DETYRIMET E PARTIVE NDAJ POLITIKAVE KOMBËTARE PËR KULTURË

Po i afrohet 100 ditëshi i Qeverisë Mickovski, në të cilën, nga participienti shqiptar VLEN po pritet q, në rrafshin kombëtar të jenë për një nuancë më të mirë se sa qeveritë e kaluara ku participientë ishin herë BDI e herë PDSH! Përpjekjet shqiptare përmes politikave kadrovike të aplikuara deri më tani në këto 100 ditë lënë shumë për të dëshiruar! Thanë se VLEN do t’i ketë rreth 400 drejtori (!) (pjesën dërmuese drejtori të kota), dhe për këtë test-periudhë të qeverisë ia ka dalë që të emërtojë pothuajse në të gjitha drejtoritë, me përjashtim të drejtorive dhe institucioneve kulturore! Kanë apo nuk kanë kuadër për të drejtuar institucione kulturore? Apo, mbase janë të kënaqur me kuadrin drejtues aktual dhe, për këtë nuk është turp që të dilet dhe të thuhet “vazhdojmë me kuadrot e caktuar nga BDI se më të mirë nuk kemi”! Është e vërteta, kuadrot kulturor janë të popullit, nuk mund të përvetësohen nga asnjë parti politike! Megjithatë, çdo parti politike duhet t’i ketë të qarta dhe të ravijëzuara detyrimet ndaj politikave kombëtare për kulturë.
U mor vesh, roli i partive politike është jetik për zhvillimin dhe ruajtjen e identitetit kombëtar. Kultura, si një përbërës thelbësor i këtij identiteti, kërkon mbështetje të vazhdueshme dhe të qëndrueshme nga të gjitha institucionet, përfshirë edhe partitë politike. Për këtë arsye, është e domosdoshme që partitë të marrin përgjegjësinë e tyre ndaj politikave kombëtare për kulturë, duke i përfshirë ato në programet dhe veprimet e tyre politike.

Fatkeqësisht, nëse i shfletojmë “programet voluminoze” të partive tona, aty nuk do të hasësh asnjë faqe të mirëfilltë mbi kulturën kombëtare, si pikëpamjet dhe synimet partiake për kulturën kombëtare!
Partitë tona akoma nuk e kanë të qartë se detyrimi kryesor i partive politike është të sigurojnë një kornizë të qëndrueshme politike dhe financiare për zhvillimin e kulturës kombëtare dhe, mbi këtë parim të patejkalueshëm të ngrenë strategji participuese në qeveri të ndryshme. Kjo përfshin mbështetjen e institucioneve kulturore, si teatrot, muzetë, bibliotekat, dhe akademitë e artit, të cilat janë mbajtësit e trashëgimisë dhe krijimtarisë kombëtare. Partitë duhet të promovojnë politika që garantojnë financimin e këtyre institucioneve, duke i mbrojtur nga ndikimet politike afatshkurtra dhe duke siguruar një zhvillim të vazhdueshëm.
Gjithashtu, partitë politike kanë detyrimin të promovojnë dhe të mbrojnë gjuhën dhe traditat kombëtare. Në një botë gjithnjë e më të globalizuar, identiteti kombëtar shpesh sfidohet nga ndikime të huaja. Prandaj, partitë duhet të angazhohen në ruajtjen dhe përhapjen e gjuhës dhe traditave, duke i përfshirë ato në sistemin arsimor dhe në aktivitetet publike.
Një tjetër detyrim i partive është mbështetja e krijimtarisë artistike dhe inovacionit kulturor. Artistët dhe krijuesit janë zëri i shoqërisë, dhe partitë duhet të krijojnë politika që nxisin dhe mbështesin artin dhe kulturën si një pjesë të rëndësishme të zhvillimit kombëtar. Kjo përfshin jo vetëm mbështetjen financiare, por edhe krijimin e një mjedisi ku liria e shprehjes artistike respektohet dhe inkurajohet.
Ndërkohë, partitë politike duhet të jenë gjithashtu të vetëdijshme për rolin e kulturës në ndërtimin e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe në promovimin e imazhit të kombit e të vendit jashtë kufijve të tij. Kultura është një urë lidhëse mes popujve, dhe promovimi i kulturës kombëtare në arenën ndërkombëtare është një detyrim tjetër i rëndësishëm. Kjo përfshin mbështetjen e diplomacisë kulturore dhe përfshirjen në projekte kulturore ndërkombëtare që fuqizojnë pozitën dhe imazhin e kombit dhe të shteteve shqiptare.
Përfundimisht, partitë politike duhet të pranojnë se mbështetja e kulturës nuk është një opsion, por një detyrim kombëtar. Pa kulturë, nuk ka identitet kombëtar, dhe pa identitet, një komb është i destinuar të humbasë drejtimin dhe qëllimin e tij. Prandaj, të gjitha partitë, pavarësisht nga përcaktimet ideologjike-programore të tyre, duhet të punojnë për të siguruar që kultura të ketë një vend të qëndrueshëm dhe të garantuar në politikat kombëtare. Vetëm në këtë mënyrë mund të ndërtojmë një të ardhme ku trashëgimia jonë kulturore jo vetëm që mbijeton, por lulëzon dhe i shërben brezave të ardhshëm si një burim krenarie dhe identiteti. Me këtë rast do të vije edhe deri te shmangja e përplasjeve dhe e talljeve me kuadrin kulturor që mund të jetë në krye të një institucioni kulturor, siç ishte rasti me drejtorin e Ansamblit, Shkodran Tolaj, apo siç është rasti që dikush parapëlqen t’i qëndrojë si Shpatë e Demokleut mbi qafën e drejtorit mjaft të suksesshëm të Teatrit Shqiptar, artistit të popullit Adem Karaga!

Zvarritja aktuale e emërtimit të drejtorëve shqiptar nëpër institucione kulturore ka vetëm tri shpjegime: partia nuk ka strategji për kulturë kombëtare, partia nuk ka brenda vetes kuadër kulturor, partia nuk ka guxim të pranojë se kuadri aktual në krye të institucioneve kulturore është i pazëvendësueshëm. Përtej këtyre tri shpjegimeve pastaj kemi të bëjmë me subjektin politik pa identitet kulturo! /HEJZA/

Leave a Reply

Your email address will not be published.