DE RADA I PAPËRFUNDUAR…

Vepra e De Radës shfaqet sot, në shekullin tonë, “e përjetshme” (domethënë ruan kuptim dhe vlerë për të gjitha kohët), dhe “historike” (domethënë kalon nëpër një proces të vazhdueshëm “zhvillimi”)

Floresha DADO

S’ka vlerë një autor nëse mendohet se ka përfunduar interpretimi i veprës së tij. Është e dyshimtë një metodë studimi, nëse mendohet se, përmes saj, interpretimi dhe e vërteta kanë arritur harmoninë e plotë. Është larg së vërtetës nëse pretendohet se çdo periudhë interpretimi hedh poshtë gjithçka që periudhat e mëparshme kishin arritur. Këto paradigma të ashpra i konfirmon vetë vepra letrare, e cila, në misterin e komponentëve të brendshëm të saj, sfidon studiuesit, bën që ata, në çdo kohë, t’i kthehen e rikthehen krijimtarisë së një autori, me qasje dhe konstatime të reja, shpesh herë të ndryshme nga të mëparshmet. Në këtë kuptim edhe krijimtaria e De Radës ishte një kurth për studiuesit e tre shekujve: në shekullin XIX ajo erdhi aq befasuese sa mendimi kritik i kohës nuk kishte nivelin që t’i qasej në tërësinë e vet kësaj dukurie të re letrare. Shekulli XX u përpoq ta rrokte në shumanshmërinë e vlerave, por nuk arriti ta bënte shteruese këtë rrokje, shumë aspekte të rëndësishme mbetën në horizont të hapur. Fundi i fundit të shekullit XX dhe fillimi i shekulli XXI, nisi të sfidojë me qasje, pak ose aspak të aplikuara më parë, duke sjellë sfida dhe teza të reja. Në këtë kuptim vepra e De Radës shfaqet sot, në shekullin tonë, “e përjetshme” (domethënë ruan kuptim dhe vlerë për të gjitha kohët), dhe “historike” (domethënë kalon nëpër një proces të vazhdueshëm “zhvillimi”). Metodologjia e studimit të këtij korpusi letrar, nëse do të mbyllej në kufijtë e një periudhe, duke shpërfillur kapërcimin e kufijve kohorë, do të sillte largimin ndaj këtij sistemi. E tashmja jashtëkohore e krijimtarisë deradiane, do të thotë që ky prodhim letrar, i gati dy shekujve të mëparshëm, është aktiv, madje më shumë në periudhën e sotme, përmes studimeve komplekse, që orientohen si nga thelbi i letërsisë, si lloj arti, ashtu dhe nga thelbi i veprës së De Radës, si i papërsëritshëm në specifikat artistike të tij.

Kalimet nga shekulli XIX te shekulli XX Nëse i referohemi Shuteriqit sipas të cilit shekulli XVIII përgatiti kthesën e madhe që u shënua në pjesën e parë të shek. 19 dhe se prodhimi letrar arbëresh ngrihet në nivelin e një letërsie artistike dhe nis një etapë e re, e cilësisë më të lartë, kjo sigurisht ka një pikë referimi themelore: krijimtarinë e De Radës. Por, po aq e saktë është ideja e R. Qosjes sipas të cilit horizonti i pritjes së poetit gjatë shek. 19 dhe 20 është i kufizuar sepse vlerën e tij e sheh si formues artistik, kulturor dhe shoqëror, pra vetëm në funksionin e saj kombëtar. Studiuesi arbëresh Albert Straticò kish sqaruar më parë, se vepra e tij synonte të ndërtonte një pamje të shkurtër, por komplete, të lëvizjes letrare të shqiptarëve nga kohët e vjetra deri në ditët tona (pra fundi i shekullit XIX, viti 1896). Ndërsa studimin e M. Markianoit mbi De Radën, ndonëse botohet më 1902, mund ta konsiderojmë si frut të vëzhgimeve dhe studimit të fundit të shekullit XIX, ku shfaqet paksa metodë psikologjike, paksa biografike, paksa vështrim krahasimtar, pak metodë filologjike dhe analizë stilistikore, por dhe impresioniste. Megjithë rëndësinë e trajtimit të këtyre aspekteve, mbetet karakteri i kufizuar i interpretimit, ndonëse dimë se debati mbi veprën e De Radës u ndez që në shek. 19, vazhdoi edhe në shek. 20. Gjithsesi, ajo që karakterizon shek. XIX është raporti jo logjik midis veprës së tij letrare me ndikim të fuqishëm dhe varfërisë së mendimit kritik mbi të. Në shekullin XX shkenca e letërsisë, sidomos ajo e brenda kufijve të Shqipërisë, u formua si pozitiviste, në tri modalitete metodologjike: vështrim sociologjik i fenomenit letrar, metoda biografike e interpretimit dhe pikëvështrimi psikologjist, çka bëri që shkrimet të jenë kryesisht njohëse, informuese. Por, historicizmi i të menduarit nga gjysma e dytë e këtij shekulli rishfaqet nëpër Evropë me një pamje të re, thelbi i së cilës ishte: metodë e bazuar në leximin paralel të teksteve letrare dhe jo-letrare, zakonisht të së njëjtës periudhë historike. Në këtë qasje sundon pikëpamja që e sheh letërsinë jo në linjën e vazhdimësisë dhe zhvillimit, por kryesisht nën pushtetin e një force sinkronike, si një forcë produktive, gjenerative. Kështu romantizmi i De Radës u interpretua vetëm nën pushtetin e një force sinkronike: idesë së ndjenjës kombëtare, që karakterizon lëvizjen shpirtërore të shekullit XIX. Por, përmes edhe analizës diakronike u bënë përpjekje të nxirrej në pah kategoria e re estetike, romantizmi i poetit, si dhe shpjegimi se në ç’masë kjo risi letrare modifikoi perspektivën e zhvillimit të letërsisë shqiptare. Studimet mbi De Radën gjatë këtij shekulli janë pafund. Gjysma e dytë e shekullit XX dhe deri në ditët e sotme, shënon kthesë të rëndësishme në interpretimin e veprës letrare të De Radës. Në korpusin studimor shfaqet një orientim i ri: interpretimi i raportit midis autonomisë semantike të tekstit dhe vlerësimit sipas kontekstit, rrethanave të interpretuesit. Nëse do i referoheshim pikëpamjes së Hajdegerit, sipas së cilës të kuptuarit është një ndërmjetës, përmes të cilit bota vjen te njeriu, i cili në një farë kuptimi karakterizon qenien e tij, apo tezës së Gadamer se çdo epokë duhet ta kuptojë një tekst të transmetuar në mënyrën e vet, do të dilte pyetja: cila do të ishte përmasa e kësaj teze në ristudimin e veprave të kolosit të letërsisë arbëreshe? Nëse një vepër letrare është konsideruar nga teoricienë dhe filozofë jo thjesht si produkt i së shkuarës, por edhe si prodhuese e së ardhmes, kjo do të thotë se gjeneza dhe pozicioni i veprave të De Radës, në koleksionin e kohës së vet, është i pandashëm nga pritja në kohën e sotme. Kodet e lexuesve të mëparshëm (shek. XIX dhe fillimi XX) shihen më pranë me ato të tekstit, ndërsa kodet e lexuesit të sotëm patjetër ndryshojnë më shumë, çka krijon një hendek midis leximit dhe kodit të tekstit. Në këtë kuptim, në aspektin metodologjik, studimet e shekullit XXI nisen për të shkuar më tej, për të përcaktuar se në ç’përmasa kodi letrar i korpusit deradian ka bërë të ekzistojë, madje të thellohet edhe sot e kësaj dite, përmasa e këtij hendeku. Gjatë gjysmës së dytë të shekullit XX dhe fillimit të shek. XXI mund të përcaktojmë disa grupime metodologjike të studimeve mbi De Radën, si :

– studime / kritika që mbështeten në parimin mimetik, – studime / kritika që vlerësojnë karakterin ekspresiv të imagjinatës romantike të autorit;- studime/ kritika që synojnë t’i kërkojnë vlerat letrare në cilësitë gjuhësore formale të veprave; studime/ kritika, që vlerat e veprave ia nënshtrojnë lirshëm përjetimeve të studiuesit. Në këto grupime studiues arbëreshë, nga Shqipëria dhe nga Kosova, shfaqen me pozicionime edhe të ndryshme.  Nga ana tjetër, studimet që kanë ndjekur krijimtarinë e De Radës gjatë dy shekujve, në aspektin tipologjik do të ishin edhe:

– lexim historik, që e përvijon veprën për të gjetur pritjen e lexuesit të kohës së vet. Kjo qasje i përket shekullit kur u botua Milosao dhe në vazhdim në shekullin XX.

– lexim shpjegues dhe të distancuar, që i ka parë veprat si përgjigje ndaj kuptimit që mendohet se ka dhënë poeti. Kjo mënyrë ka mbizotëruar gjatë shekullit XX.

– lexim ku pranohen shumësi interpretimesh, që e gjejmë më shumë nga fundi i shek. XX dhe fillimi shekullit tonë.

– lexim estetik dhe i drejtpërdrejtë, që njeh lojën e teksteve, marrëdhëniet strukturore. Siç e thamë kjo është një qasje e sotme. Kështu, në kalimin nga fundi i shekullit XX dhe fillimi i shekullit tonë përvijohen:

1) Studime ku, nga njëra anë poetika e poetit interpretohet në drejtimin letrar të romantizmit; nga ana tjetër prirja për të zbuluar tipare të brendshme filozofiko-letrare të papërsëritshme. Përgjithësisht kemi një rrokje të gjerë, ku përfshihen disa aspekte të kontekstit dhe përmbajtjesore…

2) Rezultate të reja sjellin studime, më të pakta, që nisen nga koncepti metodologjik që e koncepton veprën si strukturë, si raport dhe marrëdhënie të fjalëve dhe shprehjeve poetike. Koncepti i strukturës së brendshme kuptimore, që rrjedh nga këto marrëdhënie specifike, nxiti debatin mbi tezën e fragmentarizmit të poemës Milosao. Për herë të parë moderniteti i veprës së poetit shpjegohet edhe me sistemin e strukturimit të mesazhit poetik, me prishjen e rrjedhës së perceptimit normal të realitetit, me marrëdhëniet midis rrafshit të jashtëm, sipërfaqësor dhe rrafshit të brendshëm thelbësor. Në aspektin metodologjik ndiqet koncepti i makro dhe mikrostrukturës, duke gërmuar lidhjet e brendshme në gjithë korpusin letrar deradian. Kështu fillimi i shek. XXI (viti 2000) sjell interpretime që vënë në diskutim teza të mëparshme….

3) Fundi i shek. XX, dhe sidomos, fillimi i shekullit tonë, sot që flasim, ka sjellë një qasje të vrullshme gjallëruese të metodës filologjike-letrare, me rezultate befasuese në kuptimin dhe interpretimin e korpusit letrar të De Radës. Duke thelluar një traditë paraardhëse, studiuesit e sotëm F. Altimari, M. Mandalà, etj. i japin metodës së rindërtimit filologjik të tekstit, të varianteve, një hop cilësor dhe peshë metodologjike të pavlerësuar sa duhet në historinë e studimeve letrare shqiptare. Pas një qasjeje, në dukje filologjike, vjen stabilizimi i teksteve dhe konteksteve, leximet e krahasuara, plotësimet e kuptimeve të brendshme të teksteve…Vijnë provokime për të konceptuar një skemë origjinale të strukturave të veprave në veçanti dhe në makrostrukturë artistike, qasje e re midis varianteve, duke kombinuar metoda sa semiotike-strukturore, aq edhe kontekstuale. Studiuesi Mandalà hedh teza të reja për kuptimin e projektit të vërtetë letrar të De Radës; duke hyrë në makrostrukturën artistike të poetit bëhen përpjekje për të interpretuar thelbin e brendshëm të vetëdijes dhe intuitës së tij krijuese. Kjo qasje e re filologjike-letrare konfirmon një orientim metodologjik të domosdoshëm, kur është fjala jo vetëm për korpusin gjigand të De Radës, por të gjithë autorëve të traditës sonë letrare, jo vetëm arbëreshe. Nëse ndalemi vetëm në studimet dhe interpretimet e bëra në konferencat, e organizuara në këtë vit përkujtimor, mund të tipologjizojmë tre grupime themelore: së pari vijnë fakte të reja mbi aktivitetin politik të poetit, marrëdhëniet me shkrimtarë e personalitete përtej kufijve të Italisë, si dhe të dhëna që sfidojnë çështje të periodizimit të Historisë së Letërsisë; së dyti vihet re zgjerim i qasjeve tekstologjike, si një çështje e rëndësishme për plotësimin e përfytyrimit të autenticitetit të procesit artistik të De Radës; së treti – depërtime origjinale në sistemin e brendshëm poetik të veprës së poetit, çka dëshmon shkuarjen e studimeve tona letrare në shtratin e vërtetë të interpretimit të letërsisë. Suksesi i vërtetë sot është kapërcimi i gjithpranimit të interpretimeve. Mendoj se jemi në fazën më të rëndësishme dhe më interesante të studimeve deradiane.

* * *

Nëse do të pajtoheshim me pikëpamjen se interpretimi është “arti i shmangies së keqkuptimeve”, atëherë edhe sot, në shekullin XXI, çdo qasje, në aspektin metodologjik hap para studiuesve një numër supozimesh për praktikën e interpretimit. Si vepra e De Radës, ashtu dhe studiuesi i ditëve të sotme, janë të dy kompleksë: kjo do të thotë se vepra e tij nuk ekziston vetëm sepse është një lojë e caktuar në ndërtimin e një sistemi shënjuesish. Këtë lojë poeti e ka bërë të funksionojë një herë, kurse studiuesit e kanë parë dhe e shohin pafundësisht herë. Vepra e tij ka me interpretuesit e sotëm një takim historik, në rrethana të reja. Ajo është e papërfunduar, sepse çdo interpretim, edhe në konferencën tonë, nuk synon një rindërtim të ardhshëm, të përsosur, të plotë të kuptimit artistik, por, përkundrazi, është një akt ruajtje i së kaluarës në vetëdijet e studiuesit të sotëm, për ta përcjellë të hapur edhe për nesër. Për këtë arsye poezia e De Radës do mbetet gjithnjë “e papërfunduar”…

Leave a Reply

Your email address will not be published.