(Një tekst brilant dhe, ndonëse i shkruar në një kohë tjetër, është më shumë se aktual)
György KONRÁD
Kur gjithçka përreth nesh ndryshon, është e pamundur që ne të mos ndryshojmë. Letërsia si institucion kombëtar – çka ishte në kohën e socializmit – nuk ekziston më. Ka marrë fund periudha e librave të subvencionuar që, si të kishin lexues, si të mos kishin, shtetit pak i interesonte. Tashti nuk mund të jesh më as propagandist i madh dhe as heretik. Deviacionet politike nuk kanë më për terren letërsinë. Kritika ka si vend shprehjeje parlamentin apo gazetat, ajo s’mund të luajë më kukamshefti në teatër. Në ditët tona pohimet politike rrallë i çudisin njerëzit, madje ka filluar të funksionojë kundërpesha e indiferencës. Në pjesën më të madhe të debateve të njerëzve, shkrimtari nuk është tjetër veçse një amator. Të shkruarit është bërë një mjeshtëri më pak serioze sesa ç’ka qenë dikur; më tepër trajtohet si një pasatempo, dëfrim apo diletantizëm. Vendin tonë për të thënë gjëra sublime e kanë zënë priftërinjtë. Ndërkaq, burrat e shtetit mbajnë në duar tekste që redaktorët e tyre i kanë ujdisur për mrekulli. Pra, edhe shprehja e ideve të larta nuk është më detyra jonë. Në një demokraci liberale bashkëqytetarët tanë nuk kanë më nevojë për udhëheqës shpirtërorë. Ata do të vazhdojnë të kenë nevojë për libra të mirë. Shkrimtari ka pasur një rol të dukshëm pozitiv apo negativ vetëm në sistemin socialist. Në një shoqëri borgjeze, ai është një person privat nga i cili mund të përfitohet diçka. Në demokracinë liberale – të paktën për aq sa ne e jetojmë, – poezia rikthehet tek hobi; teksti i shkrimtarit është një çështje private. Po qe se ai u intereson vetëm pak vetave, ai mund ta botojë me paratë e tija në njëmijë apo dymijë kopje. Vetëm disa vjet pas ndryshimeve shkrimtarët i ka zënë drithma: a ka më vërtet nevojë për ta?
Artisti dyshon se është bërë një personazh i dalë mode. Shteti nuk ia ka më nevojën, kurse tregu nuk mund ta mbështesë financiarisht. Shteti kishte nevojë për të me kusht që ai të mos ishte shumë bezdisës. Dje kishte një kulturë shtetërore të krijuar nëpërmjet veprave që kishin kaluar censurën si dhe një kulturë të pacensuruar që e plotësonte atë. Po sot? Paratë e shtetit vazhdojnë të mbështesin një kulturë që pak a shumë i qëndron përsëri besnike atij. Mbështetja e kulturës joqeveritare i mbetet sektorit privat, i cili nuk është në gjendje ta bëjë këtë si duhet. Librat po bëhen gjithnjë e më të shtrenjtë, kurse lexuesi gjithnjë e më i varfër; gjithçka po shembet nën peshën e romanit komercial; njerëzit kanë më pak kohë dhe më pak para për letërsinë; shumë shkrimtarë praktikisht janë të papunë. Ka marrë fund koha e sigurisë, kur një libër në vit i subvencionuar nga shteti përmbushte edhe nevojat tona materiale.
* * *
Letërsia po zë gjithnjë e më pak vend në jetën tonë. Ka marrë fund një epokë e historisë së letërsisë dhe këtë ne nuk e kuptuam kur po ndodhte, por vetëm pasi ndodhi; në nivelet institucionale letërsia ka zbritur një kat më poshtë. Republika e letrave – si korpus intelektual, si fanar i qytetërimit – i përket së shkuarës. Ja ku erdhi koha e sprovës, kur dikujt i duhet ta ndërrojë letërsinë me një aktivitet tjetër, duke u bindur se nuk mund të ndiqet i njëjti zanat gjatë gjithë jetës. Edhe botimet po kalojnë të njëjtën krizë si sektorët e tjerë të ekonomisë: edhe letërsia po ecën paralel me varfërimin e shoqërisë. Megjithatë, këtë epokë të karakterizuar nga humnera midis çmimeve astronomike të librave dhe fuqisë së dobët blerëse unë e quaj tranzitore dhe besoj se letërisa do të mbijetojë. Pas disa vitesh do të shfaqet një klasë e mesme e kamur, e cila do ta kërkojë letërsinë. Herët a vonë gjërat teknike do të kenë çmime të përballueshme dhe aftësia blerëse do të rritet. Gjatë kësaj ndërkohe, në këto vite të lopës së dobësuar, do të vazhdojnë të shkruajnë pareshtur vetëm shkrimtarët e regjur dhe diletantët e përjetshëm. Vazhdimësia e një vepre nuk mund të sigurohet veçse nëpërmjet një këmbënguljeje prej murgu. Duhet një kurajo dhe siguri e veçantë për të guxuar të angazhohesh në një ndërmarrje letrare jetëgjatë. Shumë shkrimtarë, për të siguruar kështu mbijetesën, do të shtrëngohen të bëhen intelektualë profesionistë dhe, nëse do t’u mbetet pak fuqi, herë pas here edhe do të shkruajnë.
Paralelisht me mecenatin e shtetit, mecenëve privatë, ndërmarrjeve, fodacioneve u bëhet thirrja që të luajnë një rol gjithnjë në rritje: atë të rishpërndarjes së vlerave qytetare. Edhe dy faktorë të tjerë do të kontribuojnë për ta mbajtur gjallë letërsinë: shtypi dhe botimet jashtë shteti. Disa gazeta zhduken, të tjera shfaqen; media elektronike dhe media e shkruar konsumojnë një numër të madh tekstesh. Pasi mbaron me informacionet e ditës, që zënë faqet e para, lexuesi arrin me një ndjenjë lehtësimi te tekstet me tjetër përmbajtje të shkrimtarëve. Pasi ka dëgjuar intelektualët politikanë dhe spërdredhjet e pseudo të pavarurve, ai ndjen nevojën të dëgjojë pikëpamje më të menduara, thjesht personale. Në një terren vlerash të pasigurta, ndjehet nevoja për njerëz që të shërbejnë si pika referimi. Disa gjëra kanë nevojë për emra, për autoritete dhe tekste të lidhura mirë. Sa më kapricioze dhe e pasigurt të jetë jeta publike, sa më e madhe të jetë pasiguria e bashkëqytetarëve, aq më shumë ndjehet nevoja për gjykime personale të përpunuara dhe peshuara me përgjegjësi. Ndihma tjetër është tregu ndërkombëtar i librit. Orientimi i përgjithshëm i Evropës Perëndimore është rritja e interesit për evropianët e tjerë, dmth për njerëzit e tjerë. Të pranosh që atdheu ynë kulturor përputhet pikë për pikë me territorin e shtetit tonë, ose që, në rastin më të keq, ai shtrihet deri në kufijtë e komunitetit tonë gjuhësor, kjo, sipas meje, do të thotë të dhunosh atë çka quhet identitet. Në lindje të perdes së hekurt rizgjimi i ndjenjave nacionale ka qenë një faktor i fuqishëm për dizintegrimin e bllokut sovjetik, atij që quhej “sistemi botëror i socializmit”. Këto ndjenja kombëtare nuk kanë qenë vetëm katalizatorë në marrëdhëniet me vendet e ish-kampit socialist, por kanë kontribuar edhe për shkëmbimin e kulturave zyrtare, çka bënte pjesë në ritet e asaj kohe. Sot nuk është gjetur ende kohë dhe as nuk janë bërë përpjekje për të realizuar një dialog real midis kulturave të Evropës qendrore dhe lindore. Kësaj i duhet shtuar edhe skleroza e tregut të librit – sipas pesimistëve, rrënimi i tij. Në vendet tona është e vështirë të gjesh best-seller.
Në shekullin XX njerëzit e letrave e kanë ekzagjeruar rolin e tyre: ata janë bërë propagandistë, predikatorë të një ideje apo të një tjetre, urrejtës të armiqve të ndryshëm, demonizues; kanë luajtur edhe rolin e udhëheqësit shpirtëror. Sot ata duhet ta humbasin këtë peshë. Shtetet ideologjike nuk do të kishin mbijetuar pa kontributin besnik të intelektualëve. Tani, së paku njëri prej kapitujve të angazhimit të tyre jashtëletrar është mbyllur. Nuk është më e detyrueshme të shkosh përtej zanatit tënd e ta ngatërrosh letërsinë me diçka që nuk është e tillë. Ngatërrimi i letërsisë me gjëra të tjera ka lidhje gjithmonë me një shtysë thuajse morale. Disa autorë mendojnë se pa ta asgjë nuk mund të ecë më. Ata sikur ia behin në çastin e fundit, përpara katastrofës finale, për të shpëtuar, – po çfarë?
* * *
Për mua shekulli i XX fillon me lindjen time më 1933, tamam në vitin kur nazistët erdhën në pushtet. Shekulli ynë është karakterizuar nga idetë e atyre radikalëve, sipas të cilëve ishte diçka e mundshme, madje e dëshirueshme, që ta merrje pushtetin me çfarëdo mjeti, qoftë edhe me forcë, dhe të mos e lije më atë. Njerëzit dhe fjalët endeshin midis mentaliteteve revolucionare nacionaliste dhe atyre socialiste. Rruga e shumë intelektualëve shkonte nga njëra tek tjetra. Tensioni midis politikës dhe kulturës është i përhershëm – ato as nuk mund të bashkohen me njëra-tjetrën dhe as të ndahen. Në shekullin XX politika hyri në shtëpi, në vatra, në telefona, në kafkat e njerëzve. Fashizmi, ashtu sikurse dhe komunizmi, rrëmoi në sirtaret tona për të na gjetur shkrimet në emër të mbrojtjes së shtetit. Është në interesin tonë ta kontestojmë çdo lloj ideje që i lejon shtetit të kryejë abuzime të tilla. Në diktaturë është e pamundur ta harrosh politikën. Ngacmimet e saj të vazhdueshme dhe të mërzitshme ndërkallen fuqimisht në kujtesën tonë. Askush nuk mund të ishte vërtet naiv, të gjithë ishin të kujdesshëm. Fryma e shtetit nuk mund të çlirohej dot nga mbajtja anë, po ashtu edhe ajo e kundërshtarëve të tij, edhe e pjesës që mbetej: atyre që kërkonin një qoshezë të qetë për të mos rënë në sy.
Sot sytë shndrisin nga kurioziteti. Njerëzit duan të dinë se cila është gjendja, duan të shohin qartë. Qytetari mesatar është shumë më i vështirë nga ç’ka qenë tre vjet më parë; ai ka mësuar shumë dhe do të mësojë edhe më. Ai i kërkon gjërat “këtu dhe tani”. Njeriu sot është ai që është dhe jo ai që do të mund të ishte në një regjim të ndryshëm. Ky kapitalizëm social-kombëtar do ta ketë jetën të gjatë. Tash e mbrapa me të do të jetojmë; atë do të na duhet të shfrytëzojmë dhe mallkojmë. Dyshuesit kërkojnë vlera, por ndërkaq nuk e vrasin njëri-tjetrin, askush po vdes nga politika. Me perde apo pa perde të hekurt e gjitha kjo nuk është një punë fort e keqe. Tani ka më shumë të varfër, nesër do të ketë më pak. Tani ka shumë grabitje me armë; pas ca kohësh do të ketë më pak. Bankierët dhe intelektualët ndjejnë një lloj tërheqje ndaj njëri-tjetrit, por veçanërisht intelektualët. Është zhdukur një enigmë. Nuk ka mbetur veçse ajo që shikojmë. Ajo çka shihet mbi të gjitha është ky kthim i xhaketës së prapthi, ky ndryshim i madh i retorikës. Kthesat historike shoqërohen me një lloj të ri amnezie. Shumë veta kanë përshtypjen se atyre u kanë vjedhur të kaluarën. Tashmë është e qartë se pjesa më e madhe e gjërave që ata kishin mësuar nuk ishin tjetër veçse budallallëqe. Ata nuk i entuziazmon e ardhmja, do ta durojnë atë, ndoshta edhe do ta duan, por vetëm e vetëm sepse ajo ekziston.
Librat e mirë do të lindin së bashku me stabilizimin e identiteteve të reja; kur njerëzit e të sotmes do të kenë kuptuar ata të së djeshmes dhe të së pardjeshmes – kur të jetë krijuar ajo gjendje shpirtërore që do të marrë parasysh kompleksitetin nganjëherë aq tragjik të fateve njerëzore dhe kombinimet e frikshme vetëjustifikuese të njerëzve të kësaj zonës sonë. Nëse një letërsi e tillë do të lindë, ajo do ta tregojë kursin e histories si diçka që buron nga absurdi dhe që zgjon aq e aq aspirata aspak absurde, fort të arsyeshme, e madje dashamirëse. Koha e tregimit, e dialogut epik vjen vetë. Tani çështja shtrohet: kush mbizotëron në letërsi, dialogu apo logjika e mbrojtjes së klanit? A jemi ne në gjendje ta transformojmë të kaluarën në një gjini epike? Atë të kaluar që opinioni publik ende e konsideron si një fenomen që ka të bëjë me modat ideologjike? Cili është mësimi më i rëndësishëm që mund të nxjerrim nga shekulli XX? Fakti që kemi mbijetuar nuk provon ende që aventura jonë ka qenë e arsyeshme. A mundet njeriu të ketë një fat të arsyeshëm në një histori të paarsyeshme? Ne i kemi mbyllur vitet tetëdhjetë dhe kemi hyrë në vitet e panjohur nëntëdhjetë që shtrojnë përpara nesh pyetjen: në fund të mijëvjeçarit të dytë, a do ta festojë njerëzimi me mirënjohje krijmin e tij, me gëzimin që ende mundet të ekzistojë, që nuk e ka braktisur ende atë luginë vuajtjesh dhe gabimesh në të cilën e argëtojmë Zotin sipas trilleve dhe aftësive tona?
Shekulli XX po mbaron. Ai ka qenë shekulli i agresionit dhe i papërgjegjshmërisë. Marrëzira pa fund, marrëzira të tmerrshme janë derdhur nëpër libra e deri tek varret kolektive. Shkrimtarët, politikanët, oratorët nuk janë të pafajshëm për këtë. Askush nuk është i autorizuar të akuzojë dhe askush nuk ka të drejtë të mos ndjehet fajtor. Ndjenja e fajësisë është pamja tjetër e ndjenjës së përgjegjësisë. Ai që merr mbi vete përgjegjësi për të ardhmen duhet të mbajë përgjegjësi edhe për të kaluarën, përndryshe njerëzve të dobët do t’ua zënë vendin të tjerë njerëz të dobët. Ku qëndronte papërgjegjshmëria e shekullit XX? Tek ajo fryrje dhe irritim i unit kolektiv, që çoi në luftrat dhe diktaturat. Ky “un kolektiv” i rëndomtë, të cilit ia pushtuan ndërgjegjen ethet dhe flaka, ndërmori një ekspansion brutal, theu rregullat e fqinjësisë së mirë, kujtoi se vetëm ai duhej të mbretëronte, ndyu ajrin dhe ujin e tjetrit, komplotoi bombardimin e tij, koleksionoi argumente të bukur për të justifikuar dhomat e gazit, shpalli epërsinë e komunitetit të vet si dhe misionin e tij universal. E kam fjalën për vanitetin kolektiv, natyra e vërtetë e të cilit shpaloset sapo një person i vetëm fillon të na shpjegojë, jo në vetën e parë shumës, por në vetën e parë njëjës, arsyet pse ai është më i mirë se të tjerët.
Argumentet e mi mund të bëhen pluhur e hi; ndoshta optimizmi im është patologjik, megjithatë jam optimist. Përse? Sepse unë konstatoj që shumë koka të forta ecin përpara me guxim, që vendi funksionon, që fusha është e hapur jo vetëm për mashtruesit, por edhe për themelonjësit. Ka mbërritur koha e themeluesve të fondacioneve. Sot janë shumë më të pakët ata që e presin gjithçka të vijë nga lart. Qeveria ndërhyn më pak për të ndaluar dhe kjo nuk është gjë e keqe. Ai ankthi i hidhët që e karakterizonte njeriun socialist është i pranishëm edhe te njeriu postkomunist; veçse tani frika vjen nga të tjera gjëra. Ne do ta shihnim me dyshim një njeri që nuk do të ishte i rrethuar nga frikëra dhe ankthe gjithfarëshe. Ne e shohim ankthin të na vijë në mbrëmje, përpara një gote me verë, teksa për apokalipsin, por të nesërmen u kthehemi punëve. Përderisa njerëzit përpiqen të jenë gjithnjë e më shumë zotë të situatës së tyre, përderisa puna e papërgjegjshme ka të bëhet objekt përçmimi, mund të thuash se gjërat thuajse kanë filluar të funksionojnë. Autori i këtyre radhëve nuk i trembet as tiranisë dhe as luftës civile; ashtu si pjesa më e madhe, ai ndjehet si një “i urtë për t’u lidhur”. Nuk ka as galop dhe as humnerë, vetëm një hap të vogël të madh. (Përktheu F. Lubonja)