-“Dashuri e nëmur në Maligrad”, Luan Rama, botim në maqedonisht, botoi “Jon Media”-Tetovë
Nga Daut DAUTI
Viti 2021, ishte një vit i mbarë për romanin “Dashuri e nëmur në Maligrad”, për shkak të vazhdimit të rrugëtimit artistik të tij në një gjuhë tjetër. Nga fundi i vitit 2020, Shtëpia Botuese “Jon Media” m’u drejtua për t’i dhënë ndonjë propozim për ndonjë përkthyes nga shqipja në maqedonisht që do ta përkthente këtë roman të shkrimtarit, publicistit, kineastit, Luan Rama. Më shkoi mendja te disa sish, por në një çast u ndala dhe thashë, pse të mos e sprovoj veten unë, në një kohë që kisha pak më tepër kohë të lirë. Më duhet të them se i kam ikur rrekjes së përkthimeve nga një përgjegjësi që e konsideroj të madhe që një vepër ta sjellësh në një gjuhë tjetër, ku nuk lejohen improvizime. Në këtë fushë, kisha përkthyer ca poezi të miat dhe të ndonjë poeti tjetër, e tek në vitin 2020 kisha bërë një punë paksa më të madhe, duke përkthyer maqedonisht një përmbledhje timen me poezi. Aventura ime me një prozë të gjatë do të ishte thikë me dy tehe, por isha i gatshëm të marr çdo përgjegjësi, ndoshta edhe për ta thyer atë kompleks që ia kisha krijuar vetes padashtas.
Botuesi Zeqirja Ismaili më dha disa njohuri për këtë vepër, më dha “orientirët” pse do të ishte me interes për lexuesit në gjuhën maqedonas: se strumbullari i romanit është një dashuri fatkeqe në kohën e Luftës së Parë Botërore që zhvillohet në Prespën e Vogël (në Shqipëri), mjedis i njohur për pjesëtarët e kombësisë maqedonase. Elementi “temë” dhe “vendngjarje”, me protagonistë që tërheqin përnjëmend vëmendjen e lexuesit në Maqedoni, ishte një element kërshërie për ta lexuar, e pastaj dhe për ta marrë përgjegjësinë e përkthimit. (Disa miq dhe adhurues të letërsisë së mirëfilltë, më kanë thënë se puna ime me këtë roman është kryer me sukses, sikundër edhe me përmbledhjen e poezive…)
Ka edhe një element tjetër interesant, që në një moment më bëri paksa skeptik. Kur e mora romanin e plotë, nuk më dilnin më shumë se 60 faqe me standardin kompjuterik. Thashë me vete: roman apo novelë? Duke mos i njohur krejtësisht “të fshehtat” e faqosjes, konsideroja se edhe në formatin e librit nuk do të mund të kalojë më shumë se 100 faqe, ndaj i propozova botuesit ta shtypë si “libër xhepi” që nuk është gjë e panjohur, që duke shtuar numrin e faqeve, të krijojë iluzionin se është më i gjatë…Por…
Por, i gjithë skepticizmi im ra në ujë me të lexuar dhe përkthyer romanin. Miqve që u kam dhënë ndonjë kopje u kam thënë se romani lexohet me një frymë. Ata që e kanë lexuar, janë pajtuar me këtë. Sepse, vërtet është një rrëfim romanesk që përpihet shpejt, ngjarjet zhvillohen si kuadro filmike dhe elementi i kërshërisë që e ceka më sipër, por tash në kontekst të fabulës, poashtu është element plotësues për ta lexuar me një frymë. “Mungesa” e faqeve për një roman klasik (a thua teoria e letërsisë e ka caktuar minimumin ose maksimumin e gjatësisë!?), zëvendësohet me aq shumë ngjarje, sa ky “hendikep” nuk ndihet fare.
Po çka u ofron lexuesve romani i Luan Ramës?
U ofron një rrëfim për mallkimin e një dashurie të sinqertë të rinjsh në një kohë lufte. “Mallkimi” nuk qëndron vetëm te përfundimi tragjik i saj, por i gjithë asaj që i paraprin, ose më saktë, “parakushtet” që determinojnë një përfundim të tillë. Është lufta e parë botërore, gjëja e parë që e shton pasigurinë. Një ushtar i një ushtrie të huaj (njërës nga ushtritë e tubuara në një territor të vogël kur nuk e di cila është më miqësore e cila më pak miqësore) që dashurohet me një vajzë të një vendi tjetër, që në një mile ballkanik të njeriut me mendësi të kthyer nga vetja, dashuria e një vajze me një ushtar të huaj, vetvetiu përbën “problem” komunikimi e pranimi. Vajza e dashuruar është një maqedonase nga një fshat i Prespës, ndërsa ushtari është një çek, pjesë e ushtrisë të perandorisë austro-hungareze. Pra, pengesa e parë është pikërisht përballja e këtij mentaliteti të mbyllur, qoftë në nivelin e familjes, qoftë në atë të mjedisit, aq më tepër kur është në pyetje vajza. Klishe, do të thoshim, që çon drejt një tragjizmi që nga ikja e Helenës së Trojës te Ilijada, e përmes Shekspirit (shkrimtari i njohur Luan Starova, në pasthënien e librit e quan “dashuri shekspiriane”), kur një dashuri ndodhet në vorbullën e armiqësive, qoftë midis dy popujve a shteteve, qoftë midis dy familjeve. Por, këtu s’është shkaktar i tragjedisë kjo, por një klishe tjetër, që do t’ia lëmë lexuesit ta zbulojë duke e zbërthyer romanin me të lexuar.
Romani e ka në qendër dashurinë që lind sponatisht midis një femre të bukur dhe një djaloshi të pashëm në uniformë, me më shumë se tetë dekada kohë pas, me enigmën që pak kush e ka ditur si përfunduan. Një çift tjetër të dashuruarish, njëri i angazhuar në muze, e tjetra mësuese, i bien pas kësaj enigme deri në fshatin e Prespës së Vogël, sepse kanë gjetur një element të mbetur, çanta luftarake, ca filma të pazhvilluar të fotoaparatit, matrikulla e ushtarit dhe një ditar në gjuhën çeke…Gjurmimi bëhet në një kohë të vlimeve paralajmëruese për rënien e regjimit komunist, që i jep një dramaticitet shtesë, por, pjesa më mbresëlënëse e romanit është kur ndërfutet rrëfimi i përkthyesit (Stavrit) të ditarit të ushtarit, me historinë e vet të dashurisë (me çekosllovaken Katerina), po ashtu tragjike, por në një mënyrë tjetër, burimi i së cilës është ideologjia.
Përshtypja e Luan Starovës se gjersa lexon këtë roman, sikur lexon disa sish përnjëherë, gjithsesi vjen nga gërshetimi i këtyre dy rrëfimeve të dashurisë në kontekste të ndryshme kohore, të inhibuara nga rrethanat të cilat kanë determinuar përfundimin e tyre tragjik. Ka dhe një rrëfim të tretë, atë të Edit dhe Helenës, protagonistë të kohës më të re, të kohës kasnec ndryshimesh, por ajo nuk do të ngritët në nivelin e dy rrëfimeve të tjera, pikërisht nga shkaku se në këtë kohë ndryshimesh në dashurinë e tyre dhe nuk ka mbetur ndonjë barrierë që duhet kaluar, ndonjë barrierë që mund të shkaktonte një tragjizëm të ri. Por, gjithsesi, e bukura e rrëfimit të dashurisë së tyre është ndërlidhja me dy të tjerat dhe ecja drejt zbërthimit të mistereve që ato kanë lënë në kohë, sidomos ajo midis ushtarit çek Jaromir dhe vajzës Aleksandra. Kjo dashuri, siç na e tregon romansieri Luan Rama, ka marrë përmasat e një legjende për Vajzën e Liqenit, jo rastësisht. Fillimi spontan i gjurmimit të emrit, për të dalë spontanisht te ‘shenjat” treguese të rrugës që do të çojnë te e vërteta për një dashuri të zjarrtë, fshehtësinë e së cilës do ta gjejmë në një shpellë (Shpella e Eremitit), sado që edhe familja është munduar të mbajë si sekret shumë dekada, e cila në fund dhe do të dalë në shesh me gjithë tragjizmin e vet që ndërlidhet me ato pak faqe ditari të shpalosura nga “trashëgimia” e mbetur e ushtarit në një çantë. Të gjitha këto në roman marrin një zbërthim dhe përfundim logjik, me motivin e tragjizmit dhe “rolin” që në një dashuri të një vashe të vendit, me një të huaj, e ka “i treti”, personazhi i fshehur…
Letërsia shqiptare, pas rënies së komunizmit, me të madhe i është kthyer së kaluarës më të afërt për t’u marrë me bëmat e regjimit, i cili në mes tjerash, ka prodhuar armiq të brendshëm dhe të jashtëm. Një gjë e tillë sigurisht, “prodhimi” i armiqve, është bërë për arsyet që dihen: për të gjetur alibinë pse revolucioni në praktikë nuk i jep rezultatet e premtuara dhe e dyta, mjet për të ruajtur pushtetin. Në një dolli që kisha ngritur në një tubim shkencor në mesin e albanologëve rusë, bjellorusë, italianë, shqiptarë, në SanktPeterburg, para më shumë se dy dekadash, pata thënë midis tjerësh se ideologjia komuniste, sado e mbrapshtë dhe e ktheu njerëzimin prapa, krijoi disa raporte midis popujve që nuk mund të paramendoheshin më parë. Dhe e kisha parasysh pikërisht për bllokun socialist, afërsinë që krijoi një periudhë…Por atë vit, në Sankt Peterburg takova një zonjë me të birin e tij që kishte një histori prapa, që është pasojë e pikërisht atyre rrethanave për mënyrën se si blloku socialist funksiononte me internacionalizmin proletar, e kjo kur ajo miqësi e popujve, prishej po për shkaqe ideologjike. Zonjën në fjalë e kujtova sepse ajo ishte një ruse e cila kishe ardhur në ato vite të miqësisë sovjetiko-shqiptare, e cila ishte dashuruar në një burrë shqiptar dhe me të cilin ishte martuar dhe kishte krijuar familje. Pas prishjes së marrëdhënieve, ajo dhe shumë të tjera si ajo, kanë qenë të detyruara që me vendim të Partisë, të lëshojnë vendin, ose të bartin pasojat e tyre nëse mbeten, duke iu vënë dyshimi si spiune dhe armike të sistemit…Djali i kësaj zonje, të cilin po ashtu e kisha takuar atje, kishte shkuar pas së ëmës dhe kishte mbetur të jetojë një kohë me të…E njëjta gjë, në romanin “Një dashuri e nëmur në Maligrad” na rrëfehet përmes dashurisë së Stavrit, ish studentit shqiptar në Çekosllovaki, me Katerinën, me të cilët martohet. Dhe, siç mund të merrni me mend, në kohën e prishjes së marrëdhënieve në bllokun socialist, kjo dashuri do të vihet në sprovë dhe ajo sprovë është rruga pa kthim e ndarjes: Katerina e huaj detyrohet të largohet nga Shqipëria, përkundër dashurisë së zjarrtë me të zgjedhurin e saj, përkundër faktit se tashmë ishte me fëmijë…Është tejet mbresëlënës kalimi i natës së fundit dhe përcjellja në aeroport dhe gjithë ajo që mund lexuesi dhe njeriu para së gjithash ta paramendojë ç’do të thotë që një çift (e këtu bëhet fjalë për qindra e ndoshta mijëra raste të tilla) të ndahet për shkak të ideologjisë, pasi të ketë ngjizur dashurinë e sinqertë me pasardhës të tyre…
Pra, kur ke të gërshetuara dy-tri shtresa rrëfimesh në një tekst “të shkurtër”, teksti bëhet shumë i ngushtë, i “gatshëm” të shpërthejë kornizat “ngushtake”. Dora mjeshtërore e romansierit ndërfut situata, dialogë dhe përshkrime të shumta mbresëlënëse, për të mos ndjerë në asnjë moment shterje dramaticiteti. Si një kineast i dëshmuar (autor skenari për shumë filma artistikë ose dokumentarë), këto situata i ndërron tamam si në një shirit filmi dhe mund të shpreh kënaqësinë që më ra hise që atë t’ia sjell lexuesit maqedonas të përkthyer, për t’u njohur sadopak me vlerat artistike të këtij romani. (Nga libri “Ai çast frymëzimi..”)