(Halil Matoshi ”The Lils’s poem”, botoi “Littera” Prishtinë, 2023, fq. 166)
Kemajl ALIU
Libri më i ri i poetit Halil Matoshi ”The Lils’s poem” (Poema për Lilin), marrë në përgjithësi është libër me të cilën poeti shënon ngritje cilësore në kontinuitein e krijimtarisë së tij letrare-poetike. Këtë shënim evident ai ka arritur ta sendërtoj përmes, tematikës së shtjelluar, mjeteve shprehëse stilistike, densitetit figurativ si dhe gjuhës specifike, çka e bën një libër poetik, kushtimisht përmbajtjesor. Libri “Poema për Lilin”, siç cekëm më lart, dallohet jo vetëm për nga mbarë shtrimi motivor dhe tematik, por edhe për nga qasje dhe perceptimi i materies lëndore;( burgu, lufta, ndarjet, vdekjet, të zhdukurit), që e mbajnë koshient lexuesin fund e krye leximit. Në pjesën dominante të vargjeve poeti vë thekse dramatike nga momentet ekalimit-përjetimit – mbijetimit të këtyre situatave dramatike, të cilat nuk marrin fund asnjëherë. Ato do të na shfaqen përsëri, tash më të reprodukuara në pasoja.
Dhimbja si lajtmotiv kryesor i poezisë
Dhuna nuk është ajo që shihet, nuk është ajo që ka ndodhur .Dhuna në fakt është ajo që vazhdon të ndodhë, edhe pasi të ketë pushuar. Ajo manifestohet e reprodukuar në forma dhe trajta të ndryshme, përmasat e së cilës poeti do të arrijë të na i shpërfaqë vetëm nëpërmjet shtjellimit artistik. Sepse, siç thotë ai me plot të drejtë, në një rast:/ Nuk fotografohet dhimbja!… Poezia,”P’ej sh’pie apo return to Ithaca”, Fq. 130. Përmes këtij vargu poeti sikur paralajmëron, një diskurs tjetër të ligjërimit mbi dhunën, përmbijetesën dhe për dhimbjen:/Nana e shtangun/ m’i kish ngulë sytë nemitun/ si me pa dekën e djalit/ The Lils’s poem”, fq. 54.
Mesazhi që del nga kjo poezi është fare i qartë,se dhuna është antinjerëzore, gjegjësisht se nuk ka, dhe nuk mund të ketë diçka më antinjerëzore se dhuna. Ajo është dhe mbetet gjithnjë e përmasave tragjike. Është poli dimensionale, konsistente, dhe gjithëpërfshirëse. I përfshinë të gjithë, pa përjashtim: /Baba 84 vjeç / shihte ne sy milicët/ i patrazuem sikur tallej me kohët që i ringjalleshin/. Po aty.
Pas kësaj drame pa epilog siç thotë poeti, ai do të nxirret jashtë shtëpisë, i përpirë nga tmerri se: / Mund të ishte shaekspere-ane/ ata mund të ktheheshin mrena/. Po aty, fq. 55. Revolja e drejtuar mbas kresë së tij, nuk do të shkrepë…Por në fakt ajo tashmë ishte e zbrazur…. Armët e mbushura qe plot një shekull qenë zbrazur po atë ditë mbi Lilin, qenë zbrazur mbi gjithë botën e tij./Mas meje metën njerëzit/ e mi hala të gjallë/dhe tymi dendur me erë mishi/ që dilte nga mbamendja/ fq. 56,”The Lils’s poem.”
Marrë në tërësinë librore “Poema për Lilin”, është realizimi më i plotë artistik. Shquhet për kronologjinë e rrëfimit, dramacitetin e vargut, si dhe për përshkrimin tipik psikologjik të personazheve: Nënës, babës, fëmijëve dhe serbëve me “menime të zeza”. Është poezi e shkurtër, që le mbresat e leximit-kalimit nëpër një poezi shumë të gjatë. Është një dramë në vete.
Duhet vënë në pah se kjo tematikë si dhe motive tjera të ngjashme të përafërta me të, edhe pse kanë një trajtim jo të pakët në letrat tona, si përmbajtje vazhdon të mbetet gjithnjë shumë e kërkuar. Me këtë rast më duhet të theksoj se sa i përket poezisë, me tematikë të burgut, dhunës,luftës,të zhdukurve, dhimbjes, te poetët Xh. Bajraj dhe H. Matoshi është e një spektri ligjërimor të veçantë, me këndvështrime dhe qasje tjera, me një dramacitet të theksuar të vargut çka mund të konsiderohen lirisht prurje të reja në letërsinë shqipe /Kjo poezi s është e imja/ Këto vargje i kanë shkruar ushtarët e armikut/ E imja është veç dhimbja / Xh. Bajraj “Copa ime e Qiellit”, fq. 65.
Burgu, ku t’burguemit nuk thyhen…
Në librin poetik”The Lils’s Poem”,është një numër sosh i poezive, ku jo vetëm për nga numri por edhe nga përmbajtja poeti trajton temën e burgut, apo për të burguemit siç shprehet ai, ku përpos me një përshkrim të detajuar me shprehje fine artistike, do shquhet për atmosferën që e krijon me ngjyrimet më të errëta, ku pellgjeve të errësirës danteske do të shpërthejnë fuqishëm dhe pathyeshëm ndjenja qëndrese dhe mbijetese.
Burgjet e okupatorit dallojnë esencialisht nga burgjet e një shteti nacional. Ato karakterizohen me faktin se bën përjashtim rregulli, se ato nuk janë ngrehina për të vuajtur i privuari nga liria për shkak të një dënimi të caktuar, por ato bëhen kryesisht për ta burgosur lirinë nëpërmjet të burguem’ve. Përderisa çdo burg, përcakton lirinë e lëvizjes brenda hapësirës së qelisë dhe hapësirave tjera më të hapura, te këto burgje kjo nuk do të ndodhë kurrë. Konsideroj se këtu poeti ka arritur me një përshkrim të rrallë poetik të përshkruaj anën aq të errët, aq mizore të këtyre burgjeve, ku: /për shkak të lëvizjes së duarve dhe kambëve/ I burgosuri dërgohet/ Me u marrë në pyetje në zyrat e milicisë sekrete/, Zingjirë Burgu -I- fq. 40, ku siç po shihet është fjala për çfarëdo lëvizje ( madje edhe me cm), (Kujtoni, problemin e cm të lëvizjes për shpezë që ngrit Harari në librin “Sapiens”.Natyrisht pas marrjes në pyetje, pason tortura ku i burgosuri mund të jetë i gatshëm të dal nga burgu bashkë me shpirtin e tij, (vdekja si liri)… Por jo… një kovë uji do ta kthej përsëri në ferrin gllabërues, ku ai bëhet, ndihet i gjallë në saje të vullneti të vrasësve të tij: Dhe do të zgjohet i burguemi, tashmë i ngjallur në një mjedis edhe më trishtues : /Rrethue isha nga fantazma/Me këmisha t’përgjakuna/ “Zingjirë Burgu” -I- ,fq. 43
Ëndrra për liri, është ëndrra më e bukur që ka projektuar njeriu. Është ëndrra për lumturinë e miliona miliona njerëzve. Këtë privilegj, mbase nuk e kanë njerëzit e lirë. E kanë vetëm të robëruarit. Apo siç do të thoshte Markezi “Racat e gjykuara me 100 vjet vetmi.” Racat që kërkojnë një mundësi të dytë mbi tokë…!
Në këto burgje, të cilat janë fati kolektiv i shqiptarëve ( çdo i treti shqiptar pati trajtim policor.), gjithçka është nën mbikëqyrje. Edhe lëvizjet e duarve dhe këmbëve nën pranga. Ne këto burgje do të humbet edhe sensi për jetë. Aty edhe vdekja është e kontrolluar. Të burgosurit janë hekur që nuk mund… nuk guxojnë të thyhen. /T’burguemit nuk thyhen/Lëmohen?/ Shina bahen me të cilët kalojnë trenat e pushtuesit ngarkue me urrejtje/. Po aty, fq. 42.
Janë këto vargje kulminante, që në mënyrën më të plotë sqarojnë fatin tragjik të të burgosurve të ndërgjegjes. Burgu i tyre zgjatë pafundësisht gjatë. Zgjatë derisa të kalojnë mbi ta trenat e gjatë me urrejtje shekullore. Të burgosurit do t’i përçojnë fund shekullit, atë më njerëzoren, ëndrrën, kërkesën për Liri, për derisa pushtuesi do të vazhdoj të ju transmetojë urrejtjen shekujve, edhe pse fundi i shekullit që po shkonte e kishte bërë tërësisht gjenocidal. Në vazhdim të trajtimit të kësaj pjese të librit, gjithashtu konsideroj se poezia “Ushtrime stilistike me Visar Zhitin”,fq. 49, është ndër poezitë më të realizuara të librit në tërësi; Është poezi e përshkrimit të thellë artistik, imagjinatë të bujshme dhe dimension të gjerë të mendimit. Sa është poezi lirike, po aq është poezi e mendimit, e që shquhet edhe për erupsionin karakteristik të vargut, që vetëm sa e kulmon vlerën estetike të kësaj poezie në tërësi : /Kur rash vet atje poshtë/ Nisa me pa mas të dukshmes/ Njerëz të dashtun /te kafkat e hedhuna në gropë/ që në vend të syve kanë gaca fq. 49.
Tragjediciteti pas burgut do të vazhdoj, sepse nga lufta si dhe burgu, nuk do të kthehen të gjithë. Janë të dy poetët (Matoshi) si dhe Zhiti i matanë kufirit të cilët pas përjetimit të golgotës së burgut, arrijnë të dalin… Por ka edhe shumë tjerë që nuk ia kanë dalë… Janë zhdukur dhe me ta mund të çmallemi vetëm nëpërmjet fotografisë.
/N’prani të mungesës Visari ndërkohë u step/po shikonte plot habi tue i fërkue sytë/ Më prit më tha të qafëm/ Me Ukshin Hotin/fq. 50
Prandaj, kjo dhimbje siç thotë poeti duhet përsëri dhe patjetër të merr përmasat e rishfaqjes;/ në një kohë ma t’ qetë se kjo e jona/…/në një kohë poetësh të tjerë/…/ /nga një emën me e majtë men/ Me u qafë me ta me ren’/ në shekuj që vijnë / Si Visari me Ukën /fq. 51
Poezi nga më përmbajtjesoret e dhënë në kërkim /të një kohe poetësh të tjerë/, ku përmes imagjinatës së bujshme dhe mjeshtërisë së rrallë artistike poeti arrin ta rikrijoj realitetin e ri të një kohe në pritje…!
Fundi i luftës… kthimi në shtëpi dhe vrasja e ëndrrave të fëmijëve të shpëtuar
Atdheu, dhe kthimin në shtëpi në librin poetik “Poema për Lilin” është i përmasave mitike.Ky kthim në njëfarë mënyre është fundi i atij rrugëtimi, dramatik me mbijetesën triumfiale. Kthimi në shtëpi është rrugëtimi më i mirë që mund të bëjë njeriu. Është rruga e ëndërruar qe një shekull. Por,kur lufta merrfund nuk do të kthehen të gjithë… Do të kthehen vetëm të mbijetuarit… Rruga e kthimit të tyre sikur kalon në labirinthin e pafund, të pritjeve të pafundme, pyetjeve pa përgjigje dhe dilemave kryekëput dramatike: /ditën që odiseja u nis p’ej shpie/pati një vegim se kishin dekun/ të gjithë njerëzit e tij dhe dritaret ishin mshelë/ me therrë/ E s ‘kish as ku as pse mu kthye / Poezia,”… dhe shtëpia”fq. 58.
…Nuk do të kthehen të gjithë… Një të diel i kishin thënë edhe Ukshin Hotit; Je i lirë. Mund të shkosh në shtëpi. Por ai nuk ishte kthyer sot e atë ditë. Kështu ankthi i pritjes vazhdon ndër shtëpitë tona… Deri në gjetjet mortore. Të tjerët shkruajnë dhe rishkruajnë historinë, përsërisin fitoret … Ne sikur përsërisim dhimbjen. Kështu Ali Podrimja dikur në Itali në Maki të Kalabrisë, kishte bërë një foto me De Radën. E pas gjysmë shekulli, Visari kishte përqafuar Ukën në Prishtinë.
Në vazhdim të leximit të librit “Poema për Lilin”, do të ndeshim absurdin e një lufte e cila ka përfunduar madje edhe është fituar, por prapë vazhdon: /në botën e fëmijëve të Kosovës/ erdh një flokëthimë me emrin Peter/solli ankth/ “Letërsia vret fëmijë” fq. 117. Për të vazhduar më tej me vargjet kulminante të kësaj poezie / e vjen një letrar i shtihavt/ … /u përgjakë andrrat fëmijëve/që nuk vdiqën atë ditë në Obri/. Po aty,fq. 119.
Poezi e një guximi të veçantë intelektual do të thosha, me vargje të spikatura metaforike.Vërtetësinë e misionin e tij, sa poetik aq njerëzor, H. Matoshi, do të vazhdoj ta dëshmoj bindshëm gjithashtu me poezinë “Po pritoj me shkru për luftë”, fq. 89, që ndërlidhet me luftën më të re në Ukrainë, ku do tu drejtohet mekërkesë-lutje shkrimtarëve: / Tolstoi, Pushkin Jesenjin/Dostojevski/ E ti Ana Akhmatova /…/Çohuni veç edhe kësaj herë/Nga shtrati i juej i kalbun/, dhe për të vazhduar më tej, sepse;/Krymat po vlojnë në faqet e librave si në katakombe/.Po aty.
Është poezi që mbanë kronologjinë e narratives në vazhdim, dhe të nivelit estetik të saj përgjithësisht. Kur jemi te referimet që autori ua bën personaliteteve, patjetër duhet cekë se autori shquhet për portretizime të shumta që i sjellë në librin e tij poetik. Është për t’u theksuar se këto portrete nuk i trajton në kuptimin bukval të portretizimit, por gjithnjë duke marrë pikë orientimi të bëmat, porositë, apo fuqinë e personalitetit të tyre,për çka edhe sjell mesazhe të fuqishme poetike: psh. “Lekcion nr.1”,fq.31, “Jeta jote ishte kërkim Bekë Lumi”, fq. 34, “Vaj për Brahim Rugovën”,“Spaç (Memento për poetin Visar Zhiti)” fq. 52, “… dhe shtëpia (për poetin Xhevdet Bajraj)”, fq. 58, etj, Mjafton tureferohemi me këtë rast vetëm vargjeve : /dita u pushtue nga fuqia/ e një të dekuni/,poezia “Vaj për Brahim Rugovën” fq. 32. / u çaktivizuan bombat/ kurthet fjalët e idhta/ u kthyen në grykë/,për të vërejtur fuqinë dhe përmbajtjen e kësaj poezie figurative, e cila shquhet, për shtrirjen e gjerë të mendimit,dhe që arrin të zgjoj te lexuesi, asociacione kuptimore tekstore dhe nëntekstore, nga më të begatshmet.
Kujtesa si determinuese e ekzistencës dhe shtegu i yjeve
E kaluara është petku të cilin nuk duhet zhveshur, pa marrë parasysh se krejt çka rezultoi deri në ditët tona kryesisht është mbijetesa. E kaluara është realitet i pashmangshëm, është jeta jonë që mbanë vulën e përpjekjeve shekullore për Liri dhe dinjitet, prandaj ajo duhet revalorizuar. Lajbnici dikur thoshte:”Historia është nënë e së kaluarës dhe bijë e së ardhmes”. Prandaj,amnezia është sëmundje, thotë poeti:/Edhe guri thahet/ nëse nuk i kthehet kujtesa/ e ujit.” Melankolia”, Fq. 67.
Mesazhi i kësaj poezie është shumë i qartë: Është kujtesa ajo që ndriçon rrugë bërjen tonë.
Sikur çdo poet, që është në kërkim të një bote jo vetëm më të mirë, por edhe ideale. domosdo që është edhe në natyrën krijuese të poetit H. Matoshi, të cilin synim e shpërfaqë bindshëm në poezinë “Sy që keshin -I-”/ ku thotë:/Sytë që keshin/janë shteg /nëpër të cilin i bijnë yjet / Derisa të shtymën/. Po aty, fq. 16.
Edhe pse këtij idealiteti poeti nuk i rikthehet asnjëherë në mënyrë të drejtpërdrejtë, poezia në fjalë është dhe mbetet drita më vezulluese, e kërkimit të kësaj bote, si dhe besimit në të botë, edhe pse siç duket, yjet do të vazhdojnë të shtymen larg e më larg dhe fare të pavërejtshëm nga ne, për shkak të, të dhimbjes, për shkak të mungesës së buzëqeshjes në Sy.Ky nuk është vetëm diskurs, nuk është as vetëm mesazh, apo ëndërr poeti. Është shumë më tepër, është besim. Besimi nuk është e thënë apriori të vërtetohet, pas besimit shkohet, dhe pikë. Në një farë mënyre sikur e le lexuesin të angazhuar në këtë idealitet. Asocionon me vargun e Shopenhauerit të kërkimit të një bote ideale; “Një Botë ku muzika, drita e hënës dhe ndjenja të jenë një.”
Krejt në fund libri “Poema për Lilin”, është libër i veçantë, për faktin se autori ia ka dalë mbanë të ligjëroj me mëvetësi artistike për trajtat e shumëfishuara të dhimbjes duke e vendosur atë në kontekste të ndryshme; individuale, kohore, tekstuale dhe intertekstuale, gjithnjë me një dendësi figuracioni.
Duke u nisur nga fakti se vargu i H. Matoshit përmban gjithashtu nuancime të forta të natyrës filozofike, e kësaj kur t’i shtohet edhe fakti i ligjërimit dramatik që e arrin suksesshëm poeti, jo vetëm në “Poemën për Lilin”, por pothuajse në pjesën dërmuese të librit, mendoj se këto veçori e bëjnë një poet të mvetsishëm me një identitet tashmë të formuar artistik.