DËSHMI QË QARTËSOJNË KAPITUJ HISTORIE

(Mbi librin “Herë djall, herë engjëll”, nga Kostas Akrivos)

Rei HODO

Larmia e mendimeve mbi historinë është holistike, por ndoshta edhe për një koherencë logjike, do të mbetemi tek mendimi helen. Thënë ndryshe, ky i fundit e shikonte historinë jo thjeshtë si shkencë por si një agregat perceptimesh. Kësisoj, mendimi helen peshon më së shumti tek dëshmia historike që rrjedh nga dëshmia dhe dëshmitarët okularë. Edhe metoda historike konsiston në zgjedhjen e më pas analizimin e këtyre dëshmive historike.

Në thelb të kësaj analize qëndron pikërisht libri “Herë djall, herë engjëll” nga Kostas Akrivos, shkrimtar e studiues grek i historisë e filologjisë. Çështje të tilla si zhvillimet e viteve 1820, roli i arvanitasve në atë që njihet si Revolucioni anti-osman i 1821, masakra e Tripolicës apo edhe vrasja e Marko Boçarit janë disa nga diskutimet që përshkruhen hollësisht në vepër. Po ashtu, duhet pasur parasysh se autori kujdeset të japë, si pikëpamje pozitive, njohjen historike jo vetëm si pranim pasiv të dëshmive, por edhe si interpretim kritik i tyre.

Edhe sa më sipër, të gjitha ndodhitë kanë ose gjejnë një emërues të përbashkët, Jorgos Karaiskakis për të cilin më gjerësisht do të gjendet informacion në vijim të kësaj analize.

Së pari, sikurse u përmend, janë të shumta ndodhitë historike që përshkruhen, por le të mbetemi tek njëra prej tyre, Masakra e Tripolicës. Përgjatë periudhës së rrethimit, më saktësisht nga prilli e deri në shtator të 1821, Tripolica ishte kryeqendra e Vilajetit të Moresë duke u banuar njëkohësisht nga shqiptarë, hebrenj dhe turq. Bie në sy, fenomeni i tradhtisë, të cilin e pasqyrojmë duke cituar nga libri: “Sigurisht, nuk e prisnin që Elmaz tradhtari ta fuste armikun në qytet dhe u befasuan nga sulmi i tridhjetë mijë trupave, duke mos mundur të mbrohen.” Ndërkaq, lidhur me pasojat e kësaj masakre, gjejmë të dhëna të sakta në dëshminë e Jusuf Bej Moravit, sipas të cilit: “Pjesa tjetër e banorëve, mbi dyzet mijë burra e gra, sapo dolën nga shtëpitë dhe kullat e tyre, me premtimin e prijësve të të pafeve se nuk do të pësonin gjë, ranë në duart e armiqve dhe menjëherë u kaluan në tehun e shpatës.” Po në rrëfimin e këtij të fundit, gjejmë një fakt historik si vijon: “Kështu mileti i Rumeliotëve shfreu neverinë dhe urrejtjen që kishte pasur përbrenda, për katërqind vjet, e si pasojë nuk ka mbetur asnjë banor turk në Tripolicë.” Nga kujtimet e Fotios Krisanthopoulos vërejmë edhe një tjetër qasje ndaj atyre që janë bërë kundërshti prej kohësh në marrëdhëniet ndërshtetërore. Rrjedhimisht, si vijon: “Pra, grekët nuk i vranë turqit nga mizoria, siç na fajësoi Europa e qytetëruar, as për ndonjë qëllim tjetër, siç e pamë, por për hakmarrje të drejtë, të cilën e ushqenin kundër pushtuesit. Turqit e mirë ata i trajtuan si duhet, i shoqëruan, i shpëtuan dhe i dërguan ku kërkuan.”

Së dyti, në vepër dalin fakte interesante lidhur me historinë e fundit të Marko Boçarit. Marrëdhëniet e tij me heroin kryesor apo edhe me të tretë gjatë periudhës historike kur gjendet në shkëlqimin e tij tregojnë shumë për të. Padyshim ajo që përflitet gjatë ka të bëjë me fundin e tij. Lidhur me këtë, nga vepra mund të citojmë: “Pas betejës në Sovolako, u ngjitëm dhe zumë Leoditon, se na ishin vënë pas ushtritë e Mustafa Pashë Bushatliut të Shkodrës. [..] Përpara se të ndodhnin këto, pashai ia doli të bëjë të keqen e madhe, vrau në Karpenisi trimin Marko Boçari.

Për të vijuar më tej, sikurse u përmend edhe në krye të artikullit, në libër, një vend të gjerë zë edhe figura e Karaiskakit. Më poshtë, një tablo nga bashkëbisedimi i tij me Aliun, Pashain e Janinës: “– Çfarë të bëj me ty, Karaisko? Dhe Karaiskos, duke mbledhur gjithë guximin e tij, i përgjigjet: – Nëse më gjykon të denjë për zotëri, më bëj zotëri. Nëse më gjykon të denjë për hyzmeqar, bëmë hyzmeqar. Nëse nuk më gjykon të denjë as për njërën as për tjetrën, më hidh në liqen. Për ta hedhur në liqen as që bëhej fjalë. Dhe sigurisht që nuk e bëri as zotëri dhe as hyzmeqar. E bëri xhohandar, një nga të besuarit e gardës së tij personale. Si e sjell jeta… .”

Për disa ishte engjëll mbrojtës, për disa të tjerë hero, për të tjerë tradhtar i urryer, për të tjerë që e përndoqën armik. I adhuruar, i urryer por me fatin e pas jetës të njëjtë me atë të jetës që jetoi.

Përpos sa më sipër, në libër gjejmë përshkrime interesante edhe sa i takon Ali Pashë Tepelenës, sarajeve të tij dhe Shqipërisë së atyre viteve. “Pashë pallatet e tij të mëdha dhe të nipërve të tij, të mbingarkuar me mëndafsh e ar. […] Por ata që binin më shumë në sy ishin shqiptarët. Mbanin fustanella të gjata, të bardha, xhamadanë të qëndisur me ar, jelekë të kuq prej kadifeje dhe kishin gjeshur në brez pistoleta dhe thika të veshura me argjend.”

Në përfundim, mund të themi se libri “Herë djall, herë engjëll”, që vjen para lexuesit përkthyer nga Gjergji Naçi, e botuar nga Shtëpia Botuese “Jozef” shërben më së miri si një dokument bazë kuptimor mbi historinë jo vetëm të një njeriu, hero për popullin fqinj, por edhe të të gjitha makinacioneve që kanë ndodhur përgjatë historisë. Për këtë libër, do të shkonte më së miri thënia e poetit amerikan Whitman, sipas të cilit: “Duke gjykuar pjesët kryesore të historisë së botës, deri më tani, drejtësia është gjithmonë në rrezik.” Mbetet të lexohet ky libër e secili të marrë atë çka është në interesin e tij.

Leave a Reply

Your email address will not be published.