DEGRADIMI I VLERAVE LETRARE

Tabloja aktuale e realitetit tonë letrar duket dëshpëruese, me perspektiva të pakta për një rikthim në rrjedhat normale që do të shënonin hapa progresivë

Zyrafete SHALA

Erozioni i vlerave letrare në mjedisin tonë duket se tani ka tejkaluar kufijtë e një shqetësimi thjesht intelektual, për të evoluuar në një vuajtje serioze që gjithnjë e më tepër po varfëron aftësinë tonë kolektive për të bërë dallimin e asaj që është vlerë estetike, nga ajo që pretendon të ofrohet si e tillë. Në sfondin e fjalëve të shkruara me nxitim dhe mendimeve të pa artikuluara deri në fund, na shfaqet një shoqëri e dashuruar në aktin e të shkruarit, por mjerisht tejet indiferente ndaj esencës së mjeshtërisë së vërtetë letrare. Shpërfillja e shenjtërisë së fjalës së shkruar dhe mungesa e përgjegjësisë ndaj aktit të krijimit, që ka rezultuar me vërshimin enorm të botimeve, duket se ka goditur rëndë në veçanti poezinë, edhe pse nuk mund të thuhet se kanë shpëtuar lehtë as zhanret e tjera. Poezia, ajo që dikur konsiderohej akt sublim i eksplorimit të guximshëm të thellësive të qenies dhe botës, ajo që Lasgushi e njihte si angazhim të shpirtrave të lartë, tani po nëpërkëmbet nga turmat e fiksuara në arritjen e kënaqësisë e menjëhershme, që po e përdorin atë si mjet për arritjen e famës kalimtare.

Akti krijues, si një nga mënyrat e përfshirjes në thellësinë dhe kompleksitetin e nuancave të jetës, ka intriguar për kërkim të mëtejmë filozofët, psikologët, studiuesit e fushave të ndryshme, por edhe vetë poetët, mendimet e të cilëve kanë përvijuar kornizën teorike të poezisë si krijim. Reflektimet e mendjeve të urta që përgjatë shekujve i janë qasur krijimit si njërit prej angazhimeve më fisnike të homo sapiensit, në kakofoninë e përditshme që na servohet si art, ndonjëherë krijojnë përshtypjen e zërave që vijnë nga një univers tjetër. Aristoteli e konsideroi poezinë si një imitim të realitetit, duke u fokusuar në paraqitjen e veprimeve dhe emocioneve njerëzore. Ai theksoi përdorimin e gjuhës, ritmit dhe harmonisë në poezi. Ndërkohë që Horaci theksoi qëllimin e dyfishtë të poezisë – dulce et utile, duke besuar në fuqinë e poezisë në argëtim dhe edukim; pra ndërthurjes së kënaqësisë estetike me elemente etike e didaktike. Duke i cilësuar poetët si ligjvënës të panjohur të botës, Percy Shelley në esenë A Defense of Poetry, e paraqet poezinë si një forcë për ndryshime shoqërore dhe politike, të aftë për të ngritur shpirtin njerëzor. Më tej Wordsworthi besonte se poezia duhej të lindte nga vërshimi spontan i ndjenjave të fuqishme dhe të pasqyronte lidhjen e poetit me natyrën. T.S.Elioti në esenë e tij Tradita dhe Talenti Individual, diskutoi konceptin e korrelativit objektiv apo përcjelljen e emocioneve përmes simboleve të jashtme, konkrete. Dhe së fundi, mbase duhet ndalur te mendimi i Rainer Maria Rilkes që krijimin e poezisë e paraqet si ekuivalent të të jetuarit, apo, thënë në mënyrë më të qartë, sipas Rilkes kushdo që mund të jetoj pa shkruar poezi, duhet të heq dorë nga ajo, për t’ua lënë poezinë atyre që nuk mund të frymojnë dot pa shkruar.

Mirëpo, mënyra se si po trajtohet sot te ne, jo vetëm që e zhvesh poezinë nga aureola e magjisë që e ka mbështjellë atë ndër shekuj, por edhe e zbret në terrenin e vulgaritetit të përditshëm dhe e bën pasqyrë të degradimit intelektual dhe cektësisë emocionale. Prirjen për nëpërkëmbjen e vlerave dhe guximin e shfrenuar për të bërë karrierë në terrene të panjohura i ka identifikuar qysh herët Fishta, madje edhe ka ironizuar me to: Due me thânë, se për ç’do zanat, qi do me kap nieri, duhet nji farë pregatitje gjithkund (…). Vetëm âsht nji zanát, qi në Shqypní s’lypë kurrfarë pregatitje: letersija! Është e vështirë të thuhet se në çfarë niveli ishte asokohe, por aktualisht, kjo dukuri duket se ka arritur kulmet e saj. Me qenë se letërsia përfaqëson vlerat e trashëguara nga njëri brez tek tjetri, thellësinë kulturore, historinë, shpirtin krijues të një populli dhe identitetin e tij, atëherë është e domosdoshme, për të mos thënë emergjente, një qasje serioze ndaj saj. Kjo përgjegjësi bie në radhë të parë mbi profesionistët dhe institucionet kompetente, por edhe mbi këdo që i konsideron si të shtrenjta këto vlera. Me këtë nuk duhet nënkuptuar në asnjë mënyrë kufizimin e lirisë së krijimit apo botimit, por angazhimin kolektiv për të nxitur krijimin e një mjedisi letrar që ofron mundësinë e ngritjes së shijes estetike të lexuesve, por edhe kultivimin e përgjegjësisë ndaj fjalës së shkruar dhe përgjegjësisë në dhënien e vlerësimeve.

Tabloja aktuale e realitetit tonë letrar duket dëshpëruese, me perspektiva të pakta për një rikthim në rrjedhat normale që do të shënonin hapa progresivë. Përtej sferës individuale të autorëve, një sërë fraksionesh letrare dhe platformash digjitale përkrahin dhe lartësojnë me këmbëngulje vargjet boshe, të cilat më shumë i ngjajnë një pirgu figurash stilistike pa funksion, sesa një kompozimi të mirëfilltë poetik. Fatkeqësisht, këto të ashtuquajtura ‘krijime’ vazhdojnë të lartësohen në mënyrë të paarsyeshme, jo vetëm nga ata që kanë njohuri të kufizuara në sferën e letërsisë, por, në mënyrë alarmante, edhe nga profesionistët e fushës. Arsyet që i motivojnë këta të fundit për të zbritur në nivele të tilla dëshpëruese mund të jenë, sa të ndryshme, aq edhe të parëndësishme, megjithatë, mungesa e përgjegjësisë për dëmin që vlerësimet e tyre i shkaktojnë letërsisë, mbetet një çështje që kërkon sqarim. Inkurajimi i pseudovlerave bart në vete rrezikimin e integritetit të standardeve letrare në përgjithësi, ndërsa devijimet e tilla të mbështjella me petkun mashtrues përbëjnë një kërcënim të vërtetë për thelbin dhe vitalitetin e trashëgimisë sonë letrare. Për më tepër, më shumë se mbi ata që duan të njihen si poetë, përgjegjësia për këtë bie mbi ata profesionistë që koketojnë me pseudokrijuesit, ngase kompetenca profesionale duhet të jetë mburojë kundër gërryerjes së vlerave letrare, e jo të kontribuojë në zhdukjen e tyre.

Nëse vlerësimi i drejtë nuk është lehtë të shpallet në situata të veçanta, atëherë, indiferenca dhe heshtja, ndonëse nuk ofrojnë zgjidhje, mund të jenë më të preferueshme sesa bashkëfajësia në zhvlerësimin e standardeve letrare dhe përvetësimi i një kulture lavdërimi të pasinqertë. Kritika konstruktive, e ofruar me takt dhe respekt, është një kontribut shumë më i vlefshëm për komunitetin letrar sesa vërshimi pa kriter i lavdërimeve. Pasojat që sjell ngurrimi në dhënien e vlerësimeve të ndershme brenda sferës së poezisë shtrihen përtej veprave apo poetëve individualë; ato shtrijnë hijen mbi tërë peizazhin e vlerësimit letrar. Ndërsa mbivlerësimi i shfrenuar që një profesionist u bën krijimeve pa ose me vlera të dyshimta, në njërën anë krijon një cikël mediokriteti, që nxit shumimin e shkrimeve të cekëta dhe pa fuqinë transformuese që zotëron poezia e vërtetë, ndërsa në anën tjetër inkurajon një armatë të tërë të ‘poetëve’ të vetëshpallur, që të insistojnë në rrugën e nisur, por edhe e redukton poezinë në një mall të thjeshtë, mall që kërkon aprovimin e masave përmes popullaritetit dhe jo përmes vlerës estetike letrare. Së fundi, ajo që është më e rëndësishme, e tërë kjo dinamikë të rinjve që sapo kanë filluar të hapërojnë në botën e poezisë, jo vetëm u jep shembullin më të keq, por edhe i bën konfuzë në identifikimin e vlerave, duke u imponuar krijime mediokre në vend të arritjeve të vërteta letrare.

Refuzimi për t’iu bashkuar rrjedhës, në këtë rast, nënkupton aprovimin e kulturës progresive dhe bojkotimin e garës për t’u lartësuar, duke shkelur mbi vlerat letrare e artistike që po japin shpirt nën gërmadhat e kulturës kombëtare. Koha do të tregojë se nga ajo mori emrash që sot pretendojnë se i bëjnë nder letërsisë shqipe, do të jenë të pakët ata që me veprat e tyre do të arrijnë të komunikojnë me brezat, sepse jo çdo brez do të ketë lexues me shije të varfër estetike. Degradimi i vlerave letrare është një sfidë që kërkon introspeksion kolektiv dhe një angazhim të ripërtërirë për të ushqyer një kulturë që nderon fjalën e shkruar. Është koha që të heqim dorë nga insistimi për të përmbushur egot narcistike, të angazhohemi në ngritjen e shijes estetike, të mos i vëmë në lojë vlerat e trashëguara letrare dhe ta kuptojmë se letërsia nuk është thjesht pasqyrim i identitetit kulturor, por është forcë udhëzuese që ka potencialin të formësojë ndërgjegjen tonë kolektive dhe të ndikojë në drejtimin e përparimit shoqëror.

Leave a Reply

Your email address will not be published.