DUARTROKET OSE FISHKËLLEN RASTËSISHT

Albert CAMUS

Në shumicën e rasteve, artisti ka turp nga vetvetja dhe privilegjet e tij, nëse ka të tilla. Përpara së gjithash, atij i duhet t’i përgjigjet pyetjes që shtrohet: a është arti një luks gënjeshtar? Përgjigja e parë e ndershme, që mund të jepet, është kjo: në fakt, ndodh që arti të jetë një luks gënjeshtar. Ne e dimë se në urën e galerave, gjithmonë e kudo, mund t’i këndohet yjësive, ndërkohë që të dënuarit me punë të detyrueshme vozisin dhe lodhen në hambarin e anijes; mund edhe të regjistrohet biseda mondane që vazhdon në shkallët e cirkut, ndërkohë që viktima jep shpirt në gojën e luanit. Dhe është e vështirë ta kundërshtosh këtë art, i cili në të shkuarën ka njohur arritje të mëdha. Një nga akuzat që mund të ngresh kundër tij, është se gjërat kanë ndryshuar paksa dhe, në veçanti, se numri i të dënuarve me punë të detyruar dhe i martirëve është rritur shumë në sipërfaqen e globit. Përpara një mjerimi kaq të madh, ky art, nëse dëshiron të jetë një luks, sot duhet të pranojë të jetë gjithashtu edhe një gënjeshtër.
* * *
Por për çfarë do të fliste ai ? Nëse i përshtatet kërkesave të shoqërisë sonë, në pjesën më të madhe do të jetë argëtim pa kurrëfarë rëndësie. Nëse e refuzon atë në mënyrë të verbër, nëse artisti vendos të izolohet brenda ëndrrës së tij, ai nuk do të shprehë asgjë tjetër përveçse një refuzimi. Në këtë mënyrë do të kishim një prodhim argëtuesish ose gramatikanësh të formës që, në të dyja rastet, ka si rezultat një art të shkëputur nga realiteti i gjallë. Përreth thuajse një shekull, ne jetojmë në një shoqëri që nuk është, madje, as edhe shoqëria e parasë (paraja ose ari mund të ngjallin pasione mërshore), por ajo e simboleve abstrakte të parasë. Shoqëria e tregtarëve mund të përkufizohet si një shoqëri, ku gjërat zhduken në dobi të shenjave. Kur një klasë drejtuese nuk i mat pasuritë e saj ,duke u bazuar në sasinë e tokës apo në numrin e shufrave të arta, por në numrin e shifrave që i përkojnë idealisht njëfarë numri operacionesh shkëmbimi, ajo përpiqet në të njëjtën kohë që ta rrethojë përvojën dhe universin e saj me një lloj mistifikimi. Një shoqëri e bazuar te shenjat, në thelbin e saj, është një shoqëri artificiale, ku e vërteta mërshore e individit është e mistifikuar. Kështu që nuk do të habitemi, kur të shikojmë se kjo shoqëri ka zgjedhur si fè një moral me parime formale dhe sesi ajo i shkruan fjalët liri e barazi si në burgje, ashtu edhe në tempujt e saj financiarë. Por, në të njëjtën kohë, nuk mund të luash me fjalët pa u ndëshkuar.
* * *
Sot vlera më e përgojuar është ajo e lirisë. Disa njerëz të cekët (gjithmonë kam menduar se ka dy lloj mençurish, mençuria e zgjuar dhe zgjuarsia e trashë) kanë nxjerrë doktrinën se ajo nuk është tjetër, veçse një pengesë në rrugën e progresit të vërtetë. Por ka qenë e mundur të thuhen budallallëqe kaq të mëdha, sepse për njëqind vjet shoqëria tregtare e ka përdorur lirinë në mënyrë përjashtuese e të njëanshme, e ka konsideruar atë si një të drejtë e jo si detyrë, dhe nuk ka pasur frikë të vendoste një liri në parim në shërbim të një shtypjeje që mbretëronte në të vërtetë. Duke u nisur nga ky fakt, përse të habitemi nëse kjo shoqëri nuk i ka kërkuar artit të jetë një instrument çlirimi, por një ushtrim pa pasoja të mëdha dhe një zbavitje e thjeshtë. Tërë ajo botë që karakterizohej nga kokëçarjet për shkak të parave, por mbi të gjitha nga taksiratet për shkak të dashurisë, gjatë shume vitesh ishte e kënaqur me shkrimtarët e saj mondanë dhe me artin më pa vlerë që mund të ekzistonte, ai për të cilin Oskar Uaildi, duke menduar për veten e tij përpara se të kishte njohur burgun, thoshte se vesi më i keq ishte të qenit i sipërfaqshëm.
Fabrikuesit e artit (ende nuk kam thënë artistët) e Evropës borgjeze, përpara dhe pas 1900, kanë pranuar në këtë mënyrë papërgjegjshmërinë, pasi parpërgjegjshmëria nënkuptonte një shkëputje rraskapitëse nga shoqëria e tyre (ata që janë shkëputur me të vërtetë quheshin Rembo, Niçe, Strinberg dhe të gjithë e dimë shumë mirë çmimin që kanë paguar). Teoria e artit për art, që në fakt nuk është tjetër veçse marrja përsipër e kësaj papërgjegjshmërie, i përket kësaj epoke. Arti për art, zbavitja e një artisti të vetmuar, është me të drejtë arti artificial i një shoqërie të rreme e abstrakte. Kurorëzimi i tij i logjikshëm është arti i salloneve ose arti tërësisht formal, i cili ushqehet me preciozitete e abstraksione dhe që ka si rezultat shkatërrimin e çdo realiteti. Disa vepra, ashtu si dhe disa njerëz të mrekullojnë, por në të njëjtën kohë ka edhe shumë shpikje të ndyra që dëmtojnë shumë të tjerë. Si përfundim, arti krijohet jashtë shoqërisë dhe shkëputet nga rrënjët e saj të gjalla. Pak nga pak, ndonëse në majë të suksesit, artisti është vetëm, ose të paktën njihet nga kombi i tij vetëm me ndërmjetësinë e shtypit të gjerë apo radios, që do të japin për të një ide të përshtatshme e të thjeshtuar. Me specializimin e artistit, bëhet i nevojshëm edhe vulgarizimi. Kështu, shumë e shumë njerëz do të kenë përshtypjen se e njohin një artist të caktuar të epokës sonë, meqë kanë mësuar nga gazetat se ai rrit kanarina ose se nuk martohet asnjëherë për më tepër se gjashtë muaj. Sot të jesh i famshëm do të thotë të të admirojnë ose të të urrejnë, pa të lexuar. Çdo artist që do të jetë i famshëm në shoqërinë tonë, duhet të dijë se nuk është ai që do të jetë i tillë, por dikush tjetër me emrin e tij, i cili nuk do të ketë asgjë të përbashkët me të dhe ndoshta do të vrasë një ditë brenda tij artistin e vërtetë.* * *
E si është e mundur të habitemi, po të mendojmë se krijimet me vlerë në Evropën tregtare të shekullit nëntëmbëdhjetë e njëzet, për shembull në letërsi, janë ngritur kundër shoqërisë së kohës së tyre! Mund të thuhet se deri pak para Revolucionit francez, letërsia që lëvrohej ishte kryesisht një letërsi miratuese. Duke u nisur nga çasti kur shoqëria borgjeze e dalë nga revolucioni u stabilizua, u zhvillua një letërsi që karakterizohej nga sensi i revoltës. U mohuan në këtë mënyrë vlerat zyrtare, për shembull te ne, qoftë nga mbartësit e vlerave revolucionare, nga romantikët te Remboja, qoftë nga ata që ruanin vlerat aristokratike, nga të cilët mund të përmendim Vinjinë e Balzakun. Në të dy rastet, populli dhe aristokracia, që janë dy burimet e çdo qytetërimi, radhiten kundër shoqërisë së rreme të kohës së tyre. Por ky refuzim, që me kalimin e kohës u ngurtësua, u bë i rremë dhe çoi në një lloj tjetër steriliteti. Tema e poetit të mallkuar që lindi në një shoqëri tregtare (Shatertoni është shembulli më i mirë), bëri te vetin një paragjykim, sipas të cilit një artisti i mirë duhet të ngrihet gjithmonë kundër shoqërisë së kohës së tij, cilado qoftë ajo. I ligjshëm në origjinën e tij, kur pohonte se një artist i vërtetë nuk mund të bjerë në ujdi me botën e parasë, parimi u bë i rremë kur prej tij nxorën idenë se artisti mund të afirmohej si i tillë vetëm duke qenë kundër gjithçkaje në përgjithësi. Kështu, shumë nga artistët tanë duan të jenë “të mallkuar”, i vret ndërgjegja kur nuk janë të tillë dhe dëshirojnë në të njëjtën kohë si duartrokitjet, ashtu edhe fishkëllimat.
* * *
Natyrisht, duke qenë i lodhur ose shpërfillës, sot publiku duartroket ose fishkëllen rastësisht. Intelektuali i kohës sonë nuk pushon së ngurtësuari për të qenë i madh. Por, duke mohuar gjithçka, deri edhe traditën e artit të tij, artistit bashkëkohor i formohet iluzioni se po krijon rregullat e veta dhe arrin deri aty, sa të mendojë se është Zoti. Kështu, ai pandeh se është në gjendje të krijojë realitetin e tij. Por, larg shoqërisë, ai do të krijojë vetëm vepra formale dhe abstrakte, prekëse si përjetime, por pa pjellorinë që është karakteristikë e artit të vërtetë, prirja e të cilit është të mbledhë. Si përfundim, ndryshimi ndërmjet stërhollimeve e abstraksioneve bashkëkohore dhe veprës së një Tolstoji ose një Molieri do të jetë po aq i madh, sa edhe ndërmjet tregtisë së shpresuar të një gruri të padukshëm dhe vetë dherave të prekshëm të hullisë.

Leave a Reply

Your email address will not be published.