Të gjithë poetët i kanë kënduar dashurisë, por si Nase Jani askush. Të paktën askush prej poetëve shqiptarë.”(Razi BRAHIMI)
Nuri PLAKU
Tashmë me Nase Janin lexuesi i poezisë shqipe njeh lirikun e dashurisë sublime që i sheh mëngjeset e jetës të lindin nga sytë e dashuruar të një gruaje. Në vëllimin e fundit të tij, “Diell dashurie”, botuar në vitin 2022, përfshihen 101 lirika dhe shpaloset dukshëm bota emocionale e autorit, qëndrimi ndaj ndjenjës së dashurisë dhe mbi të gjitha freskia e saj mëngjesore. Mëngjesi është për poetin një simbolikë e bukur, mbushur me rrezet e përgjakura të diellit ku shuhet etja e dritës së tij poetike:
“I them natës: më mbaj zgjuar,/ të jetoj ëndrrën që kam./ Dashurinë ta bëj mëngjese, / të marr dritë nga sytë e saj…”
Në trajtimin e dashurisë, vihet re hapësira meditative e autorit, e cila kthehet në një shesh të larmishëm ngjyrash. Ai na i prezanton përjetimet e tij në disa këndvështrime si: marrëdhënia intime e çiftit, pritja e padurueshme ku shprehet zjarri përvëlues i mallit, trishtimin që sjell mungesa e të dashurës, e cila kthehet në dhimbje shpirtërore etj. Por, ajo që të bije më tepër në sy, është fakti se ai nuk trajton të fshehtat intime të shtratit. Ky aspekt është aq i shenjtë për të sa nuk denjon ta ndajë as me lexuesin e tij. Në këtë fokus kemi një dashuri të trajtuar me fisnikëri, një përjetim të epërm shpirtëror që mbahet larg epshit trupor. E gjithë ndjenja e tij zhvillohet e harliset vetëm në “shtratin” shpirtëror, në dritën e syve dhe në zemrat e njëri – tjetrit. Këtu shtrihet mejdani ku “hingëllijnë” kuajt e lirikës erotike të poetit dhe e bëjnë atë një ndjenjë të bukur hyjnore. “Do flasim buzë më buzë në dashuri./ Të tjerat i dimë vetëm ne të dy.”
Jani është një poet dimensional që e bën poezinë e tij të kumbojë në disa drejtime.
Dimensioni i parë është kozmogonik dhe zë fill qysh me krijimin e botës. Madje poetizimi i figurës së femrës në këtë drejtim, është ngritur në kushtëzim të formimit të saj: “Bota nuk do të ishte krijuar/ Sikur unë të mos njihja ty.” Femra në këtë dimension kapërcen çdo kufi njerëzor dhe hyjnizohet duke u bërë krijuese e gjithësisë: qiellit, diellit, hënës dhe tokës. Pra, kemi një element biblik të personifikuar tek femra – perëndi. Madje, në këtë lirikë, ajo e tejkalon edhe vetë perëndinë edhe vetë gjithësinë: “Ti je më perëndi se perëndia…/ Ti je më gjithësi se gjithësia…” “Ku je ti ka diell dhe kur ska…/ Ike ti, s’ka ujë/ Deti u tha.”
Dhe në secilin nga këta objekte të krijuar zhvillohet shkaku i një pasoje “vdekjeprurëse”. “Ti krijove Diellin…/ Unë pash sytë e tu dhe u verbova!...” Duket sikur kjo lojë është një bërthamë energjie e cila krijon në tekst temperaturën e duhur të lindjes dhe zhvillimit të ndienjës.
Dimensioni i dytë i lirikës së Nase Janit është perspektiva e dashurisë. Është një perspektivë me rrezatim të gjithanshëm që e bën atë sa të fuqishme aq edhe jetëgjatë. Ndjenja e dashurisë te ky poet është e pashtershme. Ajo vërshon në shpirtin e tij me një vokacion optimizmi dhe besimi të pacak. Ai shfaqet si një poet trumpetues, një brohoritës i madh dhe një kavalier i saj. Prania e dashurisë e bën atë sa krenar aq dhe të vetëdijshëm për rolin që ajo luan në jetën e një burri dhe për pafundësinë e saj: “Dhe, në dy jetët, që do jetojmë bashkë,/ S’do arrij dot të zbuloj gjithë dashurinë!” apo “Duhemi deri në padurim,/ Sa dhe mesnata na duket agim…”
Ndryshe nga shumë poetë të tjerë, dashuria te Nase Jani i kapërcen kufijtë e botës reale dhe gjallon po aq vrullshëm edhe në botën e amshimit. Pikërisht në këtë këndvështrim shfaqet edhe dimensioni i pafundësisë kohore të kësaj lirike. Ajo nuk i nënshtrohet ligjit biologjik të qenieve njerëzore, as transformimit të lëndës. Përkundrazi, në botën e përtejme, ajo mbetet sërish e njëjta ndjenjë ku digjet i njëjti zjarr dhe bën dritë i njëjti mëngjes. Kjo e bënë atë mjaft efektive dhe nëpërmjet saj binjakëzohen dy botët dhe dy jetët, duke shprehur sublimitetin dhe pavdekësinë e saj: “Edhe dielli po u shua,/ Ne do duhemi të dy.” Ose, “Me ty do jem çdo çast i dashuruar,/ Edhe nën hi do digjem përvëluar!”
Një tjetër element dimensional i kësaj poezie është edhe loja e të dashuruarve. Kemi një lojë mohuese për të shkuar te pohimi që në tekst luan rolin e një hiperbole: “Kur të thashë je jeta ime/ Mbeta dhe vetë pa jetë.” Ose “Përulem para zemrës tënde/ Dhe ndjej zemrën time, / që se kam më në gji.”
Ajo që vihet re dukshëm te kjo lirikë është shkrirja e ndjenjave në një të vetme dhe krijimi i frymëmarrjes së saj shpërthyese. Aludohet kështu mbi dy gjysmat e supozuara të një çifti, bashkimi i të cilave krijon të tërën unike burrë – grua: “Dy bebëza syri, në një sy,/ Dy zemra, në një zemër!”
Një tjetër dimension i kësaj poezie është edhe vartësia reciproke e të dashuruarve. Forca e ndjenjës së tyre jepet pikërisht nëpërmjet kësaj vartësie. Ky është gjithashtu një mjet që shpreh në mënyrë të larmishme se sa shumë e do ai gruan, se sa shumë e shumë e përjeton dashurinë e saj dhe sa të skllavëruar janë ata të dy ndaj njëri – tjetrit: “Kur ti çel sytë në mëngjes,/ Unë nis shikoj botën.” Ose “Kur të njoha ty,/ kuptova se kisha lindur…”
Nase Jani është një poet që kujdeset shumë për dashurinë, i shërben asaj me përkushtim dhe është i ndërgjegjësuar se pa këtë ndjenjë, kuptimi i jetës bëhet zero dhe kotësia e saj të mbyt në vetvete e të than si një gjethe vjeshte, se: “Detin e mbush një pikë lot,/ Siç e thanë një çast vetmia…”
Ai i këndon asaj me pasion dhe besim të verbër se: “Edhe globi rrotullohet nga dashuria.” Kënga e tij është një këngë përbetuese, këngë besnikërie, gërshetuar me mohimin e vetvetes dhe shkrirjen e saj në gjendjen erotike të tjetrit. Kjo poezi krijon në vetvete një ansambël të fuqishëm dhe kumbon me një melodi entuziazmi dhe vrulli optimist për femrën, për dashurinë dhe për jetën e njeriut. Është ky pasion ndoshta dhe kjo veçori që e bën kritikun e njohur, Razi Brahimi, të shprehet: “Të gjithë poetët i kanë kënduar dashurisë, por si Nase Jani askush. Të paktën askush prej poetëve shqiptarë.”