Kuptimi zvogëlues e përkëdhelës që Lasgushi ua jep fjalëve në poezitë e tij, në rend të parë, motivohet nga vetë tematika e tyre
Hysen MATOSHI
Njëra nga veçoritë gjuhësore dhe stilistike të poezisë së Lasgush Poradecit është edhe përdorimi mjaft i dendur i deminutivëve. Fillimisht shtrohet çështja nëse deminutivët do të mund të konsideroheshin si një përbërës i rëndësishëm stilistik kundruar në kontekstin e totalitetit të veprës letrare, sidomos po të merret parasysh fakti se te ne, në të kaluarën, pak ose aspak janë trajtuar si të tillë? Lidhur me çështjen e vlerës së secilit përbërës një përgjigje e jep studiuesi i njohur Volfgang Kajzer: Synimi i shkencës së letërsisë, para së gjithash, është i orientuar në të kuptuarit dhe të interpretuarit e veprës letrare. Puna e tillë nuk synon që ta shqyrtojë veçmas secilën formë gjuhësore, por kontributin e saj për strukturën e gjithmbarshme të veprës letrare… Kjo bëhet bëhet me qëllim që të krijohet një pamje tërësore për veprën. Kjo punë, prandaj synon sintezën. Stili është term sintetizues për tërësinë në kuadër të së cilës hyjnë të gjitha format gjuhësore të një vepre . Pra, po qe se mbështetemi në kriterin kontribut i një forme gjuhësore , për të cilin bën fjalë Kajzeri, do të konkludonim se rëndësia e deminutivëve në kontekstin e trajtimit stilistik del e pashmangshme. Kjo gjë mund të pohohet më pak kur është fjala për dendurinë e fjalëve që marrin kuptim zvogëlues (sado që numri i tyre është i konsiderueshëm) dhe shumë më shumë për faktin se ato i japin një ngjyrim tërësisht të veçantë stilistik e gjuhësor poezisë së Lasgushit, ndaj vlera e tyre në rend të parë është funksionale. Kuptimi zvogëlues e përkëdhelës që Lasgushi ua jep fjalëve në poezitë e tij, në rend të parë, motivohet nga vetë tematika e tyre. Kështu, mund të vërejmë se deminutivët, në të shumtën e herave, ndeshen te krijimet me temë të dashurisë, andaj edhe mund të pohohet se deminutivimi i fjalëve është në funksion të krijimit të një situate më të të butë adapte për temën e dashurisë – dhe për rrjedhojë ato krijojnë një ngjyrim përkëdhelie. Format e fjalëve, si: vashëza, zemërzë, syçkëzat, façkat, qipallëzë etj. krijojnë një lidhje të pashkëputshme me përmbajtjen erotike të lirikave të Lasgushit, herë duke e krijuar sfondin mbi të cilin do të këndohet kjo tematikë, herë duke e përshkruar bukurinë fizike të vashës. Dëshmi sesi e krijon atmosferën e butësisë për poezitë e tij të dashurisë mund të jenë këto dy strofa:
Ti po vjen që prej së largu magjiplote-e dal-nga-dal.
Ti po vjen që prej së largu dyke shkitur mbi lëndina.
Nënë thembërzat e tua përgëzohet trendelina,
Shtrihet lulejamitare e zëmbakut që t u fal.
E si shkon me hap të matur më pushton një dhembshuri:
Do të tretemtë kullohemnë kalimtë këmbës s ate,
T i pushtoj i llaftaruar ato hapëza mëkate
Ndaj kalon mbi tufë lulesh madhërisht si yll i ri.
Fjalët thembërzat dhe hapëzat, të përdorura si deminutivë në këto vargje, sado që nuk krijojnë kuptime të reja leksikore, përmes karakterit zvogëlues-përkëdhelës që marrin në saje të prapashtesës (ë)z, i japin një ngjyrim të ri dhe një ngarkesë të veçantë emocionale poezisë. Lasgushi si krijues me talent dhe veçmas me një kulturë të gjerë nga fusha e arteve përgjithësisht dëshmohet edhe si njohës i mirë i kategorive estetike: ai është i vetëdijshëm se simpatikja si kategori estetike ndërlidhet me të voglën, të brishtën, andaj hapat kthehen në hapëza, thembrat e vashës shndërrohen në thembërza dhe vetë vasha në vashëz. Gjithashtu, duke deminutivizuar një fjalë, pra duke krijuar një kuptim zvogëlues, Lasgushi synon që ta rrisë shprehshmërinë e tij poetike, ta përqendrojë vëmendjen e recipientit pikërisht në fjalën së cilës i vë një prapashtesë zvogëluese.
Është e ditur se deminutivët, kundruar nga aspekti i qëllimit të përdorimit, mund të jenë trefarësh: deminutivë që shprehin një kuptim përkëdhelës, zvogëlues (ndonjëherë në të njëjtën kohë edhe përkëdhelës edhe zvogëlues) dhe pezhorativ. Duke përjashtuar llojin e tretë, që pothuajse nuk haset në krijimet e Lasgushit, do të themi se kuptimi që shprehin deminutivët e tij janë kryesisht të simbiozës përkëdheli-zvogëlim. Sa i përket formimit të deminutivëve Lasgushi përdor disa nga prapashtesat që në gjuhën shqipe në këtë funksion hasen më dendur. Pa dyshin që prapashtesa më e pranishme në këtë kontekst është prapashtesa zë (por ndeshet edhe si ëz dhe z, varësisht nga përbërja tingullore e fjalës që deminutivizohet). Funksioni i saj i rëndomtë edhe në poezinë e Lasgushit është të krijuarit e kuptimeve zvogëluese-përkëdhelëse të cilat e rritin shprehësinë e poezisë së tij, ndërsa sa u përket pjesëve të ligjëratës emrat janë ata që zotërojnë shumicën e fjalësit të deminutivizuar. Kështu veçojmë këta emra që marrin prapashtesën zë (ëz dhe z): zemrëzën (e ndeshim edhe trajtën zembrëz), vashëza, motrëzën (e ndeshin edhe trajtën e deminutivizuar motriçka, që mbase pasqyron ndikimin e deminutivizimit në të folmen lokale), klithmëz, hapëza, thembërzat, qipallëzën, shkronjëz, pasqyrëz, cipëzën, lesh-verdhëza, këngëzën, fjalëzë, mesditëza, herëzën, fluturëz, pushkëzën, gunëz, korijëza, lëndinëza, bimëzat, lodërzat, gropëzën, napëzën etj. Lasgushi nuk ngurron që ta deminutivizojë edhe ndonjë emër të përveçëm, siç ndodh me emrin e Nafijes (të fejuarës dhe më vonë gruas së tij), të cilën në ditarin lirik të paraluftës e quan Nafijezë. Pra, nga sa mund të shihet me këtë prapashtesë, në pajtim me natyrën e shqipes janë deminutivizuar emra të gjinisë femërore, mirëpo po me prapashtesën zë (ëz dhe z) Lasgushi provon të krijojë deminutivë edhe nga pjesë të tjera të ligjëratës (folje, përmemër pronor) te fjalët: shihmëzë, shqipëzuar dhe (shoqe) të mijëza etj. Madje, në krijimin Zemra (Këngë), kur është fjala për përdorimin e prapashtesës zvogëluese zë, hetojmë prirjen e Lasgushit që këtë përdorim të saj ta shtrijë edhe te ndajfoljet:
Ha! tek bëj kështuzë,
Hop! të shoh këtuzë!
Ha tek bën ashtuzë,
Hop! buzë-për-buzë.
Demunitivizimi i fjalëve te Lasgushi shtrihet edhe në përngjitjet e tij aq të shpeshta. Bie fjala, në poezinë Naim Frashërit , në vargun E shashtisur po nga flaka pendë-shkruarëza flutur, ai demunitivizon përmes mbaresës ëz fjalën e dytë të përngjitjes pendë-shkruarëza, përkatësisht trajtën mbiemrore shkruarëza. Një trajtë tjetër e deminutivizimit të emrave të gjinisë femërore, të cilën e gjejmë në ditarin e tij lirik dhe që bëhet nën ndikimin e të folmes dialektore, realizohet edhe përmes prapashtesës kë: unaskë, karafilkë, gjilpërkë, nusk e lalës, siskën (ndeshet edhe trajta cickat), façkat etj.
Krahasuar me numrin e emrave të gjinisë femërore që deminutivizohen emrat e gjinisë mashkullore në këtë kontekst dalin më të paktë nga numri i tyre dhe më të rrallë nga shpeshtësia e përdorimit. Është e natyrshme që Lasgushi, poet i madh i dashurisë, butësinë e tij prej këngëtari ta shprehë ndaj botës femërore dhe aspekteve që identifikohen me të. Megjithatë, ai u jep kuptim zvogëlues e përkëdhelës edhe disa emrave të gjinisë mashkullore të cilëve ua shton prapashtesat përkatëse th dhe ush: zëth, mëmëdhethit, mjerush, trimush etj. Lasgushi gjithashu deminutivizon edhe trajtën mbiemrore i ardhur në poezinë Korrik te vargu:
Ri në shullër fatlum një zog ardhushi
Megjithëse deminutivizimi i fjalëve në poezinë e Lasgushit nuk është gjithnjë funksional, ngase aty-këtu ky veprim del në funksion të strukturës së caktuar të rimave dhe jo të ndonjë aspekti përmbajtësor, përdorimi i shpeshtë i deminutivëve në poezinë e krijuesit tonë të madh ka bërë që ajo të dallohet edhe në këtë aspekt. Në saje të përdorimit të goditur të deminutivëve gjuha dhe stili i poezive të tij kanë marrë ngjyrime kuptimore dhe sidomos theksime të reja shprehëse. Është e vërtetë se Lasgushi përmes prapashtesave të zvogëlimit dhe të përkëdhelisë fjalëve nuk u jep kuptime të reja leksikore, ngase ato mbesin edhe më tej pranë kuptimit të parë që kishin, mirëpo vlera më e madhe është se i shton aftësitë shprehëse-emocionale të gjuhës së tij poetike nga njëra anë dhe nga ana tjetër e veçon stilin e tij poetik, duke krijuar një fakt më shumë për origjinalitetin e tij krijues, sidomos kundruall poetëve bashkëkohës. Duhet të theksojmë me këtë rast se ngritja e deminutivizimit në nivelin e një përbërësi stilistik të një autori të letërsisë shqipe, megjithatë, nuk nis me Lasgushin, ngase ai, si edhe në shumë aspekte të tjera të krijimtarisë, del pasues i rrugës që kishte hapur më parë rilindësi ynë i madh, Naim Frashëri. Akademiku Rexhep Qosja, duke e njohur zvogëlimin si një nga përbërësit e stilit të Naimit, në monografinë Porosia e madhe, konstaton: Megjithëse në krijimtarinë e tij nuk kanë shtrirjen e zmadhimeve dhe megjithëse nuk janë shprehëse sa ato, edhe zvogëlimet janë një mjet letrar, që e karakterizon stilin e Naim Frashërit… Zvogëlimi në krijimtarinë e tij… mund të luajë edhe role të tjera kuptimore, emocionale dhe stilistike: mund të jetë mjet i shprehje që tregon afrinë, mëshirën, dashurinë, ironinë apo, kur e kur, edhe vogëlsinë e asaj që paraqitet. Një studim tjetër me interes për rolin e deminutivëve për përcaktimin e veçorive stilistike e gjuhësore në një vepër letrare është edhe ai i Shefkije Islamajt Deminutivët dhe hipokoristikët, pjesë e monografisë Gjuha e Jakov Xoxës veçori leksiko-semantike dhe stilistike. Përveç faktit se e ka argumentuar vlerën dhe rëndësinë e deminutivëve në veprën e njërin nga stilistët tanë më të mirë përgjithësisht, Shefkije Islamaj ka bërë edhe këtë konstatim të rëndësishëm dhe përgjithësues mbi funksionin gjuhësor e stilistik të deminutivëve: Si njësi shprehëse gjuhësore, deminutivët jo vetëm se shprehin emocionalitet, por edhe ngjyresa vlerësuese, intensiteti i të cilave dallon nga konteksti në kontekst, për çka teksti zakonisht del në pikëpamje gjuhësore e stilistike shumë më i motivuar e shprehës, madje në shumë raste, kur gërshetohet me njësi tjera shprehëse, teksti merr ton lirik të theksuar,… .Me gjithë vlerën përgjithësuese të këtij definicioni dhe me gjithë faktin se ka pikënisje veprën e një autori tjetër, mund të thuhet lirisht se, si i tillë, mjaft mirë e qartëson edhe kontekstin e përdorimit dhe të funksionalizimit të deminutivëve në veprën e Lasgush Poradecit.
Përfundimisht, Lasgushi nuk është poet që mund të krenohet për kuantitetin e fjalësit poetik, sepse, siç dihet, ai është tejet i kufizuar, dhe mund të thuhet se është ndër autorët tanë më përzgjedhës në këtë drejtim, por të veçantë si poet e bën fakti se ai mbështetet në përpunimin e fjalës, në lëmimin e shprehjeve e vargjeve dhe deminutivët janë veçse aspekt i zbatimit të këtij koncepti poetik. Teoricienë të letërsisë për dallimin ndërmjet gjuhës dhe stilit poetik, jo rrallë, e kundrojnë në shmangien e qëllimshme të shkrimtarit nga ai që konsiderohet kumtim i rëndomtë, në zgjedhjen e mënyrës që ta thonë ndryshe atë që mendojnë dhe ndiejnë. Nëse do ta merrnim parasysh këtë përkufizim në rastin e Lasgushit do të mund të përfundonim se deminutivët, vërtet, janë një nga zgjedhjet e çrëndomësimit gjuhësor, përkatësisht të formësimit të stilit të tij si krijues.