DOZIMI I KULTURËS

A e kuptuan ndonjëherë politikanët shqiptarë se, në asnjë pyetësor, në asnjë program e strategji të pushtetit maqedonas nuk flitet për kulturën shqiptare në Maqedoninë e Veriut. Gjithandej prezantohet, propagandohet dhe nënvizohet se këtu frymon vetëm kultura maqedonase e cila ka “mirëkuptim” për përpëlitjet kulturore margjinale të bashkësive të tjera etnike

Nga Avni HALIMI

Në Komisionin parlamentar për kulturë, më vitin 2010, shpesh u loz loja e njëjtë politike “me një të rame dy të vrame”! Së fundmi, shumica etnike parlamentare maqedonase përfitoi pikë politike te ndërkombëtarët, ndërsa sërish e provokoi nervozizmin te shqiptarët duke ua nxjerrë në shesh mosnjohuritë mbi mënyrën e zhvillimit dhe avancimit të jetës kulturore në vend. Komisioni në fjalë, veç të tjerash miratoi edhe shënimin e disa përvjetorëve me rëndësi historike e kulturore për shqiptarët e vendit. Jo po na u deshtën nëntë manifestime të tilla, jo po mjaftojnë vetëm pesë, jo po u shpreh diskriminimi kulturor kundër shqiptarëve, jo po partia shqiptare në pushtet paskësh arritur që me këto pesë shënime ta ndërrojë karakterin e shtetit të Maqedonisë së Veriut prej shtetit monokulturor në atë shumëkulturor!

Këto batuta edhe një herë dëshmuan për diletantizmin kulturor të deputetëve shqiptarë! Disa ditë më vonë, pastaj, do të pasojnë titujt e shkrimeve si dhe deklaratat e deputetëve shqiptarë në Parlament se, Ministria e Kulturës nuk i përfill vendimet e Parlamentit për sa i përket shënimit të përvjetorëve historike e kulturore shqiptare. Nëse nuk përkrahen edhe kësaj radhe këto vendime të Parlamentit të Maqedonisë, atëherë ashiqare paskemi të bëjmë me diskriminim kulturor që po e ushtruaka kjo Ministri kundër shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut! Kështu rezonohej atëbotë! Po a do të binte poshtë ky konstatim i pamohueshëm nëse do të financoheshin pesë përvejtorët që i kërkonin deputetët shqiptar? Avazi vazhdon!

Parlamenti nuk është OJQ

Deputetet shqiptarë assesi të kuptojnë se kjo me këto shënime përvjetorësh është vetëm një bllof i ulët dhe asgjë tjetër! Sepse, Parlamenti nuk është organizatë joqeveritare që merret me të tilla aktivitete, sepse Parlamenti nuk aplikon dhe nuk konkurron në asnjë sektor të Ministrisë së Kulturës, sepse Parlamenti çdo vit, një muaj më parë miraton buxhetin vjetor të Qeverisë, rrjedhimisht edhe atë të Ministrisë së Kulturës, buxhet ky që hartohet në bazë të projekteve, programeve të subjekteve të ndryshme por edhe në bazë të prioriteteve nacionale të kësaj Ministrie, sepse Parlamenti miraton Ligjin për shpenzim të buxhetit dhe, tek pas një muajve, si rëndomë, debaton për shënime historike e për aktivitete nacionale kulturore. Deputetët shqiptarë duhet të dinë se ky Komision parlamentar ka obligim që të përcjellë zbatimin e programit nacional të Ministrisë së Kulturës dhe jo të aplikojë me projekte në këtë Ministri. Përvjetorët shqiptarë asnjëherë nuk konsiderohen si aktivitete që përfshihen në strategjinë për kulturë nacionale, ndaj dhe qeveria nuk reagon me buxhet shtesë për aktivitete të tilla “të paparashikueshme”! Kurse Ministria e Kulturës vazhdimisht përgjigjet se “askush nuk mund t’i imponojë aktivitete e projekte për të cilat paraprakisht nuk janë ndarë buxhet nga ana e komisioneve që me muaj punojnë për programin nacional të Ministrisë”. Deputetët shqiptarë duhet t’i japin fund lojës e cila nga deputetët maqedonas shfrytëzohet sa për t’i dëshmuar aftësitë e tyre manipuluese.

“Pjetër Bogdani” (nën këtë emër ishte ngritur iniciativa për themelimin e Institucionit për trashëgimi kulturore dhe shpirtërore të shqiptarëve– Shkup) është Institucioni më i thirrur për të vlerësuar se cilët përvjetorë do të mund të shënoheshin, se cilat aktivitete nacionale do të mund të organizoheshin në sferën e kulturës. Natyrisht, edhe asociacionet e ndryshme kulturore, ansamblet, edhe shoqatat historike, edhe fakultetet, edhe universitete, edhe komuna dhe katunde, të gjithë mund të organizojnë përvjetorë përkatës, aktivitete kulturore, promovime e tubime shkencore, madje pa marrë leje dhe pa pritur miratime as nga Parlamenti dhe as nga asnjë institucion tjetër shtetëror. Ndërsa financimi i tyre sigurohet ose me donacione, ose me sponsorizime, ose nga buxheti shtetëror. Por, për të përfituar nga ky buxhet paraprakisht duhet të aplikohet dhe të konkurrohet në konkursin për programin nacional, në rastin konkret, të Ministrisë së Kulturës. Kurse për t’i shtyrë ato projekte përpara, këtu duhet të këmbëngulin anëtarët shqiptarë nëpër komisionet e Ministrisë së Kulturës, që janë të deleguar nga partitë që participojnë në pushtet. Partitë, ashtu siç këmbëngulin në kalimin e domosdoshëm të një libri të dobët që mund të jetë i një militanti partiak, ashtu mund të këmbëngulin edhe në kalimin me buxhet te respektueshëm të përvjetorëve që shënojnë ngjarje apo personalitete kombëtare. 

Programi nacional për kulturë pa kulturë shqiptare

Moskalimi i projekteve shqiptare, apo kalimi i tyre në numër minimum gjithsesi që është një diskriminim kulturor ndaj shqiptarëve, i cili po ushtrohet në mënyrë permanente dhe tepër ortodokse! Pa dyshim që diskriminimet kulturore në mënyrë kaq klasike si te ne mund të hasen vetëm në politika të egra nacionaliste e raciste. Kjo politikë në ditët e sotme botën e civilizuar do ta tmerronte deri në palcë, atëherë, pse nuk ka dhe nuk shprehet asnjë shqetësim për këtë diskriminim nga vëzhgues e diplomatë perëndimorë që veprojnë te ne, sidomos nga ata faktorë që janë mburojë dhe përkrahës të denjë të diversitetit kulturor! Nuk ka shqetësime nga “faktorët monitorues”, sepse nuk ka ankesa seriozë nga “shqiptarët” në pushtet, të cilët, gjithnjë e më shumë po mburren se ia kanë dalur që Maqedoninë e Veriut ta shndërrojmë në shtet multietnik e multikulturor! Shoqatat dhe individët e ndryshëm shqiptarë vazhdimisht ankohen dhe reagojnë për moskalim të projekteve “kombëtare”! Eliminimi i diskriminimit kulturor ndaj një etnie duhet të jetë brengë dhe punë e subjektit politik që participon në pushtet dhe jo e një shtëpie botuese apo i një asociacioni minor e entuziast. Diskriminimi kulturor duhet të parandalohet që në strategjitë politike që fshihen nëpër programet nacionale!

Ish-ministrja për Kulturë, Elizabeta Kançevska Milevska, me t’u emëruar në këtë post lëshoi një letër qarkore deri te të gjithë institucionet kulturorë të vendit që janë shfrytëzues të buxhetit shtetëror, prej të cilëve kërkoi që sa më parë të përgjigjen me shkrim për prioritetet kulturore në periudhën e ardhshme katërvjeçare 2011-2015. Nëse një i huaj e lexon me kujdes këtë “gjest” do të mrekullohet nga gatishmëria e kësaj Ministrie për të investuar në avancimin dhe në ruajtjen e diversitetit kulturor në vend. Në atë “manifest elizabetian” ka plotë teori, plot përkushtime për mbrojtjen dhe avancimin e vlerave kulturore të bashkësive të tjera etnike! Në botën e civilizuar ministritë përkatëse përkujdesen për institucionet nacionale, ndërsa asociacionet kulturore dhe organizatat jofitimprurëse përkujdesen që të sigurojnë sa më shumë donacione dhe përkrahje për projektet kulturore!

Aktualisht, në Maqedoni funksionojnë rreth 120 institucione kulturore shfrytëzues të buxhetit! Prej tyre nja 5 a 6 janë që menaxhohen nga drejtorë shqiptarë. Është shumë e arsyetueshme që këta drejtorë të shtrojnë më shumë prioritete dhe të kërkojnë më shumë për t’u avancuar vlerat kulturore të shqiptarëve të këtushëm. Por, që në start do të cungohen e masakrohen ato prioritete shqiptare. Ky program nacional me këta prioritete kulturore pastaj shtrihet në kuadrin e planit pesëvjeçar që paraqitet si strategji nacionale e qeverisë së vendit. Edhe nga kjo strategji faktorët ndërkombëtarë mbesin gojëhapur! Aty do të hasen plotë teori për angazhimin e qeverisë për avancim dhe përkrahje të çdo kulture në çdo cep të vendit, për ruajtjen dhe mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, për përkujdesje të veçantë për artistë e kulturologë të vendit, për ruajtjen me xhelozi të vlerave të mirëfillta kulturore…

Në të mirë të kësaj propagande antishqiptare do të jenë edhe prononcimet e politikanëve tanë të papërgjegjshëm që për t’i ruajtur përfitimet nga të qenët në pushtet do të deklarojnë se, situata e përgjithshme e shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut është shumë e mirë ndaj të gjithë duhet të angazhohemi në zgjidhjen e konteksteve ndërkombëtare të shtetit për euro-integrimet që e presin!

Këta politikanë dhe subjektet e tyre partiake, duke qenë të kënaqur me financimin e dy-tre librave, me financimin e dy-tre shfaqjeve teatrale, me financimin e dy-tre koncerteve amatore, nuk çanë kokë për atë se çka po i ndodhë Institutit për Trashëgimi Kulturore të Shqiptarëve të Maqedonisë, si u dëbua nga selia e vet, në Kurshumli-han, fare nuk u “shqetësuan” nga prezantimi promovues i dhjetëra asociacioneve kulturore maqedonase, i artistëve maqedonas, nga mbajtja e qindra ditëve kulturore ekskluzivisht maqedonase nëpër botë që u organizuan përgjatë viteve 2010-2011!

A e kuptuan ndonjëherë politikanët shqiptarë se si u plotësua Pyetësori për implementimin e Konventës së UNESKO-s e vitit 2005! Në asnjë raport, në asnjë pyetësor, në asnjë program e strategji të pushtetit maqedonas nuk flitet për kulturën shqiptare në këtë hapësirë. Gjithandej prezantohet, propagandohet dhe nënvizohet se këtu frymon vetëm kultura maqedonase, e cila ka “mirëkuptim” për përpëlitjet e kulturave të bashkësive të tjera etnike margjinale!

Kur të kihen parasysh të gjitha këto fakte – kush mund të jetë ai sagllam njeri që mund të vlerësojë se, mosshënimi i një date të rëndësishme shqiptare nuk duhet të na zmbrapsë nga angazhimi kombëtar për ta zgjidhur çështjen e flamurit, pastaj të emrit, pastaj të konteksteve kulturo-historike me bullgarët etj. “Shqiptarët” e Parlamentit të Maqedonisë prioritet i kishin këta probleme, ndërsa maqedonasit e Gruevskit e të Zajevit kishin për prioritet ngulfatjen e çdo kulture tjetër në të mirë të kulturës së tyre që do t’ua zgjidhë çështjen e shtetit komb!

Përçmimi institucional i kulturës

Nëse i bëjmë një krahasim zhvillimeve të ndryshme shoqërore në raport me zhvillimet kulturore te ne, sakaq do të dilnim te përfundimi se, fatkeqësisht, jemi për t’u vajuar! Nuk mund të thuhet se nuk kemi korniza ligjore për sa i përket jetës së gjithmbarshme kulturore. I kemi, madje janë në harmoni të plotë me kërkesat ligjore evropiane. Strategjitë nacionale për kulturë, i kemi, janë të mahnitshme në lexim të parë! A kemi mekanizëm kontrollues, mbikëqyrës, motivues, mbi të gjitha, sanksionues, kundër neglizhuesve dhe sabotuesve të këtyre ligjeve dhe strategjive?

Janë mijëra e mijëra godina banesore, janë qindra mijëra biznese, qindra korporata, qindra institucione shëndetësore, bankare etj. I tërë ky zhvillim në fakt paraqet vetëm “zhvillimin e manipulueshëm”, mundësinë e përfitimeve të mëdha të oligarkëve, por edhe mundësinë e përfitimeve shtetërore nga taksat!

Nga ana tjetër, nuk kemi institucione kulturore rishtas të themeluara! Kemi dy-tre teatro private, dy-tre manifestime private, nja dhjetëra shtëpi botuese që përkujdesen për botimin e librit; nuk kemi operë, filarmoni, balet, nuk kemi institucione kërkimore kulturore. Nuk i kemi sepse kërkojnë kosto të paimagjinueshme, të papërballueshme për buxhetet shtetërore, ndonëse, tërë ky “mastraf” do të mund lehtësisht të përballohej vetëm nga konfiskimi i pasurive të fituara pandershmërisht, nga ndëshkimi i korrupsionit dhe përfitimeve të ndryshme në rrugë joligjore. Shqipëria dhe Kosova tashmë e kanë edhe Ligjin për sponsorizim të kulturës rinisë dhe sportit, ligje këto që krijojnë përshtypjen se, intenca e shtetarëve tanë është që më shumë të tallen me kulturën se sa ta ndihmojnë! A nuk është ky një përçmim institucional që i bëhet kulturës?! Ky ligj do të duhej të ishte enkas për kulturën, pastaj le të ketë ligje të ngjashme edhe për rininë dhe sportin etj. Sepse, këto ligje gjithëpërfshirëse, nuk kanë ravijëzuar bie fjala, kufirin në mes të kulturës dhe argëtimi. Së këndejmi, aktivitetet argëtuese-sportive nuk mund të jenë jetë kulturore! Ligjet në fjalë, sponsorizuesve të aktiviteteve rinore e sportive u njihet zbritja tridhjetë për qind (30%) nga tatimi në fitim. Kurse, për aktivitete kulturore kjo zbritje prek vetëm njëzet përqindëshin (20%)! Ligj i ngjashëm ekziston edhe në Maqedoninë e Veriut! Pse nuk kemi sponsorizim të aktiviteteve gjurmuese-arkeologjike, të repertorit të një filarmonie, të një opere, të një baleti, nuk kemi sponsorizim të një shfaqje teatrale, të botimeve ekskluzivisht të talenteve të reja; pse nuk kemi një ekspozitë të sponsorizuar, nuk kemi koloni artistësh, nuk kemi një manifestim letrar gjithëkombëtar! Sepse, të gjitha këto aktivitete janë elitare dhe nuk u krijojnë kurrfarë përfitimi sponsorizuesve. Prandaj, sponsorizuesit i kemi të pranishëm më tepër tek estrada argëtuese-zbavitëse, e cila, nuk paraqet kurrfarë aktiviteti kulturor. Sepse, një aktivitet i estradës siguron masë të gjerë vizitorësh, ku edhe reklama për donatorin është më masovike, kurse një ekspozitë pikturash mund të sigurojë maksimumin nja 1000 vizitorë! Një libër mund të vërehet se është donuar, më së shumti nga nja 30-50 lexues dhe, reklamimi i sponsorizusit shkon vetëm tek ky numër i popullit!

Sponsorizimi i aktiviteteve kulturore, me prioritete të caktuara institucionalisht, do të duhej që “t’i amnistonte” nga tatimet të gjithë subjektet që dëshirojnë të kontribuojnë në jetën gjithmbarshme kulturore. Shteti ka mekanizma për ta kontrolluar këtë sponosrizim dhe për t’u lehtësuar nga financimi i të gjitha atyre aktiviteteve që ndihmohen nga dashamirët e kulturës! Kjo do të krijojnë një garë ndërbiznesore si dhe një koegzistencë të mrekullueshme bisnes-kulturë, në interes të zhvillim të gjithmbarshëm shoqëror!

Leave a Reply

Your email address will not be published.