DËSHTIMI I OKSIDENTALIZMIT

(Fragment nga “Arshi Pipa për Migjenin”, tri ese, hartuar nga Myftar Gjana, botuar nga Princ, 2022, Tiranë)

Në vitin 1934, kur Migjeni nisi të botojë veprat e tij, oksidentalizmi ishte një temë mbizotëruese diskutimi ndërmjet intelektualëve shqiptarë. Nën presionin e tyre në rritje, Mbreti Zog formoi një kabinet të “të rinjve”, të cilët ishin arsimuar në Europë dhe për të cilët shpresohej ta transformonin Shqipërinë nga një vend i prapambetur dhe ende “oriental”, siç ishte, në një vend oksidental. Eksperimenti përfundoi në dështim të plotë. Monarku vetë ishte mishërimi i bizantinizmit, ndërsa oksidentalizmi i tij ishte vetëm një pozë. Në vitin 1935 shpërtheu një revoltë në Fier, e udhëhequr nga disa intelektualë dhe oficerë. Pak kohë më pas, Mirash Ivanaj, inteklektuali më i respektuar në qeveri, autori i një reforme shkollore antiklerikale, dha dorëheqjen. Vendi po vuante një krizë të rëndë ekonomike. Punë kishte pak, ushqimi ishte i shtrenjtë, Italia e pat pezulluar ndihmën e saj ekonomike, thesari i shtetit ishte pothuaj i zbrazët dhe nëpunësit civilë, një klasë e privilegjuar, i merrnin rrogat e tyre në mënyrë shumë të parregullt. Në shkurt të vitit 1936, në Korçë, punëtorët dhe studentët demonstruan me parullën “bukë dhe punë”, duke pasuar një grevë të punëtorëve në Kuçovë, një qendër naftë-prodhuese. Borgjezia e ndjeu ndikimin e krizës, zejtarët mbyllën dyqanet e tyre, fshatarët nuk kishin asnjë rezervë për të ngrënë, mjerimi sundonte qytetet.

Oksidentalizmi ishte një temë e pëlqyer në shtypin shqiptar të kohës. Parulla maskonte natyrën e problemeve të vërteta të Shqipërisë, prapambetjen ekonomike dhe kulturore, duke ia veshur ato trashëgimisë “orientale” të vendit. Zgjidhja do të paraqitej, si pasojë, me një kthim vendimtar drejt Perëndimit, si të thuash, me përshtatjen një forme oksidentale të qeverisë. Çfarë forme saktësisht?

Sepse Europa Perëndimore kish lloje të ndryshme qeverish, duke nisur prej socialdemokracisë e deri te fashizmi. Konservatorët u prirën drejt një monarkie kushtetuese me një mbret ndryshe nga Zogu. Të moderuarit preferonin një republikë. Ultra-nacionalistët dhe radikalët e majtë favorizonin zgjidhjet totalitare. Hitleri tashmë kishte admiruesit e tij përmes epigonëve të “Deutche Kultur-ës”. Më të shumtë ishin simpatizantët e Musolinit, që evokonin interesat e përbashkëta të Shqipërisë dhe të Italisë, të bazuar në afërsinë gjeografike. Nuk mungonin edhe partizanët e diktaturës ushtarake, të tillë si ajo e Ataturkut, me arsyen se Shqipëria ishte më afër nga ana kulturore me Turqinë.

Dështimi i përvojës oksidentale i inkurajoi radikalët e së majtës, të cilët nisën të organizohen. Kriticizmi i tyre në shtyp u kthye në sulme – qeveria e shtrëngoi censurën e saj. Në këto rrethana, majtistët e përdorën parullën e oksidentalizmit, që ish bërë ndërkohë emëruesi i përbashkët për kundërshtimin ndaj regjimit autokratik. Gjithsesi, ato e përdorën atë, kryesisht për të maskuar veprimtarinë e tyre subversive, objekti i së cilës ishte përmbysja e monarkisë absolute dhe zëvendësimi i saj me një regjim socialist.

Për më të ndriçuarit midis tyre, oksidentalizmi nuk linte të kuptohej asgjë më tepër se sa kapitalizmi dhe kristianizmi, dy fuqitë që përbënin strukturën dhe ideologjinë e rendit që mbizotëronte në Perëndim. Lufta, e nisur nën flamurin e përparimit shoqëror dhe e përqendruar mbi mënyrën e zhvillimit të industrisë dhe komunikacionit, që sjell reformën agrare, përmirëson shëndetin publik, asgjëson analfabetizmin, u drejtua kundër klasave dhe grupeve mbështetëse të pushtetit autokratik: burokracisë, ushtarakëve, pronarëve të tokave dhe klerit. 

Vepra e Migjenit i orkestron këto tema kryesore, duke i ngritur ato nga niveli i gazetarisë në atë të poezisë shoqërore. Origjinaliteti i tij shtrihet në hapjen prej tij të portave të letërsisë shqipe për problemet sociale. Duke dalë prej harresës, me të cilën pat qenë dënuar gjatë pushtimit të vendit, kur shkrimet e tij qarkullonin nëpër copëra letrash të shtypura apo të kopjuara me dorë (samizdat) midis studentëve dhe punëtorëve, ai u përkrah në nivelin e një poeti kombëtar, kur atdheu u bë socialist, për hir të protestës sociale në veprën e tij. Simpatitë e tij oksidentale u shpërfillën me maturi dhe hibridizmi i tij kulturor, që i dha hov një drame personale që formoi të tërë poezinë e tij, mbeti jashtë vëmendjes.

Si mund të shpjegohet pasioni i tij për Perëndimin? Para se gjithash, me dëshirën e tij për të jetuar një jetë që nuk e pat jetuar, një motiv i përsëritur në veprën e tij. Për një shqiptar, Perëndimi fillon në anën tjetër të detit Adriatik, dhe Shkodra, qyteti i lindjes së Migjenit, ka qenë gjithnjë një portë shqiptare për në Perëndim. Duke u kthyer në Shkodër pas një qëndrimi të gjatë në një qytet tipik ballkanik si Manastiri, ai duhet të ketë provuar një shqetësim të caktuar, si pasojë e origjinës sllave të tij dhe të arsimimit bizantin, që e bënte atë më të dobët ndaj joshjes për Perëndimin. Tradita familjare dhe formimi arsimor e bënë atë të tërhiqej kah Lindja, ku kish edhe rrënjët e tij, ndërsa dëshirat e shtynin atë drejt Perëndimit, ku ngjizej ëndrra e tij. Prirjet e tij sentimentale duken në shumë prej poezive dhe më spikatshëm në dy krijimet e tij të fundit të ciklit “Kangët e Rinisë”. Në ciklin “Kangët e Perendimit”, interesat e tij ideologjike janë mbizotëruese, gjë që shpjegon se pse poeti i klasifikoi ato veçmas. Një vështrim në përmbajtjen e lëndës së vëllimit, që pason ndarjen e saj në kapituj, tregon qartë karakterin e saj ideologjik.

Leave a Reply

Your email address will not be published.