DUKE LEXUAR 13 TREGIMET E ARBËR AHMETAJT

Ato janë 69 gra nga kohë e vende të ndryshme, e megjithatë portreti i tyre mbetet i pandryshuar, krejt bio, në sytë e autorit. Portretin e tyre e skalit vet jeta


Alma ZENELLARI

Duket sikur vetëm “69 gra” dalin befas prej fletëve të këtij libri me të njëjtin titull. E secila prej tyre është një rondo poetike më vete. Të heshtura, delikate. Të zhurmshme, rebele, të prushta. Të njohura , të panjohura. Ato janë 69 gra nga kohë e vende të ndryshme, e megjithatë portreti i tyre mbetet i pandryshuar, krejt bio, në sytë e autorit. Portretin e tyre e skalit vet jeta. Të bukura, të serta, të hidhura ashtu si jeta e tyre e sertë dhe e hidhur. Gra të forta me kurme të lidhur, me brymë në tëmtha dhe sy misteriozë. Gra që mbushin jetën me oksigjen dhe kanë gjithë ngjyrat e lirisë në shpirt. Nga trupat e tyre dalin fluturat dhe nisen drejt luleve në oborr. Secila është një sonatë e bukur dhe të tëra së bashku një simfoni e përkryer.
Dalin nga fletët e këtij libri si liqene të dallgëzuara, duke pushtuar galaksinë e ndjeshmërive, duke trazuar koshiencën. Duke na lënë pa materie, veç frymë. Portrete grash të pikturuara me ndjeshmëri të pazakontë burri. Ato janë zëra të veçantë ashtu sikurse të gjitha përcjellin një histori a dramë të veçantë. Secila prejt tyre përbën një kurth, mister, magji. Disa janë të buta diellore, disa janë të përvuajtura, të ashpra, inatçore. Disa janë veçse dhimbje e stamposur në kujtesën kolektive. E megjithatë gjithçka prej tyre është në lëvizje.
Arbër Ahmetaj, ky prozator me inde e vena poetike, i thërret ato në emër. I fton në një dialog të thellë shpirtëror e secila prej tyre shfaqet kush e dëlirë, naive, e sinqertë. Kush e ashpër, marroke, e guximshme, duke mbajtur brenda vetes pyllin, detin, lumenjtë, retë. Zbresin dhe ecin në një tokë të përvëluar dhe si shirat e mbrëmjeve sjellin gjithmonë një tjetër melodi të ëmbël, therëse, të trazuar. Çdo gjë e tyre, çdo gjë përreth tyre përbën një terren të pashkelur, të paeksploruar plotësisht. Është një mister që rrëqeth. Por, Arbër Ahmetaj vetëm guxon ta prek këtë terren dhe ta bëj të njohur. Ai nuk merr përsipër të bëj moral me heroinat e tij. Nuk korrigjon dhe nuk shkon kurrë drejt pyetjes ”pse”. Çdo grua ka rrëfimin e vet, ka potencialin e vet. Ato jetojnë mes pasionit dhe dashurisë madje i lejojnë vetes ndonjëherë ta çojnë dëshirën e vet të çmendur deri në fund.
Në këto tregime frymojnë jetë të thjeshta njerëzore. Ato ushqejnë fantazinë (e përmbajtur) të shkrimtarit. Zhaklinë D, hap portën e këtij narracioni fantastik, që Arbër Ahmetaj e prezanton me shumë modesti pa zhurmë. Ndoshta e vendosur me kast nga autori, një Zhaklinë e cila tenton të dalë nga pusi i vetmisë dhe harresës, të kapërcejë nga hija në dritë. Ajo duket sikur i thërret gjithë të tjerat dhe i shtyn të shfaqen drejt asaj skene ku sipari tashmë është ngritur.
Sylvie, Geralda, Sophi, Fatmira, Eni gra të ëndërrta, gra poezi. Teuta mbretëresha ilire me varrin nën ujërat e Drinit, Delacroix që ecën mbi të vdekur, Onmbele gruaja bujare, bio rrëqethëse, e Afrikës. Rozafa që del nga guri me trupin e shtypur nga vetëflijimi, për t’u ulur buzë ujërave, pranë shelgjeve në lagjen e ciganëve. Bedrija e bukur si hana mbi kullotat alpine. Gjyshja me flokët e thinjura në ajër, si re e vogël e harruar mbi supe. Ruka me shtëpinë buzë lumit, pranë shelgjeve lotues. Karen, Suzi, Sosja dhe Zadja- nana që shpirti i gufon prej një lumturie ta pashfaqur veç në fjalë “nana të ka ty.”
69 gra. Jo! Ato janë më tepër se aq. 70,71, 171 e plot të tjera. Jam edhe unë një prej tyre që frymoj në mitrën e secilës prej atyre grave të vogla-të mëdha, të përzgjedhura ndoshta jo në mënyrë rastësore në këto 13 tregime. Çdonjëra ka shkarkuar energjinë e vet, pasthirrmat e shpirtit, i ka lejuar vetes të tregojë dromca jete të eklipsuara. Nuk janë heroina të njohura në historinë e letërsisë shqipe, përkundrazi gjithë jeta e tyre: e shkuara, e tashmja, është mpleksur pakuptuar me heroiken. Jetë të parrëfyera, ngjarje të vogla me heroina të vogla, por që thellë – thellë ato përbëjnë shumësinë e jetëve tona, sepse zbulojnë atë pjesë të realitetit, që shumë prej nesh nuk arritën ta njohin si duhet me tërë vërtetësinë therëse. Duket sikur janë përzgjedhur me kast, për të hequr sadopak pluhurin e rëndë të harresës tragjike. Nuk janë mbase tërësisht protagoniste erotike, megjithatë me atipizmin e tyre, ato mbeten thellësisht mbresëlënëse.
“69 gra” as tregime, as novela, aq më pak romane, thotë modestisht autori. E megjithatë ai mbetet një libër me proza mjaft cilësore, të bukura, ndjellëse që shoqërohen nga një humor po aq fin që nuk të ndahet deri në fund të leximit. Në këtë “gërmadhë letrare”, të Arbër Ahmetaj, çdo personazh ka lënë fragmente të jetës së vet, me shumë pak fjalë. Por, në ato fragmente secili prej nesh sheh vetveten me sy të kthjellët pa lente.
Dhe pse unë u ndala në dromcat jetësore të 69 grave, përsëri them bindshëm se të 13 tregimet e Arbër Ahmetaj, vijnë kaq bukur te lexuesi, falë gjuhës tejet të pasur poetike, të pasur në stilistikë. Të mbështjella me një bukuri metaforash që të lë pa frymë. Kjo, sepse libri është shkruar nga një shpirt i sinqertë, i cili ka dëshirë jo vetëm të na rrëmbejë me rrëfimin e tij në kohëra të papërfytyrueshme dhe tronditëse, por të bëhemi njësh edhe me personazhet, me vendet apo stinët e çdo gruaje. Një libër që të pajis me dëshirën marroke, që çdo gjë të shkruar brenda atyre fletëve, t’ia tregosh me pasion çdo lexuesi që kërkon një libër cilësor në raftet e bibliotekave. Nga 13 tregime (!), unë veçova njërin prej tyre për t’i dhënë mundësinë lexuesit të përzgjedh dhe të komentojë një tjetër shkrim të këtij libri.

Leave a Reply

Your email address will not be published.