DEFINICIONI I NJERIUT NË UDHËKRYQ

Njeriu, në veprën e tij, nuk vjen thjesht dhe vetëm si një qenie e pushtuar nga e keqja; autori di që në mënyrë tepër fine të apelojë për njohjen e vetvetes dhe për përsosjen e jetës, së pari individuale. Këtë ai e bën nëpërmjet një simbolike që josh brenda kompleksit krijues

Majlinda RAMA

Franz Kafka, lindur në PragëAustro-Hungarisë, sot Republika Çeke, është padyshim një nga shkrimtarët e padiskutueshëm që i dha prozës së gjatë një tjetër ritëm. Edhe pse jeta e tij krijuese zgjati pak dhe pjesa dërrmuese e shkrimeve mbetën të pambaruara, ai ka hyrë në letërsinë botërore si një prej ikonave të letërsisë perëndimore, duke krijuar një kështjellë të re perceptimi mbi ekzistencën e njeriut. Kafka u bë autori më origjinal, origjinalitet që lexohej njësoj në të gjitha vendet e botës e përkthehej në realitet bashkudhëtues i çdo shteti, qyteti apo regjioni. Përshkrimet, idetë, qasjet, sjelljet hapur e pa korniza zbukuruese, do të tundnin themelet e memories botërore në shek. XX.

Romani “Procesi” u bë shtylla kryesore ku do të mbështeteshin më pas dhjetëra autorë e që do të studiohej me etje nga kritikë e studiues. Kjo vepër u botua në vitin 1926, dy vjet pas vdekjes së autorit nga miku i tij (sekretari) MaksBrod. Ky i fundit e përgatiti vetë librin për botim, megjithëse Kafka kishte kërkuar që ai, romani, dhe shumë të tjera krijime të tij, të digjeshin, të zhdukeshin. Brod, ndër të tjera u deklarua se vetë autori e konsideronte në fakt të papërfunduar, pasi romani në formë dhe përmbajtje ishte tërësisht i mbyllur dhe, për këtë, ai do të shprehej: “Kur mora dorëshkrimin e ‘Procesit’, e lexova me një frymë. Nuk kishte titull, por Kafka kështu e quante sa herë binte fjala për të. Këtë libër, vetë Kafka e quante të papërfunduar, pavarësisht se e kishte kreun e fundit. Ai mendonte se duhej të shtonte disa anë të tjera të atij procesi misterioz. Por, megjithatë, po të mos e dija se Kafka ka pasur ndërmend ta vijonte punën me këtë roman, unë nuk do të gjeja asnjë mangësi në të”.Kafka, edhe pse vetëm 41 vjeç (vdekja), ka njohur mirë funksionimin e jetës në një realitet të zymtë. Ai, në mënyrë gati-gati të frikshme, paraqet një tablo të qartë ku njeriu hidhet në luftë me drejtësinë.

Një sinops i “Procesit”:Jozef K., një nëpunës banke në një qytet thuajse të panjohur, një njeri në kufijtë e së rëndomtës, arrestohet një mëngjes nga dy policë. Akuzohet për një krim, por që nuk i bëhet me dije as vetë të arrestuarit dhe as lexuesit. Ndaj Jozef K.-së nuk ka një akuzë të përcaktuar, si dhe cfarë krimi ka kryer dhe procesi i tij mbetet pezull. Në pritje të asaj që do të ndodhë më pas, Jozef K. njeh funksionalitetin e një sërë komponentëve, që nga format absurde të gjykatave, hierarkinë e posteve dhe mekanizmat vepruese. K. imagjinon marifete nga më të dëshpëruarat, që zbulojnë para tij ingranazhe të pakuptueshme dhe mbytëse. Ai nuk di kujt t’i besojë, kështu që ulet vetë të përpilojë mbrojten e vet në të cilën kërkon falje për cdo gjë që ka bërë, duke firmosur, në këtë mënyrë, aktin e fajësisë dhe dënimin e vet. Në fund, atë e vrasin dy policët që e kishin arrestuar në fillim. Jozef K.-në e vrasin “si një qen”dhe me këto fjalë, me të cilat personazhi përcakton veten, mbyllet libri.

Njeriu, në veprën e tij, nuk vjen thjesht dhe vetëm si një qenie e pushtuar nga e keqja; autori di që në mënyrë tepër fine të apelojë për njohjen e vetvetes dhe për përsosjen e jetës, së pari individuale. Këtë ai e bën nëpërmjet një simbolike që josh brenda kompleksit krijues.

 “Josef K. jetonte në një shtet ligjor, kudo mbretëronte paqja dhe në fuqi ishin ligjet. Ç’ishin ata që guxonin ta cenonin në shtëpinë e tij?”.

Mjafton t’i referohemi këtij fragmenti të romanit, për të bërë një vertikale të përmbajtjes e tematikës përmes penës së ashpër e fshikulluese të autorit. Në një realitet të rraskapitur, ku njeriu i thjeshtë, i mirë e pa shumë pretendime, përbaltet, përbuzet, denigrohet deri në marrjen e jetës. Kjo është një skenë e dhimbshme, por njëherësh edhe ironike, sa vetë kauza për të cilën lufton vepra kafkiane.

Po ashtu, sikurse është lënë e hapur edhe më herët, mundësia e një përthyerjeje teologjike brenda “procesit” është gjithmonë prezente. Në tërësi, tezat themelore fetare apo doktrinat fetare janë një element i logjikës për një jetë më të mirë në të përtejmen; “belbëzoi K. dhe iu duk sikur trupi do të mbijetonte edhe pas tij”,-shprehet Kafka në çastin e fundit të jetës së personazhit të tij.

 Pra, ajo që ndoshta e mundon Kafkën, është mosbindja e rregullave fetare, që sillte edhe pasoja dhe, pikërisht për këtë, ai ngre krye duke mbrojtur tezën se qenia njerëzore është qenie njerëzore dhe jo të gjithë i njohin këto rregulla e kuptojnë këtë logjikë ligji.

Kështu, K. parashtron historinë e një individi si trashëgues i mëkatit, që dëbohet pamëshirshëm nga Parajsa a për t’iu nënshtruar pasojave si mëkatar i ligjeve burimore. K-ja nuk gjen asnjë shpëtim, nuk di dhe as i thotë kush se ç’faj a krim ka bërë. Tek ai vepron tanimë ndëshkimi kolektiv, si e mirë e përgjithshme. Ky paradoks nis si dramë-dyshim dhe mbyllet si tragjedi e fatit njerëzor.

Fakti që Kafka ishte me prejardhje çifute, bëri që ai të kthehej në një prijës i fatit njerëzor të popullit të tij, gati-gati në parashikues…K., ky qytetar i ndershëm e nëpunës banke, duket se po pushtohet e po anatemohet nga forca të errëta që as ai e askush tjetër nuk do të mund t’i përcaktonte apo t’i sillte si trajtë, për të gjetur me tej një zgjidhje. Problemi me njeriun që dergjet pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore, nuk vjen thjesht si një e keqe për popullin e Kafkës, por për të gjitha qeniet e rruzullit, të cilat do të përjetonin paralelisht dhimbje të formave të ndryshme. Kafka, më shumë se kushdo, do të duhej të shkruante jo për t’u bërë divert, por për të përshkruar me transparencë letrare e reale atë që shihej në sfond me fakte tronditëse e me fate të destinuara të shuheshin, përndiqeshin e shpërndaheshin anekënd botës, me dëshirën e madhe të shfarosjes masive. Ky motiv i qenësishëm, nuk kish se si të mos kapej nga vëzhgimi i hollë i Kafkës.

Pra, si një pararendës, Kafka udhëhoqi mendjet njerëzore, duke i paralajmëruar për gjëmën e zezë që mund t’u vinte më pas. Jozef K. ishte njeriu i parakohshëm i dënuar të vuante, pasi, më vonë, me miliona njerëz do të dënoheshin me vdekje e do të internoheshin pa kryer krime.

Kafka këtu arrin të përcaktojë qartë një motiv tërësisht të dukshëm në këtë kohë të mbrapshtë, ku logjikja nuk të çon në ndonjë zgjidhje konkrete në një vend ku sundon ligji i më të fortit, si nevojë për të jetuar. Problemi që bëhet strumbullar rreth figurës së Jozef K. mbetet vetëm fati i tij i keq që ka lindur si i tillë, pra është ai që është dhe që ka lindur njeri.

Pra, autori sqaron në mënyrën më të qartë, më lineare, se fatet e njerëzve nënshkruhen nga fuqitë mbi ta. Ato vendosin nëse ai, njeriu, jeton, vdes dhe si vdes. Kjo ide tejçohet mbi sistemet e ndërtuara që e bënin çdo individ të kishte si destinatë të qenit fajtor pa faj. Kjo damkë dukej e ndihej kudo.

Jozef K., hero a viktimë, nuk është udhëheqës i fatit të vet, ai është një njeri qytetar, njeri që bindet, edhe pse s’i paraqesin asnjë argument. Ai është populli, është masa, është turma. Por ai është njeri.Si një ekzistencial i lindur në letërsinë e atij harku kohor, Kafka rend pas misionit të përgjithshëm për të shpëtuar botët: “Vetëm kur shkrimtari rastësinë mund ta kthejë në ligj dhe ta bëjë njeriun të pavdekshëm, vetëm atëherë ai ka një rol në art dhe vetëm atëherë roli i tij është profetik”. Po, në fakt, çfarë ishte ajo që e bënte të lirë një njeri në një vend ku “sundonte” ligji?

K-ja është vendosur në thundër të pushtetit absurd, ku njeriu si qenie, mjedisi, arsyeja, gjithësia, dhe të ekzistuarit si tërësi, nuk kanë asnjë kuptim të qartë dhe nuk mund kurrsesi të krijohet një relacion mes të gjitha këtyre elementeve. Njëra operon në mënyrë injoruese ndaj tjetrës. Kafka jep përshkrim të detajuar të zymtësisë që ka kapluar atë botë, pa na dhënë ndonjë version zgjidhjeje e ndëshkimi.

Në rrethin e Perandorisë së Habsburgut, ku shtrihet kjo vepër letrare, çdo individ mund të gjendej përballë drejtësisë së munguar. I akuzuar, i pambrojtur, fajtor për gjëra që askush nuk ua gjente dot arsyen. Por, në çdo vend ku regjimet totalitare nuk flinin, padyshim që do të kishte të tilla produksione fatkeqe. Jo më kot Kafka do të shprehej: “Njerëzimi bëhet një masë e përhime, pa trajtë dhe anonime, kur heq dorë nga ligji që i jep trajtat”.

Përsa i përket ndërtimit, Kafka, edhe pse ka tri personazhe realizuese të ngjarjes tragjike, xhelatët i trajton sikur të jenë një individ. Kjo, për të theksuar edhe më shumë fytyrën e institucionit. Pra, ata nuk janë njerëz që vrasin, por institucion që vret në emër të absurdit.

Madje, autori i vendos këta të ndërlidhur e ndërvarur me njëri-tjetrin, a thua se vërtet ekzekutori dhe viktima duhet të bashkëjetojnë, se nuk bëjnë dot pa njëri-tjetrin. Kjo është pikërisht ajo që e bën më therëse këtë filozofi të jetës njerëzore. Të dyja anët e medaljes sjellin përkrah qenie njerëzore, por lufta për mbijetesë i klasifikon në të mirë e të këqij… Njeriu vret njeriun…

Fati i viktimës së xhelatëve, “të zbehtë e të shëndoshë”, siç përshkruan autori, për të paraqitur fytyrën e vdekjes, ka një tragjicitet shumëplanësh. Personazhi dënohet pa bërë krim, por, si të mos mjaftojë kjo, ai vdes i vetëm fare, në një natë pus, ku askush s’mund t’i shkojë në ndihmë, për ta hequr nga këto kthetra. E vetmja dritarëz që hapet tinëz, e bën K-në të shpresojë, duke gërmëzuar: “Kush ishte? Ndonjë mik? Ndonjë njeri i mirë? Ndonjë që donte ta mbronte?… Mos vallë mund të bëhej gjë?”.

Por mënyra e ekzekutimit është një tjetër fakt tronditës që njeriun e zhvleftëson si të tillë, e trajton si të jetë objekt, pa shpirt, pa të drejta, pa asgjë. E gjithë shoqëria është e heshtur, e shurdhët, e verbër, e largët, një bashkëfajtore e ekzekutimit.

“Procesi” mbetet kryevepër, si për tematikën e sjellë, ashtu edhe për veprimin, përshkrimin, dialogun lakonik, elementet stilistike.“Procesi” gjendet në çdo kohë, te çdo komunitet a rracë njerëzore, pasi përçon mesazhe të qenësishme mbi ekzistencën e njeriut, si një frymor që duhet t’i sigurohen të drejtat dhe liritë, pa kushtëzime, pa ndërligjje, pa kërkuar haraçe, si një nder që i bëhet. Ky realitet vazhdon të jetë një kërcënim serioz për popuj të pambrojtur, me të cilët shoqëria ka shkëputur fijet.

Leave a Reply

Your email address will not be published.