DËSHMI PËR KULTURIM

Vetëm krijimi i financave vetanake të siguruar nga konsumatorët e vlerave kulturore është dëshmi se sa një popull e do kulturën e vet dhe, sa është i kulturuar

Nga Avni HALIMI

Një prej punëve më kombëtare që ka ndodhur për këto dy e ca dekada në Maqedoninë e Veriut është presioni politik dhe ndërgjegjësimi i “shumicës” për një “diversitet administrativ” për nga kuptimi etnik. Falë kësaj këmbënguljeje shqiptare, sot administrata shtetërore përbëhet edhe nga një numër respektiv i shqiptarëve. Nëse Maqedonia e Veriut agoi në demokraci me një përqindje nën zero të përfshirjes së shqiptarëve në administratën shtetërore dhe në atë publike, sot kjo përqindje arrin diku prej 15-20 për qind, varësisht nga “fortifikimi politiko-etnik” i dikastereve qeveritare. Ka dikastere ku përfshirja e shqiptarëve në administratën përkatëse akoma llogaritet “tradhti kombëtare”!

Kategoria e vendimit

Megjithatë, situata në administratën publikë edhe më tej lë për të dëshiruar. Janë shumë institucione nacionale, drejtori, agjenci, në të cilat punësimet e shqiptarëve llogariten si kapitullim nacional! Mbi të gjitha ky hermetizim politik maqedonas vërehet sidomos nëpër institucionet nacionale kulturore, ku përfaqësimi adekuat i shqiptarëve perceptohet si diçka e kotë dhe e panevojshme! Fatkeqësisht, këtij perceptimi antishqiptar po i nënshtrohen edhe funksionarët shqiptarë. Nuk është patriotizëm dhe, madje, kurrfarë zgjidhje kombëtare punësimi me kontratë në vepër i 400-500 shqiptarëve të ngratë në Higjienën Komunale! Nuk është kurrfarë rezultati i “platformës kombëtare” punësimi me kontratë në vepër i 200-300 punëtorëve në Ujësjellës – Kanalizim apo në Parqe dhe Gjelbërime! Nuk është kurrfarë e arritur kombëtare nëse në Ministrinë e Kulturës merren poste të larta dhe aty ulen turlifarë dudukësh, të cilët nuk kanë lidhje me kulturën. Cila është iniciativa, puna dhe rezultati konkret, për shembull, i zëvendësministrit apo i sekretarit shtetëror (që të dy deri dje ishin shqiptarë) në këtë Ministri? Kapja e 25 përqindëshit nga buxheti i kësaj Ministrie nuk ishte meritë e as e njërit dhe as e tjetrit, porse ishte rrjedhojë tashmë e një tradite të arritur nga një marrëveshje politike e ngritur në LIGJ!

Këto vendime tashmë të betonizuara nuk mund të përvetësohen e të personalizohen nga asnjë funksionar! A është ndërmarrë, për shembull, ndonjë iniciativë për reagim dhe mospajtim përmes konferencave publike për të shprehur pakënaqësinë kombëtare lidhur me vendimet, qëndrimet dhe politikat retrogarde të atyre prej të cilëve varen! Po, kemi pasur konstatime të tipit, “na e bëri me hile”, “na premtoi, por nuk e mbajti fjalën”, “u morëm vesh, por në fund na e luajti komisioni” etj.! Ku është këtu pesha e vendimeve dhe qëndrimeve të funksionarëve shqiptarë? A e njohin këta kategorizimin e vendimeve apo thjesht vendosin për zhvendosje! A kanë raport dhe pasqyrë të përfaqësimit adekuat të shqiptarëve nëpër institucionet nacionale kulturore? Pse edhe pas 30 viteve çlirim nga praktika e “administratës etnike” Biblioteka Kombëtare dhe Universitare “Shën Klimenti i Ohrid” edhe më tej është me përfaqësim nën-minimal! Aty së fundmi ishte edhe një drejtor shqiptar! Ai, sa drejtoi këtë institucion u sabotua të paktën nja tri herë në iniciativat e tij për punësimin e ndonjë shqiptari! Për këtë problem kurrë nuk patëm reagim as nga drejtori, por as nga funksionarët shqiptarë në Ministrinë e Kulturës! Pati disa përgjigje negative (kryesisht për mosrespektim të afatit!) nga ana e Ministrisë së Shoqërisë Informatike dhe Administratës! Së fundmi nga Biblioteka është shtruar një kërkesë formale deri në Ministri të kulturës për punësim të dy shqiptarëve, kërkesa është përcjellë në Ministrinë e Shoqërisë Informatike, e cila më tej e ka përcjellë deri në Ministri të Financave, prej nga përgjigja ka ardhur pozitivisht! Vendet e punës janë plotësuar nga dy maqedonas, të cilët, njëri është prezantuar si shqiptarë e tjetri si rom! Pse, a nuk e dinë këtë vendim antishqiptar funksionarët shqiptarë të Ministrisë për Kulturë! Fare në fund, në kërkesën për punësimin e nja 4-5 shqiptarëve, sa për ta rritur minimalisht përqindjen e shqiptarëve në këtë institucion nacional, Ministri i Financave është përgjigjur negativisht, me arsyetim se nuk ka buxhet! Po si po krijohen buxhetet kur kjo ministri gjendet para presioneve të sindikatave, para protestave e grevave! Po nëse dalin në protestë frekuentuesit e këtij Institucioni që në shumicë absolute janë shqiptarë, pa dyshim që kjo ministri do të gjunjëzohet! Në zemrën e Shkupit shqiptar, me tri universitete në gjuhën shqipe, me shpërndarjen e administratorëve që mbi dhjetë vite “mrizun” nëpër shtëpitë e tyre, në këtë Bibliotekë përqindja e shqiptarëve të punësuar (nga rreth 150 të punësuarve) nuk shkon më shumë se 3-4 për qind! Së këndejmi, kush prej shqiptarëve, kush nga funksionarët shqiptarë të Ministrisë së Kulturës dhe ata që drejtuan me këtë Bibliotekë, di gjë të na thotë mbi fondin e librit shqip, mbi gjendjen dhe përkujdesjen ndaj këtij fondi? Asnjëri! Sepse për “funksionarët” tanë mjafton kolltuku, fjala e fundit e celularëve, makina dhe sekretaresha! Për këtë lloj funksionarësh – vërtetë, çka është kultura?!

Politikat kulturore të shtetit dhe të institucioneve nacionale

Me politikat kulturore nënkuptojmë orientimin nacional, përcaktimin strategjik, angazhimin e shtetit si dhe financimin qeveritar për zhvillimin e jetës kulturore si dhe përkujdesin ndaj trashëgimisë së gjithmbarshme kulturore. Thënë shkurt, politikat kulturore janë rregullat e domosdoshme nacionale, të cilat, si një gravurë e bukur, pasqyrojnë identitetin kulturor të çdo populli! E tërë kjo, vështruar për nga aspekti nacional, ndërsa për nga aspekti ndërnacional, politikat kulturore sot shprehin angazhimin e çdo shteti, të çdo qyteti, të çdo qytetari botëror në ruajtjen e diversitetit kulturor si dhe në orientimin e botës së civilizuar drejt industrisë kulturore! Sot, vetëm në Britaninë e Madhe funksionojnë mbi 20 fakultete të industrisë kulturore. Kjo industri ka të punësuar mbi 300 mijë punëtorë, respektivisht dyfishin e atyre që punojnë nëpër miniera! Kjo flet se kultura, kreativiteti kulturor në industrinë nacionale po zë pozita të larta dhe po merr një rol të jashtëzakonshëm në krijimin e kushteve për një mirëqenie sa më të lumtur. Veglat, përmes të cilëve sendërtohen politikat kulturore, pa dyshim që janë institucionet nacionale të sferës së krijimtarisë kulturore. Natyrisht, duke qenë se këta institucione janë pjesë e industrisë kulturore, së këndejmi edhe institucionet nacionale duhet ta kenë politikën autonome kulturore, por që duhet të jetë në funksionim të përkryer me politikat kulturore.

Politikat kulturore nuk duhet që të ofrojnë vetëm orientime, por ato duhet edhe të kërkojnë obligime dhe përmbushje të detyrimeve të cilët pastaj duhet të sigurojnë qëndrueshmëri dhe lëvizje të lehtë në shinat e industrisë kulturore. Politikat kulturore të institucioneve nacionale duhet të garantojnë kreativitet si dhe suksese të padiskutueshme në rrafshin përkatës kulturor. Pa dyshim që duhet të organizohen 2-3 ekspozita jashtëzakonisht të suksesshme se s’bën! Duhet të jepen 2-3 shfaqje spektakulare se s’bën! Duhet të bëhen 1-2 filma që do të kalojnë nëpër të gjitha festivalet botërore të filmit; duhet të botohen 50-100 tituj origjinalë, nja 20-30 tituj të përkthyer nga autorët më të lexuar të vitit; duhet të organizohen 3-4 festivale folklorike, nja 4-5 shfaqje të operës, 2-3 shfaqje nga baleti, nja dy koncerte të muzikës serioze, dy-tre ekspedita arkeologjike, manifestime poetike etj. Të gjitha këto të shënojnë suksesin e vitit për çdo institucion nacional përkatës! Pa dyshim, tërë ky aktivitet ngelë në obligimet e këtyre institucioneve që në njëfarë forme u diktohen nga politikat kulturore. Ndër detyrat kryesore të këtyre institucioneve ngelë që të sigurojnë sa më shumë publik, shitje sa më të madhe të biletave, por edhe të prodhimeve nga produksionet përkatëse dhe, me këtë ta lehtësojnë detyrimin financiar nga buxheti shtetëror. Thjesht, të krijojnë një “pavarësi” financiare nga buxheti qendror! Burokratizimi i institucioneve nacionale, parazitizmi i tyre si pasojë e ushqyerjes së gatshme nga buxheti shtetëror, mosdhënia përgjegjësi para askujt për mungesë të publikut-konsumatorit, zhdukja e të gjitha kontakteve institucion nacional-publik – kjo po që duhet të ketë një përgjegjës! Teatrot dhe hapësirat e tyre të mbyllura apo jo mirë të shfrytëzuara, prezantimet e këqija të galerive dhe muzeve, repertorët demode, manifestimet poetike të mbyllur që, fatkeqësisht e degradojnë edhe boemizmin më të shëmtuar, vdekjen e botimeve poetike, të dramaturgjisë kombëtare etj., dëshmojnë për “politika” që ngrenë strategji mes miqsh dhe nuk kanë asgjë të përbashkët me filozofinë bashkëkohore të politikave kulturore. Sot, vetëm krijimi i financave vetanake të siguruar nga konsumatorët e vlerave kulturore është dëshmi se sa një popull e do kulturën e vet dhe sa është i kulturuar.

Qëndrimi i politikave tona ndaj kulturës

Subjektet tona politike, sidomos ato që janë bartëse apo pjesë e qeverive, peshën e vet politike e demonstrojnë përmes numrit të dikastereve qeveritare që do t’i menaxhojnë derisa do të jenë në pushtet! Po aq të rëndësishëm do të ndjehen edhe për nga sasia e buxhetit që do ta kenë dikasteret. Natyrisht, ndër më të “pasurat” janë: financat, mbrojtja, diplomacia dhe sigurimi i brendshëm. Pastaj vinë edhe shëndetësia, arsimi, socialja e kështu me radhë. Nga ana tjetër, ndonëse kultura është segmenti më i rëndësishëm qeveritar, qëndrimi i politikave tona është pothuajse mospërfillës! Ministri për kulturë është në mënyrë të përhershëm në një situatë për t’u përgjigjur për çdo politikë jo të shëndetshme për identitetin kulturor, ndërsa në kabinetin qeveritar i nënshtrohet rolit që nuk ka kurrfarë ndikimi dhe as peshe politike! Nisur nga ky fakt që flet për qëndrimet mospërfillëse të politikave tona në raport me kulturën, pushtetet shqiptare apo participientët shqiptarë nëpër pushtete të ndryshme, edhe më tej vazhdojnë ta trajtojnë kulturën si një pemë, frytet e së cilës më lehtë mblidhen duke ia thyer degët! Nëse identitetin kulturor nuk e kanë si prioritet të gjitha ministritë e një qeverie, kjo do të thotë se strategjia nacionale për të zhvilluar komb e për të ndërtuar shtet të qëndrueshëm është një ide pa ideal! Situatë edhe më e trishtë na paraqitet qasja ndaj kulturës e subjekteve tona që pranojnë të participojnë nëpër pushtete pa këmbëngulur që strategjitë nacionale për kulturë të jenë me rrotacion: angazhimin shtetëror për identitet kulturor ta ndjejnë çdo bashkësi etnike, duke i eliminuar të gjitha monopolet kulturore të njërës shumicë apo të tjetrës! Fatkeqësisht, subjektet tona participientë në qeveritë e ndryshme, kulturën e kanë llogaritur si një grazhd ku mund të hanë taxhi militantët partiakë apo si një mundësi për pasurim të buxhetit partiak! Kjo logjikë ka ndikuar që nëpër ministri të kulturës të kemi “partizanë” lojalistë të dyfishtë: ndaj pushtetit që imponon politika për kulturë shtetërore dhe, ndaj partisë që nuk i njeh dhe nuk i ka të qarta politikat që i bëjnë mirë identitetit kulturor. Vetëm kur partitë tona do ta kuptojnë rolin jetik të kulturës në ngjeshjen e identitetit kombëtar, vetëm atëherë do të kemi parti kreative, dinamike dhe të besueshme; do të kemi parti me një duzinë togjesh kulturore që duhet të menaxhojnë me këto vlera, të cilat, fatkeqësisht, sot partitë tona nuk i kanë! Ndaj dhe, për rrjedhojë, për “prijës kulture” na vënë turlifarë tutkuni që nuk ia vlen të përdoren as për hunj gardhesh.

Leave a Reply

Your email address will not be published.