethënë, nga dashuria për të, ia ndryshojmë fatin atij dhe e zhveshim prej lirisë, gjithnjë në emër të dashurisë. Temë e vazhdueshme në letërsi që, për mua, askush nuk e ka trajtuar me aq qartësi sa FransoisMauriac (gazetar, kritik dhe shkrimtar francez. Nobelist në letërsi (1952). Njihet si një nga shkrimtarët e mëdhenj të shekullit XX), një autor që më ka çuar peshë në rininë time. ThérèseDesqueyroux, Le Désert de l’amour, Le Noeud de vipéres, Le Baiseraulépreux, Le Mal, janë romanet e tij për të keqen zvetënuese që, duke tentuar të bëjë të mirën, shemb apo shkatërron aftësinë për të dashur, e manipuluar nga feja, nga parat e, mbi të gjitha, nga normat shoqërore dhe fariseizmi. ThérèseDesqueyroux, në kulmin e dramës së shtrimit të rrugës drejt ferrit për qëllime të mira, vret në emër të një faji të vjetër për të shpëtuar hybris-in familjar me çmimin e shëndetit të vet. Shoqëria, familja, nderi, përcaktojnë kështu, në emër të dashurisë ndaj këtyre institucioneve, skllavërinë erotike dhe krimin plot pasion të heroinës.

Lëvdata e dashurisë si realitet apo aspiratë supreme e qenies njerëzore nuk mund e as duhet ta harrojë vëllazërinë e së keqes edhe pse, në thelb, në shumicën e rasteve, e kapërcen atë. E fashit, po kurrë nuk e mposht dot përfundimisht. Dashuria lyp patjetër një mjegull dyshimi kundër së keqes që i zë prit. Veç jo vetëm kjo mjegull, por vetë zemërimi i qiellit, davariten te kënaqësia, ëmbëlsia, nganjëherë, pasioni i verbër, lumturia, qoftë kjo edhe kalimtare, e dashurisë, ashtu siç e përjetojnë si burrat dhe gratë. Pasioni më i fortë e më i dhembshur mund të degjenerojë në monotoni, në bezdisje, me kalimin e kohës. Një çift fillon njohjen me njëri-tjetrin, sepse, mbi të gjitha, nuk njiheshin. Gjithçka është e papritur. Kur nuk ka më të papritur, dashuria mund të vdesë. Nganjëherë, synon të rifitojë mrekullinë fillestare, por në fund kupton se, herën e dytë, mrekullia tashmë është vetëm nostalgji. Përshtatja me të përditshmen mund të shihet nga disa si një ngarkesë e rëndë – një fund i shkretë, i përsëritshëm dhe i mërzitshëm, oaza e vetme e të cilit është vdekja, televizori apo dhoma veças. Por, po ashtu, sa çifte nuk kanë zbuluar dot te kjo rutinë dashurinë e vërtetë e më të qëndrueshme, që mban dhe ruan shumë mirë paninë dhe mbështetjen, të cilat, gjithashtu, janë emra të dashurisë. A nuk është një tjetër shkretëtirë, përvëluese gjatë ditës dhe e akullt gjatë natës, ajo e pasionit të pareshtur, e mundimshme deri në atë shkallë sa protagonistët e mëdhenj të dashurisë romantike preferojnë më mirë vdekjen e re dhe të apasionuar në kulmin e vet, se sa humbjen e pasionit në grinë e jetës së përditshme? A mund të plakeshin së bashku Romeo dhe Zhulieta? Ndoshta. Por i riu Werter nuk mund t’i përfundonte ditët e tij duke parë BigBrother në televizor si e vetmja mënyrë pjesëmarrëse zëvendësuese në pasione më pak gjumashe se të tijat.

Dashuria kërkon që të jetë kënaqësi e plotë, sa më gjatë të jetë e mundur. Kjo ndodh kur dëshira lulëzon nga brenda dhe shkon deri te duart, te gishtat, te kofshët, te beli, te mishi i ngritur dhe te mishi i hapur, te ledhatimet dhe te pulsi i dorës që rreh, tek universi i lëkurës së dashur, kur të dashuruarit janë të kthyer në botën e tërë, janë kthyer në zërat që pëshpëritin në heshtje, janë kthyer në bekim të brendshëm të gjithçkaje. Ndodh kur nuk e mendojmë fare se kjo do të marrë fund. Ose kur mendojmë për gjithçka, për të mos menduar tek ajo apo për t’i dhënë lirinë dhe shkurtësinë e vet më të gjatë kënaqësisë mishtore dhe i japim të drejtë San Agostinit që thotë se dashuria është more bestiarum, por me një ndryshim: vetëm ne qeniet njerëzore (lër mënjanë pozicionet e ndërlikuara) bëjmë dashuri duke u parë në fytyrë. Për kafshën nuk ka përjashtime. Për ne, përjashtimi kafshëror është rregulli njerëzor.

Kur është më e madhe lumturia e dashurisë? Në aktin e dashurisë apo në hopin përpara, apo në përfytyrimin e asaj që do të ishte lidhja dashurore që vjen? Apo hareja sfilitëse e kujtimit dhe përsëri dëshira e plotë, e shtuar nga etja për një akt tjetër dashurie, është lumturi? Kjo kënaqësi e dashurisë na lë pa mend. Si është e mundur që e tërë qenia jonë, me gjithçka ka, përhumbet në mishin dhe vështrimin e qenies së dashur dhe, njëherazi, në dashuri, duke humbur kuptimin e botës jashtë dashurisë? Si është e mundur? Si paguhet kjo dashuri, kjo kënaqësi, ky iluzion?

Çmimet me të cilat bota blen dashurinë janë të larmishme. Por, ashtu si në teatro dhe në stadiume, ka bileta me çmime të ndryshme për vende të ndryshme apo për karrige të preferuara. Vështrimi është biletë e domosdoshme për dashurinë. Një fjalë e urtë thotë se dashuria hynë nëpërmjet syve. Në të vërtetë, kur biem në dashuri, gjithë bota nuk ekziston në vështrimin tonë dhe ne kemi sy vetëm për qenien që dashurojmë. Një natë, në Buenos Aires, jo pa u skuqur në fytyrë, gjithë emocion e, njëherazi, turp, zbulova një tjetër dimension të vështrimit dashuror: mungesën e tij. Mikesha jonë LuizaValenzuela (shkrimtare dhe gazetare argjentinase) na çoi, mua dhe time shoqe, në një vend tangoje, diku te AvenidaRivadavia, që s’ka të mbaruar. Një sallon i veçantë balloje, ku s’kishte turistë e as lojëra dritash, strobelights verbuese. Një sallon i njohur lagjeje, një orkestër me piano, violinë dhe harmonikë. Njerëzit të ulur në karrige të mbështetura për muri, si në festat familjare. Çifte të të gjitha moshave dhe përmasave. Dhe një mbretëreshë e pistës së vallëzimit. Një vashëz e verbër, me syze të errëta dhe me fustan plot lule. Një DeliaGarses (artiste argjentinase, kinemaje dhe teatri, me një bukuri fizike të pashoqe. E njohur si “dama e çiltër”. Një nga yjet më të shquara të kinemasë së artë argjentinase në dekadat 40-50) e rilindur. Ishte balerina më e duartrokitur. Linte mbi karrige bastunin e saj të bardhë dhe dilte e vallëzonte pa parë, ama, duke qenë e soditur. Vallëzonte në mënyrë të mrekullueshme. I jepte tangos përkufizimin e SantosDiscépolo (kompozitor, dramaturg dhe kineast argjentinas): «Është një mendim i trishtë, që vallëzohet.» Ishte një formë e bukur dhe e çuditshme dashurie vallëzimi, njëherazi, në dritë dhe në errësirë. Gjysmëdritë.

Po ashtu, “muzgu i brendshëm”, me kalimin e kohës, na mëson se mund të duam edhe të metat e qenies së dashur. Nuk e duam, duke e anashkaluar, të metën e qenies së dashur, por e duam pse e ka atë të metë. Sepse një lloj mangësie, një defekt i vlerësueshëm, na e bën më të dashur personin që duam, jo pse na bën të besojmë tek epërsia jonë – grekët e lashtë e ndëshkonin hybris-in si fyerje tragjike, më shumë kundër kufijve njerëzor se kundër perëndive -, veç, përkundrazi, ngaqë na lejon të pranojmë pikërisht të metat tona dhe, me përpikëri, na bën më të barabartë. Kjo ndryshon nga forma tjetër e dashurisë, që është vullneti për të dashuruar. Bëmë e dykuptimtë, ku dinakëria apo një formë miqësie për leverdi, për të cilën Aristoteli na thotë se mund të shfaqet me valëvitjen e flamujve të solidaritetit, por gjithashtu mund dalë e veshur edhe me leckat e përfitimit vetjak. Duhet t’i kemi shumë të qarta këto dy lloj dashurie, sepse e para është shpirtmadhësi e pastër, ndërsa e dyta i përket vetëm egoizmit.

«Një egoizëm i përsosur midis të dyve» është formula, tepër franceze, siç e përcakton SashaGuitri (aktor, dramaturg dhe skenarist francez, me origjinë ruse) dashurinë, duke i dhënë një pamje ironike vetë intimitetit. Egoizmi i përbashkët do të thotë, nga njëra anë, të pranosh, të tolerosh apo të ruash maturinë përballë mjerimeve të shumta që, sipas fjalëve të Hamletit, «mishi trashëgon». Por thjesht egoizmi – vetmia e plotë dhe koprrace -, jo vetëm është ndarje nga tjetri, por edhe nga vetvetja. Mbi të gjitha, nuk mungon ai që thotë se çasti më i mirë i dashurisë është ndarja, vetmia, melankolia e kujtimeve, momenti vetmitar… Gjendje e parapëlqyeshme për melankolinë e dashurisë që kurrë nuk ka ndodhur nga nxitimi, nga mospërfillja, nga mungesa e kohës. «Nuk pati kohë. Nuk pati kohë për fjalën e fundit. Nuk pati kohë për të thënë të gjitha gjërat e dashurisë.»

Vullnet apo zakon, shpirtmadhësi apo papërsosmëri, bukuri dhe tërësi, intimitet dhe ndarje, dashuria, ky akt human, si çdo gjë humane, paguan çmimin e një fundi. Në qoftë se dashuria bëhet synimi më i sigurt dhe kënaqësia më e padyshimtë e jetës sonë, kjo ndodh ngaqë, sepse është e tillë ose për të qenë e tillë, duhet të ëndërrohet e kufizuar vetëm sepse, fatalisht, është e kufizuar. Dashuria, vetëm në vetvete ngjizet pa kufi. Në të njëjtën kohë, të dashuruarit e dinë (edhe pse nga pasioni ata verbohen dhe e mohojnë një gjë të tillë) se dashuria e tyre do të ketë kufij – nëse jo në jetë, me siguri me vdekjen e saj që, sipas Bataille (shkrimtar, antropolog dhe mendimtar francez), është perandoria e erotizmit real: «Vazhdimi i dashurisë më të zjarrtë në mungesë për shkak të vdekjes së qenies së dashur.» Kati dhe Hitklif te romani Majat e stuhishme i EmilyBronte. PedroParamo dhe Suzana San Huan te romani PedroPáramo i Huan Rulfos. Por, në jetë, a na kënaq plotësisht më absolutja dhe më e madhja e dashurive? Mos vallë në jetën tonë duam gjithmonë më shumë? Nëse do të ishim të pambarimtë, do të ishim Zot, thotë poeti. Por, të paktën duam të dashurojmë pafundësisht. Dashuria jonë është gati hyjnore. Është vështrimi ynë i perëndimit dhe vështrimi ynë prej Perëndie.

Dashtë Zoti që lexuesi i këtij shkrimi gjen format e larmishme të dashurisë në çdo shkronjë të alfabetit tim personal. Megjithatë, ka një formë dashurie që kam dëshirë ta vë në dukje, me qëllim që ta keni gjithnjë parasysh. Është cilësia e përkujdesjes. Dashuria vetë si përkujdesje. Të përkujdesesh për të dashurin. T’i jepesh përkujdesjes. Sepse përkujdesja ekstreme është aftësia krijuese dhe prirja e saj është dashuria.

Filozofja me origjinë hungareze, AgnesHeller, shkruan se etika është çështje përgjegjësie personale, përgjegjësi që e marrim në emër të një personi tjetër: përgjigja jonë ndaj thirrjes së tjetrit. Çdo etikë kulmon në një moral të përgjegjësisë: moralisht jemi përgjegjës për veten tonë dhe për të tjerët. Megjithatë, si mundet vetëm një person të bëhet përgjegjës për të gjithë? Kjo është pyetja qendrore e romaneve të Dostojevskit.

Si mund të rroket përvoja e plotë e një njerëzimi të vuajtur, të poshtëruar, të shumëdëshiruar? – e pyet Dostojevski, me dëshpërim rinor, kritikun më të madh rus të kohës së vet, VisarionGregorieviçBielinskin. Përgjigja e kritikut ishte, jashtë mase, e saktë: «Fillo vetëm me një qenie njerëzore. Me atë që ke më pranë. Kape me dashuri dorën e burrit të fundit, e gruas së fundit, që ke parë, dhe në sytë e tij apo të saj do të shohësh të pasqyrohen hallet, përvojat dhe dashuria e gjithë njerëzimit.»

(Në shqip: B. Karabolli)

Leave a Reply

Your email address will not be published.