Aziz MUSTAFA
Këtë kërkesë kishte ime bijë, nxënëse e klasës së nëntë, sot në këtë mëngjes prilli të ngrohtë. Mësuesja e gjuhës shqipe ua kishte dhënë lekturë, me qëllimin e mirë që ditët e pushimit pranveror të mos i kalojnë duke shikuar “Tik-tok” e gjëra të tjera nga telefonat e mençur, por të shfrytëzojnë ndonjë hije në cep të kopshtit të mugulluar për të lexuar një nga kryeveprat letrare më të njohura së të gjitha kohërave. Ime bijë, për fat të mirë është lexuese e pasionuar, por lexon më shumë në anglisht, për çka kohëve të fundit kam filluar të brengosem. Brenga ime ka dy skaje: në njërin skaj qëndron fakti se fëmijët tanë, duke lexuar anglisht që nga pelenat, duke ditur më mirë anglisht se shqip, e prindërit duke e menduar se është mirë kështu, në një të ardhme që vështirë ta përcaktojmë me vite, dekada a shekuj do ta bëjnë që gjuha jonë e bukur shqipe të bëjë pjesë në gjuhët e zhdukura (mos e bëj Zot); ndërsa në skajin tjetër të brengës është një fakt, po ashtu i dhembshëm, sa gati nuk ma bën zemra t’ia them vetes: mos letërsia jonë nuk ka vlera dhe kualitete që ta shtyjnë një adoleshent që të zgjedhë për lexim libra të autorëve të huaj, konkretisht anglisht-folës, para atyre shqiptar? A duhet të mendojmë sa kemi letërsi shqipe që nuk është as për të rritur, as për fëmijë, por për moshën e vajzës sime?
Hamleti i parë që më ra ndër mend e që e kisha në të kapur të dorës në bibliotekën e shtëpisë ishte vëllimi “The Complete Works of William Shakespeare”, botim i vitit 1997, ku brenda dy kapakëve të fortë me ngjyrë të zezë e me shkronja ari janë të përfshira të gjitha tragjeditë, historitë, komeditë dhe sonetet e bardit anglez Shekspir. Nuk ia përmenda vajzës, edhe pse ajo e dinte se është në raftin më të lartë të bibliotekës. Mjaft me anglisht. Na duhej një Hamlet shqip, patjetër. Ma mori mendja se ajo e kishte fjalën për tragjedinë e Shekspirit “Hamleti, Princi i Danimarkës” të shqipëruar aq mjeshtërisht nga një bard tjetër, shqiptar ky, Fan S. Noli, që hapet me një “Introduktë” (sa më pëlqen kjo fjalë, ani pse më e mirë është fjala shqipe “Hyrje”), të vitit 1926, shkruar në Berlin, ky janë dhënë vargjet kulminante, që përmbledhin gjendjen e rëndë shpirtërore dhe vuajtjet e princit të shkretë, të cilit xhaxhai i ka vrarë babain dhe i ka marrë për grua nënën:
“Kjo bot’ u-çthur! O prapësi o dreq,
Që unë paskam lindur të të ndreq!”
Kërkoj në tërë bibliotekën e shtëpisë. Asnjë gjurmë e princit tragjik. Duhet të jetë në mini-bibliotekën e klinikës sime private, them me vete. Është e shtunë, klinika nuk punon. Ndez veturën, shkoj te klinika, futem brenda dhe kërkoj. Raft pas rafti. Gjej dy kopje të “Makbethi”-t, gjej “Tregtari i Venedikut”, por Hamleti paska vendosë të fshihet. Ia kam huazuar dikujt, nuk ka tjetër. Tim vëllai, ose mikut tim Xh. Duke kërkuar Hamletin, gjej po ashtu dy kopje të “Karvani i bardhë” të Azem Shkrelit, njëra botim i vitit 1975 (botimi i tretë) dhe tjetra kopje e botimit të katërt e vitit 1980. Çka më zgjoi kureshtjen dhe për pak e harrova princin që nuk po shfaqej, ishte përkushtimi i kopjes së parë, ku shkruante me një dorëshkrim gati të pakuptueshëm: “Për hartim më të mirë letrar për nder të …(diç e palexueshme), me këtë libër shpërblehet Aziz Mustafa, nxënës i klasës IV/7. 20.XII.1985. Nga udhëheqja e grupit letrar…nënshkrimi i palexueshëm, por më kujtohet fytyra e arsimtares të shqipes Xh. I. Respekt dhe nderim pa fund për të dhe gjithë arsimtarët e paraluftës, të të gjitha lëndëve, posaçërisht këta të lëndës së gjuhës dhe letërsisë shqipe. Ata kanë qenë të vëzhguar, të përndjekur dhe të persekutuar nga shërbimi sekret i asaj kohe. Sepse gjuha shqipe iu ka prishë punë armiqve tanë qe 7 mijë vjet.
Marr njërën kopje të “Makbethi”-t dhe kopjen e pa nënshkruar të “Karvanit të bardhë” dhe duke kujtuar ato çka më kishte thënë Prof. Anton Nikë Berisha për krahasimin midis botimeve më hershme dhe për botimin e përmirësuar të pasluftës së kryeveprës së A. Shkrelit, mbyll klinikën dhe nisem drejt shtëpisë së mikut tim Xh. L. Do të mundohem të “tregtoj”. Një Hamlet për një Makbeth plus një “Karvani i bardhë”. E di se miku im do të më shpotis, por jam i sigurt se kur t’i them se për kë më duhet libri, do të rrotullojë gjithë bibliotekën e tij dhe nuk do të më kthejë duarthatë. Fundi i fundit, libri është vetëm shkas për të pluhurosur duart duke rrëmuar nëpër bibliotekë e duke shtjelluar tema jetike sociale e letrare, gjë që jep më shumë kënaqësi se sa rrotullimi i qengjit të pjekur nën një hije afër Moravës që rrjedh rrugës së vet. Sepse, kur të mërzitemi, në raft të librave do të kërkojmë miqtë e shkrimeve, si ka thënë Dritëroi i madh.
E nëse ai nuk e ka?
Kam ende shumë shokë e miq. Jam i sigurt se po të qes një shpallje në Facebook se më duhet “Hamleti, Princi i Danimarkës”, së paku nja njëqind veta do të lajmërohen. Pa pasur nevojë të shkojë në librarinë “ABC” dhe pa pasur nevojë të shkojë ta huazojë në Bibliotekën e Qytetit, që mban emrin e shqipëruesit Fan. S. Noli. Ndjenja e mirë se ime bijë do të lexojë shqip Hamletin më ka ngrohur zemrën sot tërë ditën, më shumë se dielli i kësaj dite të bekuar të prillit…