Në kohën e pandemisë, Ismail Syla nxori nga shtypi librin e tij të radhës “N’pllajë marrëzie”, një titull trumbetues ku percepton dilemat e Sfinksit
Mërgim Sh. BEKTESHI
Poezia është një art i fuqishëm, ku mendjet e mprehta shpërfaqin porosinë shumë përmbajtjesore të aktualitetit, përmes vargut, në dy apo më shumë vargje, që përfundojnë si aksioma të të qenit i vërtetë, pa ndonjë trillim, ndërkaq lexuesit i duhet një kujdes më i shtuar në lexim. Ky autor i thelluar është Ismail Syla. Ka dekada që I. Syla dhe poezia janë ngjizur simbiotikisht si atome të përbashkëta drejt një ekuacioni, gjetjen dhe sfidimin e Sfinksit gjëegjëzë. Në këtë kohë pandemie, Ismail Syla nxori nga shtypi librin e tij të radhës “N’pllajë marrëzie”, një titull trumbetues ku percepton dilemat e Sfinksit, i sfidon ato me radhë, gjen përgjigje, kujtesa e tij është shumë hapësinore, modelon aktualitetin apo, siç thotë editori i librit, Abdullah Zeneli: “Vazhdon t’i shprehë dilemat ekzistenciale, t’i vë në pah paradokset dhe kundërthëniet e mjedisit shqiptar”.Fjalorit të shqipes, sa ai që përmban mbi dyzetmijë fjalë, shfletues i rregullt i të cilit është, autori i qëndron besnik, por duke shkundur pluhurin e disa fjalëve që janë të rralla. Kujdesi ndaj gjuhës standarde është shumë i lartë, i shoqëruar me ndonjë variacion krahinor duke ruajtur kuptimin etnografik të krahinës, por që për kureshtjen e lexuesit ai e kompenson me fusnota dhe sqarime të tjera.
Në kuptimin e shumë simbolikave që i gjejmë në poezinë e tij, sidomos ato “N’pllajë marrëzie”, janë ato të natyrës së veçantë që nuk gjenden tek autorët e tjerë. Përmes frazeologjizmave të gjuhës shqipe si p.sh.: “Desh te lugu, vesh te gardhi”, ai krijon poezinë që është një paradoks i kohës së sotme, askush më nuk arnon tesha sepse ato tanimë janë me bollëk. Pllaja e marrëzisë është ngritur me katër kolona të ndryshme, secila me peshën e rëndesës duke shpërfaqur secila varietetet e saj me qëndisma të ndryshme, por që kanë emërues të përbashkët marrëzinë që e neverit autorin gjatë ballafaqimit me ekzistencën e qenies shqiptare. Përpos defekteve që shpërfaqen në atdheun e katandisur, ai kërkon edhe zgjidhjen racionale. Katër kolonat e mirëfillta fillojnë me kapërcyell, një paradoks, bir i pranverës dhe atdheun të cilit autori nuk dëshiron t’i mbetet borxh për asnjë çast të vetëm. Në çdo përmbledhje është Atdheu, në tri rrafshe: i ngrysur, i pabërë dhe heroik. Tema e Atdheut del në çdo libër poetik të Ismail Sylës.
Në katër kolonat apo ciklet, lexuesi mund t’i gjejë poezitë që mund të jenë poezi për shpirtin tij. Në poezinë “Bijtë grindarë të Zeusit”, përmes figurës së paradoksit autori shfaq mllefin e shqiptarit të zemëruar deri palcë e që grindjet e tyre kapërcejnë çdo limit të lejuar dhe për fat të keq nuk gjendet as një Olimp me Zeus që ato grindje t’i zbresë në pajtim. Me këtë krijimtari, një elan të akumuluar, Ismail Syla po arrin të prezantojë një letërsi të denjë duke e kthyer vëmendjen te poezia, se ajo është art i rrallë dhe fryma filozofike e saj është tejet e vështirë të përshkruhet përmes vargut, aq më shumë kur porosia dhe ideja të jenë në një trajektore për të goditur cakun e dëshiruar. Po të formohej antologjia e poezive për Atdheun, nga tre librat, përfshirë edhe librin me tetëdhjetepesë poezi ekskluzive për atdheun “Atdheu im, i ngrysur”, do të dilte një libër me mbi dyqind lirika për Atdheun.